Pas gati një viti nga marrëveshja e 24 dhjetorit, ne kalojmë sot në parlament një ligj disi të veçantë, paksa të cuditshëm për pas 25 vite demokraci, i cili ka marrë prej kohësh vemendjen jo të vogël të faktorit ndërkombëtar, të opozitës parlamentare që e shndërroi me të drejtë në kauzë të saj dhe të opinionit publik.

Por në këto muaj, asnjëherë, nuk kam besuar se ai ka pasur, ka e do të ketë dhe vëmendjen e mazhorancës.

Nuk e besoj, sepse përgjatë gjithë kësaj kohe,  kjo mazhorancë e ka përçmuar, e ka qeshur, e ka ironizuar, e ka shpërfillur nismën tonë.

Madje duket paksa paradoksale tek  e sheh dhe e dëgjon të duartrokasë sot pas cdo fjale të vetën, si në delir. A thua ka marrë pushtetin rishtazi, apo ka marrë shqelmin e rradhës. Jo thjesht shqelm, por do thoja goditje fatale.

Për çdo demokraci normale, sjellja e një ligji me përmbajtje të tillë, në cilëndo rrethanë të vinte, do të ishte me dosmosdo krahas të tjerave, teksti i nekrologjisë së qeverisjes, kapitullim pa kushte i një misioni, i cili nuk mundi të kalojë dot as pragun e derës së shtëpisë së vet, së cilës i ka shkaktuar gjëmën. i një qeverisje që varfëroi skjashmërisht popullatën dhe kriminalizoi po kaq skajshmërisht politikën.

Ai duhet të shkundte nga themeli ngehinën e dalë boje të së majtës, të zënëfryme e të kapur gryke, para syve të gjithë botës, nga interesat kriminale dhe nga individë të lyer kokë e këmbë me parfum që kundërmon dhe vezullon krim.

Pasi përtej termave ligjorë, ajo që thotë ky ligj dhe që të gjithë e pohojnë, madje dhe do ta votojnë, një pjesë e madhe e mazhorancës, pa e ditur dhe arsyen pse, përpos të konsideruarit si detyrë partie, është e qartë dhe e thjeshtë:

Që ne sot jemi demokracia e krimit.

Që ne sot na udhëheq krimi, duke u bërë kështu Republika më origjinale në planet.

Që ju, për një plesht-pushtet, dogjët përfundimisht jo vetëm jorganin, por dhe dyshekun moral të gjithë Shqipërisë.

Pa një pa dy,  efekti më i parë i tij, i pajtueshëm me çdo etikë politike dhe brenda çdo logjike të thjeshtë , do ishte dorëheqja e Kryeministrit.

Aq më tepër kur vetë, ky Kryeministër është identifikuar, për shkak të frikës, për shkak të injorancës apo për shkak të aventuarve pasionante të tij, le ta gjejë vetë një gjë të tillë, me një nga amendametet e tij të pamiratuara.

Gjithsesi jetojmë në kohërat e entuziazmit banal partiak ku absurdi është vetëshpallur bashkshoqëruesi ynë më i ngushtë dhe dashur pa dashur, teatri juaj politik cdo ditë e më shumë, po imponohet si një e keqe pa rrugëdalje.

Ky teatër ka prodhur këtu llo-lloj deklaratash, llo-lloj humori.

Herën e fundit më bëri përshtypje një përfaqësuesi i juaji i cili arriti deri në atë pikë sa gati nuk thirri në ekstazë “Ku t’i kërkoj rrënjët e tua Rilindje?”

Në fakt personalisht termin Rilindje nuk e kam përmendur asnjeherë as në shkrime e as në fjalë.

Gjithmonë i jam mbajtur idesë se çdo përvetsim i saj nga një forcë politike ishte një përdhosje veprës së e atyre burrave që sollën datën e bekuar të cilës i përulemi e do ti përulemi me rëspekt vetëm dy ditë larg.

Që të isha sa më i qetë në fakt huazimin që ju i bëtë, gjithnjë e kam përcjellë jo si Rilindje por si Ramëlindje. Dhe meqënëse përfaqësuesi juaj kërkonte “rrënjët” e saj, sot ai mund t’i shohë qartazi. Ligji e ndricon se kjo Ramlindje rrënjët i kishte dhe i ka tek krimi, që ne po rrekemi sot ta kryqëzojmë.

Në këtë pikë një ligj si ky është udhëkryqi, ku ju duhet të bëni zgjedhjen e duhur.

