Krahas dëgjimit të fjalës së qytetarëve, në Partinë Demokratike po diskutohet intensivisht për programi ekonomik. Pas takimit të zhvilluar mbremjen e së henës, ku të pranishëm kanë qënë deputetë, drejtues të  departamenteve, ekspertë të ekonomisë etj,  zoti Basha ka shprehur vendosmëerinë e tij për ta bërë Shqipërinë vendin me taksat më të ulëta në Ballkan.

Partia Demokratike ka nisur hartimin e një programi ekonomik, qëllimi i të cilit është të nxjerrë vendin nga depresioni, nga kriza ekonomike ku e ka zhytur  qeverisja aktuale dhe pjesë të këtij programi, tashmë po konsultohet me qytetarët, siç është;

çështja e nivelit të taksave, ku Partia Demorkatike propozon taksën e sheshtë me nivelin më të ulët në Ballkan prej 9 %;

paketa jonë për biznesin e vogël ku parashikohet vendosja e pullës fiskale me vlerë 10 mijë deri në 50 mijë lekë të reja për bizneset në varësi të xhiros nga 2 deri në 12 milionë lekë të reja, që do të thote rritja e tavanit të xhiros për bizneset e vogla;

propozime që kanë të bëjnë me nxitjen dhe financimin e prodhimit në tërësi, prodhimit bujqësor dhe blektoral në veçanti dhe lehtësira të tjera të cilat do të bëjnë mundur ritkhimin e shpresës, optimizmin, frymëzimin e një besimi të ri tek puna, tek puna e papenguar, tek liria për të punuar,  për të prodhuar dhe për ta nxjerrë vendin nga kjo mugëtirë e vrasjes së shpresës dhe e arbitraritetit selektv nga kjo qeveri.

Nuk është sekret që platforma jonë është në kontrast të plotë me hapat thellësisht negative që ka ndërmarrë qeveria Rama, përkeqësimin e klimës së biznesit, tashmë të konstatuar edhe nga institucionet ndërkombëtare, rënien pikiatë të kreditimit, të investimeve të huaja, të konsumit, rënien e xhiros, rënien e lekut, rënien e mirëqenies së shqiptarëve.

Dhe në vend që të reflektojë për kursin e gabuar, për politikat e ditës së qametit, nga ky kryeministër i ditës së qametit, çfarë bën?! Sjell në Parlament ligje për burgosjen e biznesit, sjell në Parlament dhe pritet të nisë në Parlament paketa për rritje të mëtejshme  tëtaksave dhe të pagesave nga biznesi nga qytetarët. Kjo është e papranueshme. Këtë rrugë ndoqi Shqipëria prej dy vitesh nën drejtimin e koalicionit Rama-Meta, ku njëri propozonte dhe tjetri votonte? Duket qartë që kjo rrugë është shkaku kryesor sepse Shqipëria ndodhet në krizë ekonomike.

Ndaj ne bëhemi gati t’u ofrojmë shqiptarëve një rrugë tjetër, një rrugë të besueshme,  që do të prodhojë më shumë mirëqenie për shqiptarët, do të injektojë afro gjysmë miliard, pra, 500 milionë euro në ekonominë shqiptare. Para që sot i vjel qeveria Rama por nuk përfundojnë në arkën e shtetit sepse vidhen rrugës.

Dhe ky është rasti për t’i kujtuar z Rama pas fjalimit të tij prej nastradini para biznesit sot, se prap gënjen dhe në mënyrën më të pacipë. Provat janë aty. Pasi foli për lloj lloj suksesesh imagjinare prap nuk ka dhënë përgjigje. Pse i mungojnë 35 milionë dollarë nga planii i Shtatorit. Vetëm nga doganat për Tetorin mungojnë dhjetra milionë euro të tjera. Presim të zbardhet shifra. Ku janë këto para?!  Në kulmin e akisonit kundër informalitetit, qeverisë i mungojnë më shumë se një milion dollarë në ditë. Dhe ky tashmë është një refren sepse ka që prej Janarit që Buxhetit të Shtetit i mungojnë tashmë 250 milionë dollarë, pra një milion dollarë në ditë. Kjo është fatura e korrupsionit e vjedhjes kryesisht në sektorin e naftës, cigareve,  mallrave të akcizës dhe çfarëdo malli tjetër, ku favorizohet një grusht njerëzish, klientelë e Edi Ramës, njerëz të cilët ndajnë paratë me ministrat dhe kreun e kësaj bande të korruptuar dhe si përfundim paratë nuk shkojnëaty ku duhet të shkojnë. As investime të reja nuk ka, as rritje rrogash nuk ka, as rritje pensionesh nuk ka.  Ku janë paratë?!  Vidhen ditën për diell dhe natën me hënë, apo pa hënë, nga një bandë hajdutësh.

Këto para,  në qeverisjen e ardhshme të Partisë Demokratike,  do të mbeten në xhepat e konsumatorëve. Do të mbeten në kapitalet dhe kreditë, në  investimet dhe veprimtaritë prodhuese të bizneseve dhe të fermerëve. 500 milionë euro është në fakt një kreditim i drejtpërdrejtë që qeverisja e re e Partisë Demokratike do ti bëjë ekonomisë shqiptare, do ti bëjë çdo shqiptari përveç uljes së taksave. Kjo platformë, sigurisht do të konsultohet gjerësisht jo vetëm në formatin e takimeveme që unë kam dhe do të vazhdoj të kem me qytetarët kudo që janë, por edhe me grupet e interesit. Por një konsultim i tillë, doemos kalon edhe përmes konsultimeve të brendshme, si ky i sotmi ku rrihen ide të ndryshme, debatohet për to dhe si produkt final do ti paraqesim qytetarëve vizionit tonë, planin tonë dhe vendosmërinë time për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike dhe psikologjike ku e ka zhytur qeveria e Edi Ramës dhe  dyshja Rama-Meta.

Pyetje: Z Basha, a keni një koment për ndryshimet në qeveri?

Basha: Nuk ka ndryshime në qeveri. Ndryshimi në qeveri që presin shqiptarët është largimi i përgjegjësit kryesor për këtë depresion ekonomik, shoqëror dhe psikologjik. Dhe  pa largimin e shkaktarit kryesor, të tjerat janë të rrahesh ujë në havan, pra të bësh lajm me Naço dhe me Paço ku shqiptarët nuk kanë bukë për ti dhënë fëmijëve në darkë, nuk kanë para për ti blerë librat e shkollës, janë në depresion për të paguar faturat e energjisë, është një tallje e papranueshme me shqiptarët.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 9 Nentor 2015