Të diskutojmë sot për buxhetin faktik, pra cfarë keni bërë ju me taksat e shqiptarëve vitin e kaluar është ironi therëse.

Nëse e quajmë me termin buxhet faktik, nuk tregohemi të vërtetë, bëjmë kompromis.

Në fakt, duhet quajtur, korrupsioni faktik, zhvatja faktike, vjedhja faktike e parave, e fondeve e pasurisë së shqiptarëve.

Këtë, si përvojë të qeverisjes së vitit të kaluar, të qeverisjes sot e gjithë ditën e njohim të gjithë, e kanë përjetuar qytetarët e vendit kudo.

Por saktësisht, i ka dhënë formë Kontrolli i Lartë i Shtetit me audituesit e tij, me ekspertët profesionistë.

Dhe rezulton se 777 milionë euro është dëmi i shkaktuar nga qeveria në vitin 2014.

Një dëm i paprecedentë, historik për nga madhësia dhe mënyra se si është bërë.

Në 399 tendera të kontrolluara, janë zbuluar 1254 shkelje.

Dhe në krye të të gjithë abuzimit qëndron afera e Edi Ramës me kompaninë CEZ.

Shifrat dhe faktet janë therëse. Po përtej kalkulimeve, çfarë del zbuluar është folozofia e qeverisjes, që është; merr çtë mundësh, kap çtë mundesh.

Nuk di a ka republikë tjetër në Europë apo më gjërë me këtë bilanc tragjik korruptiv.

Me një përllogaritje të thjeshtë, i bie që dëmi i shkaktuar është 2 milionë e 120 mijë euro në ditë.

Po flasim për vitin e kaluar.

Ndërkohë që çdo ditë po zbulohet se milionat e eurove dhe miliardat e lekëve ndahen në pako dhe u shkojnë miqve të Ramës, ndërtuesve të tij.

Jam i sigurtë, siç është i sigurtë çdo qytetar i vendit, se korrupsioni nga viti i kaluar e sot vetëm është rritur, vetëm është majmur e zmadhohet çdo ditë.

Buxheti duhet të jetë një instrument që sjell mirëqënie, zhvillim, vende pune, rritje rrogash e pensionesh.

Nëse buxheti nuk do të ishte zhdukur rrugës nëpër zyra e tendera, me siguri nuk do të kishim sot që flasim 80 mijë bashkqytetarë që kanë ikur vetëm në gjermani nga janari e deri në shtator të këtij viti. Vetëm në Gjermani dhe sigurisht shifrat janë më të larta pasi ky është një fenomen dramatic që ndodh, po ndodh dhe tani, në këtë moment.

Pra ju ia keni ndryshuar krejtësisht destinacionin buxhetit. Nuk keni krijuar asnjë premisë për të jetuar këtu, për të jetuar më mirë. Çfarë keni bërë në vitin e kaluar e çfarë bëni sot e gjithë ditën, është që buxhetin e përdorni për mirëqënien tuaj personale.

Buxheti, fondet publike shkojnë për tendera me fitues të paracaktuar.

Fondet shkojnë për luks, për rregullim zyrash, dhe luksi shumëfishohet pasi nuk ka garë, nuk ka shpallje, por gjithçka nis që në fillim, me idenë se kush do e marrë.

Shumë e thjeshtë, po marrim ca Jaguar të mirë, fjala e fundit për vete, dhe po i marrim tek Papuli. 2 milionë euro aferë për ndërtuesin e vilës në Dardhë e në Durrës.

Shqetësimi i vetëm që keni është se kujt do ia çojë kësaj radhe qeveria, Edi Rama, paketën e milionave.

Shihni se si pas çdo tenderi qëndron një ndërtues personal i kryeministrit.

Korrupsioni ka arritur majat, dhe paralelisht varfëria rritet e zmadhohet cdo ditë.

Ju keni ngelur në salla të mbyllura, në zyra e aeroporte. Nuk keni më asnjë kontakt me qytetarët.

Nuk mbahet mend sa kohë ka kaluar që kryeministri u shfaq më në fund në një ambjent gjysëm publik, edhe aty ruhej nga dhjetra gardistë e policë.

Dhe e patë çfarë ndodhi.

Të rinjtë i treguan vendin. I treguan vendin një mashtruesi që ka grisur kontratën me ta dhe ndjek vetëm interesat personale.

“Mashtrues, sharlatan”, kështu iu drejtuan të rinjtë Edi Ramës. Po këtë e ndjejnë, këtë nxjerrin nga goja të gjithë shqiptarët.

Nuk përballeni dot me asnjë të ri, me asnjë banor të vendit.

Qeveria juaj ka rënë, dhe nuk ju ka mbetur asnjë fije legjitimiteti.

Sepse, jo vetëm mashtruat dhe nuk realizuat as edhe një nga premtimet e bëra, me të cilat erdhët në pushtet, por më keq, nuk bëtë as përpjekjen më të vogël për ti realizuar ato.

Ndodh që një qeveri nuk i realizon gjithë premtimet. Por vetëm me ju ndodh që të mos realizoni as edhe një premtim të vetëm. Dhe të mos ndjeni asnjë lloj keqardhje.

Kush nga ju mund të shkojë sot në Kukës, në Shtiqen, në Shishtavec. A keni kurajon t’u dilni para qytetarëve atje në zonën time, sidomos tani që po vendosni edhe një barrë tjetër të rëndë mbi ta, që është taksa për Rrugën e Kombit. Po e njëjta situatë është dhe në Vlorë, Korçë, Elbasan a ku të doni në Shqipëri.

Ju nuk mund ti dilni më para qytetarëve, sepse jeni bërë simbol i korrupsionit, jeni damkosur në sytë e gjithë bashkëqytetarëve tanë si shkaktarët e skamjes, të mjerimit, të vuajtjeve e të eksodit masiv.

Pra sot që flasim për buxhetin faktik, në fakt po i vendosim epitafin një buxheti, që nuk pati jetë për të ndihmuar jetën e banorëve, por rilindi vetëm për xhepat tuaj.


Fjala në Kuvend e deputetit Alban Zeneli, 6 Nëntor 2015