Mirëmëngjesi!

Faleminderit për ftesën zoti kryetar i këtij fondacionit,

Të nderuar anëtarë të bordit,

Të nderuar të ftuar,

Në veçanti miq të nderuar që i bashkoheni  këtij tubimi të sotëm dhe që kemi dhënë ndihmën dhe kontributin tuaj me partneritetin, me ndihmën që i ofroni fondacionit Për Liri dhe Demokraci.

Të nderuar deputetë, ambasadorë, përfaqësues të organizatave joqeveritare të pranishëm në këtë takim,

Për mua është një kënaqësi e madhe të shoh sot në këtë ditë mes dy datave historike 8 Dhjetor dhe 11 Dhjetorit, përkatësisht 25-vjetorit të Lëvizjes Studentore dhe 25-vjetorit të themelimit të partisë të parë  antikomuniste, Partisë Demokratike të Shqipërisë, inaugurimin e Fondacionit për Liri dhe Demokraci , në përputhje me praktikat më të mira të partive tona si motra, PPE, të frymëzuar në strukturë, në qëllime, në platformë, në masë të madhe nga kristiandemokratët e Angela Merkel dhe aleatët e tyre CSU si dhe fondacionin e tyre, të cilët i përshëndes  veçanërisht për ndihmën e madhe në nisjen e punës të fondacionit FLD.

Është shumë ambicioze dhe tepër e madhe e ngërthyer tema që më është caktuar të referoj, por unë dua të prek tre çështje.

Së pari, një bilanc të shkurtër se ku jemi me katër shtyllat kryesore që japin domethënie fjalëve me të cilat u ngritën studentët 25 vite më parë “Liri, demokraci!”. Liri, demokraci, që janë  esenca e të qenit, e të ekzistuarit në rrafshin e vlerave europiane, aksidentale drejt të cilave rinia shqiptare u nis për të mos u kthyer më.

Cilat janë këto vlera?

Pikë së pari është demokracia në kuptimin funksional të fjalës.

Së dyti, shteti ligjor.

Së treti, respektimi i të drejtave.

Së katërti, ekonomia e tregut të lirë.

Dhe për 25 vite Shqipëria ka ecur dhe ka ecur jo pak në të katër rrafshet duke lënë pas një nga trashëgimitë më të hidhura që ideologjia totalitare komuniste e shoqëruar me instrumentet më supresive dhe represive të saj shkaktoi në Europë dhe në botë. La një shoqëri në varfëri të thellë dhe të krahasueshme vetëm me vendet e Afrikës, la një individ shqiptar të plagosur thellë në qenien dhe ekzistencës e tij, deri në inkriminimin dhe ndalimin me ligj e të besuarit në Zot. Por sot pas 25 vitesh kemi një Shqipëri e cila vetëm 6 vite më parë i bë anëtare e NATO-s, armikut perpetual të regjimit që u shemb para 25 vitesh.

Kemi një Shqipëri e cila partneritetin e ka me SHBA-të, djallin, satanin e shpallur të Enver Hoxhës dhe ithtarëve të tij. Kemi një Shqipëri e cila më në fund është kandidate për anëtarësim në BE, klubin e paqes dhe vlerave perëndimore të anatemuar, të përbuzur dhe të parodizuar nga apartçikët dhe ideologët e djeshëm, disa prej të cilëve sot për fat të keq i kemi ideologët të sotëm në kampin e kundërshtarëve tanë politik. E megjithatë kemi një Shqipëri të sfrustruar, të zëmëruar, të pasigurtë dhe pas 25 vitesh përsëri në ikje.

