Platforma e demokratëve: Taksat më të ulëta në Ballkan, ulje e çmimit të energjisë për qytetarët, falje pa kushte të kamatvonesave për të gjithë shqiptarët nga jugu në veri.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bashkëbiseduar sot me tregtarët në qytetin e Kukësit. Zoti Basha u njoh nga tregtarët me shqetësimet që lidhen me rënien e fuqisë bleresë, rritjen e taksave, rritjen e çimimit të dritave, papunësinë e lartë e deri tek emigracioni. Shumë qytetarë të Kukësit kanë shitur gjithçka për të emigruar dhe sot janë kthyer e janë në mëshirë të fatit, i thanë zotit Basha qytetarët e Kukësit. Kreu i demokratëve theksoi se situata po përkeqësohet çdo ditë dhe me këtë qeveri nuk ka më asnjë shpresë pasi për të interesi i vetëm është pervetësimi i fondeve publike dhe jo interesi i qytetarëve.
“Shteti me të cilin krenohet Edi Rama është shteti që u merr edhe kacidhen e fundit me padrejtësi, me kërbaç, me pashpirtësi qytetarëve të thjeshtë dhe nga ana tjetër pasuron një grusht njerëzish të cilët vjedhin ditë për ditë nga arka e përbashkët e shtetit përmes doganave dhe tatimeve 1 milionë dollarë, pa llogaritur këtu tenderat për të cilat Kontrolli i Lartë i Shtetit i nxori se kanë abuzuar në shumën rekord, prej 1 miliardë dollarësh në një vit. 162 ditë në dy vite ky njeri që i thotë vetes kryeministri i Shqipërisë, i ka harxhuar në hotelet më luksoze të botës me paratë e shqiptarëve që i ka çuar drejt varfërimit dhe mjerimit, azilit e deri vetëflijimit” theksoi Basha.
Qytetarët kanë të drejtë të marrin në dorë fatet e tyre kur iu mohohet e drejta elementare, kur iu shkelet ligji për t’i dhunuar, kur i nxjerr nga puna, kur nuk kanë të ardhurat minimale, deklaroi kreu i demokrateve duke shpalosur dhe ofertën e tij për qytetarët shqiptarë.
“Ekonomia është zhytur në greminë jo prej Zotit por prej kryeministrit, njeriut që ka vënë taksat më të larta në Ballkan, njeriut që u merr shqiptarëve taksën më të lartë të karburantit, njeriut që ka ngritur çmimin e energjisë elektrike.
Që ditën e parë në qeverisje gjëja e parë që do të bëjmë është ulja e taksave. Taksat më të ulëta në Ballkan do ti paguajnë kuksianët dhe gjithë shqiptarët. Çmimin e energjisë për qytetarët do ta ulim, kamatëvonesat e bandës së OSHË-së do të falen pa kusht për të gjithë shqiptarët nga jugu në veri.
Mos ti lëmë të keqes kohën që ta gërryejë akoma më shumë shpresën që ka mbetur në këtë popull
Të ngrihemi e të frymëzojmë anembanë vendin përmes akteve të mosbindjes civile, e qëndresës, hapjen e një rruge tjetër për Shqipërinë, për shqiptarët, për Kukësin dhe çdo qytetar”, tha Basha.
Fjala e plotë e kreut të opozitës, z Basha me tregtarët në Kukës:
Rikthehem në këtë vizitë në tregun e Kukësit, pas afro 10 muajsh dhe siç e patë gjendja ka shku nga keq edhe më keq. Shteti me të cilin krenohet Edi Rama është shteti që u merr edhe kacidhen e fundit me padrejtësi, me kërbaç, me pashpirtësi qytetarëve të thjeshtë dhe nga ana tjetër pasuron një grusht njerëzish të cilët vjedhin ditë për ditë nga arka e përbashkët e shtetit përmes doganave dhe tatimeve 1 milionë dollarë. 1 milionë dollarë janë më shumë se sa qarkullojnë para në tregun e Kukësit në një ditë të vetme, pra më shumë se sa hanë e pinë,e shpenzon Kukësi e gjithë kuksianët në një ditë vjedh Edi Rama dhe ministrat e tij nga Dogana e Tatimet, pa llogaritur këtu tenderat për të cilat Kontrolli i Lartë i Shtetit i nxori se kanë abuzuar në shumën rekord, një rekord tjetër ka vendosur për Shqipërinë Edi Rama, 1 miliardë dollarë në një vit, abuzime, vjedhje, korrupsion, majmen, pasurohen, bredhin si turistë nëpër botë. 162 ditë ditë në dy vite ky njeri që i thotë vetes kryeministri i Shqipërisë, i ka harxhuar në hotelet më luksoze të botës me paratë e shqiptarëve që i ka çu drejt varfërimit dhe mjerimit, azilit e deri vetëflijimit. Këtu para se të futeshim në treg një zotëri i nderuar e në moshë më pyeti: A do të presim edhe një vit e gjysëm kështu, a ka kohë, a ka mundësi populli i Kukësit, qytetarët e Kukësit, qytetarët e Shqipërisë, fermerët e Shqipërisë ta shtyjnë edhe për një vit e gjysëm kështu? A është ky shteti që meritojnë shqiptarët, apo është shteti i zuzarëve, i hajdutëve, i njerëz të korruptuar e më damkë që OSBE-ja dhe Europa i tregon me gisht, siç tregon Edi Ramën ku në raportin e punës thotë se ka grumbulluar 200 milionë euro pasuri dhe është një krim në çdo vend, është një krim kapital në një vend, populli i të cilit shkon refugjat i dyti pas sirianëve në Gjermani.
