Mirë se ju gjej anëtarë të Forumit Rinor, demokrate dhe demokratë të rinj të Fierit, të Mallakastrës dhe të Patosit dhe ju falënderoj nga zemra për këtë pritje të nxehtë në Kuvendin e 19-të Kombëtar !
Në këtë debat të zjarrtë e plot pasion, plot emocion ku rinia fierake, mallakastriote dhe e Patosit do të zgjedhë me një anëtar një votë drejtuesin e saj të ardhshëm. Kjo garë entuziaste, pjesëmarrja në të është shenja më e qartë që rinia shqiptare i jep Partisë Demokratike. Rinia është gjeneza e forcës tonë politike, rinia është dhe do të mbetet zemra e Partisë Demokratike, rinia është karburanti, energjia, vendosmëria jonë, rinia është forca e ndryshimit që na pret dhe do ta bëjmë.
Unë dua të përgëzoj nga zemra të gjithë ata që në këto muaj punuan intensivisht për anëtarësime dhe rianëtarësime në Forumin Rinor të Partisë Demokratike këtu në Fier, Patos, Mallakastër e anembanë Shqipërisë. Dua t’i përshëndes përzemërsisht ata mijëra të rinj dhe të reja, vajza dhe djem që janë bashkuar për herë të parë dhe që do të jenë që këtej e tutje pjesë e pandarë e betejes tonë politike, Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Dua t’ju them se keni ardhur në një familje politike që e ndjen thellë peshën e përgjegjësisë, peshën e përgjegjësisë së madhe që do të thotë të jesh anëtar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Shqipërisë, partisë së lindur nga studentët çlirimtar të para 25 viteve nën drejtimin e Azem Hajdarit, Sali Berishës, Gramoz Pashkos, studentëve dhe intelektualëve, elitës demokratike të kombit e cila në 25 vite më parë i dha frymë lirisë kombëtare dhe e mposhti 50 vjet errësirë, diktaturë, terror.
Kohë të vështira që për fat të mirë shumica dërrmuese prej jush nuk ka se si t’i mbajë mend. Kohë kur guximi njerëzor ishte strukur dhe ruhej vetëm në zemra më të pamposhtura, shumica prej të cilave lëngonin prapa hekurave. Por elita e kombit dhe së pari e mbi të gjitha studentët shqiptarë, e kuptuan që liria nuk do të vinte nga qielli, që liria ishte mes nesh dhe ne vetëm duhej të zgjasnim duart tona për të prekur lirinë njësoj siç prekin besimtarët fytyrën e Zotit kur i luten atij. Dhe i dhanë fund heshtjes, i dhanë fund përuljes, u ngritën, çliruan Shqipërinë nga makthi diktatorial dhe hapën rrugën e pandalshme të lirisë dhe demokracisë.
Ndërkohë që të rinj dhe të rejat e Forumit Rinor, ju të dashur të rinj demokratë e demokrate të Fierit, Mallakastrës dhe Patosit ushtroni të drejtën më sublime të një njeriu të lirë në demokraci, lirinë për të zgjedhur me votën tuaj fshehtazi dhe sipas vullnetit tuaj atë që gjykoni ju se është personi më i aftë për të marrë drejtimin e Forumit Rinor, ju ushtroni po kështu një përgjegjësi të madhe. Liria dhe përgjegjësia janë të pandashme, çdo ndarje, çdo hendek midis dyjave vjen me një faturë të madhe për atë shoqëri që e toleron këtë. Ndaj jam i bindur që me këtë liri, lirinë absolute të ndërgjegjes tuaj dhe me përgjegjësi absolute do të votoni sot pasi të dëgjoni platformat e të gjykoni të lirë mbi aftësitë e gjithsecilit prej kandidatëve. Të cilëve veç e veç e të gjithëve së bashku ju uroj sukses!
Por votimi juaj sot dhe votimi në ditët e ardhshme përmbyllës në Tiranë, është shumë më shumë se një hap organizativ për Forumin Rinor të Partisë Demokratike. Ky është një kushtrim, një kushtim se rinia demokrate po bëhet gati për betejën e ardhshme, betejën ku na ka thirrur koha, betejën ku na kanë thirrur shqiptarët. 25 vite më parë lufta kundër diktaturës, ngritja kundër terrorit ishte hapi më i madh që çliroi Shqipërinë.
Sot një tjetër diktaturë kërcënon shqiptarët, rrezikon, ndrydh, shkatërron të ardhmen e tyre, të sotmen e tyre. Kjo është diktatura e krimit, kjo është diktatura e korrupsionit, kjo është diktatura e papërgjeshmërisë, e arrogancës, e harbutërisë dhe e batërdisë që e ka emrin Edi Rama dhe Ilir Meta.
Për dy vite me radhë ne demokratët dhe ju rinia demokrate u përballën dhe u përballëm fort me rilindjen e së keqes. Ne që nuk besuam për asnjë çast për premtimet e bukura por boshe për 300 mijë vende pune, për shëndetësi falas, për legalizim falas, për akses në arsimin e lartë dhe përmirësim të cilësisë së arsimit.
Ne që nuk besuam asnjëherë për mashtrim të uljes së taksave, për ulje çmimesh e rritje të mirëqenies. Ne u përballëm ditë për ditë e orë për orë me gënjeshtrat e tyre, me mashtrimet e tyre, me pafytyrësinë e tyre, me pasinqeritetin e tyre, me krimin që e sollën në sallën e Parlamentin dhe bashkitë e Shqipërisë dhe kudo në administratë.
