I nderuar Kryetar,
të nderuar kolegë,
Traumatike dhe trishtuese është historia se si mazhoranca pretendon të mbyllë një vit kalendarik me një bilanc korruptiv tronditës. Vjedhjes me vulë dhe “recetë”shtetërore i thuren lavde në foltoret e qeverisë dhe Parlamentit. Buxheti i shtetit është “sterilizuar” në xhepat e qeveritarëve. Ndërsa prag Krishtlindjet e gjejnë Shqipërinë më të varfrën në Ballkan, vendin më të keq për të jetuar në rajon, e thënë kjo jo nga opozita, por nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
2015 regjistroi eksodin e varfërisë të mbi 100 mijë shqiptarëve. Shqipëria u regjistrua si vendi i dytë në Botë për numrin e azilkërkuesve pas Sirisë dhe askush nuk ka dhënë ende llogari për këtë masakrim shprese dhe besimi që iu mohon cdo ditë shqiptarëve të ndërtojnë jetën në vendin e tyre, në vendin tonë.
Politikat diktatoriale të injektuara me urrejtje dhe rracizëm nga Lart, kanë ngritur “geton e re”, të financuar për të qeverisur me paratë e krimit të organizuar.
Shqipëria është në “shok” qeverisës në të gjitha kuptimet… dhe shëndetësia është pasqyra e një Qeverie në krizë.
Trauma në sektorin e shendetësisë është përjetimi shokues për të madh e të vogël… Mjekësia shqiptare ka humbur reputacionin. Spitalet janë kthyer në pavione lufte… Detajet e këtij përshkrimi i gjeni në Spitalin Universitar të Traumës…, aty ku po projektohet, sic mendon cdokush, “dosja e re” e tenderave për të ashtuquajturin “Shërbimi Kombëtar i Urgjencës”.
Ministria e skandaleve do të ishte më e besueshme nëse do të ngrinte “Urgjencën e tenderave në Shëndetësi”. Ndërsa qindra miliona euro shkojnë në xhepat e “konsumatorëve të qeverisë”, shqiptarët nuk marrin asnjë shërbim shëndetësor. Një skandal tjetër u publikua në një profil online dje. Askush nuk i përgjigjej telefonatave në numrin kryesor të urgjencës. Pasi ka vjelur para për urgjencën nga cdo donator i mundshëm e nga buxheti i shtetit, Ministri duke bërë ironi therëse, ju thotë shqiptarëve: dëgjo se ju e keni gabim, 127 nuk është numri që ju duhet të merrni, provoni një herë këtë numrin tjetër, por edhe ky numër është vetëm për Tiranën….E di c’keni ju?? …provoni një herë nga shtatori 2016 se mbase ju përgjigjet ndonjë në numrin127 … Pra, në vend që Ministri të shqetësohet e të hetojë për të vënë para përgjegjësisë ata që nuk përgjigjeshin në numrin kryesor të urgjencës (127), ai i bën të qartë gjithkujt se urgjenca do te vazhdojë të mos përgjigjet nga numri kryesor. Pra, sic thotë vetë Ministri: mos guxo të sëmuresh…se numri i ugjencës nuk punon…dhe gjatë ëeekendit po shkove vetë në urgjencën e QSUT . .. edhe vdes. . . si rasti i zonjës që nuk mori shërbimin e duhur…sepse nuk kishte staf gjatë në fund jave…
Një jetë, apo edhe të tjera mund të kenë humbur e mund të mos jenë bërë publike…qytetarët shkojnë e vijnë…por Ministri stoik, qëndron atje ku është, pa asnjë vrarje ndërgjegje…ndërkohë që mund ti kishte bërë një nder të fundit vetes së tij, të kishte dhënë më kohë doreëheqjen…e të vetëdorëzhej para drejtësisë.
Të nderuar kolegë të maxhorancës,
Ju premtuat ndryshim, premtuat rilindje, premtuat shëndetësi falas, premtuat shërbim shëndetësor cilësor e për të gjithë, për të mundurit apo të pamundurit. Por, a kjo është shëndetësia falas që ju premtuat??? A ishte kjo shëndetësia falas me të cilën ju manipuluat edhe votuesit pse jo të PD, pasi kur vjen puna tek shëndetësia kurimi falas bëhet një joshje e parezistueshme sociale e jo më politike.
