Të nderuar deputetë, deputete të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike,

Të dashur qytetarë,

Seanca e ditës së nesërme ka në rendin e ditës ligjin më të rëndësishëm të vitit:  projektbuxhetin e qeverisë për vitin 2016 dhe paketën fiskale shoqëruese.

Në vlerësimin tonë si opozitë dhe të shumë prej grupeve të interesit në vend; të sipërmarrësve, të prodhuesve vendas, të pensionistëve, të përndjekurve politikë, të pronarëve, të  personave që marrin ndihmë ekonomike, të papunëve, të punëmarrësve të çdo sektori dhe niveli, të studentëve, të vetëpunësuarve dhe të profesioneve të lira- ky është buxheti i katastrofës, buxheti i zhvatjes së mëtejshme të qytetarëve që paguajnë taksa gjithmonë e më të larta dhe plaçkitjes së taksave të tyre nga një grusht kusarësh që i thonë vetes qeveri bashkë me shokët e tyre oligarkë. Projektbuxheti i fundit i plotë i kësaj qeverie dhe akti i fundit që konfirmon të zezë mbi të bardhë se po t’i lëmë do ta bëjnë akoma më zi, do ta bëjnë akoma më keq seç e kanë bërë deri me sot,  e për të cilin  kemi dhënë alarmin dhe kemi propozuar zgjidhjen: largimin e  qeverisë  Rama-Meta, krijimin e një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhjet e reja parlamentare.

Ne qëndrojmë dhe do të qëndrojmë fort në këtë zgjidhje bashkë me qindra e mijëra qytetarë nga mbarë vendi, që morën pjesë në protestën madhështore të 8 dhjetorit;  bashkë me qindra e mijëra të tjerë që nuk ishin në bulevard për arsye të ndryshme, por që mbështesin me shpirt e pa rezerva zgjidhjen e propozuar nga opozita dhe janë pjesë e mosbindjes civile që manifestohet në forma të shumëllojshme në çdo qelizë të shoqërisë; bashkë me socialistët e zhgënjyer dhe kokulur  me qeverinë  që nuk është  as socialiste, as socialdemokrate, por thjesht një  bandë kusarësh e oligarkësh që shtojnë çdo ditë pasuritë e tyre dhe rrisin çdo ditë varfërinë e  vendit.

Edhe nesër këtë do të bëjmë, këtë zgjidhje do të shërbejmë përmes aksionit të  kombinuar të deputetëve tanë në sallën e Kuvendit, me protestën qytetare para Parlamentit.

Në shënjestër është projektbuxheti dhe paketa fiskale, dy dokumente si dy dekrete vdekje të ekonomisë kombëtare.

Do të bëjmë çmos t’i ndalojmë. Deputetët tanë do  të argumentojnë  në  foltoren e Kuvendit pse ky është projektbuxheti  i varfërisë dhe  recesionit  më të  thellë, pse paketa fiskale është një përpjekje e mjerë për të qepur  interesat e  kontrabandistëve të oborrit qeveritar me ndonjë ide të keq kopjuar dhe për qëllime demagogjike nga programi i shpëtimit që ka paraqitur dhe bërë publik Partia Demokratike.

Në fakt, përveç amatorizmit, filli që përshkon edhe projektbuxhetin, edhe paketën fiskale është paniku. Banda dhe Oligarkët janë në panik. Ekonomia i ka rrëzuar. Ata nuk qeverisin. Shtyjnë ditët dhe vjedhin ku të mundin dhe sa të mundin.

Me ketë bindje qytetarët para Parlamentit do të vijojnë protestat dhe aktet demokratike paqësore për largimin e qeverisë Rama-Meta, jo vetëm për shkak të dështimeve të saj spektakolare në raport me premtimet elektorale, por mbi të gjitha sepse kjo është tashmë një qeveri e rrezikshme, një rrezik në veprim për të gjithë, siç është një virus, siç është një pandemi.

