Analizat dhe gjykimet rreth buxhetit faktik te vitit 2014, viti i parë i qeverisjes së majtë, kanë një rëndësi thelbësore në vlerësimin e politikave ekonomike dhe fiskale të shpallura me aq mburrje dhe të shoqëruara me poteren e një revanshi të padëgjuar. Askush nga ne nuk e kishte menduar në fillim se do të mjaftonte vetëm një vit për të diskredituar në mënyrën më shembullore të ashtuquajturin program të së majtës, një amalgam premtimesh, mashtrimesh, gulçimash hakmarrëse, idesh nihiliste, program i cili sot është kthyer në mandatën e shqiptarëve që kanë marrë dhenë për bukën e gojës dhe kanë zhbërë e rënuar shpresën për të nesërmen në këtë vend.

Është e vërtetë se ecuria e buxhetit të shtetit nuk është pasqyrim besnik i zhvillimeve në ekonominë reale, aq më tepër në rastin tonë ku ai është më pak se një e treta e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por është një e vërtetë e hidhur fakti se, si kurrë më parë, ndikimi i politikave fiskale që konsiston në ritje progressive taksash, i impostuar në mënyrë të dhunshme dhe arrogante nga kjo qeveri, impaktoi në mënyrë të shpejtë e të përgjithshme ekonominë e vendit në çdo qelizë të saj, duke e çuar atë në gjendje paralize.

Mazhoranca u rek më kot sot ta trajtonte buxhetin 2014 si një çështje numrash, një oaz ku hanë e pijnë qeveritarët dhe klientela e tyre, të shkëputur e të izoluar nga shkretëtira që i rrethon, aty ku zhegu përvëlus i taksave të dyfishuara po rënon bizneset, investimet dhe punën, aty ku indiferenca e qeverisë për të papunët në rritje e për ata që kanë të pamundur mbijetesën e përditshme po përzë masivisht qytetarët e dëshpëruar.

Por edhe sikur ta shihnit buxhetin e shtetit vetëm si defterin e hesapeve të qeverisë, duhet ti kishit kursyer ngrefosjet mburravece për performancë të madhe, për rritje si asnjëherë tjetër të të ardhurave në buxhet etj. Dhe kjo për dy arsye të paktën:

E para se nuk është e vërtetë se të ardhurat e vitit 2014 kanë rritjen më të lartë të arritur ndonjëherë (12.1%), pasi në vitin 2006 janë rritur më shumë (12.4%), vit kur taksat mbi biznesin e madh u ulën 2.5 herë dhe mbi biznesin e vogëm 2 herë, dhe në vitin 2008 edhe më shumë (15.8%) dhe në këtë vit  po ashtu u ul me 2 herë taksa mbi punën dhe u hoqën fare rreth 20 taksa e tarifa të tjera.

E dyta sepse rritja e të ardhurave në vitin 2014 është bazuar tërësisht në rritjen e taksave. Vetëm masa e taksave të reja që shpallët, rritja me 50% e taksave mbi biznesin si dhe rritja e taksave mbi qytetarët në formën e taksave mbi karburantet etj., pati sipas përllogaritjeve të vetë qeverisë një efekt neto prej 240 mln USD. Pjesa tjetër prej rreth 130 mln USD, ishte marifeti i qeverisë me gjoja borxhet për biznesin, ku rimbursimi i taksave që zakonisht zbritet nga të ardhurat e vitit u deklarua shpenzim i paguar nga BB. Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtëra, e vërteta u hakmor në vitin në vijim ku gropa e të ardhurave mori brenda gjithë mburjet njëvjeçare të qeverisë. Pra efektet e të ashtuquajturit mirëadministrim janë negative, poqese marrim të mirëqënë se PBB është ritur 2% siç thoni ju dhe po ashtu inflacionin prej rreth 2%.

Le ta lemë qeverinë të lumtërohet me dështimet e veta dhe ti këthehemi analizës së të vërtetave që lidhen me buxhetin e vitit 2014 jo si një defter hesapesh të saj, por si një dokument sintezë i politikave, reformave dhe praktikave që kanë lidhje dhe prekin interesat e çdo qytetari.

