Të dashur të rinj e të reja të Forumit Rinor të degës së Durrësit
Në Forumin Rinor, në Partinë Demokratike ashtu si dhe në partitë simotra anembanë Europës, tradita e zgjedhjes me parimin një anëtar një votë, tradita e besimit tek vota, tek gjykimi i anëtarësisë është një traditë gjithmonë në konsolidim e sipër.
Unë besoj fort se askush nuk është i pagabueshëm por se vota e lirë gabon më pak se kushdo tjetër. Ndaj kam besim të madhe se në këtë proces në Durrës në pararendje të dy debateve të fundit para se ta mbyllim në Tiranë, ju të rinj dhe të reja durrsake, demokrate dhe demokratët e vijëe së parë të betejave tona politike do të dini ti jepni vlerë të plotë me pjesëmarrjen tuaj, me votën tuaj.
Me vëmendje të madhe është ndjekur kjo garë siç e keni parë, është ndjekur me vëmendje nga mediat, është ndjekur me vëmendje edhe nga kundërshtari politik sepse Forumi Rinor i Partisë Demokratike, zhvillimet në këtë forum kanë qenë gjithmonë subjekt interesi legjitim i qytetarëve shqiptar, i demokratëve në radhë të parë sigurisht por edhe i kundërshtarëve politik, të cilët e njohin shumë mirë forcën e Forumit Rinor kur ai është i bashkuar dhe i vendosur për t’i shkuar betejave deri në fund.
Bashkë kemi diskutuar në raste zgjedhjesh të brendshme, takimesh, fushatash, diferencën e madhe mes kundërshtarit dhe Partisë Demokratike. E keni parë sesi në këto ditë të fundit të nëntorit ju ka dalë në pah kompleksi që kanë për legjitimitetin e tyre, ju ka dalë në pah kompleksi që kanë për të kaluarën e tyre.
Pse vjen kjo? Sepse e dinë që përballë kanë një kundërshtar politik i cili ndonëse sot në opozitë është krenar dhe mbron vlerat më të çmuara të këtyre 25 viteve. Lirinë në radhë të parë! Lirinë që 25 vite më parë ishte investimi më i çmuar i shqiptarëve të bashkuar me thirrjet “Liri Demokraci!”. Lirinë nga e cila lindi forca jonë politike, Partia Demokratike e Shqipërisë. Lirinë më të cilën transformuan një ndër vendet më të izoluara të botës, vendin më të prapambetur të Europës. Shqiptarët, qytetarët më të varfër në Europë e të krahasuar për nivelet e të ardhurave të tyre edhe me vendet më të varfra afrikane, në këto 25 vite ia kanë dalë të ecin përpara më shpejt se çdo shoqëri tjetër për shkak të lirisë dhe jo për shkak të qeverisë.
Liria pra është themeli, është virtyti është vlera më supreme në të cilën bazohet Partia Demokratike, demokratët e padyshim edhe Forumi Rinor i Partisë Demokratike. Por kjo liri dhe vlerat e saj të cilat mbaheshin të ndrydhura 25 vite më parë me frikë, me terror, me propagandë është sot përsëri nën kërcënim. Po, është nën kërcënimin e një forme të re diktature, të diktaturës së krimit i cili sot është veshur me pushtet, është futur në sallat e vendimmarrjes politike, në Parlament, në bashki, në makinat shtetërore e kudo ku merren vendime për shqiptarët.
Krimi sot dikton se cilat vendime merren e cilat nuk merren, se si, kur, kush fiton pasuritë publike. Krimi sot nuk ka frikë të marrë peng, se në fakt peng e mori që prej ditës që e mbështeti në kandidim Vangjush Dakon, kryetarin e kryekorruptuar të bashkisë së Durrësit. Ta marrë peng për orë të tëra dhe ta detyrojë të gris një vendim të mëparshëm korruptiv për të firmosur një tjetër vendim edhe më korruptim. Këtu në Durrës krimi dhe bandat e krimit janë bërë njësh me pushtetin, ato terrorizojnë qytetarët, ato vendosin se kush mund të bëjë aktivitetin ekonomik dhe se në cilin sektor, ata vrasin e presin jo vetëm ndërmjet tyre për të larë hesapin por kudo ku shohin se ka diçka për të marrë e për të zhvatur. E bëjnë këtë pa frikë madje nën vëzhgimin e shpeshherë nën pushtetin vendor dhe qendror.
