Kam të paktën që nga viti 2009 që i lexoj përvit progres-raportin e Komisionit Europian, si pasojë fillimisht e detyrës që kam patur, pastaj nga interesi personal dhe në fund nga një dëshirë për të parë përmirësimin e një vendi që përpiqet të kapë ritmin e të tjerëve. Prandaj, për sa flas më poshtë besoj modestish se kam përvojë m qoftë në kritikë ashtu edhe në evidentimin e problemeve. Nuk është e lehtë të ballafaqohesh me një raport që të vlerëson me notë ngelëse sepse sheh se si janë thërrmuar të gjitha ato përpjekje të viteve punë të qeverive paraardhëse. Nuk është e kollajtë të kapërdish një raport që nuk pasqyron asnjë arritje, asnjë realizim që bilancin pozitiv e ka më të shteruar krahasuar edhe me 2014 apo 2013.

Të mendosh që qeveria e Alenacës Europiane (çfarë emërtimi apo jo?) është kthyer në qeverinë e vetme që ka prodhuar një PR që dëshmon se si mund të ecet pas megjithëse vijat dhe udhëzimi nuk të lënë të gabosh.

Në ndryshim nga vitet kur leximi i raportit qe një pjesë e rëndësishme e detyrës sime, vërej që ka disa përmisime. Opozita nuk është më kapitull i veçantë. Ndryshe nga çdo PR i para vitit 2013, ku një kapitull i veçantë i kushtohej opozitës që bllokonte ligjet e integrimit, që bllokonte bulevardet me ato grevat e famshme të urisë, që kërkonte me ngulm dhe si një fëmijë i llastuar Këshillin e Qarkut të Fierit. Që i kushtohej një opozite që bojkotonte procesin e integrimit se gjoja ato do ta bënin më mirë, sot ky raport nuk e ka një kapitull të tillë.

Por nuk është se ky kapitull i mungon sepse ju jeni një qeveri e mbarë. Ky kapitull i mungon se ndryshe nga ju dje, ne sot jemi një opozitë që në axhendën tonë de juro dhe de facto kemi të shenjtë integrimin në BE. Ky kapitull nuk mungon se ju jeni të pa inkriminuar si mazhorancë, as se jeni një qeverisje e mirë për shqiptarët por mungon sepse opozita ka vullnetin në letër dhe në praktikë për të ndihmuar vendin për të hyrë në BE.

Mirëpo, shqiptarët sot nuk qeverisen nga opozita por nga një mazhorancë që ka filluar të luajë kulisash haptazi. Qeverisen nga një mazhorancë që nuk ka vullnetin politik për të nisur një reformë dhe për të përfunduar në një progres të caktuar pas kësaj reforme. Dhe kjo vjen sepse mazhoranca ka vullnetin politik për të qendruar në pushtet sa më gjatë të jetë e mundur, përndryshe nëse kjo qeveri do të kishte vullnetin politik do të ndërtonte një administratë të denjë për të plotësuar kriteret e nevojshme për hapjen e negociatave. Njësoj si dikur një mazhorancë që sot quhet politike, u vendos në lëvizje për nënshkrimin e MSA, u vendos në lëvizje për të plotësuar rreth 70% të ACQUIS, u vendos në lëvizje të përmbushte planet e veprimit për 12 prioritetet.

Prandaj, të nderuar kolegë, kjo qeveri kur mori PR e parë në 2013 mori ato fjalë të bukura sepse në atë PR u pasqyrua puna e atyre që ishin dje ndërsa sot të reflektuar në pasqyrë e PR kemi punën e këtyre që sot zënë televizorin përditë.

Mirëpo mendësia juaj për të nisur gjithçka nga zero nuk ju jep mundësi të jeni më të hapur, prandaj edhe nuk i lexoni siç duhet ato çfarë PR ju paraqet. Fjala vjen si rasti i administratës publike dhe korrupsionit, ku në PR thuhet se ka patur progres të moderuar. Që vjen si pasojë e miratimit të strategjisë dhe bazës ligjore që ekziston, por që nuk ka vijuar me rezultate në këtë fushë. E si mund të ketë fundja rezultate? Kur në fakt këto dy fusha sa herë që diskutohen në parlament nga ministrat duket sikur thonë të njëjtën sinkronë përherë? Me fjalime që duket se janë të vitit 2013 e që shprehin të njëjtin ligjërim e të njëjtën gjuhë edhe pse kjo qeveri ka dy vjet e pak në pushtet dhe ka ardhur koha të mbajë përgjegjësi!

