Zonja deputete, zotërinj deputetë,

Të dashur qytetare dhe qytetarë që ndiqni këtë seancë,

Zonja kryesuese e seancës që tani në mediat sociale po thirresh rëndom si “zonja e lokomotivës”,

Pas një ligjërate, pas një koprolalie të zgjatur, të mërzitshme dhe të mbushur në çdo frazë me gënjeshtra, detyrohem t’u rikujtoj qytetarëve se parafolësi im, që ka marrë aksidentalisht detyrën, ka udhëtuar sipas sistemit TIMS 62 herë jashtë shtetit dhe 25 të tjera janë të paregjistruara, ka kaluar pa u regjistruar. Ju edhe mund të brohorisni këtu “rroftë e qoftë turisti ynë” por paratë janë të qytetarëve shqiptarë. Sipas sistemit, qëndrimet kanë qënë në 3 ditë e sipër, sipas të dhënave, parafolësi këtu vetëm për vete dhe anturazhin ka kontraktuar 8 jaguarë. A i do këto jaguarët ky sikundër do ato kërpudhat toksike, për t’u englendisur për foto e për..

Këtu para jush u betua solemnisht zoti Eduard Ndocaj, edhe unë i uroj punë të mbarë. Por i kërkoj Komisionit të Mandateve të bëj transparencën e 500 mijë eurove që i ka dhënë Ramës, a kanë shkuar ato për PS, nuk them asgjë, por a kanë shkuar ato për vilën e Surrelit, absolutisht është korrupsion dhe blerje mandati dhe kjo bën diferencë si nata me ditën. Per këtë le të merret Komisioni Verifikimit të Mandatit. Zotit Ndocaj i uroj mandatin por ky moment është për t’u qartësuar sepse mbrëmë shqiptarët dëgjuan se si një sipërmarrës i yni në Itali i jep kryetarit të PS 500 mijë euro. A ja dha për socialistët, bravo i qoftë nuk i them gjë, ja dha për Surrelin, absolutisht do bëjmë gjithë proçedurat pastaj, cila është mbetet për t’u qartësuar.

Po, është e vërtetë që ka një biznes të “lumturuar” deri në qiell në Shqipëri. Po si të mos jetë i “lumtur” sivllau Kokëdhima, që vetëm në naftë janë vjedhur këto dy vite 100 milionë euro. Si të mos “lumturohet” ai, kur paratë e shtetit i mbijnë nga të gjitha anët në oborret e sipërmarrjeve të tij. Koço është më i “lumturi” jo në Shqipëri por më i “lumturi” në Europë. Nuk është vetëm Koço por është dhe simotra Nushi përfaqsuesja e klanit Nushi. Dy klane kishte bregu; klanin Koleka dhe klanin Nushi. Këto dy klane tani janë pushteti. E dini ju historinë e saj? Simotra Nushi, që është binjakja e Koços në biznes, na fiton check up-in, 120 milionë euro për 10 vjet. Se ku shkojnë këto lëkë do e shohim. Simotra, e cila e pi shumë duhanin, 50 milionë euro i mungojnë arkës së shtetit vetëm nga kontrabanda e cigareve. Simotra duhet të marrë tani shërbimin e hipotekave, se këta kanë mësyer të gjitha investimet që ka bërë ky shtet, këta taksapagues me djersën e ballit, tani duan ta shesin, ta bëjnë të paqënë dhe simotra do marrë, pavarësisht se arritëm standartet më të shkëlqyera në disa nga zyrat e hipotekave, tani do i marrë simotra Nushi siç mori shërbimin e shpejtë doganor. Se s’mund ta bëjnë doganierët tanë, po mund ta bëj ajo. Sepse klani Nushi duhet të fryhet dhe të shkëmbejë pasuri me klanin Koleka. A dëgjuat ju se para një viti u vendos që të ngrihet impianti i diegies së plehrave në Elbasan, a e dini si ka përfunduar a jo? 300 mijë euro i paguajnë italianit çdo muaj nga ministria e financave duke filluar nga shtatori. A u tha se ai do bëntë investimin dhe çdo gjë dhe që s’kishit punë ju? Ja ku është vendimi, 300 mijë euro i paguani italianit nga Napoli. Tani na doli ndryshe nga ç’u tha, tani ky merr nga Thesari i Republikës së Shqipërisë çdo muaj nga shtatori 300 mijë euro ky i “lumturuari” tjetër. Po vëllezër siamezë në “lumturi” janë Papuli dhe Carapuli, ish kasieri i PS Carapuli dhe ish strehuesi i Edi Ramës, Papuli. Pra këta tani janë “lumturorët” e tjerë, këtyre u bien eurot dhe dollarët si shiu.