Këtu në Durrës nga porti në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë vijnë edhe denoncimet më të mëdha për bashkëpunimin e njerëzve të krimit të veshur në uniformën e policisë të cilën e kanë ndyrë siç kanë ndyrë duart e tyre në pazaret e drogës, siç kanë ndyrë duart e tyre në pazaret e shit-blerjeve korruptive të pasurive të shqiptarëve në bregdet, në qytet, në Gjirin e Lalzit e kudo tjetër.
Këtu në Durrës është një nga nyjet më të rrezikshme kriminale të mafias ballkanike e europiane me bekimin e drejtpërdrejtë të Edi Ramës dhe ushtarit të tij të bindur Vangjush Dakos. Kjo diktaturë e krimit në fakt i ka tentakulat anembanë Shqipërisë. Ajo nuk ka frikë të nxjerrë kokën e të godasë jo vetëm qytetarët e pafajshëm por edhe ata që i kundërvihen, oficerit trimat të policisë të cilët e gjejnë veten e tyre të transferuar pa asnjë motiv. Oficerët e policisë që gjenden nën akuzë pikërisht sepse ndihmojnë në luftën kundër krimit dhe drogës. Oficerë të policisë të cilët vriten mizorisht nga plumbat e krimit ndërkohë që kriminelët lejohen të arratisen me lejen personale të Edi Ramës dhe ministrit të tij të Brendshëm. Kjo është diktatura e krimit e cila sot është përgjegjëse për miliarda euro të vjedhura nga xhepat e shqiptarëve, nga pasuritë tona kombëtare, nga taksat dhe tatimet, nga doganat, nga tenderët korruptivë, nga lagunat, pyjet, trojet,fabrikat, nafta të cilat gjithsesi janë dhe mbetet pasuri e jona e përbashkët. Por vidhen gjithsesi nga mëngjesi deri në darkë nga një grusht kriminelësh që ndajnë paratë tyre me padronët politik në Tiranë me Ilir Metën, Sajmir Tahirin, Arben Ahmetaj, Koço Kokëdhimën me Damian Gjiknurin me gjithë bandën e 40 hajdutëve me në krye Edi Ramën që e ka provuar veten në këto dy vite se është drama më e dhimbshme për Durrësin dhe gjithë Shqipërinë.
Erdhi në pushtet me një festival premtimesh të bujshme, një pjesë prej të cilave në fakt rezononin me shqetësimet e shumë prej bashkëqytetarëve tanë, 300 mijë vende të reja pune, legalizimet falas për 6 muaj, shëndetësia falas. Ku jemi sot? Ku ndodhet sot Shqipëria? Megaskandalet po plasin ditë për ditë, premtimet janë harruar sepse në vend se të merret me premtimet dhe realizimet e tyre ditë për ditë merremi me zullumet qeveritare. Me arkivin që sa vjen e shtohet të aferave korruptive. Me milionat e eurove, dollarëve miliardave të lekëve që zhvasin ditë për ditë në dogana, tatime tendera dhe prokurorime. Ku janë sot 300 mijë vende pune? 73 mijë më shumë të papunë thonë vetë burimet qeveritare.
U shkaktuan prej represionit, prej kërbaçit, prej agresionit të bandave tatimore të Edi Ramës mbi biznesin e vogël kryesisht në muajt shtator dhe tetor. Nuk kishim nevojë të shikonim statistikën, mjafton të dalësh në qytetet tona, në fshatrat tona dhe të shikosh qepenat e mbyllur. Të shikosh sipërmarrësit që mbajnë kokën me duar tek lexojnë faturat të pa përballueshme gjobash apo kamatash.
