Kur flet për buxhetin faktik të vijnë në mendje dy ngjarje; Së pari, mundësia për ta gjykuar buxhetin nën efektin e tij të plotë jo vetëm në 2014 por edhe në kuadrin e gjëmave të vitit aktual dhe së dyti, mundësia për të riparë fjalimet pompoze të atyre që pretenduan se kishin sjellë në binarët e duhur ekonominë. Ministri Financave është shprehur, e unë uroj që të mos e ketë harruar, se  “programi i Rilindjes së Qeverisë po jep rezultatet e veta”. Dhe në fakt po i jep!

Sot, në Shqipëri tre gjëra janë të sigurta; Vdekja, taksat e rritura dhe gënjeshtrat qeveritare në çdo seancë plenare e mbi të gjithë në çdo seancë buxheti!

Ajo që i duhet sot ekonomisë është një raport korrekt dhe i saktë për problemet që buxheti i 2014 pati, përderisa qeveria në fillim të këtij viti e rishikoi atë për t’i dhënë mundësi bizneseve pranë saj të shfrytëzonin letër kreditë. Duke ndikuar dhe duke patur efekt padyshim edhe në buxhetin e këtij viti. Dhe ajo që na duhet ne sot të gjithëve është një diskutim profesional, por që nuk e shpresoj një të tillë, sidomos nga ana e majtë e kësaj salle!

E kuptueshme për këtë qeveri është që të mos na sjellë një raport korrekt të buxhetit. Padyshim, nuk mund të bëjnë sikur kanë arritur sukseset imagjinare. Por megjithë këtë thatësirë investimesh ende nuk kemi një sqarim apo një reflektim për të ndryshuar gjendjen. E kjo duket do të vazhdojë gjatë!

Qeveria pretendon, në raportin e saj, se kemi patur rritje ekonomike. Megjithëse nuk na tha për çfarë rritje ekonomike e ka fjalën duke qenë se prisnim një rritje prej 2.1% në vitin e shkuar por që sipas shifrave të INSTAT rezultoi të kishim një rritje prej 1.9%.

Në raport flitet për stabilizimin e makroekonomisë. A mund ta quajmë korrekt dhe të saktë, përcaktimin për një gjendje makroekonomike të mirë kur ndonëse taksat u rritën, përfshirë akcizën dhe taksat e tarifat indirekte, arkës së shtetit në 2014 i munguan 70 milion USD megjithëse buxheti u rishikua në fund të vitit të shkuar?!

Sot, raporti i Bankës Botërore raporton se numri i të rinjve të papunë është duke shkuar në 34.2% dhe fakteqësisht që nga viti 2014 ka nisur një eksod i përmasave të mëdha, mbi të gjitha i të rinjve nga ky vend. Jo se më parë nuk ka patur të rinj që kanë ikur dhe që kanë dashur të ikin, por është pikërisht kjo qeveri përgjegjëse për mungesën e politikave të punësimit që sot 60% e shqiptarëve duan të ikin nga ky vend. Ndërkohë që qeveria flet për stabilitet ekonomik.

Sot e kësaj dite edhe juve e pranoni se shqiptarët po ikin mbi të gjitha sepse këtu nuk gjejnë një vend pune. Madje kjo vërtetohet lehtësisht edhe nga të dhënat e INSTAT. Sipas tyre rezulton se në qershor 2015, numri i të punësuarve mbi 15 vjeç ishte 1 milion e 80 mijë. Numër thuajse i barabart me numërin e të punësuarve në mars 2013 (1 milion e 90 mijë). Madje, edhe për vitin 2014 numri i të punësuarve u pakësua me 120 mijë nga marsi i 2013-ës deri në mars 2014, dhe pastaj, u shtua me 110 mijë deri në qershor 2015. Për t’u rikthyer kështu, atje ku kish qenë para dy vjetësh.

Praktikisht, opozita e djeshme që në 2013 pretendonte 1 milion të papunë e ka nurmin e të punësuarve gati po aq sa në marsin 2013. Kohë kur Kryeministri fliste për papunësinë dhe vdekjen e shpresës. Ironike apo jo? Të jesh pikërisht ti personi që e predikon dhe që në fund e realizon atë që ke predikuar. Shifrat janë kokëforta dhe më bindëse se retorika juaj.

Nuk është habi që besimi i konsumatorit në tremujorin e fundit të vitit të shkuar dha shenjat e para të një krize të pritshme, në tremujorin e fundit ku edhe logjikisht besimi i konsumatorit në politikat ekonomike të qeverisë duhet të pasqyronte rritje. Ndodhi e kundërta, sepse ai ra me  3.9 pikë përqindje në tremujorin e katërt të 2014. Fatkeqësisht, me gjithë ndonjë rritje të përkohshme në vitin aktual, i njëjti tregues për tremujorin aktual ka rënë prapë me 3.9%!

