Top-Channel: Z.Basha ju keni premtuar një protestë në 8 dhjetor, që është një ditë simbol, por ju thoni se kjo nuk është vetë‎m një ditë simbolike, një protestë simbolike. Ju thoni se kjo ë‎shtë‎ nje proteste per te rrëzua qeverinë. Ju lutem, si rrëzohet qeveria me një protestë?

Lulzim Basha: Protesta e 8 dhjetorit është padyshim fillimi i përballjes pa kthim për largimin e qeverisë “Rama” dhe pjesëmarrja në këtë protestë, pjesëmarrja masive dhe popullore në këtë protestë e të gjithë atyre që nuk pranojnë më qeverinë e Edi Ramës dhe 40 hajdutëve si përfaqësuese të interesave të tyre është sinjali më i qartë, është vula se kësaj qeverie i kanë mbaruar ditët i ka mbaruar koha. Nuk kanë më çfarë të presin as pensionistët, as të papunët, as studentët, as sipërmarrësit. Përballje pa kthim me keqqeverisjen e vendit. Keqqeverisje e cila sot ka rikthyer një tjetër lloj diktature, diktaturën e krimit, diktaturën e korrupsionit, diktaturën e padrejtësisë, varfërisë dhe të arrogancës. Ndaj nuk ka më asnjë arsye për të pritur. Koha është tani për të vulosur rënien “de jure” të kësaj qeverie të rënë “de facto” në sytë e shqiptarëve dhe për t’i dhënë mundësi të gjithë shqiptarëve të zgjedhin me votë të lirë e të ndershme një rrugë tjetër për Shqipërinë.

Top-Channel:  Z.Basha, kur ju dëgjoj herë pas here me këtë gjuhë, më kujtohet Edi Rama i opozitës. Edhe ai, në opozitë, të njejtat fjalë përdorte, por nuk arriti të bënte zgjedhje të parakohshme, te cilat edhe ai i kërkonte atëherë. Si arrihet në qeveri teknike?

Lulzim Basha: Pyetja që shtrohet është: aështë në gjendje qeveria e Edi Ramës të bëje zgjedhje të lira dhe të ndershme? Përgjigjia jonë është jo! Kjo qeveri nuk ka asnjë shans të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme! Prandaj,ka ardhur koha për një qeveri teknike, e cila në radhë të parë të nisë zbatimin e ligjit te dekriminalizimit. Në radhë të dytë, bashkë me gjithë palët politike në vend, t’i japë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku qytetarët shqiptarë të zgjedhin sipas ofertave dhe programeve të forcave politike dhe jo sipas kërbaçit dhe shitblerjes masive të votave.

Top-Channel: Kur është krijuar një qeveri teknike, nëse mund ta quaj keshtu, ishte një here në ’91-shin dhe një here në ’97-ën. Tek e para kishte sindikata, tek e dyta kishte armë në Shqipëri. Sot nuk jemi në ato kushte. Ju lutem mund të më thoni se si e keni imagjinuar krijimin e një qeverie teknike ?

Lulzim Basha: Ajo që po themi është fare e qartë. Nuk po themi tani “çohuni ju të vijmë ne”.  Po themi t’i ofrojmë edhe një herë shqiptarëve mundësinë të zgjedhin, sepse është e qartë që e keqja e ka zanafillën në mashtrimet e mëdha me të cilat erdhi kjo qeverisje në pushtet, në paktin e çimentuar me krimin dhe në korrupsionin genetiv që erdhi si pjesë e paktit Rama –Meta. Ky kapitull është mbyllur, do apo nuk do Edi Rama, do apo s’do Ilir Meta, populli shqiptar, qytetarët shqiptarë sot masivisht janë të zhgënjyer, janë të dëshpëruar dhe ndihen të braktisur nga kjo qeverisje. Dhe këtu është detyra ime, këtu është detyra e opozitës për t’i thënë qytetarëve që ka edhe rrugë të tjera përveç largimit nga vendi, që është detyrë e çdo njeriu të lirë që para se të ulë kokën dhe të pranojë nje fat të gatuar jo nga Zoti, por nga qeveritarët, të marrë në dorën fatin e tij dhe të familjes së tij. Shembulli është 8 Dhjetori. Prandaj nuk ka asnjë paralele midis situatës së sotme dhe asaj që evokonte Edi Rama. Ardhja e Edi Ramës në pushtet me një paketë mashtrimesh është thelbi i problemit, prandaj nuk mund të ofrojë sot zgjidhje. Ndërsa ne ofrojmë zgjidhjen, kemi vizionin dhe kemi vendosmërinë për ta nxjerrë vendin nga ky batak.

Top-Channel: Ju ndjeheni i mjaftueshëm si kryetar i opozitës? E kam fjalën për të fituar besimin qytetarëve?

