Marrëvëshja e huasë midis qeverisë së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim Abu Dhabi, për financimin e projektit të Bulevardit verior dhe rehabilitimin e Lumit të Tiranës është një marrëveshje e rëndësishme,  për dy projekte të rëndësishme për qytetin e Tiranës dhe atë të Kamzës.

Të dy projektet janë përgatitur dehe kanë filluar nga qeveria e PD dhe në kohën kur Bashkia Tiranë drejtohej nga Z Basha. Por ky projekt u bllokua nga Kryeminstri Rama. Dhe pse? Sepse kryetari i Bashkisë ishte kundërshtari i tij politik, Kryetari i PD-së. A mund të imagjinohet për një vend demokratik, që Kryeministri, për hir të luftës politike kundër Kryetarit të opozitës, të marrë vendime kundër interesit dhe nevojave immediate të qytetarëve që e kanë zgjedhur atë si Kryeministër? Por ja që Kryeministri Rama e bëri këtë, e bllokoi realizimin e këtij projekti.

Dëmet e shkaktuara nga shirat e një muaji më parë tregojnë sesa i rëndësishëm ishte realizimi i investimit për rehalbilitimin e Lumit të Tiranës.

Projekti i Lumit të Tiranës duhet të realizohet sa më shpejt. Përndryshe, qindra familje përgjatë këtij lumit, që i përkasin njësive 4, 8, 9, 11 të Bashkisë Tiranë si dhe të lagjeve Babrru, Paskuqan, Valias dhe Laknas të Bashkisë Kamëz, do të jenë të pasigurtë dhe të kërcënuar nga përmbytjet, sa herë do të ketë rreshje shiu. Dhe tani ju nuk keni asnjë pengesë: vetë jeni në qeverinë qendrore, vetë qeverisni edhe Bashkinë Tiranë. Realizoheni pra këtë investim kaq të rëndësishëm për qytetarët e e Bashkisë Tiranë dhe Bashkisë Kamëz.

Të nderuar kolegë,

Seanca e së enjtes së kaluar dhe kjo e sotmja po shoqërohen nga protestat e qytetarëve. Ky është një lajm shumë i mirë për demokracinë shqiptare, për gjithë qytetarët shqiptarë, por sigurisht jo për këtë qeveri të dështuar. E gjithë Shqipëria është në protestë. Sot po protestojnë të rinjtë para Kuvendit. Nëse cdo protestë qytetare është një lajm i mirë për demokracinë, protestat e të rinjve janë një lajm dy herë më i rëndësishëm për demokracinë dhe të ardhmen e vendit.

Po pse proteston rinia? Sepse kauza e saj e Dhjetorit ’90 është jo vetëm e parealizuar por edhe në rrezik real!

Rinia proteston sepse, sot, ky grup shoqëror është më i pashpresi në vend. Rinia, e ka kuptuar, se në Shqipëri është goditur për vdekje themeli i Lirisë dhe Demokracisë – Vota e lirë. Dhe më vjen mirë që oratorët e rinj, që përshëndetën protestën e sotme të të rinjve, ia thanë troç Ramës dhe qeverisë tij: Në Shqipëri është asgjësuar vota e lirë!  Pra, të nderuar deputete dhe deputetë, rinia po na kërkon llogari, ne, përfaqësuesve të politikës, përse është goditur kauza e studentëve dhe rinisë së Dhjetorit ’90: Vota e lirë si djepi i Lirisë dhe Demokracisë!

Pse proteston rinia? Sepse është e papunë!

Papunësia ndër të rinjtë është mbi dy herë më e lartë se sa mesatarja e papunësisë në vendin tonë. Nuk ka të dhëna të sakta, por mbi 40 % e të rinjve janë sot të papunë.

Klima antibiznes që ka shkaktuar kjo qeveri ndaj sipermarrjes me politikat krejt të paparashikueshme fiskale, aksioni selektiv dhe ideologjikisht i frymëzuar gjoja kundër informalitetit, pasiguria e përgjithshme për investime të reja, dhe një sërë masash të tjera të ndërmarra nga kjo qeveri, kanë bërë që sipërmarrja të tkurret. Kjo ka cuar në një bilanc negative midis mbylljes së bizneseve ndaj hapjes së bizneseve të reja, pra më shumë biznese janë mbyllur sesa ato që hapen, cka ka bërë që të shtohet ushtria e të papunëve, sidomos atyre në moshë të re. Vetëm gjatëë kësaj periudhe të aksionit kundër informalitetit, 73000 të rinj dhe kryefamiljarë kanë dalë të papunë, i janë shtuar ushtrisë së të papunëve.