Ku është shëndetësia falas? Shikoni spitalin e Durrësit shikoni, spitalet në Tiranë e imagjinoni se në çfarë gjendje është sot shëndetësia nga jugu në veri në qytetet dhe në fshatrat tona, nuk ka shëndetësi falas. Ka një shëndetësi në kolaps, ka një shëndetësi që nuk arrin dot t’i përgjigjet qytetarët as me mjetet më elementare me garzat, pambukun, alkoolin me dorezat kirurgjike sepse mungojnë ose kur ekzistojnë janë skarco, vepër e drejtpërdrejt e kryehajdutit Ilir Beqaj dhe padronit të tij Edi Rama. Po ku kanë shkuar paratë e shëndetësisë? Ju e dini fare mirë se ku kanë shkuar. 100 milionë euro i kanë marrë gjoja për sterilizimin, për një proces që mund të kryhet pa as një shpenzim ekstra sepse investimet janë bërë, personeli është trajnuar. Po si ndryshe mund të vidhej përveçse duke dhënë me koncesion, duke dhënë me tender 100 milionë euro. 10 milionë euro në vit, diçka që realizohet deri më sot brenda fondeve buxhetit të shëndetësisë. Po check-up? Check-Up i famshëm, automati i parave për Vilma Nushin një prej oligarkëve në krye të kupolës që ndah dretë përdretë fitimet e kësaj kontrate korruptive me krye përgjegjësin dhe skuadrën e tij të 40 hajdutëve. Kush e ka bërë check-up këtu në sallë të ngrejë dorën? Kush i ka marrë rezultatet e check-up këtu tek të rinjtë? Po prindërit tuaj? Cili nga ju ka dijeni për check-up për prindërit tuaj? Nuk ka check-up por paratë tuaja, paratë e prindërve tuaja merren ditë për ditë dhe i paguhen kësaj afere fantazëm, këtij korrupsioni të pastër për tu ndarë më pas me dramën me 40 hajdutë.
Veprat të vetme të Edi Ramës dhe Ilir Metës në këto dy vite janë pasurimi i tyre dhe i klientelës tyre, pasurimi i një grusht ministrash me paratë e publikut. Veprat e vetme janë rrënimi i ekonomisë, vjedhja dhe zhvatja e çdo pasurie kombëtare. Këto janë arsyet e gjendjes ku ndodhet vendi sot. Pyesin shqiptarët pse rriten çmimet, pse rriten taksat dhe ku shkojnë paratë? Përgjigja është e thjeshtë, paratë vidhen, taksat rriten që paratë të vidhen. Paratë nuk përfundojnë as njëherë në konton e shtetit. Në fund të nëntorit sipas të dhënave paraprake shuma e vjedhur nga doganat dhe tatimet shqiptare ka mbërritur në 360 milionë dollarë, 1 milionë dollarë në ditë. 1 milionë dollar në ditë mungojnë në doganat e tatimet e shtetit, kryesisht në sektorët e duhanit dhe të karburanteve. Aty ku ka vërsulur tentakulat e saj korruptive oligarkia e bërë njësh me qeverinë dhe qeveria e bërë njësh me krimin.
1 milionë dollarë në ditë, në ditë mungojnë nga doganat dhe tatimet tona. Pse vallë? A mos sipërmarrësit këtu në Durrës nuk i paguajnë taksat? Që ç’ke me të me kërbaç në dorë ua marrin një më një . A mos vallë dhe ne nuk po paguajmë TVSH, tatimet? Që ç’ke me të! Kuponin për 1kg qepë ose përndryshe të pret burgu thotë kokoshi 200 milionësh. Atëherë ku shkojnë paratë? Vidhen, përfundojnë të gjitha në pasuritë e qeveritarëve, përfundojnë të gjitha në luks, vila, në konto bankare jashtë shtetit dhe pastaj bëjnë të habiturin kur raportet e punës të OSBE-së deklarojnë se kryeministri I vendit më të varfër në Europë përllogaritet të ketë një pasuri prej 200 milion eurosh. Një shumë e cila është e paimagjinueshme përfundojnë të gjitha në luks, në vila, në konto bankare jashtë shtetit dhe pastaj bëjnë të habiturin kur raportet e punës së OSBE-së, deklarojnë se kryeministri i vendit më të varfër në Europë përllogaritet të ketë një pasuri prej 200 milionë eurosh. Një shumë e cila është e paimagjinueshme për shumicën dërrmuese të shqiptarëve, për shumicën dërrmuese të shqiptarëve është e pamundur të ngërthehet kuptimi i plotë i 200 milionë eurove pasuri. Është baras me 1/3 e pensioneve vjetore të Shqipërisë. Është baras me dy herë, dy vite financim të plotë të buxhetit të arsimit. Është baras me vitin më të mirë të ndërtimit të rrugëve, ujësjellësve- kanalizimit në Shqipëri. Ndaj vendi sot ndodhet në këtë gjendje sepse nuk ka as investime, nuk ka as infrastrukturë, nuk ka as rrite rrogash, nuk ka as vende të reja pune sepse paratë i ka përthithur kuçedra e korrupsionit, kuçedra me dy koka e Edi Ramës dhe Ilir Metës.
