Ambasadorja e Bashkimit Europian në vendin tonë, Romana Vlahutin i ka dorëzuar sot kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha progres raportin e Komisionit Europian.
Pas takimit zoti Basha deklaroi për mediat:
Sapo përfundova takimin zyrtar me ambasadoren Vlahutin e cila më dorëzoi raportin vjetor të Komisionit Europian, raport të cilin e vlerësoj për seriozitetin dhe për besueshmërinë në të cilin trajton shqetësimet e mëdha dhe problemet e thella që po kalon vendi. Raport, i cili në kushte normale duhet të përbëjë planin e punës për çdo qeveri.
Për fat të keq, qendrimi zyrtar i kreut të ekzekutivit tregon se kjo shumicë dhe ky kryeministër, në vend të analizimit me realizëm të problemeve që paraqet raporti për ti hapur rrugë një reflektimi në funksion të korrigjimit të kursit të gabuar politik, i la vend edhe njëherë një shfaqe aspak prej shtetari, një shfaqe bufatorike sulmesh kundër cilido që kishte përpara përfshirë edhe median, dhe një kanosje të mirëkalkuluar për të hequr çdo përgjegjësi nga vetja.
Fakti është që përgjegjësia për moshapjen e negociatave është e atij që më 21 Qershor pamundësoi zgjedhje të vërteta demokratike duke shkatërruar procesin zgjedhor siç demonstroi raporti i ODIHR dhe përsërit raporti i Komisionit Europian.
Përgjegjësia për moshapjen e negociatave është e njeriut i cili edhe sot e kësaj dite zvarrit pafundësisht konsensusin për ligjin për dekriminalizimin duke u bërë efektivisht përsëri mburojë e njerëzve që vetë promovoi në parlament, në pushtetin vendor, individë me rekorde kriminale, trafikantë të drogës, të prostitucionit, vrasës, të cilët sot në mënyrë të përsëritur i mbron duke mospranuar marrëveshjen e firmosur një vit më parë me ndihmën e Parlamentit Europian.
Përgjegjësia për moshapjen e negociatave është e njeriut i cili nga njëra anë ngre gishtin tek alibia e gjyqsorit por nga ana tjetër, siç raporti thotë qartë, refuzon të plotësojë vendet vakante në Gjykatën e Lartë pikërisht se përdor gjyqtarët me mandat të skaduar si masha për një pseudoreformë me qëllim kapjen e drejtësisë.
Përgjegjësia është e njeriut , i cili sipas dokumenteve zyrtare të shtetit shqiptar, ka përgjegjësi për 777 milionë euro dëm ekonomik, është përgjegjës për 600 milionë euro të falura përmes një marrëveshje korruptive të CEZ Albanias, është përgjegjës për vjedhjen e 1 milionë dollarëve në ditë nga doganat dhe tatimet e shqiptarëve përmes kontrabandës dhe evazionit fiskal, që janë shtyllat e informalitetit në Shqipëri e për të cilat një grush oligarkësh pasurohen bashkë me qeveritarët e korruptuar shqiptarë nuk ndërshkohen, ndërkohë që njerëzit e thjeshtë goditen me kërbaç, me arbitraritet, kërcënohen dhe burgosen për një kupon.
Përgjegjësia për moshapjen e negociatave është e një qeverie të korruptuar me një kryeministër të korruptuar, i cili sot e kësaj dite refuzon të largojë nga kabineti i tij ministrin e Shëndetësisë, hajdutin Beqja të kapur me 28 tendera me 11 milion euro, refuzon të largojë Damian Gjiknurin të kallëzuar penalisht për humbjen e 479 miolion eurove, refuzon të largojë Arben Ahmetajn ku vetëm këmba poshtë derës i tregon 300 mijë euro në muaj, pra 10 mijë euro në ditë me tenderin korruptiv të landiflldit të Elbasanit, refuzon të largojë ministrin e vetëm të Brendshëm në Europë i cili komunikon me bandat e narkotrafikut për ti lajmëruar dhe për ti treguar se nuk është ai pas aksioneve të sukeseshme në koordinim me partnerët tanë.
Ska si të jetë ndryshe, se njeriu që ka përgjegjësinë për ti marrë këto vendime të vështira por të domosdoshme, për të prerë këtë nyje gordiane, për tia hapur dyert e integrimit europian Shqipërisë, është njeriu që milionat e mbledhura me kërbaç me gjakun e shqiptarëve , me vetë flijimin e tyre ia jep me një dorë Carapulit të vilës së Surrelit dhe me dorën tjetër Papulit të vilës së Dardhës apo të Durrësit, njeriu për të cilin një tjetër organizatë partnere e Bashkimit Europian, OSBE në raportin e saj të punës thotë se zotëron një pasuri prej 200 milionë eurosh.
Nuk kanë asgjë të përbashkët ëndrra jonë europiane, aspiratatat tona evropiane, me këtë realitet të dhimbshëm të një populli që varfërohet e goditet çdo dite dhe të një qeverie që pasurohet e bëhet çdo ditë e më arrogante.
Mosreflektimi i Edi Ramës, edhe pas këtij raporti, nuk është më risi për shqiptarët. Nuk reflekton Edi Rama edhe kur shikon apo kur duhet të shikojë vuajtjet dhe problemet e qytetarëve anembanë vendit, kur flet opozita jo e jo, me median e ka tashmë të gatshme recetën e përbuzjes, e përbaltjes, sulmit dhe akuzave. Ndaj nuk kishte si të reagonte as ndaj këtij raporti të Komisionit Europian, i cili për fat të keq Shqipërinë e rendit të vetmen në Ballkan me statusin e vendit Kandidat e pa negociata të hapura, sepse është vendi nga i cili shqiptarët largohen masivisht për të kërkuar azil, për të kërkuar shpresë për shkak të arbitraritetit dhe represionit të kësaj qeverie.
Ndaj është koha që qeverisë dhe shumicës Rama-Meta ti tregojmë vendin përmes akteve të mosbindjes civile, të vrasjes së frikës dhe të marrjes në dorë të fateve të vendit, si europianë në mënyrë dhe procese demokratike.
Njoftim për shtyp i Partisë demokratike, 10 Nentor 2015