Kur Ministri i Brendshëm është i lidhur me bandat e në shërbim të tyre, kur dy drejtues të rëndësishëm si ai i Gjirokastrës dhe i Korcës janë kapur të përfshirë direkt në trafik droge, atëherë inkriminimit të policisë i është hapur dera dhe rastet nuk do të mungojnë.
Saimir Tahiri ka rikthyer në polici dhe në një detyrë shumë delikale në zyrën e Interpolit, Alban Ahmetajn, i cili u largua pak kohë më parë nga detyra e shefit të forcave operacionale pasi rezultoi i përfshirë në trafikun e drogës.
Pas denoncimit që bëri Partia Demokratike, megjithë mbrojtjen që pati nga Didi e Tahiri, largimi i Ahmetajt ishte i pashmangshëm.
Ai u akuzua nga oficeri i tij Demushi që u kap me sasi droge, madje iu shtua edhe afera korrupsion, pasi kishte marrë 4 mijë euro nga ky oficer për ta bërë pjesë të forcave operacionale.
E megjithë këtë të kaluar kriminale, dhe jo të largët, të pak muajve më parë, Tahiri e rikthen sërish Ahmetajn në detyrë, dhe pikërisht në Interpol.
Ahmetaj është pjesë e segmentit të ngushtë të Tahirit, e njerëzve të tij të besuar në punët e pisëta të policisë. Ai është gjithashtu donator i Partisë Socialiste.
Rikthimi i tij në zyrën e Interpolit, provon se inkriminimi është i pandalshëm në Policinë e Shtetit, dhe se me Saimir Tahirin postet kyçe janë të kapura nga bandat dhe trafikantët e drogës.
Largimi i Tahirit dhe pastrimi i Policisë së Shtetit nga të inkriminuarit e tij është një emergjencë kombëtare.
Koha nuk pret më.
Deklarata për mediat e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkeleid Alibeaj, 13 Nentor 2015