Unë e di që jam mes njerëzve të vuajtur që nuk kërkojnë asgjë më shumë se drejtësinë e tyre, nuk kërkojnë asgjë më shumë se sa të respektohet ligji i barabartë për të gjithë dhe shteti ti shërbejë popullit dhe jo populli shtetit. Ndaj dua t’ju them se me votën tuaj dhe me vendosmërinë tuaj ne do të ndërtojmë së bashku një shtet ligjor dhe demokratik që në qendër të ketë qytetarin dhe jo shtetarin. Shteti që ndërtohet për shtetarët meriton të përmbyset me çdo formë, me çdo mjet demokratik popullor. Shteti duhet të ketë një dhe vetëm një interes mirëqenien e qytetarëve, punësimin e qytetarëve, shëndetin e qytetarëve, arsimin e qytetarëve, drejtësinë për qytetarët. Duke e nisur me ekonominë e cila është zhytur në greminë jo prej Zotit por prej kryeministrit, njeriut që ka vënë taksat më të larta në Ballkan, njeriut që u merr shqiptarëve taksën më të lartë të karburantit, njeriut që ka ngritur çmimin e energjisë elektrike. Njeriut që nga njëra ana kërkon kacidhen e fundit qytetarët e tij dhe nga ana tjetër i bënë rrush e kumbulla për papulë e carapulë. Prandaj pyetjen e atij zotërisë së mençëm dua t’jua shtroj sot ju: A keni mundësi me prit edhe një vit e gjysëm? Atëherë iu bëj thirrje ta filloni këtu nga Kukësi, ta filloni këtu nga Kukësi frymën popullore të ndryshimit dhe të jeni të sigurt që në krah do të keni dibranë e shkodranë, korçarë e vlonjat, populli, qytetarët kanë të drejtë të marrin në dorë fatet e tyre kur iu mohohet e drejta elementare, kur iu shkelet ligji për ti dhunuar, kur i nxjerr nga puna, kur nuk kanë të ardhurat minimale, popujt e qytetëruar ngrihen ndaj kam besim se Kukësi do të ngrihet, Kukësi do të ngrihet, Shqipëria ngrihet, shqiptarët ngrihen për drejtësi dhe një shtet në funksion të qytetarëve.
E kur të ngriheni ta dini se në fund të një rruge që të gjithë e dimë se çfarë rruge është ajo kur ngrihet populli, ajo është fundi i çdo qeverie autokratike, arrogante e të padrejtë. Por duhet ta dini që qeveria për të cilën ngriheni duhet të japë llogari që nga çasti i parë para jush, që qeveria për të cilën do të ngriheni dhe do të votoni do të jetë qeveria që do ulë taksat. Ju jap fjalën e nderit sot si kryetar i opozitës dhe kryetar i Partisë Demokratike e nesër me besimin tuaj se gjëja e parë që do të bëjmë është ulja e taksave. Shqiptarët njerëzit më të paprivilegjuar të Ballkanit që të krijojnë ekonomi, pasuri e punësim kanë nevojë për taksa më të ulëta në Ballkan dhe unë do ta mbaj fjalën që jap sot, taksat më të ulëta në Ballkan do ti paguajnë kuksianët dhe gjithë shqiptarët. Çmimin e energjisë për qytetarët do ta ulim, kamatëvonesat e bandës së OSHË-së do të falen pa kusht për të gjithë shqiptarët nga jugu në veri. Mos ti lëmë të keqes kohën që ta gërryejë akoma më shumë shpresën që ka mbetur në këtë popull
Të ngrihemi, të ngriheni e të frymëzojmë anembanë vendin përmes akteve të mosbindjes civile, e qëndresës, hapjen e një rruge tjetër për Shqipërinë, për shqiptarët, për Kukësin dhe çdo qytetar.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 3 Nentor 2015