Mirëmbrëma të dashur anëtarë dhe anetare të Forumit Rinor,

I dashur kryetar i ri i Forumit Rinor Belind Këlliçi,

Të dashur Ervin, Oriela, Greta, Enri, Lisandër,

Të rinj dhe të reja demokratë që na ndiqni përmes ekranit anembanë Shqipërisë,

Dje Forumi Rinor përmbylli një nga garat më të bukura që Ballkani ka parë në këto 70 vite, një garë politike të hapur, të pastër, të fortë, të bukur si ajo që I dhuroi Shqipërisë dhe demokracisë Forumi Rinor i Partisë Demokratike.

Unë dua të uroj nga zemra të gjithë të rinjtë dhe të rejat që i dhanë kuptim kësaj gare, me pasionin e zemrës tuaj ju provuat para çdo shqiptari dhe botës mbarë besimin tuaj te Partia Demokratike e Shqipërisë.

Dua të uroj në mënyrë të veçantë kandidatët në këtë garë për shpirtin sportiv, për vlerat e jashtëzakonshme rinore por edhe politike, organizative dhe në veçanti të zgjedhurin tuaj si kryetar të ardhshëm Belind Këlliçin.

Kjo ishte një garë e përbashkët, një përpjekje e përbashkët brenda familjes tonë që është rinia demokrate por më lejoni të them se nëse e lexoj ashtu siç duhet votën tuaj, kjo po kështu është një fitore e përbashkët e të gjithë kandidatëve dhe rinisë.

Ndaj kam bindjen se të tillë do ta trajtoni. Rinisë dhe ekipit të sapozgjedhur po i afron e nesermja, e nesermja 8 Dhjetori, dita e madhe e rinisë, dita ku ju shkruat dhe vendosët historinë e këtij vendi dhe padyshim dita ku përsëri rinia demokrate dhe rinia shqiptare në tërësi do të dijë të jetë në ballë të marshimit popullor, të një bashkimi të madh të shqiptarëve.

Nesër në sheshin “Skënderbej” në orën 11:00. Nëser nis një marshim i ri, një marshim për vlerat më të shenjta të rinisë, për lirinë, për lirinë për t’u zgjedhur, për lirinë për t’u shprehur, për lirinë për t’u shkolluar, për lirinë për t’u punësuar, për lirinë nga korrupsioni, nga krimi dhe nga tirania e varfërisë dhe padrejtësisë që është shtruar sot këmbëkryq në çdo cep të Shqipërisë.

Shqipëria do të bashkohet nesër por sytë e shqiptarëve do të jenë nga rinia demokrate dhe rinia e saj. Ju e dini fare mirë dhe ne kemi folur këto ditë, këto javë dhe këto muaj me ju, me shqiptarët anembanë Shqipërisë për problemet e mëdha, për krizën e rëndë, për dramën me emrin Edi Rama, e për papunësinë, për varfërinë, për pasigurinë, për krimin, për mashtrimet për shëndetësinë falas dhe 300 mijë vendet e punës, për korrupsionin më të madh që Shqipëria ka parë në këto 25 vite.

Ndaj nuk dua të ndalem sot më gjatë, çdo shqiptar e demokrat e ka të qartë po se po, por edhe socialistët, familja e tyre politike është përdorur për të uzurpuar pushtetin nga një grusht kriminelësh pa asnjë  lloj lidhje me ta.

Edhe ekranet i kishte zënë përsëri kokoshi. I kishte zënë dhe për një moment pothuajse më erdhi keq për të. Po i rridhnin hundët dhe ky që po pastronte Shqipërinë nuk po pastronte dot as hundën e tij. Dhe se s’ka si ta pastrojë  Shqipërinë njeriu që  e bëri pis, e bëri pis me alencën e tij me krimin, duke graduar kriminelët e duke ju thënë ju të rinjve shqiptar se studimet, se të mësuarit, se vlerat me të cilat ju kanë edukuar dhe me të cilat kanë harxhuar nga xhepa prindërit tuaj nuk paskan vlerë, se mjafton të jesh i dënuar, narkotrafikantë dhe bën karrierë me Edi Ramën. Ky e bëri pis Shqipërinë me mashtrimet e tij që i kanë dalë boja dhe që sot ja njeh i madh dhe i vogël, dhe ja njeh e gjithë bota.

Ky e bëri pis Shqipërië me aleancën e tij të vesit, të antivlerës, të korrupsionit që e mban në këmbë bashkë me ortakun e tij Ilir Meta dhe që ja ka zënë frymën ekonomisë shqiptare.

Ky e bëri pis me padrejtësinë, me Apartedin e tij, që nga njëra anë një popull i tërë goditet me taksa të larta, me çmime të larta, nga papunësia, nga mungesa e shpresës e detyrohet të marrë rrugët e eksodit dhe një grusht njerëzish nga ana tjetër nuk i kap ligji edhe kur vjedhin ashiqare 600 milionë euro siç është rasti i CEZ-it.

Prandaj ekziston kjo frymë, prandaj ekziston shpirti i protestës i cili nesër do të derdhet në permasa gjigande drejt sheshit “Skënderbej” dhe bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Por të rinjve dhe të reja që na ndjekin sot që nuk vini vetëm për objektivin tonë politik, që të rrëzojmë qeverinë e katastrofës kombëtare, qeverinë e Edi Ramës me 40 hajdutë. Vini po kështu për të çelur një rrugë të re për Shqipërinë, koha ka ardhur që rinia të marrë sërish në dorë fatet e vendit. Koha ka ardhur dhe ne së bashku me rininë të mbyllim kapitullin e zi të rrënimit ekonomik, të depresionit e të hapim një kapitull të ri.

