Dua të shpreh sot mirënjohjen time të pakufishme në emër të Partisë Demokratike, të opozitës shqiptare për ata qindra-mijëra shqiptarë dhe shqiptare, qytetare dhe qytetarë, të rinj e të reja nga jugu në veri, që iu bashkuan thirrjes tonë për të protestuar dhe për ta kthyer 8 dhjetorin 2015, 25-vjetorin e përmbysjes së komunizmit jo vetëm në një ditë feste dhe përkujtimi, por edhe në një ditë marshimi dhe vendosmërie për të marrë në duart tona fatet e vendit nga tirania e dytë që e kërcënon, tirania e padrejtësisë, tirania e krimit, tirania e korrupsionit, tirania e arrogancës e dekoruar me adhurimin për regjimin e shembur komunist.

Vërshimi i shqiptarëve në sheshin “Skënderbej” dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ishte mesazhi më i qartë i mbështetjes për Partinë Demokratike, opozitën shqiptare dhe kërkesën dhe zgjidhjen politike që ne kemi shtruar apo që më mirë koha ka shtruar për tejkaluar krizën e rëndë ekonomike, shoqërore, psikologjike që ka pllakosur vendin.

Largimi i qeverisë Rama-Meta, caktimi i një qeverie teknike për të përgatitur zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe për të zbatuar dhe implementuar ligjin e dekriminalizimit, normat dhe kriteret që do të garantojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Zgjidhja e mbështetur nga qytetarët e pranishëm në protestë është zgjidhja që vjen nga dëshpërimi, nga vuajtja, nga pamundësia e qindra-mijëra shqiptarëve të cilët kanë qenë për këto dy vite të dhunuar në të drejtat e tyre elementare kushtetuese, ligjore, ekonomike dhe shoqërore. Është zgjidhja që kërkohet dhe vjen nga biznesi, sipërmarrja e cila është bashkëngjitur masivisht protestës së djeshme që për dy vite me radhë ka qenë subjekt dhune i qeverisë “Rama”, i padrejtësive, i arbitraritetit, i faturave aforfe, i gjobave të paligjshme, i kërbaçit dhe që ka shkaktuar mbyllje masive të bizneseve, daljen vetëm në muajt shtator-tetor të vetëpunësuarve në këtë sektor si të papunë, e mijëra e mijëra të tjerë që kanë humbur vendet e punës si rezultat i taksave të larta, padrejtësisë dhe arbitraritetit, kërbaçit të qeverisë “Rama”.

Dje në shesh ishin të dhunuarit në të drejtën më themelore të së drejtës kushtetuese,  të drejtën e e shtëpisë, të drejtën e banesës, me mijëra prej të cilëve janë dhunuar sepse janë prishur kundër ligjit me dhunë, me arbitraritet dhe padrejtësi shtëpitë, bizneset nga një qeveri e cila shkel ligjin nga mëngjesi deri në darkë.

Me ne në shesh ishin studentët, të rinjtë, gjimnazistët të cilët përjetuan mashtrimin më të madh këto 25 viteve nga një qeveri e cila premtoi akses edhe më të madh në arsim por që në fakt mbylli dyert e universiteteve duke rritur tarifat e studimit, duke mbyllur një sërë degësh universitetesh publike e duke kaluar ligjin më korruptiv e klientelist për arsimin e lartë, në Parlament para disa muajsh.

Me ne në shesh ishin të përndjekurit, të fyer, të nëpërkëmbur, të poshtëruar, të riposhtëruar e të shkelur nga Edi Rama, kryeministri i cili në shenjë urrejtje të fituar nga populli mbarë, në veccanti nga të përndjekurit politik ringriti simbolet e diktaturës, dekoroi torturuesit dhe xhelatët e diktaturës, rivendosi simbolet e diktaturës si bunkeri famëkeq në zemër të Tiranës.
Me ne ishin dje pronarët të cilët ashtu si gjithë ne, ashtu si Partia Demokratike dhe unë personalisht nuk mund të pranojmë kurrë ligjin e ri të rishpronësimit kaluar me dhunën e kartonëve në mesin e natës tinëzare të javës së kaluar për kundër vullnetit, për kundër të drejtës kushtetuese, legjitime të pronarëve për kompensim të drejtë.

