Ambasadori i SHBA, Donald Lu i ka dorëzuar sot kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha rekomandimet e Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi.

Zoti Basha shprehu mirënjohjen e Partisë Demokratike dhe opozitës për SHBA dhe në veçanti për ambasadorin Donald Lu për mbështetjen e jashtëzakonshme për Reformën në Drejtësi dhe garantimin e përfshirjes së opozitës në këtë reformë. Pas takimit, në një prononcim para mediave, kryetari i opozitës ftoi publikisht mazhorancën të bashkëpunojë për zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Zoti Basha nënvizoi se Partia Demokratike është e vendosur për zbatimin pikë për pikë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias si udhërrëfyes për një reformë të drejtësisë që do të bëjë të mundur luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe nuk do të lejojë kapjen politike të sistemit të drejtesisë.

Sot kam një mesazh që i drejtohet drejtpërdrejt Edi Ramës, Ilir Metës dhe deputetëve të shumicës. Është një mesazh që e ndaj me të gjithë qytetarët shqiptarë. Këtu kam draftin e propozimeve të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi. Kjo është harta e rrugës që partitë politike, partitë parlamentare duhet të ndjekin për të përfunduar me sukses reformën në drejtësi. Në emër të Partisë Demokratike i bëj thirrje sot kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, Partisë Socialiste, Lëvizjes Socialiste për Integrim të bëhen pjesë e përpjekjes së Partisë Demokratike për një reformë të plotë, të thellë dhe të shpejtë në drejtësi për të luftuar korrupsionin dhe në të njëjtën kohë për të parandaluar kapjen politike të sistemit të Drejtësisë. Kjo është harta e rrugës dhe Partia Demokratike zotohet që ti përmbahet pikë për pikë rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Ftoj palët e tjera të angazhohen pa vonesë në këtë proces”, tha Basha.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 23 Dhjetor 2015