Nuk ka e nuk do të ketë lajme të mira prej saj. Ka e do të këtë vetëm lajme të këqija. Mekanizmi oligarkik i përkeqësimit që ka ndërtuar Edi Rama mund të ndalohet vetëm duke e shkatërruar si të tillë.

 E kam thënë edhe më parë se kam keqardhje kur parashtroj para qytetarëve të mi parashikime të tilla. Interesi ynë dhe interesi im si kryetar i partisë më të madhe të opozitës ka qenë dhe është stabiliteti, përparimi, mirëqenia e qytetarëve.

Edhe kur këto synime i realizon një qeveri kundërshtare. Ka gjithmonë hapësirë për një alternativë më të mirë, ka gjithmonë mundësi të reja për opozitën. Por Partia Demokratike nuk ia ka lejuar e nuk ia lejon kurrë vetes të manipulojë shpresat e shqiptarëve, duke fshehur të vërtetën për pasojat e politikave të qeverisë Rama-Meta.

Ne kemi parashikuar që në fillim, që në vitin e parë të qeverisjes së dyshes Rama-Meta atë që ka dale e vërtetë, atë që qytetarët kanë përjetuar dhe po e përjetojnë në kurriz, atë që ekonomia e ka vuajtur dhe po e vuan.

Nuk jemi fallxhorë. Me njerëzit tanë, me përvojën e grumbulluar, me instrumentet politikë që kemi, jemi përpjekur dhe ia kemi dalë të parashikojmë saktë. Kjo që po themi gjithë këto ditë për perspektivën e katastrofës me ketë qeveri nuk është vetëm një prognozë, nuk mund të konsiderohet më thjesht një parashikim. Është një realitet që po ndodh, po thellohet e do të thellohet sa më gjatë ta lejojmë.

Ndaj ju drejtohem sërish bashkëqytetarëve të mi. Ngrihuni pa dallime politike, mblidhuni nesër masivisht para para Parlamentit, të protestojmë, ta largojmë  me bashkim qeveri-fatkeqësinë, të diktojmë krijimin me marrëveshje të një qeverie teknike që të përgatisë zgjedhjet e reja, të votojmë pastaj gjithsekush për partinë dhe programin e zgjedhjes tuaj personale.

Kjo është thirrja, kjo është zgjidhja!

Shikoni buxhetin. Për të tretën herë radhazi dhe për herën e fundit në mënyrë të plotë:

 -nuk ka rritja e pagave, por “de facto” ulja e tyre për shkak të rënies së fuqisë blerëse. Çfarë duhet prisni më?

-Nuk ka rritja të pensioneve, por vetëm indeksim i tyre në bazë të rritjes së normës së inflacionit. Çfarë duhet prisni më?

-nuk rritet pagesa e papunësisë, ndonëse papunësia ka pllakosur vendin dhe aktualisht është 17.3% nga 14% që e morën qeverisjen dy vjet më parë. Çfarë duhet pritur më?

-nuk ka rritje të fondeve për ndihmën ekonomike (përkundrazi, parashikohet një ulje prej 1.2 miliardë lekë, duke qenë se zëri i parashikuar prej 1.6 miliade lekë për rimbursimin e rritjes së çmimit te energjisë elektrike tashme do të përfshihet në fondet e ndihmës ekonomike), ndonëse varfëria sipas të gjithë të dhënave kombëtare dhe ndërkombëtare  është përhapur në shumë familje shqiptare, ku rreth 20 mijë familje janë nxjerrë padrejtësisht nga skema përfituese. Çfarë duhet të presim më?

-megjithëse kishte premtuar pagesën e dëmshpërblimit brenda dy viteve të  gjithë ish-të përndjekurve politikë që janë  gjallë dhe brenda mandatit katërvjeçar të gjithë përfituesit e kësaj skeme, qeveria ka planifikuar shumë më pak fonde sesa do të duheshin për të mbajtur premtimin elektoral. Me ritmet e planifikimit duhen 20 vite për të ezauruar  detyrimin financiar ndaj  ndaj ish -të përndjekurve. Çfarë duhet të presim më?