Ndërkohë, politikat e nxitjes së krijimit të sipërmarrjeve të të rinjve, janë thuasje sporadike. Fondi për nxitjen e vetpunësimit e të rinjve është krejtësisht i pamjaftueshëm.

Përvoja e vendeve të BE, sidomos të atyre që u prekën më shumë nga kriza, dhe që kishin nivelin më të lartë të papunësisë së të rinjve, si Greqia, Spanja, Portugalia, Italia, dis nga vendet e reja të BE, tregon se rruga kryesore e uljes së papunësisë është nxitja e krijimit të bizneseve të reja të të rinjve.

Të rinjtë janë pa punë sepse punësimi i të rinjve është bërë kundrejt librezës së antarësisë në partitë në pushtet dhe forumet e tyre, ose kundrejt ryshfetit, por jo në bazë të meritës. Nuk luan rol që ke qenë student i shkëlqyer, madje edhe në ndonje universitet pretigjioz të huaj, nëse nuk je antar i FRESh ose LRI, nuk paguan, apo nuk ke ndonje mik nga PS dhe LSI, nuk ka gjasa të punësohesh në sektorin publik dhe pushtetin vendor. Për fat të keq, kjo frymë po përhapet me shpejtësi në gjithë sektorin publik. Edhe në qeverisjen tonë kanë ndodhur gjëra të tilla. Por ju e keni zhvilluar këtë dukuri në mënyrë eksponenciale.

Ku na con kjo rrugë? Si mund të vriten shpresat e të rinjve që kanë investuar seriozisht në shkollimin e tyre me nivel të lartë? Si mund të shkatërrohen përpjekjet dhe investimi i familjeve shqiptare për shkollimin e fëmijëve të tyre, për të patur një karrierë profesionale dinjitoze në vendin e tyre.

Pse pse proteston rinia? Sepse shkollimi po shtrenjtohet cdo ditë!

Në dhjetorin e vitit 1990, për gati 90% e të rinjve, që përfundonin arsimin e mesëm, ishte i pamundur vazhdimi i studimeve universitare. Vetëm rreth 5% e grupmoshës 18-23 vjec vijonin studimet universitare. Shqipëria me rreth 3,5 milion banorë kishte vetëm rreth 20 mijë student, tetë herë më pak sesa sot.  Në regjimin diktatorial komunist arsimimi i lartë ishte një privilegj dhe përzgjedhja e studentëve  ishte më së pari politike! Një maturant i shkëlqyer nga një familje “e prekur” nuk mund të vijonte studime universitare edhe pse ishte i shkëlqyer!

Cfarë po ndodh sot? Mundësitë për të vijuar studimet e larta ekzistojnë, por ato po kushtëzohen nga mundësitë financiare, pra gjendja ekonomike e studentëve dhe familjeve të tyre. Kjo prek në mënyrë të vecantë studimet e ciklit të dytë, Master, sepse tarifat e studimeve janë shumë të larta dhe të papërballueshme, jo vetëm për familjet e shtresës së varfër por edhe ato të shtresës së mesme të popullsisë. Studentët e rretheve, të cilët nuk mund të studiojnë në rrethin e tyre, pra afër qendrës së banimit,  e kanë dy herë më të shtrenjtë koston e shkollimit universitar, sepse duhet të përballojnë edhe shpenzimet e jetesës. Aq të shtrenjta janë studimet universitare të masterit në vendin tonë, saqë studentëve të rretheve u duhen rreth 4000 USD në vit për të vijuar studimet  Masterit jashtë rrethit të tyre. Me një shtesë prejt rreth 500 deri 1000 USD në vit, studentët e rretheve mund të vijojnë studimet e masterit në disa shtete të BE, kur tarifat janë shumë të ulëta ose zero!

Pse proteston rinia? Sepse varfëria e familjeve të tyre po rritet cdo ditë!

Varfëria po rritet me shpejtësi. Një e treta e popullsisë jeton në varfëri, sipas statistikave të Bankës Botërore.

Heqja e rreth 20000 mijë familjeve nga skema e ndihmës ekonomike goditi rëndë jetesën e rreth 100000 fëmijë, të rinj dhe prindër në mbarë vendin. Me buxhetin e vitit 2016 ju do të hiqni edhe 10000 familje të tjerë, pra edhe 50000 fëmijë, të rinj dhe prindër do të jenë në vështirësi serioze për bukën e gojës.

Pse proteston rinia? Rinia proteston kundër frymës së qeverisjes përmes frikës dhe shtetit policor.