S’ka asnjë kundërshti që OSSHE të ketë ndërtesën e vet, por që ta marrë Carapuli ndërtesën e OSSHE me ofertën më të shtrenjtë, këtë nuk e pranon asnjëri përveç Ramës që është i korruptuar me të. Nuk kam ndonjë kundërshti edhe për kompleksin sportiv Dinamo, por ta marrë Carapuli me ofertën më të shtrenjtë, edhe këtë se pranon njëri. Këtë e merr Edi Rama nuk e merr Carapuli. I merr Rama këto, janë biznese “lumturorësh” këto. Nuk ka asnjëri kundërshti që të ketë ambulanca, po edhe Jaguarët edhe ambulancat Papuli? Pas binjakëve siamezë Kokëdhima dhe Nushi, tani vijnë Papuli dhe Carapuli.

Shkojmë te historia e dekoderave. Historia është se Top Channel është në pikiatë. Po nuk është në pikiatë Top Channel nga asnjë arsye tjetër veçse nga Edi Rama, i cili si maniak dikton çdo fjalë, çdo lajm, çdo frazë dhe gjithçka. Sigurisht Top Channel rrudhet dhe rrudhet, nga një televizion që ishte lider në lajme, shkoni shifeni pak ku është tani. Shifini të dhënat te kompanitë që bëjnë telemetrinë e mediave dhe t’u tregojnë se ku është. Pra, hajde si t’ja bëjmë të vjedhim i thonë kësaj. 3 milionë euro për fukaranë se ata kanë, se jemi njerëz të mëshirës thoni ju. Po nëse e bëni për mëshirë jepja ato 3 milionë për drita atyre, jepja për shkollë, ushqime, nëse e bën për mëshirë jepja ato 3 milionë ilaçe sepse këto janë shumë më jetike se sa dekoderi i Dixhitalbit. Aq më tepër kur është folur e përfolur me qindra herë se vet Rama është aksioner i Dixhitalbit.

Deputetë të nderuar, kur erdhën në pushtet këta zotërinj, betejën e parë këta bixhozxhinj e nisën me lojërat e fatit, nxorrën shpatën dhe thanë se do i sfarrosim, vetëm sa nuk krijuan Ministrinë e Virtutit dhe unë po prisja që të shpallte edhe dikasterin kundër lojërave të fatit. Atij (Tahirit) ja vranë ortakun duke folur me badiguardin e tij, dhe kjo është një lloj prite për të cilën i kërkoj Prokurorisë ta hetojë deri në fund. Filloi Olsi me klanin e vet, u bashkua dhe me Hakmarrjen për Drejtësi në Vlorë dhe në Tiranë dhe tani më thoni pak a nuk solli qeveria një ligj në Parlament në mars? Ku është ai ligj? Pse rri ai ligj sirtareve? Po hyjmë në nëntor, çfarë ndodhi me ligjin e bixhozit nga marsi deri tani? Përfundoi në ruletë. Nuk kemi kundërshti që të jepen shërbime sektorit privat, por nëse unë të jap shërbim ty, do ta bësh ti shërbimin, por të të jap shërbim që pastaj ti të vish t’a bësh tek unë më të gjithë facilitetet e mia, kjo pastaj ka një problem. Se na u mburrët për hemodializat. Edhe ne kemi dhënë, edhe ju bëni mirë që vazhdoni, se ne e gjetëm me 45 të sëmurë e çuam me 600 – 700 vetë, dhe kjo ishte politikë konstante, dhe u bë me outsourcing. Po si qënka kjo tani me outsourcing brënda në spital? Firma është e detyruar të ndërtojë të gjithë infrastrukturën e kompletimit me infermierë, me shërbim, me shtretër. Po ku ta di unë se cila është kosto e shërbimeve spitalore publike. Nuk themi të mos jepen, të jepen plotësisht, të otsource-ohen edhe shërbime të tjera në spitalet private sepse kjo është interesi i shëndëtesisë në tërësi, por të bëhen sipas rregullave. Por tani na del që kjo është bërë outsourcing në spitalet tona, se pastaj hajt ti mbyllim spitalet tona. Kjo është garë për korrupsion, për vjedhje. Kompania e ministrit (Beqja) gdhin me 125 mijë dollarë, “lumturohet” kompania e Sinanit dhe 12 milionë euro. Po kshu s’ka vjedhur kush në këtë mënyrë, se ju në çdo hap, në çdo fjalë, në çdo akt vetëm po vidhni. Dhe kjo s’mund të ndodhi në këtë mënyrë.

