Të nderuar kolegë!

Para një viti, në një fjalë timen këtu në parlament, përdora një shprehje që kombinonte tre cilësi të cilat nuk qëndronin asnjëherë së bashku me njëra tjetrën.

Një shqiptar që beson te Edi Rama dhe është i ndershëm, nuk mund të jetë inteligjent

Një shqiptar që beson te Edi Rama dhe eshte inteligjent, nuk mund të jetë kurrë i ndershëm dhe

Një shqiptar i ndershëm dhe inteligjent nuk mund të besojë kurrë te Edi Rama!

Ditët, muajt, këto pak vite po kalojnë dhe sot ska më asnjë dyshim se njeriu më i pabesueshëm mbi këtë tokë, gënjeshtari më i madh në këtë vend, më i dhunshmi, më i pashpirti, më ciniku, më i paafti për të drejtuar një shtet, më i çekuilibruari, për shkak të sëmundjes dhe drogës që përdor, është Edi Rama.

Për hir të së vërtetës, shqiptarët asnjëherë nuk e kanë besuar Edi Ramën.

Nuk e besuan as kur përpara zgjedhjeve 2013, ai dhe tufa e mashtruesve që i shkonte nga pas, premtonin të zbrisnin qiellin në tokë, premtonin mjeksi falas, 300 mijë vende pune, legalizime falas, premtonin si etrit e tyre “lugë floriri”

Atëherë, është e vërtetë, shqiptarët donin ndryshim, ishin legjitim në mërzitjen e tyre nga burokracia e ngopur dhe e korruptuar, por Edi Ramës dhe atyre që kishte mbrapa, nuk i dhanë asnjë vend më shumë në Parlament, në mos, një më pak nga ç’kishte pasur.

Mburret ky njeri, se përfitoi nga gabimet e kundërshtarit dhe nga pelivanlliqet e ortakut, por e thënë troç dhe shqip, atë askush nuk e besoi, atë dhe shpurën e tij banditeske, kriminale, të paaftë dhe mediokre, pas 8 vitesh opozitë, populli i besoi një vend më pak në parlament, nga ç’kishte pasur.

Sot pas tre vitesh qeverisje, pas tre buxhetesh të hartuara dhe miratuara nga Rama dhe ortaku  i tij Meta, nuk ka njeri mbi këtë tokë që nuk e sheh se kjo bandë në pushtet, ka ardhur dhe pushtetëron vetëm për të vjedhur, grabitur dhe zhvatur pasuritë kombëtare dhe djersën e shqiptarëve që punojnë.

Cili shqiptar nuk e di sot, se ndërkohë që, u mbyllën 73 mijë biznese për shkak të gjendjes skandaloze ekonomike që po kalon vendi, për shkak të taksidarëve rilindas që nuk ju shqiten nga dera e biznesit, për shkak të gjobave astronomike dhe për shkak të burgut dhe prangave që Rama dhe Meta i kanë kaq për zemër, nga ana tjetër kontrabanda qeveritare, paaftësia dhe korrupsioni në tatime, kanë bërë që arkës së shtetit ti mungojnë mbi 400 milion euro.

Cili shqiptar nuk e di sot, nuk e ka parë nuk e ka prekur, raste kur fëmijë ju vdesin prindërve në dorë nga i ftoti për shkak të varfërisë ekstreme dhe mungesës së energjisë, raste kur të moshur si nënë Barbulla ju hiqet energjia edhe për një poç të vetëm dhe lihen të vdesin në të ftotë dhe në errësirë, raste kur të pamundur vetvriten burgjeve për 3 mijë lekë të papaguara të energjisë, ndërkohë që Rama dhe hajdutët e tij i grabisin këtij populli mbi 500 milion euro në aferën CEZ, ndalojnë me ligj çdo hetim të kësaj afere, ndalojnë me arrogancën e kartonave parlamentare edhe inisiativën e opozitës për të hetuar çështjen.

Të gjithë e dinë sot, se ndërkohë që rrogat kanë tre vjet që nuk rriten dhe të pamundurit vrasin veten pasi pushohen pa të drejtë nga puna, pensionet nuk rriten, pagesa e papunsisë nuk jepet, ndihma për familjet në nevojë, për të sëmurët, nuk jepet, Rama dhe hajdutët e tij, vetëm me tendera dhe koncesione, kanë grabitur mbi 700 milion euro.

Mirë njerëzve jashtë kësaj salle, por kë nuk kanë lënë me gojë hapur tenderat e ministrisë së shëndetësisë, si ai i kontrollit mjeksor prej 120 milion eurosh apo ai i sterilizimit prej reth 100 milion eurosh apo ai i hemodializës prej 100 milionëve të tjera.

Kë nuk ka habitur suksesi tregtar dhe tenderfitues i kompanisë që ka patur ministri i shëndetësisë e cila në këto vite rilindje ka fituar mbi 10 milion euro.

Leku leter, për Ramën dhe hajdutët e tij.

Nuk mjaftohet banda me grabitjet e pasurive publike, janë shndëruar në një hinkë të stërmadhe që nuk lë asnjë euro të pikojë jashtë xhepave të tyre dhe familjarëve të tyre.

Kanë mbushur Shqipërinë me drogë, e transportojnë me tonelata me maune dhe sulmojnë kufijtë e evropës nga toka, deti dhe ajri me avionë.