Me ne ishin fermerët të cilët janë shtyrë në kufijtë e ekzistencës, mbijetesës për shkak të një politike korruptive e cila jo vetëm i privon ata nga subvencionet e premtuara, por u ka rritur çmimet e naftës, imputet, të plehrave, të fidanëve, të farave dhe pastaj ata pak produkte që arrijnë t’i prodhojnë me një kosto shumë më të lartë vjet apo parvjet, ua bën ta pamundur t’i shesin në treg për shkak të politikave monopoliste, klienteliste dhe mafioze që dominojnë sot tregun e import-eksporteve të produkteve bujqësore.

Me ne ishin në shesh pensionistët të cilët kanë dy vite që nuk shohin asnjë rritje të pensioneve por vetëm indeksim të tyre.

Me ne ishin të papunët të cilët me kot shpresuan këto dy vite se do të hapeshin vende pune kur në fakt  radhët e tyre u shtuan për shkak të tkurrjes së ekonomisë, rënies së biznesit, rënies së sipërmarrjes. Pra, rënies së ofertës për punësim si rezultat i politikave të gabuara, të politikave që kanë hyrë tashmë në folklorin shqiptar si politika e fasules së Edi Ramës.

Me ne ishin mijëra shqiptarë që kanë humbur bukën e gojës sepse iu është hequr ndihma ekonomike. Me të padrejtë janë privuar nga ndihma e vetme që merrnin për të përballuar fatkeqësitë, papunësinë, mundësitë e kufizuara dhe që sot e kanë të pamundur të gjejnë para për bukën e fëmijëve të tyre.

Me ne ishin intelektualët, profesionistët të cilët nuk e pranojnë mbitaksimin e pandershëm si gjoja taksim të ndershëm e progresiv, të cilët nuk mund të nënshtrohen e të mbahen kapistall me rritjen e taksës së sigurimeve shoqërore. Me goditjen e ditëpërditshme dhe me poshtërimin që i bën taksidari Edi Ramës dhe ligjet e shformuara buxhetore që në vitin 2016 synojnë të vendosin taksa të tjera përveç taksave progresive.

Me ne ishin edhe socialistët, edhe votuesit e 2013-ës të Edi Ramës, të zhgënjyer, të dëshpëruar, të inatosur që familjen e tyre politike sot e kanë në dorë një grup zuzarësh, kriminelësh, horrash, hajdutësh me çizme me damkë që nuk i lidh asgjë me historinë politike të kësaj familje politike. Kundërshtarit tonë politik padyshim por që e vlerësojmë si një pjesë e rëndësishme me kontributin e saj në 25 vite demokraci.

Me ne pra ishte një popull i tërë dhe unë dua t’i falënderoj nga zemra ata që marshuan me ne, me dhjetëra e qindra mijëra të tjerë që dërguan mesazhet e tyre dhe që për shkak të pamundësive të ndryshme, pamundësive ekonomike, pamundësive të tjera ishin me ne me shpirt. E t’ju them se jeni të mirëpritur në protestën e ardhshme popullore sepse protestat do të vazhdojnë papushim. Mosbindja civile vetëm sa ka nisur.