Përkundër këtij gjesti fisnik qytetar e politik të kërkuar me insistim nga ne, ju sot përpiqeni të reflektoni një lloj gazmendi fals që nuk ju ka as hije dhe as ju shkon me mendimet që  keni.

Madje hipokrizisht do rrihni gjoksin e do ulërisni sic po bëni, që është një fitore. Por për cfarë fitore e keni fjalën?!! Dhe e kujt?!!!! E kryeministrit, të cilin halli e dërgoi tek porta e ligjit?!! E juaja,  sepse u detyruat me pahir ta miratonit?!!! Apo e politikës sonë e cila po pohon gojëplot e me krenari qesharake nga ju e me inat të kuptueshëm nga ne, se e majta e saj ka kaq shumë kriminelë sa na duhej me patjetër një ligj i vecantë. Apo fitore e publikut, i cili po sheh se kryeministri i tyre po vulos sot të vetmen të vërtetë të kësaj qeverisje, që ky popull drejtohet nga krimi???!!!

Qofshi ju për kurajën që keni!

Në këtë pohim nuk dua të vë aspak në dyshim pjesën e shëndoshë tuajën dhe që mbart vlerat e vërteta të së majtës. Por nuk mund të rri pa thënë se kupolës suaj vetëm veladoni i ka mbetur i kuq. Dhe këtu deri diku, sepse e zeza ka gjurmën e saj në efektet pamore. Po kjo nuk ka aq shumë rëndësi. E rëndësishme është që brendinë e këtij veladoni ju e dini dhe e njihni po aq mirë sa dhe unë, po aq mirë sa dhe ne.

Shkulja e saj është detyra jonë. Dhe këtë nuk mund ta bëjë vetëm një ligj sado perfekt të jetë ai. Përpos tij na duhet vullnet, dëshirë, pasion, sakrificë politike për të nisur e për të bërë vepra të mira,  për tu treguar dinjitozë e të vërtetë para atyre që na kanë besuar ti përfaqësojmë.

Por le të ngelemi me këmbë në tokë. Sot po ndodh e pathëna.

Dhe në këtë të pathënë unë nuk besoj se kryeministri ynë është i lumtur, aq më pak i vërtetë dhe i sinqertë. Sigurisht nuk pretendoj as që ai të hapë shampanjën për këtë ligj, apo të testohet në makinën e së vërtetës.

Nuk e kërkoj, pasi të gjithë e kemi dëgjuar e parë tek ulëriste se në parlament nuk ka të inkriminuar, tek bërtiste se listën e 2013 do ta bënte të njëjtë kurdoherë,  tek urdhëronte me sms e me gjestilkulacione goditjen e deputeteve tanë, tek deklaronte se dhunuesit ishin të pafajshëm dhe se fajin e kishte fjala e lirë e opozitës, tek sfidonte partnerët tanë në kërkesën e tyre ngulmuese për të mos kandiduar personat që kishin me probleme me drejtësinë ndërkombëtare.

Nuk e kërkoj sepse të gjithë e kemi vërtetuar tek emëronte në detyra kyçe në polici, dogana, administratë e kudo, njerëz me të kaluar kriminale e tek betohej se një ligj i tillë, nuk kishte për të kapërcyer kurrë portën e parlamentit.

Por ama publikisht, për honorin e tij personal politik, unë do t’i kërkoja, ta pranonte testin e drogës, pavarësisht rezultatit dhe konsekuencave që mund të sillte ai për të. Të paktën do hynte në histori, sic gjithmonë ka ëndërruar, si kryeministër që nuk kaloi dot testin.

Sinqerisht më dhimbset që ai nuk mundet ta pranojë.

Po dhe sinqerisht e them se, për sytë e kujdo dhe mendjen e gjithsecilit, një individ i tillë, as mund të transformohet si me magji në një ditë dhe as mund të jetë i besueshëm në atë cka thotë, për shumë vite pasardhëse.

Dhe atë pak besueshmëri që i ka mbetur tek të tijët, ja rrëzoi dje letra therëse e hapur që mësuesja e djalit, ja dërgonte jo pa dhimbje e revoltë. Ajo ulëriste atje të vërtetat e një pushteti mashtrimi dhe deklarohej vërtetësisht, se nuk mund ti kthehej detyrës “deri ditën që prej atij institucioni të jenë larguar mercenarët e terrorit politik”.

