Unë vazhdoj të këmbëngul që kjo është një qeveri e rrëzuar, e cila, të paktën prej disa muajsh, ekziston vetëm në letër. Dhe kjo, jo thjesht në rrafshin moral, por dhe në atë funksional. Këta, që kam prapa, mund të thonë sa të duan, ja ku na ke, por në fakt janë aty vetëm fizikisht. E kam thënë edhe një herë tjetër që kjo është ndoshta e vetmja qeveri në botë, kur gjysma e parë lufton për të dominuar dhe asgjësuar pjesën tjetër, e cila nuk do të kishte fare kuptim edhe sikur Shqipëria të ishte një vend me kantone, që përfaqësonin etni të ndryshme, dhe jo një shtet homogjen, sic jemi. Por nuk është kjo arsyeja e vetme pse kjo qeveri ka rënë.
Megjithatë sot është dita e buxhetit, dhe unë e kam shumë të lehtë të shquaj se ky buxhet është ilustrimi më i mirë i bindjes sime. Me pak fjalë ai është pranimi me shkrim i një dështimi spektakolar. Sepse edhe në shifrat më të thjeshta ai pohon falimentin e një kryeministri, që nuk qeverisi asnjë ditë të vetme, sipas atyre që kishte premtuar në fushatë.
Është më i vogël, sesa i faktit, që po mbyllim, dhe akoma më i vogël se sa ai i vitit të shkuar. Është një buxhet që nuk ka as rritje pagash, as rritje pensionesh, dhe sikur të mos mjaftonte kjo, ka edhe rënie të ndjeshme të investimeve publike. Unë nuk di se cfarë mund të ketë më keq se kaq një buxheti i një qeverie, e cila i përgatit që sot qytetarët e vet për një dimër të gjatë njëvjecar për ekonominë dhe financat e tyre.
Dhe pyetja është se cfarë ka ndodhur në Shqipëri gjatë këtij viti? Mos kemi kaluar ne 9 muaj luftë, dhe vetëm tre muaj paqe, gjatë kësaj kohe? Madje jo luftë me fqinjët e vegjël, por me fuqitë më të mëdha ushtarake në botë, që duhet të sillte uljen e të gjitha parametrave? Në fakt, e vetmja luftë reale që kemi pasur, është konflikti Rama-Meta, por edhe ai ngjasoi me atë ndeshjen e gjelave të detit, kur njëri ikën me bisht ndër shalë, pa shkëmbyer asnjë shkelm apo skep.
Ky është një buxhet dëshpërues, që mbi të gjitha shërben si pasqyra ku shëmbëllehet rënia dhe mjerimi i një kryeministri, që nuk shkëlqeu asnjë ditë. Ose më mirë të themi dorëzimi pa kushte i tij. Kemi mbërritur në pikën që Edi Rama nuk lodhet më as të tentojë të kapë vitin që shkoi, por i ka rënë shkurt duke e shkurtuar me dhjetëra milion euro parashikimin e mbledhjes së të ardhurave, që mund të përkthehet fare lehtë si rritje e parashikimit të vjedhjes së tyre.
Do të mjaftonte vetëm leximi i faqes së fundit të këtij buxheti për ta shpallur qeverinë të paaftë, dhe në cdo vend normal ky është kusht i mjaftueshëm, që ajo të largohet. Por, për shkak se ne nuk jemi ende një vend normal, kjo në Shqipëri konsiderohet si e keqja më e vogël. Dhe në fakt, ajo ashtu është. Ne nuk kemi vetëm një qeveri të paaftë, por mbi të gjitha një qeveri të korruptuar, madje më të korruptuarën në rajon. Dhe kjo është arsyeja pse ne kemi një buxhet më të vogël se ai i vitit që shkoi, ndonëse pretendojmë se kemi pasur rritje të qëndrueshme ekonomike. Dhe për shkak se një qeveri e korruptuar është edhe e pashpirt për qytetarët e vet, në të nuk ka asgjë që shkon në dobi të interesave të tyre.
Buxheti, që po shqyrtojmë sot, përkon me nisjen e fushatës politike të kryeministrit për të pastruar më tej Shqipërinë. Dikush mund të thotë se cfarë lidhje kanë këto me njëra-tjetrën? Unë mendoj se kanë shumë.