Të ndalemi në rrethanat, shkaqet, problemet dhe shkaktarët e kësaj situate është jo thjesht detyrë, por detyrimi ynë dhe gjithë miqve tanë në mënyrë që së bashku të shikojmë edhe një herë platformat ku mund të bashkohet konsensusi politik dhe shoqëror, vlerat që bashkojnë e nuk na ndajnë për të tejkaluar këtë krizë të rëndë politike. Ta nisim me shtetin ligjor, shtetin ligjor që është një përkthim literal i termit, në dijeninë time më të vjetër që është termi gjermanik “Reichstag”- “La primauté du droit” ,sundimi i ligjit. Shteti ligjor apo shteti i së drejtës është shumë më shumë se sa togu i ligjeve me Kushtetutën, si çati mbi krye, është shteti i së drejtës si koncept, si vlerë.

Dhe sot nëse i drejtohemi qytetarëve shqiptar nga kjo sallë kemi mbledhur një pjesë pjesë të elitës së mendimit, të qendrës, të qendrës së djathtë dhe me kënaqësi shoh edhe kolegë që nuk do ta përkufizonin veten e tyre nevojshmërisht si të qendrës së djathtë, e detyrimisht do  të kalonin në krahun e qendër apo qendrës së majtë.

E do t’u thonim se çfarë është shteti i së drejtës me siguri sot gjëja e parë që do t’u shkonte në mendje është shteti i të padrejtës.

Shteti i të padrejtës është ai organizim i përbërë nga Parlamenti, nga qeveria, nga bashkitë dhe nga gjykatat i cili në vend që të garantojë zbatimin e ligjit e shkel ligjin i pari. Shteti i të padrejtës është shteti, qeveria, Parlamenti i cili dhunon në mënyrë të hapur e të përsëritur, edhe kur paralajmërohet, edhe kur kapet Kushtetutën e vendit.

Shteti i të padrejtës është shteti, qeveria  që refuzon  zbatimin  e vendimeve të gjykatave.

Shteti i të padrejtës,është qeveria që refuzon zbatimin apo ekzekutimin e vendimeve të formës së prerë për të rikthyer në punë nëpunës civilë të hequr në kundërshtim me ligjin, për të zhdëmtuar pronarë, prona e të cilëve janë shkatërruar  në kundërshtim me ligjin, për të vënë para përgjegjësisë ligjore ata që dhunojnë, intimidojnë, terrorizojnë sipërmarrjen e lirë, biznesin e vogël, të mesëm apo të madh, me gjoba, ryshfete, qëndrime antiligjore.

Shteti i të padrejtës është ai që refuzon  zbatimin ose ekzekutimin e vendimeve të formës së prerë për të rikthyer në punë nëpunës civilë të hequr në kundërshtim me ligjin, për të zhdëmtuar pronarë, prona e të cilëve janë shkatërruar  në kundërshtim me ligjin, për të vënë para përgjegjësisë ligjore ata që dhunojnë, intimidojnë, terrorizojnë sipërmarrjen e lirë, biznesin e vogël, të mesëm apo të madh, me gjoba, ryshfete, qëndrime antiligjore.

Shteti  i  të padrejtës është ai që nga njëra anë në përputhje me dispozitat e shkruara apo të ndryshuara të Kodit Penal mban për 80 ditë në qelitë e birucat e paraburgimit një berber sepse ka trishtuar emocionalisht një taksidare por nga ana tjetër refuzon të nisë hetimin për aferën më të madhe korruptive në Europë që nga skandali “Lockheed Martin”, vjedhjen 600 milionë euro të parave të shqiptarëve nga afera e përbashkët e kompanisë shtetërore çeke CEZ dhe qeverisë shqiptarë, përkatësisht kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Kuvendit Ilir Meta.

Shteti  i të padrejtës është shteti i cili refuzon dhe bën gjithçka për të pamundësuar hetimin në aferat korruptive me paratë e shqiptarëve të denoncuara jo vetëm nga opozita, por dhe nga mediat ndërkombëtare dhe kombëtare, siç janë afera të tmerrshme në sektorin e shëndetësisë, koncesionet e ndërtuara me  një qëllim dhe vetëm me një qëllim zhvatjen e parave publike të shqiptarëve, siç janë afera që ekspozojnë plotësisht karakterin  e  plotë të konfliktit të interesit të kësaj qeverisje ku nga njëra anë kemi njerëz të veshur me pushtet përgjegjësia e të cilëve është të kontrollojnë paranë publike dhe nga ana tjetër kemi po këta njerëz, të afërmit e tyre që e përfitojnë këtë para publike.

