Të thuash që me këtë ligj po ndihmojmë shoqërinë civile në lirinë dhe autonominë e saj kur këtë Këshill e kryeson dhe drejton Ministri, i Mirëqënies Sociale, është të vësh duart në kokë.
Të nderuar qytetarë, të nderuar kolegë të mazhorancës, projektligji për krijimin dhe funksionimin e Këshilllit Kombëtar për Shoqërinë Civile (KKSHC) është tentativa më e qartë që dëshmon qëllimin final të kësaj qeverisje për ta rikthyer komunizmin në Shqipëri, periudhë në të cilën fjala dhe mendimi çensurohej, pengohej, dënohej, atrofizohej, internohej, dhunohej, duke shkelur çdo parim dhe duke deformuar karakterin dhe thelbin e një shoqërie. Shtypje dhe kontroll në mendime e gjykime duke mos qënë i lirë në asgjë.
Ky ligj risjell sërish këtë qasje dhe kjo është e dukshme në të gjitha nenet e tij.
Edhe pse në dukje dhe gjatë seancave dëgjimore në komision na është deklaruar nga përfaqësues të ministrisë se ky ligj ndihmon shoqërinë civile në fakt është e kundërta dhe kjo jo përse e them unë por se vetë Avokati i Popullit, Komiteti i Helsinkit, përfaqësues të të drejtave të njeriut, përfaqësues nga Delegacioni i BE në Shqipëri për shoqërinë civile si dhe përfaqësues të tjerë hodhën poshtë shumë prej neneve të tij dhe i kundërshtuan ato dukshëm.
Kështu fillimisht mbeti të sqarohej nëse ky ligj ishte për apo i shoqërisë civile sikurse kanë kërkuar ata vetë. Ne si opozitë i qëndruam dhe propozuam të ishte një ligj i shoqërisë civile për një organizim dhe funsionim sa më të pavarur të tyre. Ky propozim ishte në përputhje me vetë kërkesat e shoqërisë civile dhe ato të Avokatit të Popullit i cili edhe pse ishte plotësish në mbështetje të një ligji për shoqërinë civile theksoi jo pak vërjetje:
Sipas Av. të Popullit disa nga vërjetjet ishin si më poshtë:
Së pari në lidhje me dizenjimin nuk janë mbajtur parasysh parimet e lidhura me Institucionet Ndërkombëtare që merren me iniciativa të tilla mbi të drejtat e njeriut, “ Parimet e Parisit”.
Këtë desha t’ia risjell edhe njëherë në vëmendje koleges sime parafolëse e cila theksoi në fjalën e saj se ligji mbështet në standartet Europiane dhe në ato të Institucioneve ndërkombëtare.
Institucione të tilla, thotë Avokati i Popullit, duhet të jenë të pavarura për nga struktura dhe përbërja, një nga parimet themelore siç theksoi ai. Pra, këshilli duhet të jetë një institucion i pavarur çka jo vetëm që nuk reflektohet por cënohet në këtë ligj po sipas tij. Përkatësisht në nenin 6 i cili ka të bëjë me përbërjen dhe përfaqësuesit e këshillit thuhet se janë 27 anëtarë, 13 nga institucione publike, 13 nga përfaqësues të OJF dhe një nga Biznesi. Përfaqësuesit e Institucioneve publike të (“ Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile”) në kët ligj janë:
Kryeministria
Ministria e Drejtësisë
Ministria e Punëve të brëndshme
Ministria e Integrimit Europian
……………………
Dhe të gjitha ministritë me rradhë në nivel ministrash apo zëv. Ministrash apo në nivele të larta drejtuesish
Kryetari (ministri) dhe zëvendës kryetari është I paracaktuar që në ligj.
Ndërkohë që në nenin 5 të këtij projektligji thuhet se KKSHC është organ këshillimor, autonom, pranë Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.
Tani le të analizojmë edhe njëherë se ku është autonomia këtu ku gjithçka është kaq e centralizuar dhe e përqëndruar në shtet. Ku është shoqëria civile këtu dhe sa ka ajo mundësi të funksionojë si e pavarur në këto kushte.
Po në nenin 5 pika 7 thuhet mbledhjet e KKSHC (Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile) mbahen në mjediset e ndërtesës së Kryeministrisë…. Më thoni ju se edhe sikur fare ndikim të mos ketë, gjë që është pak e besueshme me këtë ligj, vetë efekti psikologjik i të bërit të mbledhjeve të këshillit në një institucion qeveritar siç është kryeministria a nuk ndikon për ta trembur dhe për t’ia mbyllur gojën shoqërisë civile. Kjo ankesë u bë në fakt dhe nga vetë ata në komision.
Asnjë nga propozimet që ne bëmë në komision të mbështetura në kërkesat e Shoqërisë Civile dhe Avokatit të Popullit nuk u morën parasysh dhe u votuan kundër
Në shërbim të pavarësisë dhe autonomisë këshilli duhet të ketë një ëebside të personalizuar theksoi Av.i Popullit. Më thoni juve mua se si do të funksionoj ky këshill në mënyrë transparente ku gjithçka do të publikohet në ëebside-in e Kryeministrisë
Institucione të tilla si ministritë , thotë Av. i Popullit, duhet të jenë në rolin e vëzhguesit por në fakt me këtë ligj (ku sikurse e parafola shumica apo shumicën nuk e ka shoqëria civile por ministritë) këta përfaqësues kanë të drejtë vote, votojnë, (për shoqërinë civile!).
Zgjedhja e paracaktuar e kryetarit( ministrit), thotë përfaqësuesja e Komunitetit të Helsinkit prish thelbin, zemrën e këtij këshilli ndërkohë që shumicën nuk e ka shoqëria civile. Neni 6 pika 1.
Parimet e theksuara në nenin 4 nuk gjenden të zhvilluara nëpër nene çka krijon mundësinë e daljes me VKM. Pra, gjithë pushteti i fjalës së shoqërisë civile, nëse do të ketë fjalë që do të dëgjohet në këtë rast dhe me kët ligj, në duar të ministrave.
Përfaqësuesi BE në Shqipëri për shoqërinë civile hodhi tërësisht poshtë nenin 16 të ligjit duke thënë së ky nen nuk është veçse një zonë e mbyllur, një zonë gri, një qark i mbyllur, një liri fals. Theksoj se ky nen ka të bëje me kriteret dhe proçedurat e përzgjedhjes sëpërfaqësueve të tjerë nga OJF kur kriteret i bëjnë Ministri, pse jo dhe Kryeministri, dhe Zëv. Ministrat, anëtarët e parazgjedhur të Këshillit.
- Ministër sot në seancë dhe zëv. Ministrja në komision gënjyen kur thanë se janë bazuar tek modeli kroat, pastaj kur thanë se është i përzier me atë malazes, pastaj i përshtatur allashqiptarshe.
Më thoni Z. Ministër a e kryeson në modelin Kroat këshillin ministri. Si gjidhen përfaqësuesit dhe kush e ka shumicën në modelin kroat dhe si zgjidhen ata me këtë ligj? Si zgjidhet kryetari Z. Ministër në modelin kroat dhe sa është nr i përfaqësuesve nga shoqëria civile dhe sa është nr i përfqësueseve nga institucionet qeveritare, ministritë?
Pra një kontroll i plotë i fjalës dhe mendimit me këtë ligj.
Unë shpresoj që Shoqëria Civile dhe Avokati i Popullit të reagojnë ashtu sikurse edhe në komision për këtë ligj të vendosur sot nga Partia-Shtet. Faleminderit!
Fjala në Kuvend e deputetes Arbjola Halimi, 5 Nëntor 2015