I nderuar Z. drejtues i seancës. Të nderuar qytetarë. Të nderuar kolegë.

I dëgjoja kolegët e mi parafolës dhe mu duk si të ishin deputetë në opozitë dhe jo në mazhorancë kur rendisin se çfarë duhet të bëjmë ne si shoqëri dhe shteti në të mirë të fëmijëve tanë. Nuk e di nëse e kanë pyetur ndonjëherë kryeministrin e tyre të munguar se a ndan ai të njëjtin mendim për sigurimin dhe mbrojtjen e familjes kur sjell për miratim ligje si ai i kodit penal që keni sjell për miratim sot, që çon në burg prindërit e këtyre fëmijëve duke lënë edhe më shumë fëmijë të braktisur dhe se a do ta votojnë ata këtë projektligj të vetkënaqësisë së kryeministrit për burgimin e njerëzve njëherazi prindër duke copëzuar familjen?

Të nderuar qytetarë.

Projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “ Për Proçedurat  e Birësimit dhe Komitetit Shqiptar të Birësimit” në Republikën e Shqipërisë hapi jo pak debat dhe po aq edhe një problematikë të gjërë sa i përket situatës së fëmijëve të braktisur në Shqipëri dhe atyre që për arsye që lidhen më shumë me papunësisnë, varfërinë, nivelin e ulët ekonomik të prindërve dërgohen nëpër institucione. Shkurtimi i kohës nga 1 vit në 3 muaj në Kodin e Familjes, dhe nga 6 muaj në tre muaj në Ligjin për Birësimet, për lejimin e proçedurave të birësimit përbën një rrezik serioz në gjykimin tonë për fëmijën dhe familjen biologjike. Rrezik të cilin ne si opozitë nuk e mbështetëm pasi birësimi i fëmijëve nuk duhet të jetë qëllim në vetvete por afrimi me familjen biologjike dhe mbajtja/ruajtja e kësaj lidhje të ngushtë duhet të jetë përpjekja themelore. Në kushte të tjera, pra kur ka një siguri absolute se fëmija nuk mund të qëndrojë në familjen e tij biologjike ( të cilës shpesh shumë nga të ftuarit i referoheshin nëna duke harruar babain) mund të jepet për birësim dhe se shteti ka detyrimin po aq absolut që të garantojë mekanizma të sigurtë potencialë të këtij proçesi duke analizuar me përparësi se kush po birëson, si dhe pse dhe duke ndjekur ato proçedura që vëndet e zhvilluara aplikojnë (gjë që nuk duket të dal dhe aq në pah me këto ndryshime.Për tu rikthyer dhe njëherë debatit në komision shkurtimi i kohës nga 1 vit në 3 muaj për ne përbën një rrezik për fëmijën, në dëm të së mirës së tij e theksoj. Sigurisht që njëri nga argumentat që u dha qëndron dhe personalisht dhe profesionalisht pranoj se institucionalizimi i fëmijës, ose qëndrimi i tij në institucion për një kohë të gjatë nuk ndihmon zhvillimin e shëndetshëm psikologjik dhe fizik të fëmijës duke qënë se janë të lidhura bashkë, dhe kjo vlen që nga dita e parë e lindjes së tij madje dhe që më pare. Kur nëna i buzëqesh dhe babai po ashtu duke vendosur kështu dhe kontaktin e parë të sigurisë apo pasigurisë me botën. Gjithcka tjetër janë zgjidhje alternative.

Por nëse duam të mirën e këtyre fëmijëve dhe një shoqëri më të sigurtë e të shëndetshme në planin psikologjik e social dhe po aq atë fizik atëherë duhet të mendojmë më gjerë se sa kaq duke ju referuar kushteve të braktisjes dhe duke bërë shpesh pyetjen përse braktisen fëmijët nga nënat e tyre në maternitet sot në Shqipëri dhe si ndodh që baballarët e tyre ose nuk kanë dijeni ose dhe ata bien dakort me këtë. Nëse duam të mirën e këtyre fëmijëve duhet të punojmë me fenomenin dhe shteti me politikat e tij është përgjegjës i drejtëpërdrejtë i arsyeve që çojnë dhe atyre që lënë një fëmijë të braktisur në institucion nga nëna apo nga prindërit.

Pavarësisht se në komision u tha se një nga arsyet që këto nëna lënë fëmijët e tyre në maternitet ishte tradhëtia bashkëshortore, unë besoj se kjo nuk është arsyeja qëndrore. Arsyeja qëndrore  ndodhet në shtatzanitë e hershme, në mosedukimin sa duhet të moshës së re, nënave të reja për shkak se shoqëria jonë është ende e papërgatitur dhe e ngarkuar me problematika të shumta ekzistenciale që lidhen me plotësimin e nevojave bazë si ushqimi, strehimi, që rëndohen dita ditës sidomos në këtë qeverisjen tuaj siç po e dëshmoni kët përditë, duke i lënë kështu pak ose aspak kohë, hapësirë dhe vëmendje prindërve për edukimit të brezit të ri (nuk edukohet me burg brezi i ri). Vetë fjala burg është dhunuese në vetvete dhe nuk i shërben askujt. Përkundrazi e rrit dhe zhvillon më shumë dhunën dhe aktet barbare që rrjedhin prej saj si ai që hasëm një ditë më parë i braktisjes së foshnjes në rrugë. Fenomen që kishte më shumë se 5 vjet që nuk ndodhte dhe që ju me qeverisjen tuaj të mbrapshtë dhe më një agresivitet patologjik që sdi sev nga ju buron e rilindët.

