2500 familje hiqen nga ndihma ekonomike, ndërkohë vetëm në dhjetor 5 miliardë e 539 milionë lekë përfitojnë nga tenderat ministra, deputetë dhe klientë të pushtetit.

Për vitin e tretë në radhë, qeveria po i zhyt shqiptarët në skamje ndërkohë që abuzimet milionëshe në tendera, dogana, tatime e koncesione vazhdojnë.

Edi Rama po i faturon përditë shqiptarëve faturën e 40 miliardë lekëve të pagrumbulluara në buxhetin e shtetit, duke i rritur taksat dhe duke ua bërë jetën burg ndërkohë që mëkëmbësit e tij vazhdojnë të abuzojnë çdo ditë me paratë e qytetarëve.

Ai nuk po kursen as edhe më të varfërit, duke ua shndërruar muajin e fundvitit në një muaj hidhërimi.

2500 familje janë sakrifikuar që të kenë mundësi të abuzojnë, 2500 familje janë hequr nga listat e ndihmës ekonomike për të bërë të mundur shpenzimet e luksit, e fasadat e ministrive. Fondi që shpërndahet çdo muaj për familjet e varfëra sipas Institutit të Statistikave gjatë periudhës korrik- shtator është reduktuar me 4.3 % krahasur me tremujorin e dytë të vitit. Pagesat i përfituan 81 mijë e 621 familje nga 84 mijë e 145 familje që i merrnin më parë.

Pra, 10 mijë shqiptarë jetojnë në gjendje të mjeruar ndërkohë që oborri luksoz i qeverisë ka marrë 5.5 miliardë lekë tendera.

Sot, pensionistët numërojnë çikërimat që u kanë mbetur ndërkohë që kryeministria për të mbuluar rritjen me 10% të shpenzimeve për argëtime dhe luks qeveritar ka vendosur t’i gënjejë ato me 2000 lek që nuk mjaftojnë as për të shpenzimet normale për fundviti.

Sot, shqiptarët numërojnë atë çfarë u ka mbetur nga vjedhja progresive e kësaj qeverie ndërsa miqtë e qeverisë marrin 5,5 miliardë lekë tendera nga buxheti i shtetit.

Studentët duhet të shtrëngojnë akoma më shumë rripin e tyre për të paguar tarifa më të larta universitare për të paguar luksin e qeverisë.
Qeveria e fasadave preferon më mirë të rrisë shpenzimet për rrregullime godinash, për tendera fasadash e makinash se sa të ndihmojë ata në nevojë.

Qeveria solidare, me fondin më të ulët për shtresat në nevojë vazhdon përsëri të reduktojë numrin e familjeve që përfitojnë, ndërkohë që përftimet janë të pafundme për tatimorët e doganorët që kanë krijuar mosrelizimin më të madh të të ardhurave ndonjëherë prej 40 miliardë lekë.

Shqiptarët e varfër dhe ato të ndershëm, tatohen sot më shumë, familjet e varfëra përfitojnë sot më pak, të pamundurit sot janë shtuar në numër, e të rinjtë po rednin të largohen nga ky vend.

Ky është peshqeshi i radhës që kjo qeveri u ka sjellë shqiptarëve.


Deklarata për mediat e deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, 29 Dhjetor 2015