S’ka familje në Shqipëri, madje edhe midis nesh që ndodhemi në këtë sallë, që të mos jetë rropatur spitaleve, qëndrave shëndetësore e s’ka mundur të marrë shërbimin e mjekimin që i takon e kanë nevojë. Ka nga ata që në dëshpërim për të siguruar ilace edhe janë larguar nga kjo jetë pa munduar ta marrin atë, pikërisht prej babëzisë dhe makutërisë skandaloze Ministrit Beqaj.
Rama, dhe Beqa, në cdo dalje apo mbledhje për “pastrimin” e Shqipërisë, flasin për reforma. Reforma që ju qytetarë, nuk i po kuptoni vec kur ato bien mbi supet e rropatura nga hallet e shumta.
Do mundohem që përmbledhtas të përmend disa prej skandaleve më të mëdha në mbyllje të këtij viti të trishtueshëm në shëndetësi…ardhur prej të ashtuquajturave reforma në sektoritn më jetik, atë të shëndetësisë:
1- Po e nis me skandalin e ndërhyrjes së Ministrit në tenderin e barnave spitalore rreth një vit më parë:
A ishte kjo pjesë e reformës?? Futja e ilaçeve të falsifikuara në tregun shqiptar, e ka origjinën pikërisht në modifikimin ligjor që Ministri i Shëndetësisë i bëri tenderit, i nxitur nga interesat e lobeve të farmaceutikës, për të lejuar importin paralel të ilaceve. Kjo ndërhyrje e qeverisë, ka dëmtuar rëndë sigurinë e medikamenteve, dhe ka krijuar hapësira për biznes për klientelën pranë Edi Ramës, në kurriz të shëndetit të qytetarëve. Eshtë kriminale, lejimi i importimit të barnave pa certifikatë sigurie dhe pa informacion për vendin e origjinës.
Sipas një raporti te FDA (Food and Drug Administration), disa barna të importuara rezultojnë të fallsifikuara.
Ndaj, edhe shëndetësia e Edi Ramës ndodhet para një akuze të rëndë publike, Z. Ilir Pojako, ka denoncuar publikisht, se bashkëshortja e tij u nda nga jeta, sipas dyshimeve tashmë të përsëritura se trajtohej me një ilac jashtë standarteve, i falsifikuar.
Ministria e Shëndetësise dhe Qëndra Kombëtare e Kontrollit të Barnave asnjëherë nuk i janë përgjigjur pyetjeve të bëra në konf për shtyp dhe në seancën plenare. Sot po i përsëris me shpresën që do dëgjohen:
– -Në cilat kushte është kryer transporti i Altuzanit, Herceptines, Mabteres, Velcades?
– -Kujt i janë dorëzuar rekordet e temperaturave?
– -Kush mban pergjegjesi për cilësinë?
– Edhe sa viktima të tjera duhet të shënohen që Rama të reagojë.
I kemi kërkuar prokurorisë në mënyrë të vazhdueshme që të nisi një hetim të plotë e të thellë. Përgjegjësit duhet të dalin para ligjit.
Po ku kanë shkuar pra dhjetëra milionë euro të dhëna nga Beqa për tenderat e barnave apo pajisjeve, kur spitalet dhe qendrat shëndetësore janë në kaos administrimi dhe pa buxhet për të blerë ilace dhe materiale mjekësore. Mungesat janë të shumta si në spitale ashtu edhe në treg falë politikave favorizuese e klienteliste të qeverisë:
Mungesa në treg: serum antitetanik, fludarabine, sintrom, plavix, finasterid, tamsulosine, zefix, haldol, fluvastatine, buto asma etj etj
Mungesa në spitale: Endoxan. 5-Fu, Taxoter, Cisplatine, CCNU – onkologjikë.
Urografine, Magnevist, Gastrografi, Optiray që janë për skaner, rezonancë, cistoskopi.
Janë barna që përdoren për leucemi (fludarabina), astma, sëmundje zemre, mëlcie, kunder tetanozit.
