I dashuri kryetari Basha,
Të dashur miq të Partisë Demokratike të Shqipërisë,
Nuk mund të jem me ju sot në Tiranë për të festuar 25- vjetorin e partisë suaj pasi do të më duhet të drejtoj Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane në Bruksel.
Por jam tejet i lumtur për t’ju adresuar këtë mesazh të shkurtër dhe për t’ju përgëzuar për gjithçka ç’ka keni arritur këto 25 vite dhe për t’ju uruar një të ardhme akoma më të shkëlqyer.
Të dashur miq, nuk është vetëm Partia Demokratike që feston këto 25 vite sot. Është gjithashtu Shqipëria demokratike e çliruar nga shtypja komuniste.
Shqipëria që është anëtare e NATO-s dhe që është e destinuar të bëhet një ditë vend anëtar i Bashkimit Europian.
Vendi juaj ka bërë progres të jashtëzakonshme në rrugëtimin e tij të demokratizimit dhe të modernizimit në rrugën drejt Europës.
Dhe është gjithashtu fale mikut tim Sali Berisha që këto gjëra janë arritur.
Presidenti i parë i zgjedhur demokratikisht, Kryeministër gjatë aplikimit për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Themelues dhe Kryetar i parë i Partisë Demokratike, Berisha ka mbështetur gjithmonë demokracinë, pluralizmin dhe lirinë e mendimit dhe të fjalës.
Fatkeqësisht këto arritje janë në venë në rrezik nga kriza ekonomike dhe politike që po kalon Shqipëria dhe që i shtyn gjithmonë e më shumë qytetarët tuaj të largohen nga vendi.
Shqipëria është një vend kandidat dhe përfiton që nga viti 2010 nga regjimi i liberalizuar i vizave drejt Bashkimit Europian.
Prandaj është e papranueshme që me dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë të kenë paraqitur këtë vit një kërkesë për azil në vendet e BE-së.
Një vend kandidat nuk duhet të gjendet kurrë në një situatë të tillë.
Miqtë e mi, në këto rrethana është më shumë se kurrë e nevojshme që të merrni plotësisht përsipër rolin tuaj të opozitës demokratike. Duke marrë pjesë në mënyrë aktive dhe të plotë në jetën parlamentare dhe duke i prezantuar popullit shqiptar një alternative konkrete dhe të besueshme. Prandaj më vjen mirë për propozimet e programit tuaj fiskal që keni parashtruar më 2 dhjetor, në mbështetje të sipërmarrjeve, të punësimit dhe të investimeve të huaja. Ky është roli i opozitës, të punojë në Parlament dhe jo veç në rrugë për të korrigjuar qeverinë në kursin e saj dhe për të përgatitur rotacionin.
Duhet të jetë një punë në ekip, një punë e gjithsecilit prej jush dhe kjo periudhë në opozitë duhet të jetë mundësia për të fuqizuar partinë, për të punuar mbi organizimin e funksionimin e saj, për të përmirësuar praninë në terren, për të ushqyer debatin e brendshëm mes deputetëve, të zgjedhurve lokale dhe anëtarëve por po kështu është e rëndësishme të vazhdoni luftën tuaj kundër korrupsionit, në mbështetje të shtetit të së të drejtës dhe pavarësinë e gjyqësorit.
Pa këto, nuk do të ketë as përparim, as zhvillim ekonomik dhe social, as një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj.
Ju bëni pjesë prej 12 vitesh, në familjen e madhe të Partisë Popullore Europiane, ju ndani me ne vlerat, vizionin dhe parimet themelore.
Dhe Partia Popullore Europiane do të jetë gjithmonë në krahun tuaj në betejën tuaj për të dekriminalizuar jetën politike shqiptare dhe për të rivendosur vendin në shinat e duhura.
I dashur Lulzim,
Dua të përfitoj nga ky rast për të të përgëzuar për angazhimin tënd në Asamblenë e Partisë Popullore Europiane dhe të uroj që të ruash gjithmonë të njëjtën energji dhe këtë angazhim
Ndaj vlerave tona të përbashkëta, së bashku me deputetët dhe drejtuesit e tu lokalë dhe që angazhimi yt të mund të kurorëzohet sa më parë me sukses.
Ju uroj të gjithë anëtarëve dhe militantëve të Partisë Demokratike “Gëzuar Ditëlindjen”!
Edhe njëherë gëzuar!
Mesazh i presidentit të PPE me rastin e 25 vjetorit të krijimit të PD, 11 Dhjetor 2015