Shqiptarët janë sot më të dëshpëruar se asnjëherë tjetër, sepse ata qeverisen prej dy vjetësh nga një qeveri, e cila megjithëse i vjedh ditën për diell, u rri edhe si xhebrail mbi kokë dhe i shtyp me arrogancë, nëse nuk i binden verbërisht. E cila gati po u thotë se e kanë detyrim që të ndjehen të lumtur prej saj. Madje duhet të gjejnë formën e duhur për ta shprehur gëzimin e tyre, ashtu si 30 vjet më parë.
Shqiptarët prej dy vjetësh konsumojnë, shpenzojnë dhe investojnë më pak, dhe kjo nuk vlen vetëm për të varfërit, që janë shtuar, ndërkohë që dy vjet më parë Edi Rama predikonte se vetëm “ata që fitonin më shumë do të paguanin më shumë”. E vërteta është se më të varfërit ishin viktimat e para të kësaj qeverie, që pretendon të jetë e majtë. Dhe do të vazhdojnë të jenë, sepse ata janë preja më e lehtë.
Por sot edhe konsumatorët më të mëdhenj, që janë shtresa e mesme e popullsisë, e kanë rrudhur dorën, ndërkohë që biznesi i madh ngurron të ndjekë ritmet normale të zhvillimit të vet, sepse mendon gjithmonë për një ditë më të keqe. Këto mund të mos kenë domosdoshmërisht lidhje me buxhetin, por janë të gjitha pasojë e një depresioni politik dhe social, që vjen kryesisht për shkak të resë së karkalecëve të korrupsionit, që po mbyt jo vetëm shtetin, por mbi të gjitha ekonominë kombëtare.
Dhe të gjitha këto nuk kanë si të mos reflektohen në buxhet. Në të cilin mungojnë qindra milion euro që vidhen drejpërdrejt nga kontrabanda në dogana dhe tatime. Por edhe qindra milion të tjerë që zhvaten për punë eterike, që nga koncensionet krejtësisht të panevojshme dhe të padobishme e deri tek konsulencat, që janë shtuar si kerpudhat, që pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës dhe të Ilir Metës. I kemi me shumicë edhe në këtë buxhet. Tek shpenzimet administrative, të vetmet që janë rritur.
Dhe meqë jemi tek sllogani i ri i kryeministrit, pyetja është se kur u bë dhe kush e bëri kaq pis Shqipërinë, sa sot na duhet një fshesë gjigande me korrent për ta pastruar. Po të kishte qenë kaq zhul kur e lamë ne pushtetin, me siguri që ky pastruesi i oxhaqeve nuk do të kishte harxhuar kohë me ëndrrën e rrejshme dhe patetike të “Rilindjes”, por do të ishte marrë që atëherë me pisllëkun. Sepse, ndryshe, i bie që të kemi qenë më mirë, kur ishim më keq.
Në fakt, ai ka të drejtë dhe unë bie dakord me Edi Ramën se Shqipëria është bërë shumë pis këto dy vjet.
Është bërë llum ky parlament dhe këtë e kemi pranuar të gjithë, duke rënë dakord për të miratuar ligjin më poshtërues për veten tonë. Do të votojmë pas pak ditësh për të nxjerrë jashtë kësaj salle vrasës apo trafikantë, a thua se kishin hyrë këtu pa dashje dhe ishin përzier me ne të tjerët, ndërkohë që ata janë kërkuar me qiri që të ishin të tillë. Sot disa nga ne duhet të krenohen se nuk kemi dy apo më shumë emra, se nuk kemi vrarë ende njeri, se nuk kemi vjedhur asnjë dyqan, makinë apo shtëpi, se nuk kemi shitur kurrë drogë, apo nuk jemi përdorues të rregullt të kokainës. Unë nuk mburrem dot për një gjë të tillë, madje nuk e kam fare kompleks të them se më vjen turp që edhe si figurant apo dëshmitar kam qenë pjesë të kësaj historie të pistë. Në të tillë e katandisi këtë parlament kryesisht Edi Rama dhe natyrisht i takon atij ta paguajë atë faturë. Qoftë edhe pa kuponin tatimor.
Shqipëria po qelbet sot nga pisllëku se për herë të parë që nga koha e shpikjes së pergamenit, ka një qeveri që po vjedh edhe me letra. Dhe ky është një hop cilësor i korrupsionit, jo vetëm për Shqipërinë, po kam bindjen se është fenomen I rrallë botëror. Sepse në të gjitha kohërat dhe në cdo vend, ku janë gjendur, zyrtarët kanë bërë kujdes që të paktën të jenë në rregull me dokumentet. Se historia ka treguar se vjen gjithmonë një ditë kur dikush i hap kartat. Këta kanë arritur në një pikë, që nuk i ha fare meraku, as për këtë, kaq të eksituar janë nga babëzia. Në Shqipëri sot kemi mbërritur në një pikë kritike kur zyrtarët e korruptuar nuk ndjekin punët e nevojshme dhe të domosdoshme publike, për të nxjerrë prej tyre ryshfetin, por ndajnë që në fillim vec një thes me lekë, i fusin ato në xhep, dhe pastaj rrugës kërkojnë të gjejnë ndonjë arsye për ta justifikuar.