Por për fatin e keq të shqiptarëve, paudhësitë dhe zullumet e saj janë kaq të mëdha edhe si pasojë e abuzimeve me emërime që kjo qeveri ka kryer në këto dy vjet. Pjesë që PR i citon qartësisht kur përmend rastet e rrezikimit të këtyre arritjeve si pasojë e ndërrimit të shpeshtë të stafit, duke cituar këtu policinë e shtetit. E cila ka ndryshuar stafin duke penguar ndjekjen e rasteve, konfiskimin e aseteve dhe pengimin e hetimit por edhe duke përfunduar në skandale si ai i djegies së laboratorit të kriminalistikës.

E çdo gjë është e lidhur më krimin. Mua në fakt, më erdhi trup që për herë të parë në një PR përmendet fakti ne si parlament jemi duke punuar për të larguar nga postet e larta publike, përfshirë parlamentin, personat me të rekorde kriminale.

Unë si çdo koleg tjetër në këtë parlament duhet të ndjehemi keq, por mbi të gjitha duhet të reflektojmë se si ia arritëm kësaj dite. Kur e zeza mbi të bardhë të pranohet tashmë dhe nga vendet anëtare të BE se parlamenti i një vendi që aspiron të jetë pjesë e Europës së bashkuar, të ketë administratën e nivele të tjera të qeverisjes me persona të inkriminuar. E mbas kësaj për çfarë arritjesh të flasësh? Sa rëndësi ka që kemi ligj për korrupsionin e strategji për të, por nuk e zbatojmë dot se administrata është e inkriminuar? Sa rëndësi ka që kemi miratuar me konsensus një ligj për adminsitratën publike, që dhe në këtë Progress raport njihet si arritje, por që nuk ka vlerë kur administrata mbushet me të inkriminuar?

Në krye të fjalës përmenda se duhet vullnet politik për të qënë të qartë se nuk ka kthim pas në rrugën tonë drejt procesit të Integrimit Europian.  Mirëpo ky vullnet juve si mazhorancë ju mungon duke qenë se jeni të zënë për t’u zënë se kush ka më shumë pushtet në aleancën tuaj gjoja europiane. E këtë e reflekton edhe progres raporti që e dëshmon qartazi mungesën e dëshirës për të ecur para me reformat. Por edhe sjellja juaj parlamentare ku gjatë një viti është diskutuar vetëm një në herë në këtë sallë për procesin e integrimit. Ajo herë e vetme ka qenë diskutimi i një ligji për procesin e integrimit të iniciuar nga Komisioni I Integrimit. Por përgjatë një sesioni e pak a erdhi ndokush nga ju të propozojë një ligj, një iniciativë të vetme që t’i japë vlerë këtij procesi? A e keni parë Ministren e Integrimit qoftë një ditë të vetme të raportojë këtu në Parlament se çfarë po ndodh me adminsitratën? Nëse kjo e fundit është e gatshme, e po ecën me përafrimin e legjislacionit apo jo?

Imagjinoni pak, kur nuk ka kjo mazhorancë vullnetin më miminal për të folur për integrimin a do të ketë vullnet për të zbatuar në praktikë faktorët kyç për hapjen e negociatave?

Dje ekzistonte një sistem shumë i mirë për planifikimin e integruar. Ku politikat, buxhetet e prioritet e integrimit Europian vendoseshin në të njëjtin plan dhe ekzistonte një sistem po kaq i fortë raporti e monitorimi. Kështu që në fund të ditës ia arritëm të plotësonim ato mijëra e mijëra detyrime. Sot në këtë Progres Raport nënvizohet se ky sistem ka dobësi, nuk funskionojnë rregullat e brendshme në ministri e stafi që kishte memorien institucionale nuk është më në punë.

Çfarë arritje të madhe ka kryer kjo qeveri; ka mundësuar që në dy vjet e pak të shkatërrojë një sistem funksional. Dhe arsyeja se përse e shkatërroi këtë sistem funksional integrimi lidhet me fshesën e saj në administratën publike. “Ndryshoi Ligjin për Shërbimin Civil, duke i hapur rrugë rekrutimit në nivelet më të ulëta e të mesme personave jashtë shërbimit civil duke i bërë pushimet nga puna më fleksibël” thotë raporti. Më politike me pak fjalë.