Ky është  shteti  i të padrejtës, dhe ky  është shteti që ne nuk meritojmë e nuk duhet të kemi 25 vite pas ngritjes për shtet ligjor, për demokraci dhe liri. Ne kërkojmë shtet të së drejtës, shtet ligjor që nis me zbatimin e Kushtetutës, me zbatimin e ligjeve, në radhë të parë me garantimin e zbatimit të ligjeve nga vetë qeveria e Republikës.

Dhe kjo sot nuk po ndodh, qeveria është bërë garante e shkeljes së ligjit, qeveria është bërë garante dhe frymëzuese e shkeljes së Kushtetutës. Qeveria është pra sot burim i shkeljes sistematike të drejtave elementare të qytetarëve shqiptarë, atyre të drejtave të cilat ironikisht është betuar në ditën e saj të parë se do t i mbrojë me çdo kosto dhe çdo çmim.

Çfarë ndodh kur një qeveri rreshket në këtë rrugë? Demokracitë dhe shtetet ligjore perëndimore  e kanë recetën. Triaspolitika – ndarja e pushteteve, funksionojnë degët e tjera funksionon gjyqësori, funksionon prokuroria funksionon gjykatat. Po këtu në Shqipëri kjo nuk ndodh, nuk ndodh sepse pas 25 vitesh në Shqipëri kemi një realitet të pakrahasueshëm me cilindo vend europian duke përfshirë dhe vendet evropiane që ashtu si Shqipëria ndodheshin në anën lindore të perdes së hekurt.

Në cilin vend europian, në cilin vend europian pranohet që një gjykatë për të njëjtin rast të marrë dy vendime të ndryshme brenda një jave ? Në cilin vend europian pranohet që agresioni të shkojë në arrest shtëpie dhe të agresuarit të mbeten në burg? Në cilin vend europian minuta pas telefonatës së kryeministrit që kërcënon gjyqtarët nuk është minuta e tij e fundit e tij në zyrë, si kryeministër ?

Ky pra është realiteti i Shqipërisë pas 25 vitesh. Dhe tashmë që bëra një përmbledhje të shkurtër se ku jemi dhe se çfarë revolton shqiptarët meqenëse kjo pyetje në mënyrë të paarsyeshme ka qenë në buzët e disave që duhet ta dinë fare mirë se çfarë i revolton shqiptarët dhe në qoftëse nuk kanë kohë t’i pyesin këtu në Shqipëri mund t’i pyesin në kampet me refugjatë që janë mbushur në vendin e tyre, le t’i kthejmë një përgjigje se çfarë duam ne.

Ne duam shtet ligjor, ne duam zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë nga të gjithë. Ne duam një fund për Aparteidin “de facto”, ku i pasuri i pushtetshmi nuk ndëshkohet, nuk ndiqet, nuk penalizohet madje as nuk hetohet, ndërsa ai i varfër,  i pamunduri ai pa akses, pa përfaqësim goditet, batërdiset në mënyrë të padrejtë nga një sistem i kalbur deri në rrënjë, nga një sistem që funksionon vetëm mbi bazën e ryshfetit,  njohjes apo influencës politike.