2- Skandali me recetat dhe faturat fictive
Një raport i Njësisë së Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit në Kryeministri, evidentoi një rrjet të mirëorganizuar i cili drejtonte që prej fundit të vitit 2013 vjedhjen më të madhe ndonjëherë në Fondin e Sigurimit te Detyrueshem të Kujdesit Shëndetësor. sistemi i ngritur, shumë i sofistikuar, që përfshinte mjekë, farmacitë e klientëve qeveritarë, specialistë dhe zyrtarë, për të mbërritur për firmë te drejtuesit kryesorë në Fond si dhe te vet Ministri i Shëndetësisë, Kryetar i Këshillit Administrativ.
1.5 mld lekë (evidenton raporti), të vjedhura që duhet të shkonin kryesisht për njerëzit në nevojë, pensionistët dhe të sëmurët kronikë, me të ardhura të pamjaftueshme. Raporti u mbajt i fshehur nga Kryeministri dhe Ministri, drejtori i Fondit dhe autoritete të tjera shëndetësore. Dhe u bë publik vetëm nga opozita. Po sipas raportit, mendohet që dëmi i vërtetë është shumë herë më i madh.
Receta fallco, vula fallco, libreza shëndetësore fallco, dokumenta dhe kontrata të fallsifikuara. Mjekët të trembur se janë gjendur pa dijeninë e tyre në një megaskandal. Receta të mjekëve të dalë në pension. . . ilace të rimbursueshme nëpër disa farmaci të tyre, nderkohë që duhet të ishin rimbursuar vetëm në farmacinë e QSUT, receta me protokolle të thyera: receta ku pacienti duhet të merrte një kokërr në muaj, por që përshkrimi në recetë shkruante një kokërr në dite. Etj etj
I vënë para përgjegjësitë nga opozita Ministri Beqaj gënjeu në Parlament për dorëzimin në Prokurori të akt –kontrollit të Njësisë së Kontrollit të Brendshëm në Kryeministri. Në prokurori nuk është dorëzuar, AUDITI i Kryeministrisë, që është dhe pikënisja e skandalit dhe që ka zbuluar shkelje të rënda edhe implikime të zyrtarëve të lartë në Fond.
Sipas korrespondecës zyrtare me prokurorinë, është kjo e fundit e cila evidenton faktin që pas denoncimit që ne i kemi bërë këtij skandali, ajo vetë ka kërkuar tërheqjen e auditit të plotë.
Por a zbulon raporti të gjithë skemën? sigurisht që jo!!
Sipas Informacioneve tona, gjatë 2014:
– për farmacitë e ish nëndrejtorit të dorëhequr rimbursimi është 1,411,003,990 lekë;
– për farmacitë e mikut dhe sponsorit të Ministrit është 1,824,571,620 lekë
– për të gjitha farmacitë e kontrolluara nga Njësia e Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsion në Kryeministri është 888,524,430
Është e qartë, 7 farmaci të pasqyruara në raport zënë një vend fare të vogël në skemën e rimbursimit fiktiv në Fondi e Sigurimeve të Detyrueshme. Vihet re qe raporti i urdhëruar ka lënë pa përmendur pikërisht ata që kanë marrë pjesën më të madhe në këtë skandal…i cili mund të ishte zbuluar që në momentin e parë
Formalisht ishte e pamundur në kushte normale pune të ndodhte një dukuri e tillë, sepse sistemi që ngritëm dhe ju lamë është aq i sofistikuar dhe i sistemuar që nuk e lejon një gjë të tillë. Ky sistem monitorimi dhe kontrolli ka disa hallka funksionimi të cilat në rastin më të parë që ka luhatjen më të vogël në rimbursim të farmacive apo të mjekëve sinjalizon me njollë të kuqe disa sektorë.
Pra drejtuesit më të lartë të Fondit dhe Ministri, kanë qenë në dijeni të plotë të kësaj skeme mashtrimi dhe abuzimi dhe nuk kanë vepruar me dashje.
Por cfarë masash janë marrë nga Qeveria për këtë megakorrupsion??
Që prej 7 muajsh asnjë hap i bërë, asnjë masë qoftë edhe administrative e ndërmarrë. Cdo gjë ka përfunduar me dorëheqjen e ish Drejtorit të Fondit dhe ish n.drejtorit i cili përmendet qartësisht si në raportin auditit të Kryeministrisë ashtu edhe të KLSH për konflikt të pastër interesi në vendimet e tij. Të tjerët vijojnë të qetë në postet dhe detyrat e mëparshme.