Pjesë e këtij terrori nuk janë vetëm mbeturinat e sigurimit famëkeq, por dhe ordinerët e inkriminuar që sot i gjen të ngulur në politikë e përtej politikës, midis të tjerave dhe drejtorë shkollash, edukatorë  e mendjedhënës e moralbërës.

I keni mbjellë kudo në Shqipëri, pa kyrsyer as arsimin, për të vjelë nga aty për turp, më pas, ca vota më shumë.

E gjitha kjo shton peshën time të dyshimit për vullnetin e mazhorancës për ta zbatuar pa kushte, këtë ligj.

Të nderuar deputetë!

Nuk dua të bëj optimistin fillestar dhe as të bërtas thatë se, miratimi i tij sot është një sukses.

Sigurisht ai mbetet i tillë sidomos për opozitën. Madje i madh.

Por historia nuk mbaron këtu. Përkundrazi tani fillon.

Si çdo ligj ai është i ftohtë, ka afate e norma juridike, por frika ime ime është se në atmosferën e tij të provuar e dëshmuar dhe sot nga kjo sallë, nuk ka nerv mazhoritar e dëshirë mazhoritare për ta implementuar dhe për ta cuar deri në fund.

Unë nuk pres që ligji të na thotë pse arritëm deri tek ai, pasi sot është e qartë se shkaktari ka një emër dhe ky shkaktar është ai që drejton këtë vend. Por është ligji ai që pret të zbatohet.

Mazhoranca, mgjs pa dëshirën e saj ka qenë e shtrënguar ta pranojë këtë ligj, nuk mund të vazhdojë të sillet me të sikur ai të ishte mall kontrabandë. Nuk mund të sillet kështu sepse ky ligj dëshmon pa ekuivok, e zeza në të bardhë, se është mazhoranca me krimin e saj që ka hyrë kontrabandë në këtë parlament e qeverisjen e vendit

Ajo as nuk mund të rrahë gjoksin se na ka dhënë konsensus, duke na e trajtuar këtë konsensus më pas si koncesion, në këmbim të paudhësive të tjera me emrin reformë. Reformë e cila kërkon të mbysë Drejtësinë, ta kapë atë me shpresën, ndër të tjera, që ky ligj të mos gjejë hapësirën e vet të efekteve që duhet domosdo të prodhojë.

Mazhoranca nuk mund ta shesë dhënien e tij si nder që na e ka bërë neve, po përkundrazi duhet të jetë mirënjohëse që ne i kemi sjellë asaj sot, në tepsi, celsin e clirimit të vetes pikërisht nga krimi, pavarësisht angazhimit të saj anemik.

Që kur kam hapur derën e politikës, kam konstatuar se fjala konsensus ka qenë e mbetet me e pavlera, më e shkelura me këmbë dhe që është hedhur tej si leckë, sa herë i është dashur partive politike.

Prandaj jam besimlëkundur nëse kryeministri dhe skota e tij do ta konsiderojnë ligjin.

Jam i tillë sepse kjo mazhorancë nuk e ka të vështira ta trajtojë atë si të gjitha premtimet e mëdha.

Nuk e ka të vështirë ta trajtojë si shumë ligje që i anashkalon kur do, për favoret e veta dhe kur i shtrëngon për ti rënë në qafë njerëzve të thjeshtë.

Jam besimlëkundur, sepse kam frikë se ai mund të ketë fatin e ligjit famëkeq për dosjet, i cili sot është shndërruar në mbrojtësin e atyre që realizuan terrorin politik.

Nuk kam siguri as, nëse ky ligj pas ca kohësh do të gjendet i rënë skiç, si gëzhoja e famshme në këmbë, e padëmtuar nga agjentët atmosferikë, si në parrallat me fantazi të shfrenuar, që nxorri mrekullisht nga qelitë deputetin e arrestuar për tentative vrasje. Përdryshe nga mbrojtës i së drejtës ai do bëhej thjesht psallmi që do lante mëkatët kriminale të atyre që sot janë në llumin e krimit.

Nuk kam besim as tek kryeministri, sepse si frymëzues i krimit ai nuk mund të tejkalojë një kontratën e qelbur me krimin e cila e ka bërë atë që është sot.

Por një mesazh e kam.

Rama të mos ta mendojë se mund ta përdorë këtë ligj si kapakun e florinjtë për të mbyllur aty akuzat dhe të vërtetat rrënqethëse të kriminalizimit të politikës së tij dhe as të tentojë për ta vdekur atë që sapo ka lindur.

8 dhjetori nuk është vetëm një ditë!


Fjala në Kuvend e deputetit të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, 26 Nëntor 2015