Shumë prej institucioneve janë përjashtuar nga ligji i Shërbimit Civil, që si pasojë ka sjellë korrupsionin që të jetë galopant në administratë. Për ta thënë më qartazi, ligjet janë aty por kjo qeveri nuk ka përzemër zbatimin e ligjit por emërimet politike qoftë edhe të atyre personave që zëvendësojnë nëpunësit e trajnuar. 7800 nëpunës janë pushuar padrejtësisht nga kjo qeveri klienteliste.

Si pasojë, një qeveri që nuk ka vullnet integrimin, helmon administratën me emërime partiake dhe jo pak herë të inkriminuara. Si pasojë korrupsioni nuk do të bie, përkundrazi Aleanca e për Qeverisje të Korruptuar i ka krijuar të gjitha kushtet e nevojshme që korrupsioni të jetë kryefjala e PR. Aq shumë keni abuzuar me pushtetin tuaj, sa që as transparenca.al nuk ju bëri fajde. Aq shumë keni vjedhur shqiptarët përmes tenderave sa që jeni kthyer në gangrenë jo vetëm për shqiptarët, që përditë po e shohin se çfarë tufe çakenjsh jeni kthyer, por edhe për ndërkombëtarët që vazhdojnë të këmbëngulin tek kjo fjalë.

E si të mos këmbëngulin kur persona me profil të lartë politik të akuzuar për korrupsion, abuzim me pushtetin, të përfshirë në tendera korruptivë nuk hetohen por merren në mbrojtje publike? Si të mos këmbëngulin kur nuk ka konfiskim asetesh dhe një influencë të lartë politike për t’i mbrojtur zullumqarët në qeveri?

E vetmja arritje, në mund ta quajmë kështu, për korrupsionin është ndërtimi i një plani pune, i mbetur në letër kuptohet, i cili ka vendosur një buxhet në vlerën e 12 mln eurove. Vlerë kjo e barabartë me tenderat që ka fituar Ilir Beqja në kompaninë e tij Intech+. Ironike apo jo?

Dhe meqë këtu po trajtojmë korrupsionin, sidomos në prokurimet publike, mund t’ju kujtoj se një progres raport i tillë ka lëvduar një Ligj të Prokurimeve Publike. E ka cilësuar si ndër më të mirët në këtë fushë dhe që çdo qeverie, përfshirë edhe juve, nuk i mbetej gjë tjetër vetëm se sa ta zbatonte. Siç fare të thjeshtë e kishin mundësinë për të zbatuar ligjin e koncensioneve, por që ju vendosët të bënit një të ri, i cili nuk përputhej me ACQUI, po çfarë rëndësie ka? E rëndësishme që kriterin e abuzimit me fondet publike e ka të salduar fortë në thelbin e tij.

Përndryshe si do të mund të vidheshin 777 mln euro nga buxheti i shtetit? Si mund të humbisnin kaq lehtësisht sa e sa para nga të taksapaguesve, që përditë u rriten taksat, nëse juve nuk do të ndërtonit ligje si e si të abuzonit më lehtësisht?!

Qershia mbi tortë e gjithë këtij zinxhiri që nis nga një qeveri e korruptuar dhe pa vullnetin politik për të ndërtuar një shtet të së drejtës padyshim që do të përfundonte me kritikat për një qeveri që ka rikthyer vendin në një burim të trafikimit. Kështu përpjekja për ta zhbërë këtë problematikë ka dështuar edhe pse ministri i brendshëm apo edhe kryeministri krekosen me luftën kundër krimit të organizuar.

Me cilën luftë duhet të krenohet një ministër i cili pak ditë pasi i digjet në mënyrë të çuditshme laboratori i drogës, mbasi gënjeu publikisht, na kthehet dhe ne prezantues festivalesh duke folur për arritjet e policisë? Me cilën luftë duhet të krenohet një ministër i cili ka një hetim të hapur nga ana e prokurorisë por që ka frikë të japë dorëheqjen për t’u gjykuar pa titullin e ministrit? Për cilën luftë flet kjo qeveri kur nuk ka asnjë rast për pastrim parash gjatë vitit 2015, ndërkohë që akuzat të bëra publike në media e nga opozita dëshmojnë qartazi fajtorët?!

Tani, më lejoni të fokusohem pak tek të drejtat e njeriut dhe gjithashtu të pronarëve.

