Djegia e provave për bandat e trafikut të drogës brenda laboratorit kriminalistik, është padyshim një nga krimet më të rënda shtetërore në dy dekadat e fundit.

Në fillim, Ministri u mundua ta fshehë si ngjarje.

Më pas kur opozita e denoncoi, pas shqetësimit që ngritën oficerët profesionistë e të ndershëm, Tahiri nxori si shkak një neon.

Por edhe kjo alibi u rrëzua.

Fakti është se sot mungojnë provat për 30 çështje penale, për 30 raste të trafikut të drogës.

Duke qënë një institucion kyç, i një rëndësie të veçantë, shkatërrimi i provave në këtë mënyrë nuk mund të ndodhë përveçse me urdhër e me porosi nga lart.

Ka udhëzim të veçantë policie për ruajtjen e këtij institucioni, ka kamera vëzhguese dhe siguri maksimale.

Por anomalitë janë shtuar kohët e fundit, dhe bimët narkotike mbaheshin në thasë deri në 7 muaj pa iu bërë ekspertiza, ndërkohë që Kodi Procedurës Penale thotë se aktet duhen bërë brenda 3 muajve.

Përpjekja për ta mbyllur si ngjarje, për ta cilësuar një defekt teknik, është një vërtetim më shumë se pas djegjes së provave për trafikantë e banda të rrezikshme në vend, qëndron Saimir Tahiri dhe Edi Rama.

Laboratori kriminalistik, aty ku ruhen provat, është siguria e shtetit. Eshtë dëshmia e ekzistencës së shtetit.

Kur bie dhe kjo instancë kyçe për luftën ndaj krimit dhe për vendosjen e drejtësisë, atëherë shteti nuk ekziston.

Ekziston një shtet tjetër, ky i Edi Ramës, shtet kriminal.

Shtet i mafias, i trafikantëve.

Shiheni deri ku shkon shërbimi ndaj krimit, deri në asgjesimin e provave në laboratorin kriminalistik, që bandat e trafikantët ti shpëtojnë ligjit.

Kjo është një nga çështjet më serioze sot të vendit. Prokuroria duhet të bëjë hetime energjike, të plota e të pandikuara nga segmentet e qeverisë, nga Saimir Tahiri dhe Edi Rama, që janë vetë të përfshirë në këtë krim të madh.


Deklarata për mediat e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, 10 Nentor 2015