Së pari sa efficient, nxihtës e lehtësues ka qenë qeveria me politikat e saj në raport me ekonominë e vendit. Në çmasë politikat, reformat dhe programet e zbatuara në kuadrin e këtij buxheti kanë nxitur rritjen e ekonomisë dhe mirëqënies së përgjithshme shoqërore. Për këtë le të listojmë disa prej treguesve të raportuar nga vetë qeveria. Rritja ekonomike prej 2% e PBB, nën nivelin e mesatares së rajonit tonë, vlerësohet nga të gjitha institucionet se është dukshëm nën nivelin e kapaciteteve që ka vendi dhe për më tepër si një ritje që thellon dukshëm problemet e mëdha strukturore të vetë ekonomisë dhe ato sociale ku varfëria dhe mjerrimi po bëhen shpërthyese. Deficiti tregëtar i vendit u thellua edhe me 10.5% më shumë, deficit valuator i vendit jo vetëm që është më i larti në rajon dhe më i larti në 6 vitet e fundit, por u thellua më tej gjatë vitit 2014 edhe me 12% më shumë. Investimet direkte në ekonomi me gjithë mburrjet e qeverisë janë në nivelin më të ulët në 15 vitet e fundit dhe me tendencë rënie edhe në vijim. Në harkune vitit 2014 kreditimi për ekonominë reale u ul si në vlerë absolute (me -2.3%) dhe aq më tepër në raport me PBB. Kursimet e qytetarëve ranë në nivelin minimal historik dhe kursimet e brendshme gjithsej po ashtu. Inflacioni i ekonomisë ishte nën nivelin e kufirit të poshtëm të pranuar, çka do të thotë se pulsi i ekonomisë erdhi në shuarje edhe pse deficit i buxhetit ishte më i madhi në të gjithë historinë e vendit.

Kjo është panorama e ekonomisë për vitin 2014 sipas statistikave të vetë qeverisë. Dhe kjo ishte një gjë e pritshme përpara masave antiekonomike fiskale dhe represionit të qeverisë. Rritja me 50% e të gjitha taksave në një vit të vetëm mbi biznesin dhe rritja e disa taksave specifike mbi konsumin e qytetarëve, është shkaku kryesor i degradimit të mëtejshëm të treguesve të ekonomisë së vendit për vitin 2014, por për më tepër kjo gjë ka kompromentuar rëndë perspektivën afatmesme e afatgjatë të saj. Shterrimi i burimeve të brendshme për investime, punësim e konsum përmes rritjes progressive të taksave dhe dajakut, duket shumë qartë në një tregues të buxhetit 2014: Gjithë vlera e re e krijuar në ekonominë tonë vitin e kaluar, pra PBB ishte 43 mld lekë sipas qeverisë ndërkohë që qeveria tërhoqi si shtesë të ardhurash në buxhet rreth 40 mld lekë ose 93% të asaj që u krijua gjatë vitit. Vetëm 30 mln USD iu la biznesit për të investuar dhe qytetarëve për të rritur konsumin e tyre. Një gjë e tillë ndodh vetëm në regjimet totalitare ose në kushtet e emergjencave kombëtare.

Se cfar kontributi ka dhënë qeveria për ekonominë e vendit gjatë vitit 2014 e konfirmon Banka Botërore në raportin e saj “Të bësh biznes”, ku Shqipëria humbi plot 35 vende në pozicionin e saj mes 180 vendeve duke qenë vendi i fundit në rajon për mundësitë që ofron për biznesin dhe investitorët. Mbi 70% e treguesve të këtij raporti prestigjoz në botën e biznesit, rezultojnë me rënie të dukshme në krahasim me momentin kur ky kabinet qeveritar filloi punën. Sigurisht që interesi për të bërë biznes e investuar në Shqipëri jo vetëm po bie çdo ditë, por raporte e investigime të institucioneve vendase e të huaja bëjnë fjalë për një emigrim të shpejtë dhe në përmasa të mëdha të investimeve vendase drejt rajonit e më gjerë. Por një gjë e tillë nuk e shqetëson qeverinë, pasi ajo është e zënë me aksionin 300 ditor të dajakut mbi biznesin, aksion nga i cili po arkëton më pak të ardhura se një vit më parë.

Ka dhe një tregues tjetër shumë sinjifikativ në buxhetin e vitit 2014, që tregon luftën me mullinjtë e erës që po bën qeveria me ekonominë e vendit. Në përpjekje gjoja për nxitur ekonominë dhe duke u fshehur pas alibisë të gjoja detyrimeve të prapambetura, duke shteruar tërësisht burimet financiare të brendshme dhe duke marë edhe rreth 350 milion USD kredi nga BB, qeveria injektoi në formën e deficitit buxhetor (borxhit të ri) rreth 720 milion USD. Por sa u kthyen në formën e rritjes së ekonomisë? Vetëm 43 mld lekë. Dmth për çdo 2 lekë shpenzim të burimeve financiare të qytetarëve qeveria solli vetëm 1 lekë rritje, nga e cila 0.93 leke e mori për vete në buxhet. Ky është shpërdorim i mundësive, i burimeve për zhvillim që ka një vend, por që në fjalorin allarilindas u quajtka zhvillim.

Asnjë program sektorial i premtuar nuk mundi të startonte në vitin 2014. Përkundrazi dhe programet e mëparshme, si bujqësia etj., jo vetëm që u zvogëluan, por me kritere e proçedura qeveritare avulluan pa mundur të përfitojë kush nga ata që mbjellin e mbarështojnë.

