Deputetët e Partisë Demokratike Myqerem Tafaj dhe Jorida Tabaku vizituan sot familjet e komunitetit rom pranë bregut të Lumit në Njësinë nr 4, që kanë përjetuar një situatë dramatike nga përmbytjet dy ditë më parë. Deputetët apeluan për ndihmë ndaj këtyre banorëve pasi kanë humbur shumë nga vërshimi i ujit, jetojnë në kushte të vështira ekonomike, pa energji, pa ushqime dhe në nevojë urgjente për strehim.

“Pjesa më e madhe e këtyre familjeve është në një situatë tepër të rëndë dje dhe sot ku ne kemi qendruar pranë tyre gjatë këtyre ditëve të vështira. Këto familje jetojnë në kushte të vështira të strehimit dhe shkurtimi i fondeve për strehimin është një goditje e madhe për to. Siç e shikoni këto familje dhe femijët e tyre jetojnë në kushte të vështira. Kështu që kërkohet një ndërhyrje emergjente e qeverisë për të mbështetur këto familje por edhe për zhdëmtim për dëmet e përmbytjes së dy ditëve me parë. Po ashtu, këtyre familjeve duhet tu garantohen kushtet elementare të jetesës. Janë pa drita. Ju mund të shikoni vetëm si jetojnë banorët, dhe ne po u qendrojmë afër”, tha deputeti Tafaj.

Komuniteti i banorëve kërkoi ndërhyrje të shpejtë për normalizimin e jetës së tyre ndërsa denoncuan dhe arbitraritetin e strukturave të OSHEE që edhe në këto kushte u kanë ndërprerë energjinë e madje shumë prej tyre kanë përfunduar në qeli.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 24 Nentor 2015