I pari Ministri i Brendshëm vë në dispozicion makinën e tij dhe hap rrugët e krijon mbrojtje për trafikantët. Justifikohet dhe thotë “se keni prej meje” kur ata kapen nga aksionet e policive partnere.

Digjet laboratori i kriminalistikës dhe zhduken provat për trafikantët e kapur.

Janë përmbytur fshatrat dhe qytetet, në Fier, Vlorë dhe gjetkë, kanë humbur jetë njerzish, janë shkatëruar shtëpi e pasuri, nga fatkeqësi natyrore përzier me pakujdesi, paaftësi dhe neglizhencë njerëzore, por ligji nuk është njohur dhe zbatuar nga Rama dhe banda e tij.

Ai i la të pamundurit e përmbytur në mëshirë të fatit dhe nuk ia u ktheu me ndihmë nga qeveria, paratë që ju kishte marrë nëpërmjet taksave.

Kishën, në mes të Vlorës e la ashtu të përmbytur nga uji dhe balta ndërkohë që një kishë tjetër në Dhërmi e shkatërroi në mes të natës me buldozerë e policë.

Sigurisht askush nuk e ka besuar kur tha se do ndërtojë aty një kishë tjetër, më të denjë sipas tij, për besimtarët.

Varfëri dhe dhunë, grabitje dhe cinizëm, e shoqëruar edhe me simbolet e diktaturës dhe diktatorit, sidomos me ndërtimin e bunkerit në mes të Tiranës dhe me dekorimin e atyre që në emër të diktaturës komuniste kanë vrarë dhe torturuar priftërinj, intelektualë, gra e të rinj, kulmi është pak të thuhet.

100 mijë shqiptarë kanë ikur nga ky vend këtë vit, popullsi sa dy qytete të Shqipërisë, kanë ikur si ikin sirianët nga lufta.

200 mijë shqiptarë të tjerë presin të ikin.

Jo vetëm që askush nuk e beson Edi Ramën, por janë të tmerruar sa ikin e ikin nga sytë këmbët, ndërkohë ata që mbeten janë të zhgënjyer, janë të revoltuar, sepse mungon perspektiva, mungon shpresa, ndërkohë që shtohet demagogjia, kërbaçi, prangat dhe burgu për të pamundurit.

Nga ana tjetër kryeministri shton çdo ditë pasurinë e tij prej 200 milion eurosh,

Shtojnë pasurinë qeveritarët, blejnë edhe xhaguarë.

Vepra të mira për këtë vend e për këtë popull, Rama me të tijtë, nuk janë në gjendje dhe nuk duan të bëjnë.

Komisioni Europian i është përgjigjur pyetjes përse Shqipëria ka përfituar vetëm një projekt infrastrukturor të identifikuar në konferencën e Vjenës, ndërkohë që Serbia ka përfituar 9 projekte infrastrukturore?!

Egzekutivi europian shpjegon se diferenca e madhe në numrin e projekteve për secilin vend, ka një përgjigje të thjeshtë: “Diferencën e bën kapaciteti administrative”. Thënë ndryshe, kapaciteti administrativ i Shqipërisë është i dobët.

Në këtë derexhe jemi katandisur, ndërkohë që retorika e Ramës me të tijtë sot, është aq shterpë sa merret vetëm me opozitën.

Ka ide opozita, ska ide opozita, ka program ska program, ka lider ska lider, e ka të bukur godinën e selisë Partia Demokratike, se ka të bukur, ndotën poshtë urës së lanës protestuesit apo jo, ishte 163 mm apo ishte 136 mm kastraveci, këtu vërtitet i gjithë verpi i pozitës me të cilin ajo komunikon me popullin që pret prej saj shumë e shumë.

100 vjet me parë Luigj Gurakuqi kritikonte qeverinë e kohës, se ajo në parlament dhe jashtë tij nëpërmjet  gazetave të saj, ka nisur një luftë të ashpër kritikash të kota e paditjesh të pathemel ndaj opozitës.

Gurakuqi thotë se pozita kritikon dhe padit opozitën se ajo bën opozitë për opozitë, se ajo nuk do përparimin e popullit dhe të vendit dhe se ajo, nuk është e zonja të organizohet për të marrë qeverinë në dorë.

100 vjet më parë ka qënë kjo lloj retorike e pozitës ndaj opozitës dhe ngjan apo është e njëjtë, 100 vjet më pas, me retorikën shterpë të Ramës sot.

Shqiptarët tashmë janë të bidur se kjo qeveri është një aksident i shëmtuar i historisë së këtij populli.

Revolta në ritje ka nxjerrë në protesta tregtarët.

Studentët po protestojnë pa reshtur për shtrenjtimin e studimeve të tyre, më shumë se sa paguajnë studentët gjermanë.

Profesionet e lira kanë dalë në protestë.

Opozita ka mbushur sheshet me dhjetra mijë vetë dhe kjo valë, të jeni të bindur, do të vazhdojë pa ndërprerje sepse askush nuk mund të pranojë sot varfërinë, dhunën, dhe talljen e këtij pushteti mizor.


Fjalimi në Kuvend i deputetit të PD, Arben Ristani, 21 Dhjetor 2015