Qeveria e taksave më të larta në rajon,  qeveria “Rama” ka  mbledhur  më pak se çdo vend tjetër në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe vazhdon të  ulë nivelin e të ardhurave edhe në buxhetin e  ri, duke vërtetuar edhe njëherë “dëshirën e qeverise” për të mos ulur kontrabandën dhe evazionin galopant në karburante, cigare, e tjerë, por duke shtrydhur biznesin e vogël, duke i kërcënuar me burg dhe gjoba stratosferike, të cilat do të sjellin vetëm dështim dhe falimentim të tyre.

Qeveria e taksave të larta rriti stokun e borxhit publik me 26 përqind,  pra Edi Rama ka marrë borxh brenda dy viteve sa një e katërta  e borxheve që kanë marrë të gjitha qeveritë marë së bashku në 23 vite, i ka hedhur në pikiatë investimet  publike, duke zbritur nivelin më të ulët të viteve të fundit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Ku shkojnë paratë e taksave të larta?  Ku shkojnë paratë e borxhit të rritur?

Këtë pyetje të pyetjeve shqiptarët nuk kanë përse ta shtrojnë më si pyetje, siç e kanë shtruar dhe siç e kemi shtruar disa herë përgjatë këtyre dy viteve.

Duhet ta shtrojnë dhe po e shtrojnë si akuzë. Duhet ta shtrojnë dhe po e shtrojnë si vendim.

Paratë shpërdorohen dhe vidhen në tendera dhe koncensione korruptivë,  në investime dhe shpenzime  luksi për miqtë, familjarët, shokët dhe ortakët, paratë avullojnë në kazanin e kontrabandës dhe të evazionit në favor të  një grushti oligarkësh dhe oborrit qeveritar.

Këtë kanë parashikuar edhe me buxhetin e ri. Këtë duan ta bëjnë përsëri. Ndaj duhen larguar, ndaj duhen shporrur.

Të  nderuar deputetë,

I shtrënguar në rrethimin e dështimeve, zarareve dhe skandaleve që nuk i ka njohur më parë ky vend, por duke dashur të vazhdojë avazin e tij, Edi Rama po trumbeton me të madhe se po bën shtet, se represioni, laku dhe dajaku  qeveritar në kurriz të qytetarëve nuk është asgjë më pak se sa një reformë e shtetformimit, siç ka dëshirë ta quajë ai.

Ai ka vajisur me paratë e korrupsionit dhe ka vënë në punë  gjithë makinerinë e tij propagandistike për të ngritur kultin e shtetformuesit, mitin e tij të shtetfomimit.

Me dashje apo nga injoranca ngatërron zbatimin e ligjit si një detyrë e çdo qeverie me shtetin dhe shtetformimin.

Me dashje apo nga injoranca fyen dhe lëndon me megalomaninë e tij një popull që ka ditur të  krijojë  rregulla dhe të jetojë në frymën e ligjeve të veta edhe në kohërat me të errëta të historisë.

Me dashje apo nga injoranca ngatërron lidhjen e pandashme mes ligjit, lirisë dhe së drejtës, tri nocione të shenjta të shoqërisë së hapur, që  japim e marrin, por nuk duhet të përplasen e fërkohen, siç na mësojnë korifenjtë e demokracisë.

Nuk na shkon mendja dhe nuk kemi as kohë, as dëshirë të debatojmë mbi këto rrafshe me një injorant  demagog që nga ligji  ka treguar herët se kupton pak, që veten e di mbi ligjin.

Por është detyra jonë të demaskojmë përdorimin prej tij të retorikës së ligjit si një alibi për arrogancën, arbitraritetin, shkeljet, abuzimet, korrupsionin, dështimet dhe dhunën mbi qytetarët shqiptarë.

Cili ligj qenka ai që godet lirinë dhe dinjitetin e sipërmarrësve duke u qëndruar me hanxhar mbi kohë sikur të mos ishin faktori numër një i punësimit dhe zhvillimit të vendit?

Cili ligj godet të drejtën e jetës? Cili ligj çoka njerëzit në vetëvrasje sepse nuk paguajnë dot llambën  e dritës?

