Që në fillim, dëshiroj të theksoj se vendimi i marrë nga Prokuroria Përgjithshme është i padrejtë dhe, si i tillë, duket se është marrë nën presionin e Qeverisë. Unë e kam kundërshtuar këtë vendim të Prokurorisë duke parashtruar argumente dhe sqarime të hollësishme. Çështja lidhet me një urdhër për hapje të programeve të studimit, ndërkohë që shkolla e lartë jopublike Vitrina dhe fakultetet e saj kanë qenë të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Dëshiroj të nënvizoj se çdo vendimmarrje për hapje programesh studimi është bërë sipas kompetencave që i jep ministrit Kushtetuta e Republikës, Kodi i Procedurave Administrative, ligji i veçantë, aktet nënligjore, si dhe sipas procedurave administrative në fuqi.

Urdhri, i kallëzuar në këtë proces, ka ardhur duke respektuar të gjitha hallkat e parashikuara të vlerësimit të projektit të paraqitur nga subjekti, përfshirë edhe hallkën e ankimimit të subjektit aplikues.

Gjatë mandatit tim si ministër kam punuar me përkushtim maksimal për tiu shërbyer sa më mirë nxënësve, studentëve, mësuesve, pedagogëve dhe zhvillimit të sistemit tonë arsimor në  të gjitha nivelet e tij. Këtë detyrë e kam çmuar si një vlerësim të lartë, përgjegjësi të madhe  dhe mundësi për të kontribuar për zhvillimin e vendit tim.

Si deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, dëshiroj të siguroj Partinë Demokratike dhe qytetaret, që më kanë votuar dhe besuar, opinionin publik, institucionet dhe organizatat ndërkombëtare që mbështesin reformat në vendin tonë, se mbështes fuqimisht zbatimin e ligjit dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë, por sigurisht nuk mund të pranoj fushata apo vendime për ‘prerje kokash’ për hir të luftës politike të qeverisë ndaj opozitës, apo thjesht për hir të statistikave.

Besoj se gjykata do ta gjykojë këtë çështje në mënyrë të pavaruar dhe të drejtë, sepse jam i sigurtë në pafajësinë time.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 1 Tetor 2015