Lulzim Basha: Ky është një proces në vazhdim. Por fitimi i besimit të qytetarëve nuk është një proces abstrakt, ai matet nga betejat që lufton opozita dhe nga arritjet. Në qoftë se opozita lufton një betejë të drejtë, siç është beteja për dekriminalizimin, dhe e fiton, ky padyshim është një moment besimi i madh kombëtar dhe ndërkombëtar për opozitën. Në qoftë se opozita lufton betejën kundër taksave të larta si rrënuese për ekonominë dhe nxitëse për informalitetin dhe pastaj kemi Blushët me shokë që dalin e këndojnë këngën e opozitës me një partiturë tjetër muzikore, ky mendoj se është frymëzimi më i madh. Një opozitë që frymëzon kundërshtarin, një opozitë që frymëzon dhe vetë kryeministrin, që ndonëse në arratinë e tij kaotike nuk di se ç’kopjon, kjo tregon se opozita ka qenë dhe është në rrugën e mbarë.

Ajo që nuk shkon në këtë vend është qeverisja dhe kjo, akoma  më shumë, do të thotë  se zgjidhjet tona janë zgjidhje reale dhe është koha që këto zgjidhje reale në vend që t’i kopjojë një injorant, arrogant, pa koncepte për shtetin, ekonominë dhe të ardhmen europiane të vendit, ka ardhur koha që të implementohen nga një brez i ri politikanësh,me ndërthurje të përvojës më të mirë në vite që është Partia Demokratike. Një skuadër e gatshme për të marrë përgjegjësitë që do t’i caktojnë qytetarët.

Top-Channel: Kur ju kërkoni qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme, e keni imagjinuar se kur mund të ndodhe kjo?

Lulzim Basha: Sigurisht që kërkesa politike është që kjo të realizohet sa më parë. Në qoftë se ne do të kishim kartonat, ne do ta kiZshim rrëzuar këtë qeveri dje, para një muaji. Por kartonat nuk janë gjithçka. Qytetarët janë gjithçka dhe qytetarët janë ata që vendosin me pjesëmarrjen e tyre me 8 dhjetor. Me dinamikën e plotë demokratike të protestës me 8 dhjetor janë ata që do t’i japin mesazhin kësaj qeverie.

Top-Channel: Çfarë ndodh më 9 dhjetor?

Lulzim Basha: Vazhdon, vazhdon përballja…

Top-Channel: Por jo protesta?

Lulzim Basha: Vazhdon përballja derisa qeveria të pranojë realitetin që nuk është më përfaqësuese legjitime e qytetarëve shqiptarë.

Top-Channel: Ju thoni që qeveria nuk ju dëgjon as juve, as qytetarët dhe besoj se qeveria do të vazhdojë të mos ju dëgjojë as juve as qytetarët, po të marr fjalët tuaja.

Lulzim Basha: Një qeveri e përballur me një popull në këmbë, me një mosbindje masive nga jugu në veri është një qeveri e rënë. Është vetëm çështje orësh apo ditësh derisa ajo të bjere dhe ligjërisht.

Top-Channel: Mos ndoshta po rrisni shumë pritshmërinë e shqiptarëve për zgjedhje të parakohshme, të atyre shqiptarëve që ju mbështesin? Sepse shqiptarët kurrë, në memorien time, nuk kanë shkuar deri në mosbindje civile.

Lulzim Basha: Koha është që edhe shqiptarët të sillen si europianë. Një qeveri që i shtyp, i nëpërkëmb, i vjedh dhe pastaj i poshteron, meriton ngritjen në këmbë të një populli tërë. Dhe zgjidhja është largimi i kësaj qeverie, zgjedhje të parakoshme, në mënyrë që shqiptarët të zgjedhin të lirë, pa frikë, pa kërbaç, pa ryshfet se cila ofertë është rruga e daljes së vendit nga kriza.

Top-Channel: Do të thotë se ju e shikoni fjalekyçin, passwordin e qeverisë teknike tek pjesëmarrja e qytetarëve në proteste? Jo vetëm në këtë proteste, mund të ketë edhe të tjera ndoshta.

Lulzim Basha: Pjesëmarrja e qytetarëve në 8 dhjetor është sinjali i parë dhe më i rëndësishëm që i jepet vendit dhe kësaj qeverie që ajo ka mbaruar punë, që është një qeveri e rrëzuar. Se çfarë do të bëjë qeveria me këtë sinjal, është punë e saj, por ne do të vazhdojmë të insistojmë. Më 8 dhjetor gjithë ditën,me 9 dhjetor, me 10, me 11, me 12. Derisa qeveria ta kuptojë se përfaqëson interesat e një grupi njerëzish që po majmen në kurriz të shqiptarëve dhe që shqiptarët nuk e duan më këtë qeveri dhe janë të vendosur të shkojnë drejt zgjedhjeve të reja.

Top-Channel: Mos ndoshta është e parakohshme si kërkesë, sepse përpara është reforma në drejtësi?