Pse ende sot nuk ka asnjë masë administrative për miliona euro rimbursim recetash fictive??? Pse janë fshehur 3 faqet e fundit të raportit të auditit?? Kush qëndron pas kësaj?? Sa ka qenë gjoba për secilin prej emrave të përmendur në listë??
Ndërkohë, para 2-3 ditësh prokuroria ka dërguar cështjen në gjykatë për një dëm rreth 56 mln lekësh. Po këto para ku janë?? Pse s’ka gjurmë të tyre?? Po ata që firmosën dhe vendosën psë nuk figurojnë në asnjë hetim, procedim??? Asnjë procedim edhe të atyre që janë në emra të përvetshëm në faqet e fundit të raportin e auditit të Kryeministrit në të cilat rekomandohen masa konkretë për emra konkretë?? kush i mbulon? Kush i mbron?? Pse ndëshkohet specialisti, apo farmacisti e asgjë nuk i ndodh vendimmarrësve??
E si qershia mbi tortë, vjen emërimi i drejtorit në drejtorinë e rimbursimit të barnave, ish drejtori i Qendres së Kontrollit të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, i akuzuar për abuzime pa fund në detyrën e mëparshme, për të cilat është hapur edhe një cështje penale që përfundoi kushedi se si e se ku me ndërhyrje nga lart, e që aktualisht është nën hetim nga KLSH për dy cështje. Njëra prej tyre ka të bëjë më abuzimin me cmimin e ilacit Risperidon me pika (është blerë 4000 lekë flakoni dhe është shitur 30 mijë lekë flakoni) që ka rezultuar edhe i fallsifikuar. Dëmi i shikaktuar është i gjithi ndaj shtetit pasi ilaci është rimbursuar.
3- Skandalet korruptive në shendetësi, në sektorin më jetik në vend po thellohen.
Kompani nën hetim me pronarë të arrestuar për skandalin e faturave fiktive fitojnë edhe sot tendera me firmën e Ilir Beqajt duke i çuar mesazhin pronarit që ai do ta mbrojë deri në fund, në këmbim të heshtjes së tij.
Tendera që ndjekin dhjetra të tjerë të marra këto dy vite me firmën e Beqës.
Abuzim me faturat fictive merr ndërkohë shifra të frikshme.
4- Ministri Beqaj është në hall të madh pasi ka qenë në dijeni që ditën e parë për të gjithë skandalin e insulinave, ketosterilit dhe ilaçeve të tjera të shtrenjta.
– Prokuroria deri tani ka vlerësuar që dëmi i shkaktuar nga rimbursimi nga ana e Fondit vetëm për një ilaç: Ketosterili, shkon mbi 2,2 mln euro.
– Për 7 lloje insulinash, sasia e faturave fiktive për këto Insulina është 152,415 pena me vlerë rimbursimi 1,260,587,030 lekë. Për këto Insulina, depot importuese kanë deklaruar se i kanë bërë dalje depove shpërndarëse dhe farmacive 67,140 pena, kurse depot shperndarëse kanë bërë dalje 219,555 pena, pra shkurt 70% fiktivitet.
Kjo vjedhje është lehtësisht e verifikueshme sepse Fondi ka informacionin që dërgojnë çdo muaj depot importuese dhe mjafton ta krahasosh atë me konsumin mujor, del diferenca dhe merren masat e menjëhershme për stopuar vjedhjen.
– Abuzimi me rimbursimin e barnave e tjera të shtrenjta nga ana e Fondit shkon në shuma marramendëse. Përveç faktit që ligji është shkelur me të dyja këmbët, vlera e abuzimit për vetëm 4 barna abuzimi nga ana e Fondit, me dijeninë e titullarëve, është mbi 9 milionë dollarë.
Kush mban përgjegjësi për këto abuzime me shifra marramendëse? Ministri apo drejtuesit e Fondit??
PD i ka bërë thirrje prokurorisë që të thellojë hetimet për këtë megaskandal pasi pazari në kurriz të shëndetit të qytetarëve është krim mbi krimet që duhet ndëshkur me forcën e ligjit.
