Në vijim të turit “Fjalën e kanë qytetarët”, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua me biznesmenë të Beratit teksa vizitoi edhe biznesin fason. Zoti Basha u njoh me dhunën dhe terrorin që po ushtrohet çdo ditë biznesit, pasigurinë juridike, rritje e madhe të taksave të cilat ua kanë vështirësuar punën. Në këtë situatë sipas biznesmenëve janë të detyruar të largojnë njerëz nga puna, dhe as nuk bëhet fjalë për të hapur vende të reja pune. Ndër shqetësimet kryesore të biznesit ishte tarifa, e niveli ulët i të ardhurave për tu klasifikuar si biznes i vogël, terrori që ushtrojnë tatimorët për ryshfet, taksa e pronës, çmimi i energjisë, i naftës, etj.

Kryetari i Partisë Demokratike ka bërë të ditur disa nga opsionet që po shqyrton Partia Demokratike për nivelin e  taksave dhe çmimin e energjisë ndërsa drafti përfundimtar, theksoi zoti Basha do të jetë gati pas përfundimit të konsultimeve me qytetarët.

Niveli i të ardhurave për tu klasifikuar biznes i vogël do të rritet në 120 milionë lekë deklaroi kreu i demokratëve, sikundër do të aplikohet një model i ri për të mbajtur larg tatimorët nga bizneset.

Biznesmen: Është shqetësim i të gjithë biznesit  të vogël tarifa prej 20 milionë lekësh të vjetra në vit, është një vetëvrasje për këtë biznes. Do të ketë një lëvizje të tarifave?

Basha:Po shqyrtojmë këtë propozim.Ta çojmë nivelin e biznesit të vogël në 120 milionë lekë të vjetra. E dyta,  biznesi i vogël do të paguaj një herë, vetëm një herë  do të vendosë pullën në dritare siç e kemi pasur me automjetet  dhe tatimorët. Nuk kanë më punë të shkojnë dhe të bëjnë terror te bizneset”.

Pas shqetësimit të biznesit fason për taksën e pronës e cila i rëndon më së shumti ata për shkak të sipërfaqeve të mëdha në të cilat shtrihet biznesi i tyre, zoti Basha ka theksuar se kjo taksë do të ulët dhe do të shkojë në nivelin që ka qenë para ardhjes në pushtet të kësaj mazhorancë  që e rriti nga 1250 lekë në 3000 lekë. Paratë e këtyre taksave të shtuara, tha Basha do ti mbeten biznesit për të shtuar vendet e punës si interesi më i madh i Partisë Demokratike.

Biznes fason: Zoti Basha çdo të bëhet me taksën e pronës? E kishim 1250 lekë të reja për metër katrorë e çoi 3 mijë lekë me vendim qeverie,  me  30% që uli bashkia i bie prapë 2700 lekë të reja metri katrorë. Po të mendosh sipërfaqet e mëdha që kanë bizneset tona, i bie që  të punosh tërë jetën për të paguar tatimin për metër katrorë.

Basha:Taksa e pronës do të rikthehet  në nivelet që ka qenë  dhe të mblidhet sepse këtu nuk mblidhet. Qëllim më të madh se punësimi i njerëzve qeveria nuk duhet të ketë dhe ju siguroj se qëllim më të madh qeveria ime kur të më jepni besimin nuk do të ketë. Ulja e taksave do të jetë në këtë funksion.”

Kryetari i Partisë Demokratike bëri të ditur dhe disa prej opsioneve që po diskutohen në lidhje me çmimin e energjisë, siç është ulja e TVSH-së për energjinë ndërkohë që menjëherë pas ardhjes në pushtet, zoti Basha bëri të ditur se do të ulë me 240 lekë që u rrit në këto dy vite taksën e qarkullimit.

Tregtarë: Si do jetë trajtimi për çmimin e energjisë pasi  në 95% të këtyre bizneseve është rritur mbi 40%.

Basha:Për çmimin e energjisë po studiohet ulja e TVSH-së. Do bëjmë simuli me uljen 15% dhe deri  me 19%  uljen e TVSH-së e energjisë për konsumatorin dhe për industrinë. Të tjera propozime mund ti diskutojmë dhe të vijmë me zgjidhje të tjera. Por një gjë është e sigurt,  nëse Shqipëria nuk e bën energjinë, karburantin me një çmim konkurrues më të ulët mundësisht se çdo treg tjetër në Ballkan “Rrahim ujë në hava!”. Taksa shtesë e qarkullimit do të jetë e para që do të ikë 240 lekë për litër, nuk është pak”.

Zoti Basha u ndal dhe në fshatin Guriçan ku vizitoi disa sera dhe bashkëbisedoi me fermerët. Shqetësimi i tyre i madh ishte kanali kullues, mungesa e tregut dhe kërkesa absurde sipas tyre siç është NIPT-i. Ndonëse fondet për kanalin kullues janë dhënë, theksuan fermerët ato kanë përfunduar në xhepat e pushtetarëve dhe në kanal nuk është bërë asnjë investim. Përsa u përket subvencioneve, fermerët thanë se që ti përfitosh ato duhet ti ndash përgjysmë me përgjegjësit e miratimit të tyre.

Fermer: Subvencionim ne nuk na bie njëri këtu edhe kur duan të sjellin, ata kërkojnë gjysëm për gjysëm.

Fermer: Kanali kullues është shumë shqetësim. Këtu bën 10 milionë lekë shpenzime, një të mbytur kjo dhe falimenton fare.

Fermer: Nxjerr një kosh rrush për të shitur fshatari atje, për të siguruar bukën e gojës  dhe po ua marrin nëpër tregje,  u kërkojnë kuponin tatimorë.

Fermer: Farna të pakontrolluara nuk dihet se nga po vijnë, plehrat po hedhim gurë në ugare jo pesticide po gurë të graniruar, kur vetë në fund të fuçisë  del rërë. Kë doni me naftën, tregun e pakontrolluar  numër NIPT-i, atë e dimë ne sistemi i Papandreut është ky?!


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 16 Tetor 2015