Debati kombëtar për rininë u zhvillua sot në Dibër, ku i ngarkuari i kryesisë së Partisë Demokratike, Jemin Gjana tha se të rinjtë dibranë kanë qenë gjithmonë një burim energjie për kauzat e opozitës dhe fitoreve të PD.
“Të rinjtë demokratë po sjellin në këtë garë vlerat dhe platformat më të mira të ideve dhe vizioneve. Kjo garë po shënon dallimin e madh mes modeleve të rinisë së PD dhe forumeve rinore të PS e LSI që shesin e blejnë vota, duke cenuar vullnetin e lirë të shqiptarëve”, u shpreh ndër të tjera z.Gjana.
Në këtë debat u theksua se rinia demokrate dhe të gjithë të rinjtë shqiptarë kanë sot një mision të madh, atë të rrëzimit të regjimit të rrezikshëm të krimit dhe korrupsionit që ka ngritur qeveria dhe mazhoranca Rama-Meta.
Më tej, kandidatët për drejtues të FRPD, shprehën arsyet dhe motivet e tyre, pse u përfshinë në politikë, pse hynë në këtë garë dhe kush janë objektivat e tyre.
Ata ishin në një qëndrim kur theksuan se të rinjtë në politikë kanë detyrën historike, për të sjellë ndryshimin e madh, ringritjen e Shqipërisë, nxjerrjen e vendit nga kriza e thellë politike, ekonomike dhe morale, dhe integrimin në Bashkimin Europian.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 19 Nentor 2015