Kjo qeveri ka si moto të saj raportin thellësisht mosbesues me qytetarin. Qeveria është ajo e pagabueshmja, ndërsa, sipas saj, cdo qytetar është shkelës i ligjit. Ramës i është krijuar iluzioni se ai dhe qeveria e tij kanë për mision të edukojnë një popull që nuk njeh ligj dhe rregull! Prandaj, në këto dy vjet Rama dhe qeveria e tij po përdorin strategjinë e nxirrjes për cdo gjë në Shqipëri, karakterizimit të cdo problematike si “katastrofale”,  etj, për të legjitimuar kundërveprime me masa ekstreme ndëshkuese edhe ndaj qytetarëve të thjeshtë. A nuk u përdor kjo strategji për ndërhyrjet ligjore madje edhe në Kodin Penal për legjitimimin e ndëshkimeve e dënimeve ekstreme për energjinë, ndihmën sociale, ndërtimet pa leje, dhe, tani së fundi, për informalitetin në ekonomi? E gjitha kjo është e shoqëruar edhe me një strategji mediatike intensive, e cila gati i ka terrorizuar qytetarët. Për cdo quasi reformë Kryeministri fillon një fushatë mediatike të nxirrjes, të paraqitjes së gjendjes katastrofë, denigrimit të punonjësve që shërbejnë në atë sector, pastaj vazhdohet me aksione të quajtuara gjoja aksione të të bëri shtet! Kështu ia arriti kjo qeveri me sukses të ngjall frikën në popull, sidomos në shtresën e varfër, dhe të mbush burgjet dhe qendrat e paraburgimit edhe me qytetarë që kishin lidhur energjinë qoftë edhe për ndricimin e një dhome. Sot Kuvendi miraton një Amnisti për të falur një masë të madhe të dënuaris,  për shkak të aksioneve të kësaj qeverie dhe ne do ta mbështessim këtë amnisti.

Por a ka ndonjë amnisti që rikthen normalitetin në këtë vend, që zhduk frikën e përhapur nga kjo qeveri dhe besimin se në këtë vend mund të jetohet?! A ka ndonjë amnisti që mund të rikthej shpresën e humbur?

Pse proteston rinia? Rinia proteston kundër eksodit masiv të qytetarëve, sidomos të të rinjve nga vendi.

Rreth 100 mije qytetarë shqiptarë janë larguar për Gjermani dhe vende të tjera të BE. Mbi 200 mijë qytetarë kanë aplikuar për green card në SHBA. Shumica e tyre janë të rinj, madje edhe të mirëshkolluar.

Shqipëria do përballet shumë shpejt me largimin masiv të të rinjve nga vendi drejt vendeve që vuajnë për fuqi të re punëtore. Kjo do të shkaktoj një humbje të madhe për vendin. Shqipëria, edhe pse nuk ka një strukturë popullsie të plakur, do të bëhet artificialisht e tillë për shkak të largimit masiv të të rinjve nga vendi. Dhe ky eksod nuk do të ndalet, sa kohë të rinjtë nuk kanë shpresë që mund te jetojnë dhe të ndërtojnë një karrierë profesionale dinjitoze në Atdheun e tzre.

Cfarë kërkon rinia?

Rinia po kërkon të ardhme në vendin e saj. Kërkon liri të vërtetë, demokraci funksionale, shtet ligjor dhe qeverisje të dalë nga vota e lirë, punë, shkollim,mirëqënie, dhe një Shqipëri normale. Por, rinia nuk e prêt asgjë nga kjo qeveri. Rinia sot e tha fjalën e saj. Kjo qeveri i ka mbaruar ditët e saj. Ajo duhet të largohet. Vendi duhet të shkoj në zgjedhje të parakohshme me një qeveri teknike, që e garanton votën e lirë, për të cilën u ngritën të rinjtë dhe gjithë qytetarët shqiptarë 25 vite më pare, në dhjetorin 1990.

Kolege dhe kolegë deputetë,

Të dashur qytetarë,

Jemi në fund të vitit 2015. Kjo është seancë e fundit parlamentare për këtë vit.

Kryeministri dhe ministrant e tij po dërgojnë kartolina urimi. Po cfarë përbajnë këto kartolina për qytetarin? Asgjë. Ato përmbajnë varfërinë që po thellohet, papunësinë që po rritet, dështimin total të kësaj qeverisje dhe shpresën që po vritet cdo ditë e më shumë nga kjo qeveri.

Nëse qytetarët do ti dërgonin kartolinë urimi Ramës dhe qeverisë së tij, cfarë do ti shkruanin? Shumë thjesht. Koha juaj mbaroi. Nuk mbajtët asnjë premtim. Largohuni dhe hapni rrugën për zgjedhje të parakohshme me një qeveri teknike.

Faleminderit.


Fjalimi në Kuvend i deputetit të PD, Myqerem Tafaj, 21 Dhjetor 2015