Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë në Kongresin e partisë së kancelares Angela Merkel CDU, mbajtur në Karlsruhe. Gjatë punimeve të kongresit, zoti Basha u takua dhe bashkëbisedoi me drejtues të lartë CDU-së dhe Partisë Popullore Europiane, me eurodeputetë, deputetë të Bundestagut, ministra të kabinetit qeveritar, etj.
Korrupsioni, krimi me lidhje qeveritare, rënia e shtetit ligjor dhe shkatërrimi i zgjedhjeve si shkaqet kryesore të krizës ekonomike, politike dhe sociale ishin në qendër të diskutimeve që zoti Basha zhvilloi me presidentin e Partisë Popullore Europiane Joseph Daul, kryetarin e Parlamentit të Gjermanisë Norbert Lammert, kryetarin e Komisionit të Çështjeve Europiane në Bundestag Gunther Krichbaum, kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian Elmar Brok, me zëvendëspresidentin e Partisë Popullore Europiane dhe eurodeputetin gjerman David Mcallister, ministrin e Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere me Sekretarin e Përgjithshëm të CDU-së Peter Tauber, kryetari i grupit parlamentar të CDU-së Andreas Lammel etj.
Kryetari i Partisë Demokratike ka shprehur shqetësimet për situatën e rëndë që po kalon vendi ku Edi Rama ka instaluar shtetin e të padrejtës i cili dhunon qytetarët duke shkelur ligjet e vendit dhe mbron krimin e korrupsionin duke bllokuar hetimet për megaaferat korruptive, siç është afera CEZ prej 600 milionë eurosh dhe ministrat e zhytur deri në fyt në vedhje dhe lidhje me krimin e narkotrafikantët, ndër të cilët është ministri i Brendshëm i faktuar botërisht për lidhjet e tij me narkotrafikun. Revolta popullore që ka shpërthyer në të gjithë vendin dhe numri i lartë i azilkërkuesve shqiptarë është dëshmia më e qartë e situatës së rëndë ekonomike, papunësisë që shtohet dhe dhunës qeveritare ndaj të pamundurve, theksoi zoti Basha.
Buxheti i ri me rritje taksash, dhe shpenzime për luks qeveritar dhe asnjë investim për hapje vendesh të reja pune, tregon se qeveria “Rama” nuk ka asnjë plan per nxjerrjen e vendit nga kriza por do ta thellojë atë dhe vjedhjen e korrupsionin.
Të gjitha kategoritë shoqërore ndihen të goditura dhe të poshtëruara, theksoi kreu democrat, dhe ndaj vazhdimi i kesaj keqqeverisje është një humbje më e madhe, një kosto shtesë për vendin, për çdo familje, për çdo shqiptar dhe një rrezik i madh që i kanoset demokracisë dhe shtetit ligjor.
Kjo gjendje po shton revoltën dhe zemëratën popullore, e cila po përkthehet në protesta të njëpasnjëshme, tha zoti Basha, duke sjellë në vemendje pjesëmarrjen në mitingun madhështor të datës 8 dhjetor.
Zoti Basha i ka njohur bashkëbiseduesit me programin qeverisës të Partisë Demokratike i cili synon t’i japë frymëmarrje ekonomisë përmes uljes së taksave, një klime pozitive besimi që do të kontribuojë në vende të reja pune me paga më të mira. Ky program i cili hartohet edhe me asistencën e partive simotra gëzon një mbështetje të madhe të qytetarëve dhe sipërmarrësve, deklaroi zoti Basha.
Bashkëbiseduesit janë interesuar dhe për ecurinë e procesit të dekriminalizimit, ligj për të cilin sipas zotit Basha pritet të miratohet së shpejti. Kryetari i Partisë Demokratike shprehu shqetësimin për zbatimin e tij nga kreu i Partisë Socialiste i cili është autori kryesorë i promovimit të personave të inkriminuar në poste të rëndësishme të administratës, qeverisë dhe në Parlament.
Shitblerja e votës, një fenomen i shfaqur masivisht në zgjedhjet e fundit vendore qe u reflektua ne raportin e OSBE- ODHIR-it, ishte çështje që dominoi diskutimet mes zoti Basha dhe personaliteteve të larta të politikës gjermane dhe europiane.
Me këtë qeveri të faktuar si shkatërruesja e zgjedhjeve vendore, Basha tha se Shqipëria nuk mund të ketë një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor dhe as zgjidhje për situatën e rëndë ekonomike. Zgjidhja, theksoi Basha, eshte qeveria teknike e cila do të përgatise dhr garantoje zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kryetari i Partisë Demokratike pati një bashkëbisedim edhe me kancelaren Angela Merkel të cilën e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Shqipërisë sikundër vuri në pah shpresën e tij se Gjermania do të jetë në mbështetje të ëndrrës europiane të shqiptareve ashtu siç mbështeti fuqimisht dhe liberalizimin e vizave.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 15 Dhjetor 2015