Ne duam elitë politike të painkriminuar. Ne duam një parlament që të përfaqësojë elitën e kombit, të përfaqësoje elitën e Shqipërisë. Pra, duam një sistem zgjedhor që t’i japë mundësi shqiptarëve të zgjedhin jo mes trafikantit të drogës dhe tutorit të prostitucionit por mes profesorëve, intelektualëve sipërmarrësve, artistëve, drejtuesve, liderëve të opinionit publik që kanë dhënë prova se përfaqësojnë më të mirën në këtë vend e se janë gati të mbajnë mbi supe barrë gjithsesi të rëndë e shpesh të papërballueshme të përgjegjësisë publike, e ta trajtojnë përgjegjësinë publike për atë që është. Jo liri për të vjedhur, jo liri për të bërë gjithçka për veten e tyre, për pasurinë e tyre, apo për emrin e tyre në histori. Jo liri për të shfryrë komplekset psikologjike, por përgjegjësi, përgjegjësi të madhe para qytetarëve të vendit. Pra jo privilegj, jo privilegj por sakrificë. Ne duam pra të ndryshojmë kahjen dhe motivin e luftës elektorale. Jo një luftë për të kapur resurset e shtetit, jo një luftë për të kapur pasuritë, pusin apo burimin e të ardhurave publike, po një betejë për të marrë përsipër barrën e rëndë  përfaqësimit, sakrificat e mëdha të përfaqësimit, të aspiratave, halleve, problemeve e një populli të tërë.

Shtrembërimi apo deformimi i kursit të shtetit ligjor në Shqipëri nuk është ndalur nga “Triaspolitika” sepse në Shqipëri nuk ka më“Triaspolitika”, pra nuk ka më ndarje pushtetesh. Legjislativi shqiptar në vitet e 25-të  apo e 23-të , të Republikës së lirë shqiptare është katandisur në një noter gojëkyçur të kryeministrit.

Gjykatat shqiptare dhe prokuroria shqiptare janë sot zogjtë më të trembur të realitetit demokratik shqiptar përballë një ekzekutivi që i ka vënë poshtë. Dhe i vetmi test i llogaridhënies popullore, i vetmi test, e vetmja pengesë për arbitraritetin e pakufishëm janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Por testi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nuk kaloi në qershor të këtij viti sepse e vetëdijshme dhe e frikur për konsekuencat e arbitraritetit, e korrupsionit, e krimit të ngritur në sistem dhe sistemit  të inkriminuar, qeverisja aktuale bëri gjithçka për të kapur dhe shkatërruar zgjedhjet lokale të 21 Qershorit .

Për dy muaj kryeministri pushoi së qënuri kryeministër dhe u kthye në fushatistin numër një. Për dy muaj kryetari i Kuvendit pushoi së qënuri kryetari i Kuvendit dhe u kthye  në kryefushatistin  e formacionit të tij politik. Harta u ndërtua me një qëllim për të kapur në tavolinë mundësisht të gjitha bashkitë e vendit. Kontingjentet kriminale në vend që të spastroheshin nga, nga listat ashtu sikur kishin rënë dakord me marrëveshjen e 24 dhjetorit, u rifutën u hodhën me vrull në betejën elektorale .

Miliona euro të vjedhura, e të zhvatura nga doganat e shqiptarëve, nga tenderat, nga prokurimet publike, nga aferat e pista, nga nafta, nga Albpetroli, nga cigaret, nga shëndetësia, nga droga, miliona euro, prapëseprapë një fraksion i atyre u derdhën me pikatore për të blerë votën e shqiptarëve, në përpjekjen më të turpshme dhe më të nxirë për të blerë dinjitetin e tyre për t’i mbyllur gojën duke shfrytëzuar varfërinë e tyre. Shkatërrimin e zgjedhjeve të 21 qershorit është një kambanë alarmi për të gjithë ne këtu , miqtë tanë që i duan të mirën Shqipërisë. Ai shkatërron  instrumentin e fundëm të mbetur për llogaridhënie në një shoqëri demokratike. Shkatërron valvulin e fundit, mundësinë e fundit për një tranzicion paqësor dhe llogaridhënie paqësore. Krijon të gjitha premisat për konfliktin social dhje përplasjen civile, të cilën instrumenti demokratik është dizenjuar jo vetëm ta mënjanojë por ta zhdukë.