Me korrupsionin që iu ka kushtuar vetëm këtë vit Fierit dhe shqiptarëve 1.2 miliardë euro, para që përndryshe do të ktheheshin në pensione më të larta, rroga më të larta, në bursa studimi, në mundësi për një shëndetësi më të mirë e më përgjegjëse për qytetarët shqiptarë, në punësim, në mirëqenie, në ndihmë ekonomike po që sot e gjithë ditën janë kthyer në pasuri përrallore për këta sheikë korrupsioni, për dyshen Rama-Meta dhe 40 hajdutët e tyre.
Faktet njihen botërisht e pas dy vite përballje, e denoncime nuk ka shqiptarë që nuk e di se Republika e Shqipërisë sot nuk ka më një qeveri legjitime kushtetuese por një bandë hajdutësh që duhen larguar një orë e më parë.
Bandë hajdutësh, kështu akuzojnë qytetarët e Fierit në takime që kam patur me ta. Kështu akuzojnë fermerët e Petovës. Kështu akuzojnë nga Mallakastra në Selenicë, nga Devolli në Lushnjë, nga Shkodra në Vlorë. Kështu i akuzojnë edhe ata socialistë të ndershëm që besuan me të vërtetë se me ardhjen e rilindjes do të rilindte me të vërtetë shpresa dhe sot shohin që ka rilindur krimi, kriminelët, trafikantët, vrasësit të cilët janë veshur me pushtet nga padronët e tyre Edi Rama dhe Ilir Meta e sot kanë në dorë fatet e mijëra e mijëra familjarëve, fatet e ekonomisë kombëtare.
A mos vallë është një makth i krijuar nga opozita, një panik i hapur më së koti ? Shifrat përgënjeshtrojnë Edi Ramën dhe propagandën e tij bajate. Shifrat tregojnë se Shqipëria sot është në depresionin më të thellë me 100 mijë refugjatë, numrin e dytë më të madh pas sirianëve në Europë. Ky turp, kjo gjëmë e zezë e ka emrin Edi Rama. Me 200 mijë shqiptarë, 200 mijë familje shqiptare, pra afro 600 mijë shqiptarë që kanë aplikuar për Lotarinë Amerikane për t’u larguar nga sytë këmbët, nga vendi i tyre. Kjo dramë e madhe e ka emrin Edi Rama.
Me 73 mijë biznese, sipërmarrje, 73 mijë vende pune të shkatërruara vetëm në shtator-tetor si rezultat i represionit, i kërbaçit, i harbutërisë të zuzarëve që i thonë vetes tatimorë dhe të bandave me uniformë që vërsulen në biznesin e vogël për të nxjerrë dhjamë nga pleshti kur balenat e korrupsionit bëjnë kërdinë në dogana dhe tatimet e shqiptarëve me bekimin e Edi Ramës, me bekimin e hajdutëve të tij. Këto janë faktet dhe këtyre fakteve nuk mund t’u iket.
Por më e zeza është ajo që kanë planifikuar për vitin e ardhshëm. Asnjë reflektim, vetëm gënjeshtra, vetëm propagandë dhe një buxhet që tregon qartë se banda ka ndërmend vetëm ta thellojë zullumin, ta bëjë më të dhimbshme jetën për shumicën e shqiptarëve, të shtojë vjedhjet.
60 milionë dollarë, 60 milionë dollarë kanë raportuar mediat sot, kanë planifikuar t’i zhvasin e t’i vjedhin vetëm përmes dekorimit dhe ridekorimit të zyrave të tyre. Kjo është jo vetëm një hajdutëri por kjo është një pacipësi, një tallje me popullin që vetëm dikush e ka bërë para tij dhe siç raportonte sot media më prestigjioze në botë, BBC shqiptarët kanë ngritur gishtin dhe fajësojnë Edi Ramën njësoj siç fajësonin Enver Hoxhën. Dhe ky nuk po i lë gjë mangut me kërbaçin e ngritur dhe trajtimin e sipërmarrjes si armike. Nuk po i lë gjë mangut me përbuzjen dhe rishpronësimin e pronarëve. Nuk po i lë gjë mangut me shkeljen dhe burgosjen e të përndjekurve. Nuk po i lë gjë mangut me censurën, me poshtërimin, me mashtrimin ndaj rinisë studentore, me një palo ligj që do ta hedhim një orë e më parë në koshin e mbeturinave.
Nuk po i lë gjë mangut në adhurimin e xhelatëve të diktaturës, e ka marrë edhe ky rrugën e Enverit. Me 8 dhjetor t’i japim shtysën e fundit.
Ndaj nxitoni rini e Fierit e Patosit dhe Mallakastrës. Mbyllni sot këtë proces, votoni të lirë dhe bëhuni gati sepse përballja e 8 dhjetori nuk është një protestë dosido. Ne mblidhemi jo vetëm për të protestuar. Ne do të mblidhemi për t’i dhënë shqiptarëve zgjidhjen, zgjidhjen që gjithmonë e ka patur tek rinia dhe zgjidhja është largimi i qeverisë së kusarëve, largimi i Edi Ramës dhe 40 hajdutëve dhe hapja e një rruge të re për Shqipërinë.
Kush tjetër përveçse ju,kush tjetër përveçse rinia, shpresa e Fierit, shpresa e Shqipërisë!
Më 8 dhjetor në shesh për të rrëzuar diktaturën e krimit dhe korrupsionit.
Zoti e bekoftë rininë!
Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në konventën e FRPD në Fier, 3 Dhjetor 2015