Shqipëria është shndërruar në një baltovinë gjigande, që nuk ka det ta lajë, sepse këtu ka humbur cdo sens mase dhe nuk ka më asnjë ndjeshmëri edhe për akuzat dhe denoncimet e tmerrshme dhe të përditshme, që nuk vijnë vetëm prej opozitës. E keni dëgjuar besoj në fushatë Edi Ramën, por prapë e përsërit sa herë i vjen rasti, parodizimin e investimeve tona për “rrugë, rrugë, dhe rrugë që ngelën rrugëve”. Le ta zemë për një cast se mund ta kemi tepruar me to, ndonëse unë mendoj se infrastruktura është ende një hall i madh dhe natyrisht i pazgjidhur i Shqipërisë. Po cfarëdo që të ketë ndodhur, tek e fundit, rrugët aty i keni, ca më të mira, ca më të këqija. Po qindra milionat e chek up-it, të sterilizimit, të Jaguar-ëve, të dializës, të sporteleve, e të tjera e të tjera, ku t’i kërkojmë, se për të gjetur as bëhet fjalë?. Ato janë damka e zezë e kësaj qeverie, për të cilën mendoj se nuk duhet të ketë kurrë amnisti, kurdo që ne të kthehemi në pushtet.
Unë bie plotësisht dakord me Edi Ramën, se Shqipëria duhet pastruar edhe nga korrupsioni i Ilir Metës dhe i LSI-së, me ndryshimin e madh, që ai e nënkupton, por nuk guxon dot kurrë ta thotë, edhe në tavolina konfidenciale, e jo më në publik. Por unë nuk e ndaj dot atë nga hajdutëria e njëjtë, nganjëherë edhe superiore, sidomos në muajjt e fundit, nën flamurin e ministrave dhe zyrtarëve të Partisë Socialiste.
Por problemi qëndron se Edi Rama, do ta pastrojë Shqipërinë nga Ilir Meta, jo se e shqetëson korrupsioni i tij, por se nuk po shkojnë mirë kohët e fundit. Njësoj si Tomë Doshin e shndërroi brenda ditës, nga superdeputet të Veriut, në mafioz të rrezikshëm, ndërsa Mark Frrokun, nga aleat të cmuar, në vrasës të burgosur dhe pa mandat.
Ndaj edhe nuk ka më asnjë vlerë aksioni i nënkuptuar i pastrimit të Edi Ramës për Ilir Metën, në një duel që tashmë konsiderohet i përfunduar në epërsi të thellë të të dytit. Natyrisht, ky është një rivalitet I egër mes dy peshkaqenëve, që ne pak na intereson. Por kështu si ka ardhur puna, nuk është cudi që fituesi ta detyrojë humbësin ta propozojë tek Presidenti i Republikës për medaljen “Nder i Kombit”, për kontribut të madh në luftën kundër korrupsionit.
Ndaj edhe ky buxhet nuk mbart thjesht krizën por edhe degradimin e një qeverie, që erdhi në pushtet me tërsëllëmë, duke vringëllirë me prepotencë 1 milion shuplakat, të cilat i konsideroi si dele të bindura vetëm për t’i mjelë dhe gënjyer një herë në katër vjet.
Por nëse ky është një buxhet zie, i cili reflektohet edhe në raportet brenda vetë mazhorancës, unë nuk mendoj se Shqipëria është një vend i pashpresë, prej të cilit njerëzit mund të gjejnë shpëtimin duke e braktisur. Le ta lexojmë si duhet edhe mesazhin që përcjell vetë ky buxhet. I cili është një arsye e fortë për të protestuar, ndonëse jo më kryesorja. Më 8 dhjetor e në vazhdim.