E nuk mbaron këtu, por me urdhër të Ramës, e tërë Qeveria në këmbë, e gatshme të bëjë gjithshka që të mbrojë Beqen. Rradha është e Ministrit të Financave, e cili në 17 nëntor i dergon një letër falendërimi pikërisht kompanisë më informale në Shqipëri. Cfarë thotë Ministri Cani:
“Ju shpreh mirënjohjen për promovimin e modelit të ndershëm dhe te rregullt të sipërmarrjes në Shqipëri.
Më tej Ministri Cani vijon:
“Dëshiroj t’ju falenderoj për kontributi që JU keni dhënë”
“Un jam besimplotë që vetëm duke luftuar informaliteti pa kompromis ne do të nxisim më shumë zhvillimin ekonomik…”
Pra, Ministri i Financave, i dërgon fletë lavdërimi për luftën kundër informalitetit, kompanisë më informale, pronari i të cilës ndodhet pas hekurave të burgut dhe është ne hetim për informalitet dhe abuzime. Ky është modeli që Rilinda po promovon!!
- Pra, për cilat reforma në shëndetësi flasin Rama dhe Beqaj?? Apo për dhënien me koncesion të të gjithë hallkave të shëndetësisë?? Dalëngadalë po mbeten vetëm mjekët dhe infermierët pa u dhënë me koncesion.
5- 120 mln euro i dha Rama mikeshës së tij për check up falas sigurisht transit për në xhepat e tij.
Tenderin e fitoi konsorciumi:
– pa asnjë experiencë pune në sektorin e shëndetësisë;
– në konflikt interesi pasi janë të orientuar në reklamën dhe shitjen e pijeve alkoolike dhe duhanit që dëmtojnë shëndetin e njeriut
– që kishte dhënë ofertën më të lartë;
– Ndërkohë që, Licenca e laboratorit është lëshuar nga QKL për kompaninë fituese vetëm dy ditë përpara mbylljes së afatit të aplikimit në APP .
Sigurisht, kriter në fitimin e tenderit ka qenë edhe specifikimet teknike per Sistemin e Informacionit që do të përdorej të cojnë në “detyrim përcaktim” në një sistem operator, Oracle për të cilën kompania e Ministrit (Intech +) ka kontratë me Oracle për Shqipërinë.
120 mln euro për një eksperiencë të padëgjuar më parë në asnjë vend të Evropës apo edhe në botë. Të gjitha eksperiencat ndërkombëtare të dështuara deri më sot. OBSH ka këshilluar vendet që mos të ndërmerren koncesione të tilla pa u ndërmarrë një sërë hapash apo masash paraprake. Danimarka, ka vendosur që ta aplikojë së fundmi, por në një project që paguhet nga një kopmani sigurimesh ( jo Qeveria), në një rajon të vogël më 10 mijë banorë e vetëm pas 4 vjetësh, pasi të shohë rezultatet do shikojë mundësinë për ta aplikuar më tej në gjithë Danimarkën.
Por, sic duket, Danimarka nuk po ecën në “drejtimin e duhur” me reformat në shëndetësi…e i duhet një Ministër si i joni që ta korrigjojë.
Por, s’mbaron më kaq, ky koncesion s’duhet konsideruar si i shkëputur nga gjithë skema rilindase e vjedhjes:
Check up parashikohet të rrisë së paku numrin e sëmundjeve dhe të të sëmurëve, do të rrisë kështu kërkesën për disa barna të caktuar për kompani farmaceutike të paracaktuara nga Qeveria. Pra, stategjia është e qartë….s’janë vetëm 120 mln EURO por qindra miliona të tjerë që do shkojnë në xhepat e klientelës qeverisëse.
Por çfarë po ndodh në realitet me koncesionin e check up??
Edhe pse paratë për të dytin vit, mikja e Ramës i ka marrë paradhënie; kontrollin e kanë bërë vetëm rreth 10 përqind e qytetarëve të parashikuar (popullsia nga 40 – 65 vjeç është rreth 1 mln banorë).
Kontrolli bëhet me infrastrukturën dhe pajisjet e qendrave shëndetësore, me stafin e qendrave shendetësore. Punën e bëjnë infermierët dhe stafi që paguhet nga shteti, nga taksat tona. Madje infermierët e qendrave shëndetësore punojnë mesatarisht 3 – 4 orë në ditë për llogari të oncesionarit. Pra punë e bërë nga stafi i QSH pa asnjë bonus.