Kjo qeveri është përgjegjëse për këtë dhe bëni mirë të reflektoni. Se një prind që është i shqetësuar dhe i stresuar nga mëngjesi në darkë për humbjen e vendit të punës, për futjen në burg se ska paguar dritat apo se nuk ka dhënë kupon tatimor nëse ka një biznes të tij për mallra stok që mund ti ketë marrë vite më parë, apo se nuk ka me se ti ushqejë fëmijët e tij, pak qetësi ka për ti kushtuar vëmendje fëmijës në ciklin e tij zhvillimor dhe kujdesin e nevojshëm jo vetëm për nevojat bazë por për gjithçka fëmija ka nevojë. Kështu nën vëmendjen e pakët prindërore një adoleshent ose pak më  rritur që për shkak të tranzicioneve normale që njeh kjo moshë është konfuz, dhë në këtë shtet/ pushtet që po ndërtoni ju edhe më shumë, mund të bëhet pre e problemeve të shumta siç janë marrëdhëniet e hershme dhe të pambrojtura seksuale, përdorimit të drogës , sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe pse jo lindje në moshë të re apo shtatëzani të parakohshme etj, etj. Do ju lutesha shumë sidomos ministrit të mirëqënies sociale dhe atij të shendetësisë të më thonë se sa është shifra dhe kufiri minimal moshor i hyrjes në marrëdhënie seksuale sot në Shqipëri  në këto dy vite e ca të qeverisjes suaj( nëse e dine, 13 vjeç) dhe kësaj qeverie do i lutesha po ashtu që të merret seriozisht me situatën që të mos kemi më fëmijë të braktisur apo që enden nëpër institucione sepse prindërit e tyre e kanë të pamundur të kujdesen për ta sot. Për më tepër me këtë ligj ju i thoni atyre se nëse ndodh që për 3 muaj jo më shumë ti nuk bëhesh i gjallë dhe arsyet mund të jenë shumë ( unë në mbledhje citova p.sh emigracionin) ti i thua se humbet të drejtën prindërore mbi fëmijën.

Ndërkohë evidentuam gjithashtu në seancën dëgjimore se në ato raste kur nuk dihej apo babai nuk ishte deklaruar nga nëna nuk bëhej asnjë përpjekje për ta gjetur atë dhe fëmija mund të jepej birësim pa miratimin e tij me sa u kuptua. Theksoj se kjo, ndryshe nga çfarë u deklarua aty nuk është aspak në të mirë të fëmijës pasi nëse fëmija jepet për birësim dhe ndodh që babai e kërkon kjo do të krijonte një dyjëzim të madh në jetën e tij. Theksoj gjithashtu se askush nga ne nuk mbron idenë që fëmijët të qëndrojnë në institucione por se ne kemi përgjegjësinë sidomos me këta fëmijë të tregojmë një vigjilencë maksimale që nga proçedurat, ligjet që i mbrojnë këta fëmijë dhe njerëzit që do ti birësojnë në mënyrë që të mos i humbasim. Sot në Shqipëri nuk janë pak por  …294… fëmijë të cilët nuk janë gjendur dhe janë deklaruar të humbur.

Një pikë e dytë e cila u kundërshtua nga ne si opozitë ishte kriteri i vendosur në projektligj në lidhje me arsimimin e prindërve birësues edhe se mbetej e paqartë nëse ishte për të dy apo vetëm për njërin prej tyre.  Neni 18 i projekligjit, thotë Av. i Popullit. që ka të bjë me faktin se aplikanti birësues duhet të ketë arsimin e detyrueshëm duhet të ndryshohet pasi, argumenton ai, jemi të mendimit se arsimi dhe proçesi i birësimit nuk duhen parë të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën me qëllim kualifikimin si prind birësues i një fëmije. Në fakt zev. ministri i mirëqënies sociale duke marrë kompetencat e një psikologu nisi të na argumentojë të mirat e edukimit duke cituar Blum-in në cilësinë e prindërimit. I kujtoj Z. zevministër dhe ministrit se Blum-i eshte një psikolog edukimi (që flet për të mirat e edukimit/shkollimit të fëmijës) dhe jo një psikolog zhvillimor (që merret drejtpërdrejtë me cilësinë dhe marrëdhëniet prindërore si një element esencial i zhvillimit psikologjik të fëmijës). Në fakt nuk ka asnjë teori në psikologji që të theksojë se cilësitë e prindërimit, marrëdhënia prindërore, përkujdesi, cilësia dhe niveli i ngrohtësisë prindërore dhe atashimi të jenë të lidhura në mënyrë të kushtëzuar me edukimin e prindit. Sigurisht që ndihmon në disa raste por nuk është kusht pasi mund të kemi individë shumë të shkolluar dhe të zhvillojnë marrëdhënie dhe prindërim të gabuar ngandonjëherë dhe të dëmshëm me fëmijën. Kushti bazë janë cilësitë e personalitetit dhe dëshirimi i fëmijës të personave që aplikojnë për të marrë për birësim ndaj një vlerësim psikologjik është i nevojshëm dhe thelbësor jo edukimi.