Kur Ministri i Financave, apo ndonjëherë ai i Ekonomisë që e zëvendëson të parin shpesh, foli në shtator për AN të rishikimit të Buxhetit,u shpreh se buxheti kishte çliruar biznesin nga kthetrat e qeverisë, e këtu e ka fjalën që bizneseve u është paguar borxhi. Po a mund të na shpjegojnë llogarinë se si ka mundësi që buxheti që ka paguar faturat e prapambetura të punimeve të investimeve publike në masën e gati 9.8 miliardë lekëve; kur nga po i njëjti buxhet na rezulton se po e njëjta qeveri ka paguar 13 miliardë lekë më pak po për të njëjtat kontrata punimesh krahasuar me vitin 2013?

Gjithashtu, janë vetë të dhënat e Ministrisë së Financave që flasin se në muajin shtator investimet në punët publike të vendit kanë rënë me 5.5 miliardë lekë më pak se sa plani i qeverisë dhe po aq më pak krahasuar me 2013. Simptomë kjo e uljes së shpenzimeve publike që dallohet edhe në vitin aktual. Për 9 mujorin 2015 qeveria ka realizuar vetëm 50% të planit që kishte parashikuar, duke e barazuar kështu veten me të njëjtin nivel shpenzimesh të vitit 2014, pra 297 miliardë lekë.

Padyshim, në raportin e qeverisë mbi Buxhetin Faktik flitet për realizimin e investimeve publike. Dhe këtu mendoj se ai e ka fjalën për paratë publike që kanë shkuar në xhepat e drejtorëve dhe ministrave apo të njohurve të tyre në formën e koncensioneve apo prokurimeve publike. Në ndihmë të pohimit të mësipërm na vjen raporti i KLSH i cili raporton se keni shpërdoruar nga këto investime publike 777.2 milionë euro.

Një qeveri që ka taksuar më shumë, ka mbledhur më pak para nga bizneset! Një qeveri që ka shpenzuar më pak në shërbim të qytetarëve sepse ka vjedhur më shumë në shërbim të xhepit personal. Kësaj qeverie nuk i mbetet gjë tjetër vetëm se ta shesë dështimin si arritje vetëm përmes konferencave mbi ekonominë.

Për këtë arsye ky vizion i një qeverie të pangopur me abuzime nuk ka sjellë si pasojë vetëm uljen e besimit të konsumatorëve; por edhe rënien e besimit të investitorëve. Jo më larg se një javë më parë indeksi i besimit të investitorëve është ulur në 2.7 përqind më pak nga tremujori i shkuar, nuk e di se çfarë alibie mund të ketë për këtë?

Bizneset që qeveria u qesh në takime formale nuk kanë më dëshirë të zgjerojnë dhe të gjenerojnë punësim dhe novacion; të gjenerojnë rritje ekonomike sepse taksat në këtë vend janë më të larta se dje, abuzimi i tatimeve dhe doganave është në ditët më të këqija të këtij vendi. Vetë bankat e nivelit të dytë kanë kohë që kanë dhënë sinjalet për uljen e kredidhënies ndaj bizneseve. Së fundmi ato kanë filluar të ngrenë akoma më shumë zërin duke iu drejtuar jo vetëm individëve por fatkeqësisht kapitalin monetar po e nxjerrin jashtë.

Atëherë për çfarë stabiliteti makroekonomik e kemi fjalën këtu? Çfarë të mirash u ka sjellë realisht ky buxhet familjeve shqiptare dhe ekonomisë sonë?!

Në një rajon ku fqinjët dhe njëkohësisht konkurentët tonë në thithjen e investimeve po ulin taksat dhe po përmisojnë shërbimet ndaj biznesit, çfarë i ofrojmë ne këtij të fundit?!

U lodh qeveria duke bërë ligje abuzive dhe që i bien në qafë pronarëve, duke ua rrëmbyer tokat dhe duke ua dhënë falas investitorëve dhe ato nuk vijnë në këtë vend. Nuk mund të vijnë në këtë vend investitorët kur e dinë që shteti të rrëmben tokën tënde dhe nuk mund të vijnë në këtë vend investitorët kur ne kemi një sistem jokonkurues fiskal në treg, nuk mund të vijnë në një vend ku kredia nuk jepet sepse bankat nuk kanë besueshmëri dhe nuk ka një politikë qeveritare në ndihmë të ekonomisë.

Ndonëse qeveria përpiqet për të thithur investitorë duke u përpjekur të bëjë atë që di të bëjë më mirë, pra konferenca dhe takime mundësisht në anglisht, sërishmi investimet për vitin 2014 kanë rënë me 13.4% sipas raportit të BSH.

