Pyetje: Çfarë u diskutua në këtë mbledhje dhe cila do të jetë protesta e radhës?
Basha: Thash se do më pyesje se për kë bien këmbanat?! Këmbanat bien për qytetarët shqiptarë, për një bashkim të madh të enjten me datë 17 para Kuvendit të Shqipërisë ku banda kriminale në pushtet që mbylli me ligj hetimin e vjedhjes më të madhe, vjedhjes së shekullit prej 600 milionë euro. Dëshiron të rikuperojë para duke vendosur taksa të reja, me taksa më të larta për vitin 2016. Në Kuvendin e Shqipërisë të enjten dentistët, avokatët, llogaritarët, të vetëpunësuarit, biznesi i vogël, i mesëm apo i madh do të duhet që sipas llogarisë së kusarisë që e çuan veten në qeveri të fusin duart më thellë në xhepat e tyre paguar hajninë e tyre gjatë vitit që po mbyllim vitin 2015 dhe vitin e ardhshëm.
Në Kuvendin e Shqipërisë ku fermerëve vitin e ardhshëm jo vetëm që nuk i shkon asnjë lek më shumë për të zgjidhur hallet e tyre që sa vijnë e shtohen por ju pakësohen të gjitha mbështetjet, subvencionet, investimet dhe padyshim ju shtohet barra për të kultivuar tokën apo për të rritur, mbarështuar kategoritë e blegtorive me të cilat merret, duke iu bërë jetën e tyre edhe më të vështirë.
Në Kuvendin e Shqipërisë ku studentëve duke nisur që nga viti i ardhshëm do ju shtrenjtohet më tej shkollimi.
Kuvendin e Shqipërisë ku pensionistëve nuk ju jepet më asnjë shtesë, madje as indeksim.
Kuvendin e Shqipërisë ku ndonëse papunësia po rritet ditë për ditë po shtyn drejt akteve ekstreme të flijimit edhe vetë militantët e harruar të Partisë Socialistëve, siç ishte rasti i dhimbshëm sot në Përrenjas, rast të cilin sot dua ta ngushëlloj familjen e Fluturimit të gjendur sipas informacioneve tona, për muaj në mbërthimin e errësirës dhe se drita iu erdhi vetëm pasi i afërmvi i tyre u largua nga një akt i dëshpëruar nga jeta, e ku mijëra e mijëra të pamundur të tjerë në vend që të shohin te qeveria mundësi për t’i mbështetur me ndihmë ekonomike. Ndihma ekonomike vjen duke pakësuar vitin e ardhshëm, ndërsa varfëria shtohet, pagesa e papunësisë pakësohet, ndihma ekonomike pakësohet, por rritet paraja që Edi Rama, Ilir Beqaj, Arben Ahmetaj, Saimir Tahiri, Damian Gjiknuri dhe hajdutët e tjerë të kësaj bande kusarie, së bashku me ortakun e tyre Ilir Metën dhe LSI do të vjedhin përmes tenderave korruptivë paratë e shqiptarëve rrush e kumbulla në “Benza”, “Jaguar”, zyra të reja, perde, kolltuqe ku të rehatohen e të mendojnë se si të vjedhin më shumë e si t’ia nxijnë jetën më shumë qytetarëve shqiptarë.
Pra shkurt, të enjten brenda në Parlament banda e kusarëve do të mundohet të konfirmojë me kartonat shurdhë-memece të deputetëve, të pakicës oligarkike në Shqipëri, atë që shumica e shqiptarëve demokratë, socialistë nuk e duan. Një buxhet të konfirmimit të krizës, një buxhet të konfirmimit të dështimit të kësaj qeverisje, një buxhet të konfimimit të katastrofës kombëtare.
Ne do të përpiqemi ta ndalojmë me çdo kusht brenda në Parlament me deputetët tanë dhe jashtë me gjithë qytetarët shqiptarë me gjithë shtresat që përmenda e dhjetëra të tjerë, grupe interesi të cilët e gjejnë veten e tyre të goditur në palcë nga ky nbuxhet dhe të tjerë që do të shtohen. Dhe siç na u bashkuan me 8 dhjetorë për të ndalur këtë katastrofë kombëtare dhe për të larguar këtë qeveri për zgjedhjet e parakohshme parlamentare me një qeveri teknike dhe për t’iu ofruar shqiptarëve më shumë në këtë dimër të ftohtë, shpresën, ngrohtësinë dhe një programi të realizueshëm për investime do që do të hapin më shumë vende pune, për taksa më të ulëta, për vende pune me rroga më të mira që është dhe alternativa e Partisë Demokratike që po përgatit dhe ndan me shqiptarët anembanë Shqipërisë. Kjo është thirrja që ne iu drejtojmë qytetarëve sot. Ky është vendimi i kryesisë së Partisë Demokratike. Sezoni i protestave nis për të mos u ndalur deri në largimin e qeverisë Rama-Meta .
Pyetje: Z.Basha ju thatë me çdo kush, ndërkohë që qeveria ju ka akuzuar për dëme të shkaktuara në protestën e parë. Si do të jetë kjo protestë?
Basha: Unë mendoj se ia kemi dhënë përgjigjen qeverisë. Qytetarët shqiptarë ia dhanë përgjigjen masivisht me 8 dhjetor, do t’ia japin përgjigjen me 17 e deri sa kjo qeveri ta kuptojë se nuk përfaqëson më shqiptarët por vetëm bandën e hajdutëve me të cilët është kthyer me vullnetin e saj më të lirë.
Prononcim për mediat i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas mbledhjes së kryesisë, 12 Dhjetor 2015