Zgjidhja e kësaj krize të rëndë vjen vetëm nëpërmjet largimit të kësaj qeverie fatkeqësi, e cila jo vetëm është përgjegjëse për vjedhjen, shpërdorimin, shkatërrimin e shpresës së shqiptarëve përmes vjedhjes masive të taksave e tatimeve këtë vit deri në 400 milionë dollarë. Përmes vjedhjes masive të tenderave publik këtë vit në 777 milionë euro. Përmes vjedhjes së shekullit përmes CEZ-it 600 milionë euro por nuk pranon as të hetohet dhe me ligj ka krijuar imunitete për kokoshin 200 milionësh dhe bandën e 40 hajdutëve ndërkohë që çon në burg qytetarët e pamundur e të varfër për 20 apo 30 mijë lekë të vjetra për fatura apo për kupton tatimor të berberëve e fermerëve, për një kile qepë e një kile kripë. Kjo dyfytyrësi nuk pranohet. Kjo padrejtësi e ka mbushur dhe e ka derdhur kupën dhe durimit të shqiptarëve u ka ardhur fundi.

Për këtë arsye nuk ka dhe nuk mund të ketë arsye tjetër. Asnjë rrugë tjetër përveç largimit të qeverisë Rama. Një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Prania masive në shesh nuk ishte vetëm një shenjë proteste, nuk ishte vetëm një bashkim i madh zemrash e mendjesh për të shfrytë dufin dhe mllefin ndaj qeverisë së fatkeqësive, qeverisë së katastrofës kombëtare, qeverisë së kërbaçit e lakut të fyt. Por ishte edhe nëj zgjidh i madh i kurajos dhe i lirisë qytetare, i vetëdijes qytetare që kërkohet, lypset dhe duhet të ketë një zgjidhje politike për krizën që ka mbërthyer vendin. Kush ka sy ta shohë e kush ka veshë ta dëgjojë. Mjerë ata që nuk e shohin e nuk e degjojnë sepse ky uragan nuk do të ndalet.

Ne do të vazhdojmë ti primë stinës së protestës. Ne do të vazhdojmë ti primë bashkimit të shqiptarëve. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë bashkimin e sa më shumë shqiptarëve njësoj si para 25 vitesh sepse ajo që na kërcënon nuk është një formacion politik. Jo aspak. Por është një tirani e re, tirania e hajdutërisë, tirania e krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim. Tirania e padrejtësisë që i bën gjykatat e vendit nën çizmen e Edi Ramës që për sheikët dhe oligarkët të japin vendime duke i nxjerrë nxjerrë nga burgu e duke i çuar në shtëpi edhe kur plagosin e vrasin ndërsa për popullin e pamundur nuk ka gjë tjetër përveçse burg dhe vetëm burg. Ky system është kalbur ndaj duhet dhe do të rinovohet nga themelet.

Dhe këtë do ta bëjmë me një kontratë të re shoqërore mbarëkombëtare të djathtë e të majtë ku të gjithë të dakordohemi për votën e lirë, kur të gjithë të dakordohemi për një politikë të pastër nga krimi, ku të gjithë dakordohemi për një përfaqësim të denjë të shqiptarëve në Parlament, në pushtetin vendor e kudo. Për një përfaqësim të denjë të qytetarëve nga deputetë, nga qytetarë që përfaqësojnë ata dhe jo interest okulte të oligarkëve apo të krimit. Pavarësisht se në cilën forcë politike militojnë, shqiptarët janë të bashkuar rreth këtyre standardeve, rreth këtyre parimeve, rreth këtyre normave.

Partia Demokratike dhe unë Lulzim Basha, jam i vendosur ti prij kësaj beteje historike për rikonceptimin e një republike të re, demokracisë pjesëmarrëse të përfaqësimit të qytetarëve të shpëlarë nga krimi dhe nga influenca e krimit dhe me standard të dënimit të rreptë të korrupsionit të politikanëve pa dallim bindjesh politike apo partish politike që fusin duart në xhepin e qytetarëve. Për këtë kontratë të re kërkoj bashkimin e shqiptarëve në protestat e ardhshme të cilat do ti prinë deri në largimin e kësaj qeverie.

Pyetje: A do të nisin protestat?