Ndërkohë që ministri merret me leksione sa i takon “Diplomacisë ekonomike” vendet fqinje vazhdojnë të thithin investime të huaja më shumë se sa ne. Natyrisht ato rrisin të ardhurat e tyre ndërkohë që ne mbajmë leksione ekonomie!

Më duket e kotë që vrasin mendjen se si të prezantojnë një produkt pa bërthamë. Mjafton vetëm që ato të jenë më të ndershëm me veten e  tyre dhe të pranojnë se në këto dy vjet ishin tërësisht gabim. Pastaj, janë të lirë të kopjojnë apo të na dëgjojnë këshillat.

Por dyshoj se kjo qeveri do të pranojë gabimin apo të dëgjojë këshillat. Ajo mund të kopjojë keq, mund të rrisë më kollaj taksat dhe nëse këto bëhen të pamundura për një sërë faktorësh atëherë plani B është goditja e të vobektëve. Pak rëndësi ka se çfarë pasojash ka makutëria dhe shpenzimet pa fre që qeveria bën me ekspozita qeveritare, tenderat për kompani ministrash e kështu me radhë.

Kështu që nuk përbën habi,  abuzimi me koncensionet publike, ku sipas raportit të KLSH rezultojnë se 83% e tyre ose plot 399 tendera kanë shkelje dhe të dhënat dëshmojnë se këto tendera të shqyrtuar raportojnë 1254 shkelje. Një pjesë të këtyre abuzimeve, qytetarëve u janë bërë të ditur jo vetëm nga opozita por fatmirësisht edhe nga mediat, megjithëse mënyra se si qeveria ka vendosur t’u kthejë përgjigje është më së paku qesharake.

Me shumë mundësi jeni e vetmja qeveri, në rang rajoni që ka ndërtuar një faqe interneti që pretendon se ka të vërtetën. Me këto ritme jam e bindur që shumë shpejt do të kemi dhe ministrinë e të vërtetës.

Të nderuar kolegë.

Jam e bindur që do dëgjojmë apo dhe dëgjuam moralistë që do të flasin se buxheti e ka dërguar vendin në një udhë të mbarë duke u shitur qytetarëve një gënjeshtër të rreshtuar bukur. Megjithëse kam përshtypjen që nuk mundet dot t’i kthejnë përgjigje realitetit që votuesit tanë por edhe vetë votuesit e juaj ju transmetojnë përditë.

Njëri prej jush shprehej pak kohë më parë se do të dëshironte të kishte kohë të palimituar, se qeveria kishte rikthyer besimin e qytetarëve tek Doganat dhe Tatimet?

Sa e vërtetë është kjo kur Drejtoresha e Tatimeve ka abuzuar me rreth 10 mln euro për të ndërtuar një sistem për të cilin kishte një koncension të mëparshëm?

Sa besueshmëri ka sjellë kjo qeveri tek qytetarët kur shuma që Tatimet, Doganat dhe ISSH u ka biznesëve dhe individëve është 789.9 milionë euro?

Kjo është vetëm një copë e vogël e mirëmanaxhimit rilindas e një “filozofie të re”.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e tij për buxhetin faktik ka drejtuar gishtin duke ngritur një problem që vetë mazhoranca e sotme e ka patur flamurin e saj opozitar “Borxhin e fshehur”. Sipas saj vlera e borxhit të fshehur nuk është raportuar saktësisht duke qenë se qeveria ka gjithmonë nga një shifër të re. Ndërkohë që shton se raporti i investimeve me të ardhurat është në disproporcion të lartë duke rrezikuar drejtë për drejtë rritjen e borxhit publik.

Nëse mund të përmbledh në pak paragrafë buxhetin tuaj faktik dhe mbi të gjitha rrugën ekonomike që keni ndjekur. Mund të them se;

Deri më tani ky mandat i juaji ka qenë një Vaterlo për vendin. Rilindja ekonomike dhe manaxhimi i të mirave publike ka rezultuar një tullumbace. Qeveria është e vetmja në balonën e buxhetit dhe sot ajo ndodhet përballë malit të lartë të papunësisë, inflacionit, rënies së investimeve, ikjes së bizneseve të lemerisur nga ky vend, abuzimeve në çdo fushë me shifra të frikshme.

Siç edhe Ciceroni u shpreh dikur “Një vend nuk mund të qeveriset nga një dhelpër dhe një luan. Ato do jenë shumë të zënë për t’i ngritur kurthe njëri tjetrit dhe jo për të siguruar mirëqënien e qytetarëve të tyre”.


Fjala në Kuvend e deputetes Jorida Tabaku, 5 Nëntor 2015