Nga Elbasani, qyteti ku partia Demokratike u themelua menjëherë pas Tiranës, Grupimi i Dhjetorit 90 dhe drejtues demokratë vijuan aktivitetet përkujtimore të jubileut 25 vjeçar të rrëzimit të komunizmit.

Themelues të Lëvizjës Studentore, deputetë, ish-deputetë, themelues të degës së PD dhe mbështetës të së djathtës sollën në kujtesë sfidat e jashtzakonshme të fitores së lirisë, burgosjet dhe terrorin ndaj shqiptarëve që kreu edhe në vitin 90 regjimi komunist për të mbijetuar.

Falë shpirtit dhe idealeve patriotike të Elbasanit, ky qytet nxorri kontribues dhe personalitete të demokracisë shqiptare. Në fjalën e tyre, deputetët demokratë thanë se trimat e lirisë edhe sot bashkë me energjinë e rinisë, do të mposhtin regjimin e korrupsionit, dhunës, skamjes e vrasjes së shpresës.

Drejtues dhe përfaqësues të Partisë Demokratike dhe të grupimit Dhjetori 90, u shprehën se sot demokratët dhe qytetarët janë më të bashkuar se kurrë për të ndalur të keqen që ka kapur vendin për fyti. Marshimi i 8 dhjetorit është thirrja për ti hapur vendit një rrugë të re shprese, besimi, zhvillimi e drejtësie.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 7 Dhjetor 2015