Basha: Kanë nisur protestat. Dje kanë nisur.

Pyetje: Z Basha, a distancohet Partia Demokratike nga aktet e dhunës të cilat u dënuan edhe nga ambasadat e SHBA-ve dhe BE-së?

Basha: Partia Demokratike nuk distancohet sot nga aktet e dhunës sepse Partia Demokratike ka qënë, është dhe do të jetë gjithmonë e distancuar nga aktet e dhunës. Është falë Partisë Demokratike që dje ai vërshim i madh popullor, ajo zemëratë e madhe popullore që mund të merrte përpara jo një por dhjetë kryeministri, u përmbajt. Është falë mirëorganizimit të Partisë Demokratike që edhe në ato raste për të cilat shpreh keqardhjen të përdorimit të gurëve që nuk ka qënë në asnjë moment pjesë e skenarit tonë, ndërhynë strukturat tona që dua ti falenderoj nga zemra për mbarëvatjen e protestës, dhe bënë që kjo protestë që sot mund të themi me gojën plotë; më e madhja zemëratë popullore e mbledhur ndonjëherë për shkak të kësaj keqqeverisje dy vjeçare. Më e madhja  zëmëratë popullore e mbledhur ndonjëherë tek Dëshmorët e Kombit, prapë se prapë nuk u prek një fije floku e një oficeri apo punonjësi policie. Nuk u prek një kapele e një ofoceri të policisë. E mbani mend këtë që pëlliste për dhunë, se si dje i gjakoste policët me kriminelët dhe se si i rrëzonte përtokë dhe vazhdonte ti godiste? Por dje asnjë fije floku polici nuk u prek dhe unë jam krenar për këtë sepse ky është një standard dhe një zotim i Partisë Demokratike. Institucioni është Policia, kështu që ne jemi të vendosur ti qendrojmë standardit, bindjes dhe përkushtimit tonë për protesta masive demokratike sigurisht duke u distancuar dhe duke qënë gjithnjë të distancuar nga dhuna. Përsa i përket bunkerit, është i paligjshëm dhe ilegjitim. Është i paligjshëm sepse është ndërtuar në kundërshim me ligjin urban të Shqipërisë, është ndërtuar në kundërshtim me planin urban të Tiranës që është Kushtetuta urbane e Tiranës dhe Tirana u përket qytetarëve të Tiranës dhe jo shakllabanit që mendon se e ka telajo të tij. Përveç kësaj është edhe ilegjitim sepse është provokacion i rëndë jo vetëm ndaj të përndjekurve por ndaj gjithë shqiptarëve. Ndaj unë shpreh sot mirënjohjen më të thellë dhe përkulem me nderimin më të madh para heronjve që e kallën dje në flakë simbolin e diktaturës. Ata, bashkë me protestues të tjerë, kanë qënë heronjtë e vërtetë të 8 Dhjetorit në këtë 25 vjetor.

Pyetje: Z Basha, a do ta paguajë gjobën Partia Demokratike Bashkië së Tiranës për dëmet e shkaktuara dje?

Basha: Do t’í çojmë një kastravec 163 milimetra të gjatë.

Pyetje: Z Basha, kur thoni mosbindja civile ka nsiur, çfarë keni parasysh me këtë? Cilat janë detajet e asja që ju e përkufizoni si mosbinje civile? E dyta, Rilindja Demokratike është hapur me titullin: Nuk ke parë gjë akoma. Edhe kjo, çfarë nënkupton?

Basha: Kjo nënkupton që shqiptarët janë në këmbë, që shqiptarët do të mbeten në këmbë, që shqiptarët e kanë marrë vendimin dhe nuk do të kthehen pas dhe Partia Demokratike do ti prijë.

Pyetje: Po detajet e mosbindjes civile?

Basha: Do t’i shikoni hap pas hapi.


Konferenca për shtyp e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 9 Dhjetor 2015