Ligje të tilla nuk ka në demokraci. Ato janë ligjet e pashpirtësisë, ligjet e  oligarkisë.

Erdhën në pushtet duke  pretenduar se evazioni është 1 miliard euro.  Qeverisen dy vjet duke dekoruar e puthur me medalje njëri-tjetrin sikur po bënin një ndryshim historik në dogana dhe tatime. Papritur u plasi tullumbacja e informalitetit, evazionit  dhe kontrabandës në niveleve historike.

Çfarë kishin bërë, ku e kishin zbatimin e ligjit?

Gënjeshtër, rrenë dhe vetëm rrenë. Hipokrizi, hipokrizi dhe vetëm hipokrizi. Vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje.

Ulën planin, plasën aksionin e famshëm kundër evazionit, premtuan se do të mblidhnin 330 milionë dollarë  më shumë. Mblodhën 400 milionë dollarë më pak.

Nuk mund të ndodhte ndryshe. Nuk mund të luftohet kontrabanda dhe evazioni kur kontrabandistët dhe evazorët e mëdhenj janë pjesë e bandës qeveritare. Nuk mund të paguajë  sipërmarrja  e lirë për oligarkët e oborrit qeveritar.

Ligji që diferencon qytetarët, ligji që nuk është i barabartë për të gjithë, ligji i Edi Ramës dhe qeverisë së tij është një ligj i vdekur, një ligj që nuk e ngre por e shkatërron shtetin, nuk e garanton por e rrëzon përparimin dhe zhvillimin.

Në fakt  Edi Rama dhe Ilir Meta një “shtet” po mundohen ta ngrenë. Shtetin e të padrejtës.

Këtë e kanë bërë e po e bëjnë duke goditur themelet kushtetuese të ligjit, duke vjedhur zgjedhjet, duke vjedhur taksat, duke inkriminuar politikën.

Po bëjnë shtetin e të padrejtës që dhunon në mënyrë të hapur e të përsëritur, edhe kur paralajmërohet, edhe kur kapet duke dhunuar Kushtetutën e vendit.

Shtetin e së padrejtës që refuzon zbatimin e vendimeve të gjykatave.

Shtetin e të padrejtës që refuzon ekzekutimin e vendimeve të formës së prerë për të rikthyer në punë nëpunës civilë të hequr në kundërshtim me ligjin, për të zhdëmtuar pronarë, pronat e të cilëve janë shkatërruar në kundërshtim me ligjin, për të vënë para përgjegjësisë ligjore ata që dhunojnë, intimidojnë, terrorizojnë sipërmarrjen e lirë, biznesin e vogël, të mesëm apo të madh, me gjoba, ryshfete me qëndrime kryekëput antiligjore.

Shtetin e  të padrejtës që nga njëra anë, në përputhje me dispozitat e shkruara apo të ndryshuara të Kodit Penal mban për 80 ditë në qelitë e birucat e paraburgimit një berber sepse ka trishtuar emocionalisht një taksidare, por nga ana tjetër refuzon të nisë hetimin për aferën më të madhe korruptive në Europë që nga skandali “Lockhëd Martin”, vjedhjen 600 milionë euro të parave të shqiptarëve nga afera e përbashkët e kompanisë shtetërore CEZ dhe qeverisë shqiptarë, përkatësisht kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Kuvendit Ilir Meta.

Shtetin e të padrejtës që refuzon dhe bën gjithçka për të pamundësuar hetimin në aferat korruptive me paratë e shqiptarëve të denoncuara jo vetëm nga opozita, por dhe nga mediat ndërkombëtare dhe kombëtare, siç janë koncesionet e konceptuara dhe ndërtuara me një qëllim dhe vetëm me një qëllim, zhvatjen e parave publike të shqiptarëve për llogari të miqve, shokëve, ortakëve  dhe familjarëve, pra në konfliktit të hapur, në shkelje të hapur të ligjit për konfliktin e interesit.

Shtetin e të padrejtës që me urdhër politik të Edi Ramës liron nga burgu deputetin agresor dhe mban në burg qytetarët e agresuar.