Thënë ndryshe kur bie shteti ligjor, kur nuk ka më shtet të së drejtës por shtet të së padrejtës, kur nuk ka më garanci për të drejtat elementare të njeriut të shkruara në Kushtetutë, kur nuk ka më pushtet gjyqësor apo legjislativ që t’i bëjë barrë furisë së arbitraritetit dhe arrogancës të qeverisë, kur kapen dhe zgjedhjet, atëherë çfarë mbetet, atëherë çfarë mbetet?

Unë besoj se kemi dhe një shans të fundit, dhe shansi është të ndërtojmë së bashku një konsensus të madh shoqëror që na lidh jo vetëm të djathtën, jo vetëm qendrën dhe qendrën e djathtë, por të djathtë e të majtë sepse kjo që po ndodh nuk ka të bëjë aspak me të majtën.

Oligarkia, inkriminimi, vjedhja e votës nuk janë domosdoshmërisht tipare të së majtës. Rritja e taksave, po vjedhja e tyre, shpërdorimi i tyre, pra ulja e shpenzimeve sociale, ulja e ndihmës ekonomike, ngrirja e pensioneve, ulja e rrogave nuk janë aspak tipar i së majtës.

Dhe dua t’i drejtohem sërish sot socialistëve shqiptar siç i jam drejtuar këto ditë publikisht por edhe privatisht në biseda me disa prej tyre, e t’ju them se unë e mirëkuptoj frustrimin e tyre dhe se ndaj me ta të njëjtin frustrim dhe se përballjen ne nuk e kemi me kreun socialist të Shqipërisë, nuk e kemi me ideologjinë e Partisë Socialistë të Shqipërisë po e kemi me mentalitetin e një bande e cila vjedh, shpërdoron, godet, harbutëron dhe batërdinë një vend të tërë. Pra, kjo nuk është një përplasje ideologjike. Me këtë dua të them se ajo që na bashkon dhe duhet të na bashkojë nuk ka të bëjë me ideologjinë. Patjetër që ne duhet të rakordohemi që vota e lirë është themeli i një shoqërie të drejtë, kush nuk rakordohet për këtë nuk ka vend për këtë konsensus shoqëror, por unë besoj që rreth kësaj vlere duhet dhe do të bashkohemi të gjithë, të djathtë e të majtë. Patjetër që duhet të rakordohemi që Shqipëria meriton elita të painkriminuara e kjo s’do të thotë vetëm ligj kundër dekriminalizimit, e pastaj të fillosh të bësh vaksina si t’i bësh bisht ligjit. Të heqësh Arben Ndokën nga Parlamenti e ta bësh kryetar të Partisë Socialiste të Lezhës që nesër të sjellë mbesën 22-vjeç në Parlament e të thotë ja u dekriminalizova. Por faktet kanë ndërtuar një Parlament me kukulla të krimit. Për këtë duhet vullnet politik dhe kjo qeveri e ka dëshmuar se nuk e ka këtë vullnet politik, e ka dëshmuar këto dy vite dhe po e dëshmon me aktin themelor të politikës qëështë buxheti i shtetit për vitin 2016.