Ky është bilanci, këtu shkojnë lekët, kjo është e vërteta, ky është marifeti i rilindjes. Rrit taksat, por jo rrogat, rrit gjobat por jo investimet, planifiko më shumë por mblidh më pak sepse vjedh më shumë. Ky është një realitet i cili sot shkakton mes shqiptarëve pasigurinë dhe vrasjen më të madhe të shpresës që vendi ka njohur këto 25 vite. Kjo është arsyeja se pse shqiptarët braktisin masivisht vendin. Nuk ka reformën por ka hajdutërinë. Nuk ka shtet por ka zuzarë. Kjo është arsyeja dhe ne e dimë fare mirë.
Po për ata që kanë shpresuar dhe kanë besuar se ndoshta do të kishte reflektim, do të kishte një ndryshim, le ti lexojmë sot se çfarë ka përgatitur qeveria e Edi Ramës vitin e ardhshëm për shqiptarët me buxhetin dhe paketën fiskale 2016.
Ky që rreh gjoksin se po ul taksat kur në fakt me një gjobë të vetme ju merr sa 50 taksa sipërmarrjes, biznesit të vogël. Ky ka shkruajtur të zezë mbi të bardhë se vitin e ardhshëm do të marrë 20 milionë dollarë më shumë taksa nga shqiptarët.
Tjetër gjë thotë e tjetër gjë bën. 20 milionë dollar në total përmes 5-fishimit të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore për profesionet e lirë, për dentistë, mjekë, avokatë, sektorin financiar. Rritje të taksave mbi pronën, prezantim të taksës së re mbi truallin. Rritje dhe vetëm rritje taksash me përjashtim të pjesës që kopjoi nga programi i opozitës e që as vetë nuk e kupton.
Por çfarë po bën? Çfarë po bën me taksat shtesë që po mbledh? Çfarë po rrit?
42 milionë dollarë më pak se buxheti i aktit normativ, 200 milionë dollarë më pak se buxheti i janarit 2015-të vjen ky buxhet. Pra, rrit taksat dhe ul shpenzimet. Pse? Sepse nuk ka rritje pagash. Sepse vazhdon ngrirja e tyre për të tretin vit radhazi. Nuk ka rritje të pensioneve por vetëm indeksim me vlerën e inflacionit. Sa për shpërblimin e Vitit të Ri, sa për gjelin e detit tani me atë që e tallnin dhe përqeshnin më përpara, tani gjelat e detit janë specia më e sigurt në Shqipëri nuk i blen kush, jo se nuk i hanë por nuk kanë me se ti blejnë.
Rritet papunësia, e thonë shifrat e qeverisë, e thotë Banka Botërore, e thotë Komisioni Europian, e prekim dhe e shohim përditë por në buxhet nuk ka rritje për pagesën e papunësisë.
Thellohet varfëria por nuk ka asnjë lek rritje për fondin e ndihmës ekonomike.
Rritet çmimi i energjisë, hiqet fondi i kompensimit për shtresat në nevojë vitin e ardhshëm.
I premtuan të përndjekurve politikë se brenda mandatit do të pagunin në tërësi dëmshpërblimin e tyre, vetëm 2 miliardë lekë këtë vit.
Investimet publike, rrugët, ujësjellësi, kanalizimet, shkollat, spitalet, ambulancat, kanalet vaditës është buxheti më i ulët në 25 vite, plot 75 milionë dollarë më pak se buxheti i këtij viti të cilin e pamë që s’bëri asgjë, asnjë një metër rrugë, asnjë urë, madje ka lënë përgjysmë edhe veprat e mëdha të cilat i gjeti gati.