Ne duam  që rinia të ketë mundësi studimi me tarifa të përballueshme nga prindërit tuaj. Ne duam që rinia të studiojë dhe të punojë në qytetet e tyre, në vendin e tyre në Shqipëri.

Ne duam që së bashku me rininë ta bëjmë Shqipërinë vendin më atraktiv e të qëndrohet, të punohet e të jetohet më dëshirë të madhe, jo të largohemi sikur largohemi nga ferri.

Ne i ndajmë këto aspirata me çdo të ri, por rinia demokrate do të jetë nesër në ballë të përballjes tonë.

Një ftesë të veçantë  kam për rininë gjimnaziste të Tiranës, dua t’iu kujtoj se 25 vite më parë unë, sot kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, isha gjimnazist i dhjetorit në krah të studentëve të dhjetorit. E t’ju them se jam krenarë që bashkë me qindra e mijëra të tjerë morëm pjesë në atë kapitull të ndritur të lirisë e demokracisë.

Sot është koha juaj, tani është koha juaj të marrim edhe një herë fatet e lirisë kombëtare në duar, fatet e demokracisë.

Ju ftoj të ngriheni e të bashkohemi, studentë, gjimnazistë, të rinj e të reja nesër në orën 11:00 në sheshin “Skënderbej”.

Ta pagëzojmë 8 Dhjetorin, 25-vjetorin e demokracisë si dhjetorin e lirisë dhe demokracisë për shqiptarët lirinë nga tirania e krimit, lirinë nga tirania e korrupsionit, lirinë nga tirania e padrejtësisë.

E njëkohësisht le ta pagëzojmë edhe ekipin e ri drejtues të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Nesër me 8 dhjetor 2015 si dita që rinia nuk iku por qëndroi, nuk e uli kokën por u ngrit, nuk u tërhoq por fitoi!

Belind Këlliçi

Të dashur miq, kolegë, bashkëpunëtor,

Pas një procesi të pashembull zgjedhor me një anëtar një votë. Pas 20 debateve kombëtare në një garë të denjë e të fortë, ku 10 100 të rinj demokratë ushtruan verdiktin e tyre dhe më ngarkuan me përgjegjësinë e madhe të drejtimit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, jam jashtëzakonisht I ndërgjegjshëm për peshën e jashtëzakonshme të kësaj detyre dhe të rolit që ju dje vendosët të më besonit.

Falenderoj nga zemra të 5-të kandidatët për garën e tyre të fortë dhe të shkëlqyer! Falenderoj Ervnin, Lisandrin, Enrin, Orielën dhe Gretën për garën e shkëlqyer që ata zhvilluan, për idetë e tyre!

Gjithashtu falenderoj të gjithë të rinjtë demokratë të cilët zgjodhën të bëhen pjesë e këtij procesi.

Një falenderim të veçantë për familjen time, për babain tim, për bashkëpunëtorët e mi

Falenderimi më i veçantë shkon për ekipin tim dhe gjithë të rinjtë e kësaj salle.

Të dashur miq dje ishin momentet e fundit të festës sot ka nisur puna, kemi nisur të përveshim mëngët dhe gjithë energjinë tonë në marshimin kundër korrupsionit dhe krimit që ka kapluar kudo vendin.

25 vjet më parë angazhimi politik dukej diçka e pamundur por studentët, të rinjtë si ne besuan se politika është një mundësi për të ndryshuar vendin dhe politika është gjithashtu një mundësi demokratike që sjell ndryshimet rrënjësore, ndryshimet epokale të vendit tonë.

Sot kjo qeveri po vret shpresën e qytetarëve dhe po largon rininë nga vendi, nga pjesëmarrja në politikëbërje dhe vendimmarrje. Nesër është një mundësi e jashtëzakonshme për ne për të dëshmuar vullnetin tonë si të rinj demokratë, për të ndryshuar realitetin e dhimbshëm në vend, të rinjtë e të rejat pa punë, student e qytetarë të lirë, të rinjtë e të rejat që duan një Shqipëri shanse të barabarta, mirëqenie dhe drejtësi. Të rinjtë e të rejat demokratë, të rinjtë pa parti nesër në orën 11:00 të mblidhemi në sheshin “Skënderbej”. Për të nisur një rrugë të re në këtë 8 dhjetor të dytë, për një Shqipëri europiane. Të jeni të bindur se bashkë do ja dalim. Rinia është dhe do të jetë në krye.Të jeni të bindur se nëse të gjithë bashkë me këtë entuziazëm dhe jam i sigurt 100% se me mijëra të rinj të tjerë nga e gjithë qytetet Shqipërisë, sikurse ju keni këtë entuziazëm sot do të kenë entuzizëm në sheshin “Skënderbej” nesër  për të rikthyer shpresën në këtë vend dhe për nisur rikthimin e PD në pushtet si një emergjencë kombëtare.

Le të bëhemi të gjithë bashkë nesër në orën 11:00 . Të jemi në ballë të protestës, të jemi në krye të punëve dhe të jeni të bindur se jemi vetëm ne rinia e këtij vendi, të rinjtë demokratë që jemi shpresa e këtij vendi dhe shpëtimi absolute i Shqipërisë. Faleminderit të gjithëve!


Fjalimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në prezantimin e kryetarit të ri të FRPD-së, Belind Këllici, 7 Dhjetor 2015