E gjitha kjo nuk ndodhi në një rrafsh teorik, ekonomia shqiptare është në krizë të thellë. 73 mijë njerëz kanë humbur vendet e punës vetëm në muajt shtator-tetor si rezultat i politikës së kërbaçit kundër biznesit të vogël. 100 mijë shqiptarë dergjen në kampet e refugjatëve në Gjermani. 200 mijë të tjerë kanë aplikuar në Ambasadën Amerikane për t’u larguar nga Shqipëria, pra me anë të “Grën Card”. Këto nuk janë shifra që i shpik opozita, sikundër dufi dhe zemërata popullore para dy ditësh tek “Dëshmorët e Kombit” nuk ishte  skenar i opozitës, aspak. Dhuna e vërtetë është dhuna e qeveritarëve ndaj të pamundurve. Dhuna e vërtetë është dhuna ndaj të papunëve të cilët nuk kanë më asnjë shpresë se e nesërmja do t’ju sjellë një vend pune. Dhuna e vërtetëështë ndaj biznesit të vogël i cili këtej miklohet gjoja ulje taksash e nga ana tjetër kërcënohet me tre vite burg. Dhuna e vërtetëështë ndaj studentëve të cilët iu janë ndërprerë studimet në disa filiale anembanë Shqipërisë dhe u janë pamundësuar me mijëra prej tyre ndjekja e studimeve për shkak të tarifave të rritura. Dhuna e vërtetëështë ndaj fermerëve të cilëve sot jo vetëm që nuk u jepet ajo që u është premtuar, subvencione për bujqësinë, lehtësi për 50 përqind popullsisë qëjeton me punën më të vështirë në vend, por iu mohohet edhe tregu. Dhuna e vërtetëështë dhuna ndaj klasës sëmesme shqiptare e cila sot goditet me tënjëjtën urrejtje patologjike siç goditej nga regjimi komunist për 40 vite me radhë. Kësaj radhe me tatime e taksa të shtuara, me sigurime shoqërore të shumëfishuara, pra me një urrejtje tëverbër për pavarësinë që ajo përfaqëson apo duhet të përfaqësojë në një shoqëri të lirë.

Dhuna e vërtetëështë ajo ndaj medias dhe shtypit të lirë e cila sot gjendet në kërcënimin më të madh të këtyre 25 viteve sepse investimi më i madh i një qeverie të kapur me “presh në duar” duke ndërtuar shtetin e të padrejtës, duke goditur themelet kushtetuese të ligjit, duke vjedhur zgjedhjet, duke vjedhur taksat, duke inkriminuar politikën është duke krijuar një realitet paralel, një Matrix përmes lobistëve më të shtrenjtë të botës përmes korruptimit dhe blerjes së medias, përmes shantazhit ndaj atyre që nuk korruptohen dhe blihen dot me herën e parë.

Kjo është një sfidë e jashtëzakonshme dhe Partia Demokratike ka një vullnet të jashtëzakonshëm për t’iu kundërvënë kësaj sfide. Por ne kemi nevojë që në këtë kundërvënie të bashkohemi e të bashkëpunojmë sa më mirë.

Në radhë të parë vetë brenda partisë tonë, ku tashmë pas 25 vitesh është krijuar një korpus i jashtëzakonshëm eksperience dhe vlerash, i cili e ka për detyrë jo thjesht do të mbajë dhe do të vazhdojë të mbajë flamurin e këtyre vlerave. Por po kështu të inspirojë dhe të instalojë një kontingjent të ri, të spikatur individësh që kanë ardhur në Partinë Demokratike sot në opozitë për të dhënë e jo për të marrë, t’i kujtojë përmes transmetimit të këtyre vlerave dhe për këtë Fondacioni për Liri e Demokraci është dhe duhet të jetë një platformë produktive, një platformë ku kapitenët e mendimit dhe veprimit demokratik në këto 25 vite do të dinë të frymëzojnë dhe të drejtojnë kapacitetet dhe potencialet e reja drejt pjekjes së tyre si kapitenët e ardhshëm, ndoshta jo të 4 –viteve por të 8,12 dhe16-viteve.

Koha për të nisur procesin e ndërtimit të elitave të ardhshme politike të Partisë Demokratike është tani.

Së dyti, si një proces, një platformë për të ngërthyer një dialog shumë më tëgjerë se brenda Partisë Demokratike apo aleatët tanë, ku janë të mirëpritur e duhet të vijnë të gjithë ata që bashkohen me kërcënimet kryesore dhe përballjen ndaj tyre të gjithë ata që besojnë se nuk ka e nuk duhet të ketë vend për inkriminim të politikës, të gjithë ata që besojnë se vlera më themelore i një shoqërie të lirëështë vota kundër e lirë, janë të mirëpritur. Sepse këto janë sfida që nuk presin, as për persiate teorike, as për trajtime laboratorike libreske por për një aleancë të fuqishme në funksion të zhbërjes së këtij rreziku të madh.