Se me këtë i themi të gjithë atyre që sot për shkak të kushteve në të cilat kjo qeverisje e ka çuar vendin dhe që nuk mund të shkollohen për shkak të kushteve të varfërisë ekstreme se nesër nuk mund të jeni as  prindër (të paktën të mirë). Kjo mund të përbëjë premisë edhe për ndasi sociale ku kriteret paragjykuese dhe diferencuese midis një prindi biologjik dhe atij birësues mund të bëjë që fëmijët të shohin prindërit e tyre në mënyrë të diferencuar.

Por argumenti më bindës në gjithë këtë qëndron në faktin se ai shkel një të drejtë themelore kushtetuese të njeriut për të krijuar familje, pavarësisht kjo shkollimit të tij. Dhe kushtetuta është mbi gjithçka i nderuar Z. ministër dhe Z. kryeministër por kjo nuk përbën shqetësim për ju se e shkelni atë përditë.

Në referim po citoj vetëm disa nga vërejtjet që Save the Children i ka bërë këtyre ndryshimeve:

Ndryshimet në nenin 18 në lidhje me arsimimin.

“Nga analiza e akteve ndërkombëtare konstatojmë se në asnjë prej tyre nuk ekziston një përcaktim i tillë si kriter kualifikues. Rëndësi të veçantë në këtë aspect i kushtohet personalitetit, shëndetit, ambientit social, veçantive në lidhje me kushtet e banimit dhe të jetesës në tërësi të prindit adoptues dhe për më tepër të aftësisë së tij për të rritur fëmijë (neni 10 i Konventës Europiane për Adoptimin e Fëmijëve). Nuk duhet mohuar apriori e drejta për të pasur fëmijë personit që për një arsye ose një tjetër nuk ka mundur të kryejë arsimin e detyrueshëm.”

Ndryshimi i afatit nga 6 në 3 muaj për lejimin e birësimit ndërvendas

Neni 23 në Ligjin për Birësimin dhe nenin 253 të Kodit të Familjes. “Argumentat në lidhje me uljen e afatit nga 6 mujor në 3 mujor për lejimin e birësimit ndërvendas nuk janë bindëse dhe rregullimi ligjor i propozuar nuk sjell zgjidhjen e përshtatshme të problematikave. Për më tepër ky ndryshim nuk është në koherencë me standartet e vendosura në Konventën e Hagës “ Për mbrojtjen e fëmijëve dhe bashkëpunimet për birësimet jashtë vendit””

Duke iu referuar konkretisht konvetës theksohet se birësimi ndërvendas mund të kryhet vetëm nëse janë shqyrtuar si duhet mundësitë për vendosjen e fëmijës brënda vendit të origjinës dhe se birësimi jashtë vendit është/duhet të jetë në interesin më të lartë të fëmijës. Këto janë kriteret thelbësore dhe jo afatet sasiore. Afatet e përcaktuara në ligj duhet të jenë orientuese dhe jo përcaktuese thotë Av. i Popullit.

Birësimi si masë mbrojtëse: duke qenë se një kategori fëmijësh që mund të bëhen object birësimi jane edhe ata që lihen në institucione për shkak të varfërisë, në raport theksohet se varfëria në thelb nuk duhet të pengojë një fëmijë të rritet pranë familjes së tij biologjike

Po ashtu në projektligj ka një paqartësi në lidhje me termin “Interesimi i dukshëm i prindërve” që nuk shpjegohet qartë. Vazhdimësia e marrëdhënieve familjare që lidhet me marrjen në konsideratë të motrave dhe vëllezërve gjatë birësimit të fëmijës nuk duket të jetë e shprehur në asnjë nen apo ndryshim. Së fundi ajo që për mua përbën një element themelor në lidhje me dhënien e deklaratës nga ana e prindërve për ta konsideruar/deklaruar fëmijën të braktisur ( duke kundërshtuar fort që deklarata ti merret nënave në maternitet pasi ato mund të jenë në kushtet e një stresi post lindjes në ato momente) ndryshimet nuk kanë parashikuar fare këshillimi paraprak të prindërve për efektet e përhershme dhe pasojat psikoemocionale të birësimit.

Këto ndryshime të pjesshsme tregojnë qartë mungesën e theksuar të një vullneti për të sjellë ndryshime të qëndrueshme që kërkojnë një rishikim të plotë të Kodit të Familjes dhe gjithë projekligjeve të tjera që preken prej tij ose që kërkojnë ndryshime në të.


Fjalimi në Kuvend e deputetes së Partisë Demokratike, Arbjola Halimi, 3 Dhjetor 2015