Mos vallë këto burime janë përdorur nga qeveria për rritjen e mirëqënies shoqërore, qoftë dhe për një vit?

Po i referohemi po statistikave të vetë qeverisë, BSH dhe institucioneve fnanciare ndërkombëtare për të karakterizuar se cndodhi në vitin 2014 me treguesit e mirëqënies shoqërore në Shqipëri.

Banka e Shqipërisë njofton se të ardhurat nga puna përgjatë vitit 2014 kanë rënë 4.6% në vlerë reale ose 5.8% në vlerë nominale. Një gjë të tillë e konfirmon edhe FMN, i cili në një publikim të tij për rajonin thotë se vetëm dy vende mes gjitha vendeve të europës qendrore e lindore, Shqipëria dhe Bjellorusia kanë rënie të të ardhurave nga paga. Bile Shqipëria mbante rekordin edhe më të zi, pasi jo vetëm kishte rënie të të ardhurave nga puna, por ishte i vetmi vend me rritje edhe të të papunëve.

Ndrydhja e bizneseve jo vetëm që çoi në shkurtime massive të vendeve të punës, por në përpjekje për të mbijetuar, shumë biznese ristrukturuan në ulje pagat dhe shpërblimet e tyre. Qeveria bllokoi rritjen e pagave dhe pensioneve për tre vjet ndërkohë që rritja e çmimeve bren çdo ditë të ardhuratdhe mirëqënien e tyre.

Por jo vetëm kaq. Qeveria premtoi se taksa progressive allarilindje do të shpëtonte 95% të qytetarëve nga pagimi i taksave dhe vetëm 5% e kapitalistëve dhe të pasurve do paguante për të gjithë. Në të vërtetë u vendosën taksa mbi konsumin, mbi karburantin etj. me të cilat qytetarët paguan 20 fishin e asaj që qeveria ua quajti përfitim rrogëtarëve të vegjël e të mesëm. Kush ishte rezultati? Në buxhetin faktik të vitit 2014 rezulton se në rreth 40 mld lekë taksa shtesë të marra nga qeveria, 32 miliard janë paguar nga qytetarët dhe vetëm 8 miliard nga të ashtuquajturit kapitalistë në fjalorin populist të qeverisë. Është e qartë se 32 miliardët shtesë të paguara mbi konsumin e qytetarëvë është bërë në rënim të nivelit të mirëqënies dhe konsumit të tyre.

Është për këtë arsye që disa javë të shkuara BB njoftonte një rritje deri në dyfishim në harkun e dy-tre viteve të nivelit të varfërisë dhe varfërisë ekstreme në vend. ‘Kontributi” shtesë i qeverisë ishte heqja e rreth 20 mijë familjeve në nevojë nga skemat e mbështetjes shoqërore.

720 milion USD të marrë borxh në vitin 2014 dhe 400 milion të shtuara nga rritja e taksave nuk patën fatin që të shpenzoheshin as për përmirësimin e shërbimeve publike. Shëndetësia apo arsimi, infrastruktura rugore apo ujësjellësat, shkollat apo institucionet shëndetësore, mbetën vetëm në premtimet e qeveritarëve dhe në llogjet e monologëve të ministrave. E ndërsa dy të parat nuk patën asnjë rritje në buxhetet e tyre, investimet publike u tkurën në nivelin më të ulët historik që kanë qenë ndonjëherë. Ka qenë një rregull i artë që nuk është shkelur për vite të tëra dhe që ekziston ende në ligj: niveli i borxhit të ri nuk mund të jetë më i madh se vëllimi i investimeve publike. Vitin e kaluar janë 120 milion USD borxh i ri që janë përdorur nga qeveria për shpenzime korrente. Në kët kuptim, pra, kur borxhi i ri është më i madh nga rritja ekonomike (dyfish!?), dhe më imadh nga investimet publike as që mund të bëhet fjalë për konsolidim ekonomik e fiscal të vendit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e tij të auditimit të zbatimit të buxhetit evidenton me fakte degradimin e shpenzimit jo transparent dhe ligjor të buxhetit. Rreth 770 milion euro është shuma e konstatuar për dëmin e shkaktuar nga mungesa e përgjegjshmërisë publike në shpenzimin apo administrimin e pasurisë publike, duke filluar që nga nxjerrja e taksave e deri tek parapagimi me letërkredi i shërbimeve të pakryera, nga tenderat pa garë dhe deri te falja e pasurisë publike në negociata.

Pikërisht për sa më sipër, për taksat progresive mbytëse për ekonominë e qytetarët, për degradimin e shpejtë të mirëqënies shoqërore, për rënimin e stabilitetit ekonomik e fiskal afatmesëm të vendit, për praktikat jotransparente e korruptive në përdorim nga qeveria, ne nuk mbështetim buxhetin faktik 2014.


Fjala në Kuvend e deputetit Ridvan Bode, 5 Nëntor 2015