Shtetin e së padrejtës që bën sikur skandalizohet me dy xhama të thyer nga dy-tre  protestues në  lumin prej njëqind e pesëdhjetë mijë protestuesish dhe jo me shtypjen dhunimin mashtrimin dhe vjedhjen që i bëhet ditën për diell miliona shqiptarëve e që i shtyn ata në dëshpërim, në vetëflijim e në arrati.

Shteti i së padrejtës që po ndërton Edi Rama, shtetin që është në kundërshtim dhe në armiqësi me parimet perëndimore të lirisë dhe demokracisë. Ne e konsiderojmë “non grata”, ne e refuzojmë, ne e luftojmë.

Shtetin e të padrejtës dhe gjithë demagogjinë që e mbështjell, gjithë spekulimet sikur opozita është kundër zbatimit të ligjit.

Ne jemi demokratë. Shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit janë të shenjta për ne. Sikurse është e shenjtë Liria dhe e Drejta e njeriut.

Për këto vlera ekzistojmë, për këto vlera të rrezikuara kemi ngritur e po ngremë në këmbë ne dhe mbarë Shqipërinë.

Por nuk jemi vetëm ne!

A ka njeri sot perveç atyre që i shërbejnë Edi Ramës që nuk sheh se në vend të 300 mijë vendeve të premtuara të punës, kemi 300 mijë vetë që kanë ikur e duan të braktisin vendin.

A ka njeri sot përveç atyre që i shërbejnë Edi Ramës që nuk sheh se në vend të shëndetësisë falas, është instaluar oligarkia plaçkitëse me mbi 300 milionë euro koncesione për miqtë e klientelën.

A ka njeri sot përveç atyre që i shërbejnë Edi Ramese që nuk sheh paligjshmërinë dhe inkriminimin, përfshirjen direkte të ministrit të Brendshëm në trafik droge.

A ka njeri sot përveç atyre që i shërbejnë Edi Ramës që nuk sheh se shteti i të drejtës ka rënë, ku për të njëjtën çështje deputetët agresorë lihen të lirë, qytetarët viktima mbahet në burg.

A ka njeri sot përveç atyre që i shërbejnë Edi Ramës që nuk sheh se mungojnë 400 milionë dollarë në dogana e tatime dhe se për një vit janë abuzuar 777 milionë euro në tendera sipas raporteve zyrtare të institucioneve të shtetit.

Kush nuk sheh se Edi Rama cakton 3 vjet burg për një kupon, ndërsa për vete ndalon me ligj hetimin e aferës më të madhe korruptive në vend, vjedhjes së shekullit 600 milionë euro, nuk është i mjegullt, por nxitës i dy standardeve.

Kush nuk sheh se vota, i vetmi instrument për ndërrimin e qeverisë është dhunuar, kërcënuar, blerë e manipuluar nga Edi Rama dhe Ilir Meta, nuk është i paditur por bashkëfajtor.

Por shqiptarët po e shohin çdo ditë se si po rritet shteti i të padrejtës, shteti i korruptuar dhe kriminal.

Ashtu siç po rritet çdo ditë revolta dhe kërkesa e qytetarëve për ta ndalur këtë klikë të paligjshme.

Vendimi është marrë.

Vendimin e kanë marrë qytetarët e vendit, ata që shohin më qartë nga të gjithë, ata që kanë sensin e drejtësisë; qytetarët janë të pagabueshëm.

Vendimin e kanë marrë qytetarët që duan një rrugë tjetër, një shteg të ri që sjell zhvillim, mirëqënie, drejtësi dhe barazi para ligjit.

Ky vendim është i pakthyeshëm, i paapelueshëm dhe i pandalshëm.

Ne i kamë dalë zot dhe do t’i prijmë deri në realizimin e tij.

Duke vijuar me protestën e nesërme, bashkimin e nesërm të zemrave dhe mendjeve të lira para Parlamentit.

Ju faleminderit !


Fjalimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar, 16 Dhjetor 2015