Sepse është pasqyra evidente e një qeverie, që nuk bën as përpjekjen më minimale për të fshehur kapjen, demotivimin dhe paaftësinë e vet. E një administrate të kalbur që e ka lëshuar pa duar dhe po e con vendin në rënie të lirë drejt greminës ekonomike dhe drejt një dëshpërimi kolektiv. Por mbi të gjitha e një kryeministri që gati po e thotë vetë se e ka të pamundur ta ndalë rrokullisjen e qeverisë së vet. Ndaj edhe të mos presim asnjë sekondë më, por të mblidhemi dhe të marrim në dorë fatin tonë. Të mos kemi iluzione dhe të mos shpresojmë kot që të bien vetë, sepse asnjë fitore nuk vjen duke pritur. Aq më pak, të lidhim aksionin tonë politik me divorcin e mundshëm të Ramës dhe Metës, i cili edhe po ndodhi, është për hesapet e tyre, dhe asnjëherë në interes të vendit . Ndaj le ta nisim më 8 dhjetor.
Po ju mund të thoni cfarë lidhje ka debati i sotëm me protestën tuaj? Dhe unë ju pyes, po revolucioni që nuk do të triumfonte cfarë lidhje ka me buxhetin, që e përmendi sot kaq shpesh shtetndërtuesi më i madh I trojeve etnike shqiptare. Që do të thotë se edi Ramës i djeg që tani 8 dhjetori, ndonëse është ende larg.
Unë e di se do të na numurojnë, se do të na shohë me dylbi Saimir Tahiri nga tarraca e kryeministrisë, apo do të na bëjë foto ai që fluturon me ballon, përpara se njerzit të grumbullohen, që të dukemi pak. E di që do të porosisin portale dhe gazeta që ta pjestojnë me 10 apo më 20 numrin e atyre që do t’i bashkohen Partisë Demokratike më 8 dhjetor. Por kjo nuk e ngushëllon dot, e aq më pak e ndihmon, qeverinë e rrëzuar.
Sado të jemi ne në shesh atë ditë, dhe jam i bindur që do të jemi pambarimisht shumë, aty do të mungojnë pafundësisht kundërshtarë të qeverisë. Sepse sado të jetë rritur Partia Demokratike dhe aleatët e saj këto dy vjet, ato janë gjithësesi më pak se shqiptarët e zhgënjyer dhe të goditur në kockë prej kësaj qeverie.
Sado që të jemi ne atë ditë, mos harroni të shtoni aty edhe 200 mijë aplikantët për llotarinë amerikane, dhe nuk besoj se ka njeri në këtë sallë, që të mendojë se ata janë të gjithë anëtarë të Partisë Demokratike. Sado që të jemi ne atë ditë, shtojini edhe mbi 100 mijë shqiptarët, që kanë kërkuar azil në Gjermani, sepse si parët ashtu edhe të dytët janë viktima të drejtpërdrejta të kësaj qeverie. Le të thotë sa të dojë ky këtu, se janë emigrantë, që ikin të zhgënjyer nga Greqia.
Shtoni qindra dhe mijëra të burgosurit për kuponin tatimor, ndreqjen pa leje të catisë, mospagesën në kohë të kamatës për energjinë. Jam shumë i sigurt se aty do të mungojnë gjithashtu qindra mijëra nga 1 Milion shuplakat, të cilët e kanë mbyllur llogaritë me Edi Ramën dhe Ilir Metën, por ngurrojnë ende të përfaqësohen prej nesh. Por nuk e teproj të them se do të mungojnë atje edhe shumë prej jush këtu, jo thjesht se nuk ju pyet njeri dhe se trajtoheni pa respektin minimal, por se realisht nuk keni ndonjë përgjegjësi për sapo ndodh. Sepse e kam thënë që në ditën e betimit të saj, Shqipëria prej dy vjetësh nuk ka një qeveri përfaqësuese të Partisë Socialiste, por një qeveri private të Edi Ramës.
E di që do të merreni me ne, do përpiqeni ta zhvendosni debatin në të shkuarën, sepse është, praktikisht, e vetmja armë që ju ka mbetur. Do përmendni Gërdecin, 21 janarin, do gënjeni me shifrat, të cilat askush nuk i verifikon dot në cast, por nuk do të gjeni dot rrugëdalje nga kjo. Cdo ditë që kalon ju bën më të pabesueshëm dhe më qesharakë. Cdo orë që kalon punon për opozitën.
Ne mund të kemi plot probleme, por nuk jemi ne problemi i këtij vendi. Sepse problemi është gjithmonë qeveria, kurse një qeveri e rrëzuar, që zvarritet në agoninë e vet, është më shumë se problem, është sëmundje e rrezikshme. Nga e cila duhet shpëtuar vetëm me bisturi. Një orë e më parë.
Fjalimi në Kuvend i deputetit të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, 4 Dhjetor 2015