Ky pra ishte biznesi që “lumturohet”, por biznesi tjetër është në mjerim të madh. Ai del dhe përsërit shifra këtu, janë të gjitha trillime. As dhe një qindarkë e vetme nuk është shtuar në sigurimet shoqërore nga punëtorë shtesë. Papunësia është rritur dhe po rritet me shpejtësi të madhe. Studimet e fundit japin shifra të llahtarshme për të rinjtë, 70% pa punë ndërsa ju blini jaguarë dhe dekoderë. A e dini që nuk ka një investim të ri të huaj në dy vjet. Të gjitha investimet e huaja të këtyre dy viteve janë të kontraktuara para vitit 2013. E kam thënë dhe ethem prap, se vetëm call center-a kanë ikur 49 nga Shqipëria. Banka e Shqipërisë informon se janë larguar nga Shqipëria 3 miliardë dollarë. A e dini ju sa e ka Kosova rritjen ekonomike? Mësojeni, e ka 4%.  Sa i ka të ardhurat në 8 muaj Kosova? Mbi planin, 800 milionë euro. Po marr Kosovën këtu, spo marr Maqedoninë, e cila për klimën e biznesit qëndron në një nga pozicionet më të mira. Thoni se ka lidhje leja e ndërtimit. Merrni studioni raportin, pozicionin që kishim ne. Kishim një faktor, leja ndërtimit ishte 400 ditë, sepse ishte Edi Rama kryetar bashkie. Iku Edi Rama, e shkurtuam kohën dhe Shëipëria u rrit me shpejtësi. Tani erdhët ju dhe zbritëm 35 vende. Nuk më shqetësin kjo, ajo që është shqetësuese është se nuk tregoni dot një investitor të huaj të ketë ardhur të investojë në Shqipëri.

Si mund të veproni ju në këtë mënyrë, kur një menaxher i shkëlqyer i Aeroportit tonë, bëhet çështje në të gjitha instancat e qeverisë gjermane, sepse i del ministri dhe i thotë “ose do pranosh këtë, ose..”. Cfarë ose? Po ka një kontratë aty, s’është e imja, e ka firmosur Fatos Nano. Edhe unë mund të kem vërejtje, por unë respektoj kontratat. Ndaj doli zonja dhe ju tha se nuk ndryshohet kontrata, nuk ndryshojnë afatet. Vazhdoni, por gjerman që do të vijnë të investojnë në Shqipëri nuk do ketë po të vazhdoni kështu, as francez, as italian, as amerikan dhe asnjë tjetër. Sigurisht kur shohin se si bëni djallin e shtrigave, sesi dilni me megafon ndaj Bankers që është kompania, taksapaguesi nr një në Shqipëri. A bëri gabim? Sigurisht që bëri gabim por shkohet në mënyrë tregtare por nuk del kryeministri me megafon sikur të ishte …Ai është taksapaguesi nr 1 i Shqipërisë. Dhe absolutisht unë, në rastin e Marinzës, isha me qytetarët e Marinzës, me të drejtën e tyre, por në këtë rast qeveria nuk shpall armiq, qeveri insiston në të drejtën e qytetarëve të vet. Pra, do t’ju vijë kush ju nga Kanadaja? Askush s’do t’u vijë. Pra, këta biznesmenë, këta mjerohen sepse kanë klimën më armiqësore ndaj tyre. Pra, këta janë biznesmenë, pa folur këtu për qindra e mijëra të tjerë që rropaten nga mëngjesi në darke për të mbajtur familjen dhe që ju shkojnë në mënyrë ç’njerëzore, 8 herë në javë agjentë rrugaçë, që shkojnë e i gjobisin 8 herë rresht dhe i detyroijnë të mbyllin dyqanin, FRESSH-istë që paguhen si spiunë të tatimeve dhe rrinë në prag të derës për ti akuzuar ata, policë që u vjedhin fshatarëve me kamionë rrushin se u duhet për raki. Pra, jeni lëshuar si lukuni e paimagjinueshme, mbi ata të cilët prodhojnë kafshatën e gojës për qindra mijëra shqiptarë, po i mjeroni si kurrë ndonjëherë. Nuk është se ishin të lumtur, me djersë dhe mundim të madh siguronin jetën, po në këtë mënyrë siç po silleni ju ndaj tyre, me këtë frymë dhe klimë armiqësore kryekëput policeske, ju spo leni njëri më të jetojë në këtë vend. Unë ju garantoj ju se do bëj gjithçka për të qartësuar Europën, se shkaku kryesor i eksodit dhe azilit politik është kjo qeveri e keqe, me politikat e saj ç’njerëzore, me politikat e saj antibiznes, me poltikat të kontrollit policor të çdo gjëje. O sukses imagjinar dhe i gënjeshtër, merrni pak të ardhurat doganore. Pas 290 vitesh, për herë të parë janë më të ulta se një vit më parë, merrni pak eksportet, të cilat ka patur vite me rritje 50-60%, i keni, nga shtatori ne shtator, 4% më të ulta se një vit më parë. Vazhdoni, vijuani flakën, përzejini. Ju po shkatërroni çdo gjë, në çdo aspekt. Para pak ditësh filloi arsimi në kushtet më të vështira. 5 milionë euro për t’u shpërdoruar me Carapulin ministrja e Ramës, e ka çuar për ndjekje penale sekretarin e përgjithshëm. Po më thoni një shkollë të ndërtuar, një auditor të rindërtuar, qoftë dhe një të vetëm. Ku i keni? Përkundrazi, siç ikën do ikin edhe më shumë.

