Një incident ka rinxjerrë në skenë, atë që Edi Rama e bëri kryetar bashkie në Krujë, megjithë thirrjet e ndërkombëtarëve dhe kërkesën e mbarë qytetarëve, për të mos kandiduar persona me të shkuar kriminale.
Kryebashkiaku i Edi Ramës, Artur Bushi, i proceduar nga policia italiane për trafik droge, bredh nëpër lokale nate me pistoletë në brez dhe me vulën e institucionit që drejton me vete.
Sipas raportimeve në media, edhe në shoqërinë e dy prostitutave.
Përfundimi, sot kryebashkiakut të Rames i kanë marrë edhe koburen edhe vulën e bashkisë ose në rastin më të mirë, sot kryebashkiakut të Ramës i ka humbur edhe koburja edhe vula.
Ky është modeli i Edi Ramës për kryebashkiakët, këtë kryebashkiak ka përzgjedhur ai për të menaxhuar jetën e 100 mijë banorëve të Krujës për 4 vite.
Një i inkriminuar që drejton Bashkinë me pistoletë dhe që merr vulën e kryetarit të Bashkisë me vete në lokale nate.
Këto janë pasojat e inkriminimit që Edi Rama i bëri parlamentit, bashkive dhe zyrave të administratës.
E megjithatë, Edi Rama po bën çtë mundet për ta zvarritur dekriminalizimin.
Por raste si ky i Bushit janë këmbana alarmi, që tregojnë nevojën e domosdoshme dhe të menjëhershme për çlirimin e politikës, të bashkive dhe institucioneve nga të inkriminuarit, nga zyrtarët me kobure në brez dhe vulë në xhep.
Partia Demokratike do të bëjë dekriminalizimin, me çdo mjet, me çdo kusht.
Qytetarët shqiptarë nuk meritojnë të drejtohen nga bushët e roshët, nga prengët e frrokët.
Deklarata për mediat e Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani, 3 Nentor 2015