Lulzim Basha: Nuk ka asnjë shans, nuk ka asnjë shans me këtë qeveri të kemi një reforme në drejtësi të standardeve që meriton Shqipëria, të standardeve që kërkojnë partnerët ndërkombëtarë. Kjo është një qeveri e cila haptazi kërcënon drejtësinë, kërkon ta nëpërkëmbë dhe qe e ka marrë peng në sa e sa raste në nivel Kushtetues, në nivel të Gjykatës së Lartë. Pra, nuk ka asnjë shans që kjo qeveri të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, tonat si opozitë dhe të partnerëve ndërkombëtarë për reformën në drejtësi. Zgjidhja politike që ne ofrojmë përmes zgjedhjeve të reja parlamentare, përmes një mazhorance të legjitimuar drejtpërdrejtë nga vota e pakërcënuar, e pa intimiduar, e pa shitblerë e qytetarëve shqiptarë, është edhe investimi më i sigurt per një refore në drejtësi ashtu siç e meritojnë dhe e duan shqiptarët, për një drejtësi të pakorruptuar dhe të pakapur politikisht.

Top-Channel: Nuk po më thoni që ndërkombëtarët mbështesin zgjedhjet e parakohshme? Unë kam dëgjuar që ata kërkojnë nga juve të votojnë reformën në drejtësi.

Lulzim Basha: Jo, mendoj se ky është një thjeshtim i padrejtë. Ata kërkojnë pjesëmarrjen tonë në një proces. Nuk ka akoma një paketë që kërkohet vota e opozitës. Ka një kërkesë për pjesëmarrjen tonë dhe ka pjesëmarrje. Ka një vlerësim për pjesëmarrjen tonë, por procesi që kemi përpara është problematik, i vështirë dhe me shumë të panjohura, siç mund ta imagjinoni që është rasti me një qeveri, me një kryeminstër që primare ka kapjen e drejtësisë, presionin ndaj drejtësisë dhe jo reformimin e saj.

Top-Channel: Domethënë duhet të presim sesionin e ardhshëm parlamentar për të parë se ç’mund të bëhet me reformën në drejtësi?

Lulzim Basha: Unë them se nuk duhet të presim asgjë. Unë them se duhet të presim 8 dhjetorin për t’u dhënë shqiptarëve shansin të zgjedhin edhe një herë një rrugë tjetër, sepse rruga që zgjodhën në 23 qershor ,i ka çuar në humnerë.

Top-Channel: Pyetja e fundit. Ky skenar që sapo thatë sa shanse ka të ndodhe?

Lulzim Basha: Ju e mbani mend arrogancën e kryeministrit kur fliste për 1 milionë shuplaka. Erdha- thoshte- me 1 milionë shuplaka. 1 milionë shuplaka këtu, 1 milionë shuplaka aty. Sot është koha për të gjithë shqiptarët e zhgënjyer e të braktisur nga ky kryeministër, që i konsideroi që në fillim shuplaka dhe jo njerëz me halle e probleme për t’u zgjidhur, që të bëjnë bilancin e tyre.

Është koha për studentët të bëjnë bilancin e tyre dhe të thonë: a jemi ne të kënaqur me situatën në arsimin e lartë, me ligjin për arsimin e lartë dhe nëse jo, nese ky ligj është i papranueshëm, le të vijnë në protestën e 8 dhjetorit!

Është koha për pensionistët të cilët edhe këtë vit, si vitet e kaluara, nuk do ta kenë shpërblimin e fundvitit, dhe të thonë a jemi të kënaqur me kushtet që na u krijuan këto dy vite apo është ky një përkeqësim dhe mosmbjatje premtimi? Atëherë, le të vijnë në protestën e 8 dhjetorit!

Me të papunët që e kanë sot më të vështirë se një vit apo dy vite më parë për të gjetur një vend ë ri pune.

Me ata që jetojnë me pasigurinë e përditshme se mund të humbasin vendin e punës, qofshin të punësuar apo të vetëpunësuar.

Me njerëzit që shërbehen apo keqshërbehen nga një shëndetësi e thërrmuar nga korrupsioni proverbial i kryehajdutit të shëndetësisë Ilir Beqja dhe kryepadronit të tij në aferat financiare, Edi Rama. I krimit të ngritur në sistem me ndërlidhësin e krimit, Ministrin e Brendshëm.

Kjo situatë nuk ka nevojë më për shpjegim. Më mirë se fjalët e mia, më mirë se denoncimet që i kemi bërë të përditshme me fakte dhe argumente, këtë e thonë qytetarët. Por qytetarët, po kështu kanë nevojë për një zgjidhje, për një platformë zgjidhje dhe opozita ju ofron platformën e protestës popullore me 8 dhjetor me qëllim që të arrijmë një zgjidhje politike  përmes një qeverie teknike dhe zgjedhje të parakohshme.

Top-Channel: Ju faleminderit!

Lulzim Basha: Faleminderit ju!


Intervista e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhënë për gazetaren e Top- Channel, Elona Meço, 5 Dhjetor 2015