Unë, duke denoncuar këtë situatë të pashpresë, duke denoncuar këtë mazhorancë, e cila faktikisht ka rënë, e cila faktikisht mbahet vetëm me vjedhje dhe asgjë tjetër, unë prap u bëj thirrje shqiptarëve që të bëjnë një analizë, të shpëtojnë sa më parë nga kjo klikë, se vendi po rrokulliset në mënyrë të pandalshme.

Së fundi, dua të shpreh qëndrimin tim, mbështes plotësisht çdo hap që ndërmerret në mbështetje të refugjatëve, duke i  kërkuar BE-së të studiojë në Shqipëri të gjitha shkaqet që shndërruan shqiptarët në një popull azilkërkues të dytë mbas Sirisë.

Duke e mbyllur, dua të përshëndes përzemërsisht të gjithë të zgjedhurit e Luginës së Preshevës, të cilët në një akt historik, më një përgjegjësi të lartë, ata dy ditë më parë shpallën autonominë e Luginës së Preshevës. Shqiptarët e Preshevës, janë absolutisht qytetarët më të shtypur, më të diskriminuar, më me pak të drejta në Europë. Ata luftuan për të drejtat e tyre. Një marrëveshje u arrit midis tyre dhe qeverisë serbe, e ndërmjetësuar nga NATO. Qeveria e Serbisë e ka shkelur nen për nen dhe pikë për pikë marrëveshjen. Korpusi i xhandarmërisë, njëri nga korpuset e xhandarmërisë serbe është i dislokuar për ti intimiduar, për presion dhe terror ndaj tyre në Luginën e Preshevës. Autoritetet serbe kanë ndjekur dhe ndjekin një plotike konstante të spastrimit etnik të shqiptarëve në këto komuna. Qeveria serbe u zotua në takimin e OSBE-së, kur ne hoqëm veton, dhe në mos gaboj zoti Haxhinasto ka qënë përfaqsuesi, dhe bëmë të mundur që të merrte kryesimin, pasi na ndërhynë dhe miqtë bashkë me Zvicrën, u zotuan se do të njohin diplomat. Gjer sot nuk i ka njohur madje katër ditë më parë ata bënë bllokimin dhe akoma s’kanë lejuar shpërndarjen e librave shqip në Luginë. Ka një raport nga OKB, sado që i vjetër, i cili konstaton aty një inkriminim të shkallës më të lartë. Në këtë kontekst, unë vlerësoj shumë aktin e tyre, njëakt drejt lirisë, një akt që do ta bëj Serbinë më të lirë, më demokratike, natyrisht në mënyrë të prerë nuk mbështes asnjë kërkesë për ndryshim të kufinjve me dhunë. të gjitha, në kuadrin e Konventave Evropiane, në kuadrin e Kushtetutës së Serbisë dhe u them miqve tanë atje se duhet të jenë të kujdesshëm, se nuk mund të jemi në asnjë mënyrë në sintoni në asnjë rrethanë me ndonjë dëshirë të nacionalizmit serb. Interesi kombëtar i shqiptarëve është konsolidimi i këtyre kufinjve. Në kuadrin e këtyre kufinjve Presheva autonome si rajon, mund të gjejë spektrin më të gjërë të lirive dhe të drejtave që meritojnë. Unë ftoj Parlamentin shqiptar, me një rezolutë të mbështesë këtë akt, natyrisht, edhe një herë shprehem, në këtë kuadër, kuadrin e Konventave Europiane, të Autonomisë Lokale dhe Rajonale, në kuadrin e Konventës Europiane për Minoritetet, në kuadrin e Kushtetutës së Serbisë, Republikë në të cilën ata jetojnë.