Kompania fituese duhet të hapte 18 laboratore, deri më sot vetëm 3 janë hapur, ndërsa 15 të tjerëve u është blerë vetëm emri se analizat e tyre sillen në Tiranë.
E vetmja gjë që bën kompania është shërbimi taksi që merr kampionet me makinat që shpërndan duhanin, biznesin e saj primar.
Një kaos skandaloz që jo vetëm nuk po i shërben qytetarëve, por po bëhet një rrezik i madh për shëndetin e tyre.
PD i ka kërkuar Ramës që të tërhiqet nga ky koncesion skandaloz.
6- Po cfarë po ndodh më koncesionet e tjera që përbëjnë pazarin e rradhës.
Përtej procedurave korruptive në dhënien e koncesioneve dhe panevojshmërinë e monopolizimit të shërbimeve, vendosjen e cimit fiks për shërbimet për dhjetë vjet etj, dua të ndalem në skandalin e fundit të Beqes. Abuzim i pastër, plot 100 mln euro për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve mjekësore, mikut të ngushtë të tij i cili ka vetëm një kompani në Kosovë të hapur në 2014, me kapital 1000 euro e që ka vetëm një punonjës.
Por nuk qëndron këtu problemi. Ju mund të thoni që s’ka asnjë problem se e merr një kompani fantazëm, e cila ka një kopmani tjetër italiane serioze e të mirënjohur. S’do ndalem as ne rishpërndarjen e dyshimtë të aksioneve të kompanisë së re të krijuar pas shpalljes së fituesit.
- Skandali i vërtetë në këtë koncesion është se paratë për ndërtimin dhe vënien në funksion të qendrës së sterilizimit në QSUT janë, ekzistojnë. Janë dy kredi të bankës së KËshillit të Europës. E para ratifikuar në 2005 e dyta më e fundit e miratuar në mars 2015.
– Me ligjin nr. 9412, datë 20.5.2005 është ratifikuar marrëveshja e kredisë ndërmjet Këshillit të Ministrave të RSh dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), për financimin e fazës së parë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë”.
Shuma e kredisë së dhënë është:14,000,000 USD
Në fazën e parë të reformimit të QSUT-së, është ndërtuar një godinë e re spitalore, që përfshin Departamentin e Urgjencës Mjekësore (Traumatologji); Radiologjinë; Reanimacionin; laboratorët; Sterilizimin Qendror dhe Diagnostikën Funksionale, si dhe me ndërtimin e një godine tjetër për shërbimet elektro-mekanike.
– Në Mars 2015, Kuvendi ratifikoi Marrëveshjen kuadër të financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, për programin e reformimit të Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës – faza II, nëpërmjet një huaje prej 15,930,000 eurosh dhe një granti prej 1,500,000 eurosh, e cila është miratuar, në parim me VKM nr.819, datë 26 nëntor 2014.
Sipas shtojcës nr. 1 të marrëveshjes Faza II
Ndër objektivat e Asistencës teknike është:
(2) Të ndihmojë Spitalin për të vënë në përdorim repartin e centralizuar të sterilizimit që u ndërtua dhe u pajis gjatë Fazës së Parë (kati i poshtëm përdhes i “Spitalit të Ri”), duke përfshirë ri-trajnimin e personelit.
Ndër Produktet e pritshme të aktiviteteve të këtij financimi është edhe:
-(i) të vërë në përdorim repartin e centralizuar të sterilizimit që është ndërtuar dhe pajisur sipas Fazës i dhe të ketë personel të trajnuar funksional për përdorimin e repartit të sterilizimit
Pra, bazuar ne dokumentat shoqëruese të Marrëveshjes me CEB, financimi për trajnimin e stafit dhe vënien në funksionin të Qendrës së Sterilizimit në QSUT janë të programua – gjë që e bën të PAJUSTIFIKUESHME dhënien me koncesion këtë process, aq më tepër dhënien e 100 mln Eurove.
Ndaj ne mendojmë që kjo aferë duhet hetuar dhe jemi të gatshëm të vëmë në dispozicion të gjithë dokumentacionin përkatës.
Dhe në fund, kam një këshillë për ju z. Ministër:
Bëjini një dhuratë të Cmuar shqiptarëve për vitin e ri, Jepni dorëheqjen sa me parë!!!
Fjalimi në Kuvend i deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi, 21 Dhjetor 2015