Por nuk është vetëm kaq, Partia Demokratike sot  ofron një vizion, një vizion me një demokraci të një modeli dhe parametrave të ri, në shumë aspekte të paparë, të pashkelur, pra tëpandierë dhe të papërfituar nga qytetari shqiptar në këto 25 vite.

Të një demokracie pjesëmarrëse ku qytetarët nuk janë thjesht ata të cilët Kushtetuta i detyron të zgjedhin në 4 vite e pastaj për 4 vite harrohen derisa vjen radha për zgjedhjet e tjera.

Por janë ata të cilët përmes instrumentevetë përhershme politike dhe ligjore kanë në dorë fijet, e nuk janë në dorë fijet e një elite politike. Një reformë elektorale dhe zbatimi i saj do të bëjë të mundur qëçdo shqiptar ta dijë e ta ndjejë veten të përfaqësuar në sallën e Kuvendit e kudo ku merren vendime për të.

Një reformë kushtetuese qëgaranton se cilido pushtet që vjen, në vend të ngrefoset me 1 milionë shuplaka apo me shprehje të tjera të arrogancës fëminore e injorancës proverbiale të kësaj klase politike që e mendon akoma pushtetin si mjet shtypje, të matet dy herë para se t’i vërsulet themeleve të përbashkëta kushtetuese dhe garancive kushtetuese që ligji jep, jo vetëm për shumicën por edhe për pakicën në një demokraci.

Së treti, një vizion që do të bëjë të mundur që shqiptarët ta gëzojnë lirinë, jo vetëm në kuptimin teorik të fjalës por në kuptimin e lirisë së fjalës, lirisë së shprehjes, lirisë së votës, lirisë së besimit në Zot,por edhe lirisë për të bërë para dhe për t’i gëzuar paratëduke patur shanse të barabarta. Jo kur 1 përqind e popullsisë kontrollon 90 përqind të pasurisë. Por ku pasuria vihet në bazë të aftësive të gjithsekujt në kushte të ndershme loje e konkurrence të barabartë dhe për këtë shteti është dhe duhet të jetë garant.

Kjo kërkon një rikonceptim të idesë së pushtetit dhe mbi të gjitha një përqasje të re të dialogut të pandërprerë midis pushtetit, pra qeverisjes dhe çdo faktori tjetër, faktorëve ekonomikë, faktorëve shoqëror, e nëkushtet e një djerrine të një Shqipërie me sindikata të dobëta e inekzistente, me formime shoqatash biznesi që shpeshherë nën intimidimin qeveritar kanë frikë të thonë atë që duhet të thonë, dhe po kështu kanë frikë të thonë atë që duhet të thonë edhe kur i thërret opozita. Opozita të marrë rolin që i takon dhe jam i bindur që roli që na takon është emancipimi i plotë shoqëror,në mënyrë që kjo demokraci e re pjesëmarrëse, këtë formulë, këtë model të cilën sot e gëzojnë shumica dërrmuese e vende europiane, që lanë pas komunizmin 25 vite më parë të fillojnë ta prekin edhe shqiptarët, jo thjesht në teori por në praktikë.

Thashë që ishte një temë e gjerë dhe që koha nuk do të ishte e mjaftueshme për të ngërthyer gjithë këtë temë dhe besoj se jam zgjatur boll sot. Sigurisht Fondacioni nuk është zgjidhja e çdo problemi por unë kam bindjen z.Imami, kam besim se ju, bordi i këtij Fondacioni do të jeni premisa e një platforme të shkëlqyer për të kapitalizuar maksimalisht eksperiencën, përvojën e çmuar të elitës që bëri ndryshimin 25 vite më parë, elitë që për fatin e mirë të Shqipërisë, Partisë Demokratike dhe timin si kryetar i saj e gjej në masë të madhe të pranishëm sot në këtë sallë.

Ju faleminderit!


Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në krimin e Fondacionit për Liri dhe Demokraci (FLD)