Pjesa e dyte:

Zoti kryesues i seancës, dua të informoj shqiptarët për dokumenta autentike origjinale, e-maile të dërguara direkt nga zyra e KM Edi Rama nëpërmjet famozit Ermal Beqiraj, hajduti të serverit, i cili i dërgontë Ahmet Premçit, me datën 14 dhjetor 2013, në ora 12:25, Ermal Beqiraj dërgon te Ahmet Premçi dhe Ahmet Premçi dërgon tek Spartak Braho dhe tek prokurori, ja pra se si zyra e Kryeministrit drejton prokurorin e shtetit, pyetjet të cilat duhet ti bëjnë Renald Ristos, pasi e vodhën, pasi eklonuan serverin tani duhet të dënojnë Riston dhe të fshihnin gjurmët . Ja ku është dokumenti. Një orë e pak më mbrapa, të njëjtën ditë por në ora 13:21 i dërgohen nga Premçi tek Braho që do ja jepte prokurorit. Prokurori ishte elif matrak, e dinte qe aty s’kishte asgjë ndaj s’dinte çfarë pyetjesh të bëntë pavarësisht se kishte një meritë të madhe, se bashkëshorten e kishte deputete. I dërgojnë pyetjen tjetër, ja ku e kam listën me pyetje të formuluar në zyrën e kryeministrit, Ramës, për Renald Riston nga këshilltari Ramës, pyetja shtesë thotë: “A keni shoqëruar ju specialistët e Auditit të Ministrisë së FInancave në dhomën e serverave me punonjësit tuaj Robert Shahini, Sokol Ibraj, dhe Andi Allaraj për të monitoruar punën e tyre në dhomën e serverave dhe a keni mbajtur procesverbale për këto veprime”. Pra pyetje që i dërgonte Ermal Beqiri Ahmet Premçit, konfidentit tjetër të Ramës, Spartak Brahos për tja dërguar prokurorit, i cili kishte arrestuar Renald Riston.

Pyetjet po ja u lexoj.

“Përse nga ana juaj nuk u kundërshtua grupi auditit të ministrisë së financave nëse vlerësonit se duhet të futeshin në ambientet e serverave”

“Përse nuk informuat me shkrim drejtorin e përgjithshëm për shqetësimet e konstatuara”

“A ka procedurë sigurimi të të dhënave në back-up në rast sulmesh dhe ndërhyrjesh”, pyetje e trashë që bën Ermal Beqiri, nuk dinte që ka një back-up të dyfishtë.

“Përse keni lejuar përdorimin e kredencialeve, users, pasuordeve të sistemit tek më shumë se një person”. …

Pra pyetje tipike të sigurimit të shtetit. Ta marrin vesh shqiptarët se pse u bënë këto. Këto u bënë për të fshehur krimin. Këtyre u duhej të justifikonin se pse do ta ndiqnin Renald Riston dhe u duhej të fshihnin klonimin, edhe sot e kësaj dite mungojnë 4 milionë e 300 mijë deklarata.


Fjala në Kuvend e ish kryeministrit Sali Berisha, 29 Tetor 2015