Milionat që OSHE ka dhënë për deputetë të Edi Ramës, kandidatë për kryetarë bashkie apo donator të Partisë Socialiste apo LSI-së, kryesisht janë ndarë me negociim pa shpallje gare.
Me porosi; hajde dhe merr nga thesi ca miliona.
Kështu ka funksionuar për dy vite OSHE-ja, e cila shperdoron milionat e gjakut të shqiptarëve, paratë qe i ka mbledhur me dhunë, me forcë, me burg.
Majmen njerëzit e Edi Ramës me paratë që u morën jetën Qamil Zelës, Llazi Nasit, Gjovalin Lazrit, Arif Dodës.
Bëjnë pasuri me këto miliona deputetë dhe klientela e Edi Ramës, teksa lihen në errësirë fëmijë të porsalindur, pleq të vetmuar, dhe çohen në burg njerëzit e pamundur.
Për çfarë duheshin marrë me dhunë këto para kur nuk investohet ne përmirësimin e furnizimit me energji e evidentuar tek hidrovorët që nuk punonin gjatë përmbytjeve apo tek ndërprerja e vazhdueshme e dritave kudo në vend.
Këto para u duheshin marrë me dhunë qytetarëve që ndërtuesi i sarajeve të Edi Ramës të kapte 5 miliardë lekë për rikonstruksion zyrash. Sipas llogarive të bëra, ndërtuesit të Ramës i janë dhënë para për të bërë punime rregulluese që shkojnë 1639 euro metri katorë. Ndërkohë që për të ndërtuar një godinë të re kostoja është 4 herë më e vogël.
Këto para u duheshin marrë me dhunë qytetarëve që të merrte pa tender Safet-kandidati i Edi Ramës në Kamëz, 850 milionë lekë për shërbimin e ruajtjes dhe sigurisë fizike sikurse mori edhe kompania e Pjerin Ndreut, 340 milionë lekë.
Kur ndahet torta nuk mungon i kudondodhuri i korrupsionit, Ilir Beqa, me kompaninë e tij Intech plus, që ngjeu lugën edhe me paratë e OSHE-së.
970 milionë lekë ka përfituar Sadri Abazi, një tjetër kanakar i Edi Ramës.
Një lukuni donatorësh, deputetësh, miqsh të Edi Ramës janë sulur e kanë mbushur xhepat me paratë e shqiptarëve, pa tender, pa garë, me negociim nëse ju mjaftojne për tu ngopur ose jo.
Si hienat merr, shqyej, mbush trastën e ik.
Kjo është banda e OSHE, këto janë arritjet e mëdha të Edi Ramës.
Një korrupsion i pamasë e i pështirë qe tallet me skamjen dhe me jetën e qytetarëve të vendit.
Eshtë koha për t’i ndalur zullumqarët e zhytur në vjedhje e zhvatje.
Deklarata për mediat e nënkryetarit të PD, Edmond Spaho, 21 Tetor 2015