Pra, rriten taksat por nuk kthehet asnjë vlerë tek qytetarët shqiptarë. Ah më fal diçka rritet! Rritet luksi qeveritar plot 2.7 miliardë lekë për blerje pajisjesh zyrash, për ndërtim, rikonstruksion ndërtimesh zyrash dhe makina. 2.7 miliardë lekë, 27 milionë dollarë barabartë me pensione fshati për 326 mijë fshatarësh që marrin pensionin, 180 mijë pensione qyteti ose 122 mijë paga minimale ose 393 mijë paga papunësie, 632 mijë pagesa për ndihmën ekonomike që nuk do të jepen sepse Edi Rama dhe banda e tij me 40 hajdutëve i ka planifikuar t’i bëjë rrush e kumbulla, t’i bëjë zyra, t’i bëjnë “Jaguar” , t’i bëjnë makina, luks për veten e tyre. Ndërkohë që ka planifikuar vetëm 1 miliardë lekë për papunësinë, 2 miliardë lekë për të përndjekurit.
Imagjinoni çfarë mund të bëjë me 2.7 miliardë lekë që këta duan ti vjedhin ashiqare përmes tenderave korruptivë në sektorin më të prekur në këto dy vite, që është arsimi universitar. Kjo do të thoshte që ju dhe prindërit tuaj të mos paguanit asnjë lek në Durrës, në Tiranë, anembanë Shqipërisë për tarifat universitare. Kjo do të thoshte që arsimi publik i lart në Shqipërie të mbetet ashtu siç meriton të jetë, falas dhe i hapur për të gjithë studentët.
Por jo, do t’i bëjë rrush e kumbulla i kanë bërë gati t’i vjedhin. Kjo është një qeveri pashoq, pa të dytë në Europë, jo vetëm sepse vjedh por sepse ka ardhur vetëm për të vjedh. Këtë e bënë nga mëngjesi deri në darkë.
Ky është shteti më hajdut që nga koha e shpalljes së Pavarësisë. Ky është shteti më i korruptuar në këto 25 vite.
Çfarë të presim? A ka më kohë? T’i lëmë kohë kësaj të keqe të vazhdojë të hajë në trupin e drobitur të ekonomisë shqiptare, të thellojë plagët e papunësisë dhe varfërisë?
A ka më kohë për fermerët të presin? E çfarë të presin kur nuk do të kenë më as subvencione, as investime kur situata premton të jetë edhe më e keqe se këtë vit që lamë pas?
A ka më shpresë për të papunët që do të hapen ato 300 mijë vende të reja pune, kur të vetmet që po hapen janë zyrat e punës, pa vende pune e pa punësim?
A ka më shpresë për zhvillim, kur të vetmet që hapen janë zyrat për zhvillim, të paguara me para\të e korrupsionit e me skemat korruptive në kurriz të qytetarëve shqiptarë?
A ka më kohë të presim? Përgjigjen për këtë pyetje do ta japim më 8 dhjetor në Tiranë dhe përgjigja e 8 dhjetori nuk do të jetë vetëm përgjigja e demokratëve por do të jetë përgjigja e gjithë shqiptarëve, e të zhgënjyerve, e të papunëve, e të mashtruarve, e të plagosurve.
Më 8 dhjetor 25 vite më parë shqiptarët morën në dorë fatet e tyre, përmbysen tiraninë, tiraninë e diktaturës. Më 8 dhjetor sot një javë përsëri do të bashkohemi për të përmbysur tiraninë e krimit, për të përmbysur tiraninë e korrupsionit, për të përmbysur tiraninë e hajdutërisë së Edi Ramës dhe për të marrë në dorë fatet tona.
Miliardat i takojnë qytetarëve dhe jo hajdutëve. Ligji do të jetë i barabartë për të gjithë dhe jo ca për të nënës, e ca për të njerkës.
Më 8 dhjetor do të hapim sërish rrugën e bllokuar europiane të Shqipërisë dhe rinia do t’i prijë.
Fitore, fitore, fitore!
Fjalimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në Konventën e Forumit Rinor në Durrës, 1 Dhjetor 2015