Më kujtohet ajo broshura e Aleancës së Korruptuar, që ishte mbushur me një ligjërim mallëngjyes sa i takon mungesës së të drejtave të njeriut. Sot që po flasim, prokuroria njofton se janë dënuar 2,643 shqiptarë për vjedhjen e energjisë elektrike dhe asnjë zyrtar për abuzimet me OSHEE. Sot që po flasim, prokuroria ka kërkuar për 536 raste të tilla masën ekstreme të lënies në burg ndërkohë që kandidatët për deputet deportohen nga vetë shteti që më pas i nxjerr në kërkim.

Opozita e djeshme, ajo që lirinë e ka në çdo faqe të pamfletit të saj qeveritar ka që nga dita e parë në këtë parlament që si kryefjalë të saj ka burgun. Burg për qytetarin e pafajshëm, burg për shitësit ambulantë, burg për berberët, burg për shitësit e librave, burg për kundravajtësin rrugor, burg për atë që thotë të vërtetën që nuk i pëlqen kësaj qeverie. Burg për të gjithë përveç oborrtarëve të saj, të cilët ajo i gjykon dhe mëkon sipas një ligji të veçantë. Për çdo shpifje u rritet llokma e shpërblimit!

Prandaj nuk përbën habi që Progres Raporti të vërejë me kritikë mbingarkesën e burgjeve ku nga 700 në vitin 2009 në sistemin e provës ka kapërcyer në 13.359 në 2014. Kjo rritje është shenjë e frikës suaj, frikës së kësaj qeverie e cila përgjigjet e të gjitha pikëpyetjeve dhe pasigurive të saj i ka me burg. Frikës së një qeverie që goditet me vezë dhe sërishmi dënon me burg.

As nuk përbën më çudi ajo çfarë ky Progres Raport parashtron sa i takon çështjes së pronarëve. Të atyre që ju premtuat kthimin dhe kompenisimin e pronave, por që po i sorollasni lart e poshtë sepse ende nuk keni përditësuar strategjinë e  2012-2020 për çështjen e pronave. Dhe përfundimin e procesit të regjistrimit. Por megjithëse asgjë nga udhëzimet e BE nuk keni kryer, keni qenë gjithmon të gatshëm të sillni ligje antikushtetuese sa i takon pronarëve. I treti në radhë, u paraqit para pak ditësh në kuvend, i ndërtuar tërësisht nën një frymë antikushtetuese dhe që me të gjitha gjasat do të refuzohet nga Gjykata e Strazburgut, por fundja për ju asnjë nga këto nuk është problem.

Problemi juaj i vetëm lidhet me pasionin për atë karrige. Një qeveri që nuk ka vullnetin më minimal për të nisur një nga pesë kriteret e rëndësishme për statusin, që nuk ka vullnetin për të ndërmarrë një nismë ligjore pro integrimit. Që nuk ka vullnetin për të krijuar një administratë publike në shërbim të integrimit dhe qytetarëve. Çfarë mund të presësh nga një qeveri e tillë?! Çfarë mund të presësh nga një parlament që kryeministri e ka shndërruar në noterin e ligjeve të tij antikushtetuese, ndërsa ky i fundit është kthyer në noterin e dikujt tjetër vetëm për hir të pushtetit?!

Mund të presësh një mazhorancë që mbështet kandidatë të inkriminuar, një mazhorancë që është në pushtet dhe rri e merret me historitë e të djeshmes si e si për t’u harruar vjedhja e radhës. Mund të presësh një mazhorancë që gënjen dhe që gënjeshtrën e bën aq të bukur sa të duket si e vërtetë, një qeveri që hesht sa herë një skandal del dhe një kryeministër që sillet si prepotent. Mund të presësh gjithçka më sipër por asnjëherë nuk mund të shpresosh të gjesh një qeveri të përkushtuar për të çuar qoftë edhe një hap më tej integrimin e këtij vendi.

Kjo sepse kësaj qeverie dhe mazhorance i mungon pasioni dhe vullneti për ta çuar këtë vend përpara. Kjo sepse këtë qeveri e ka dehur suksesi imagjinar i konferencave ku lëvdojnë njëri tjetrin dhe sepse kësaj mazhorance ua kanë zënë sytë verbimi i dritave të pushtetit. Për të cilin janë të gatshëm të bëjnë kurban këdo…qoftë edhe parimet që deri më dje i mbanin të shenjta. Prisni, sepse ende nuk keni parë asgjë akoma!


Fjala në Kuvend e deputetes të PD, Jorida Tabaku, 12 Nëntor 2015