Publikimi disa ditë më parë i Raportit të Bankës Botërore mbi Indeksin e Pagesës së Taksave sigurisht që nuk surprizoi, ai tregoi që sipas këtij indeksi për vitin 2016 Shqipëria renditet në vendin e 142, mes 189 ekonomive të marra në shqyrtim.
E ndërsa pozicionin e kemi të përkeqësuar nga një vit më parë kur ekonomia jonë renditej e 131, ajo çka godet më fort janë fqinjët tanë, për të cilët nuk ka pse të jemi ziliqarë tek shohim që sipas Raportit të indeksit të pagesës së taksave, Maqedonia zë vendin e 7 në nivel global, Mali i Zi të 64, Kosova të 67, na ngushëllon veç Serbia e cila renditet një pas nesh.
Raporti thekson atë çka shqiptarët e dinë, por tek e shkruan Banka Botërore merr tjetër kuptim për këtë politikën tonë lokale, Shqipëria eshte vendi që ka njohur rritjen më të madhe në normën totale të taksave në harkun e një viti me 5.2% dhe kjo për shkak të rritjes me 50% të taksës mbi pronën që shkoi nga 10 në 15%.
Shqiptarët paguajnë të njëjtin numër taksash si një vit më parë 34, por norma totale e taksave vlerësohet këtë vit 36.5%, përkundrejt 31.2 % të një viti më parë, pjesën më të madhe 18.8% e zënë taksat e punës, e ndjekur nga taksat mbi fitimin që zënë 14.1%.
Pse i solla këto të dhëna?
Sepse Kryeministri ynë, i vetëndjerë lider botëror, dhe ku them botëror ….. kam faktin, që na ka bërë vendin më pak të konkurrueshëm në rajon, norma e taksave 36.5 % krahasuar me Maqedoninë ku kjo normë fiksohet 12.9%, me Malin e Zi – 21.6%, Kosovën – 15.2 % dhe Kroacinë -20%,
dhe ky fakt flet vetë e pa ngjyra.
Ky kryeministër (kuptuar dhe kjo qeveri) e ka shndërruar veten në një bufon, që servir pa lidhje e kriter politika qesharake, as të majta dhe as të djathta; që ndryshojnë , vijnë e shkojnë në funksion të humorit e paqëndrueshmërisë mentale të tij dhe paaftësisë së ministrave të oborrit, politika që kanë sjellë e po sjellin pasiguri në jetën e shqiptarëve, pasiguri që e sheh jo pa shqetësim jo vetëm opozita ,që kanë qenë prerazi kundër tyre, por dhe Banka e Shqipërisë, Banka Botërore dhe e thekson se fundmi dhe raport-progesi i fundit i Bashkimit Evropian , por që reflektohet qarte ne terren , në hezitimin e biznesit për investime si edhe në tkurrjen e konsumit të qytetarëve.
Por le të hyjmë në çështjen që është në rendin e ditës, që vazhdon të jetë një nga qershitë mbi tortën e kësaj qeverie. Projekt ligji “ Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 7895 dt 21.1.95 – të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, ndryshuar, që ka për qëllim ashpërsimin e masave në luftën kundër veprave të rënda siç është informaliteti dhe kontrabanda.
Natyrisht, që kontrabanda dhe informaliteti duhen luftuar.
E kuptueshme qe ne kete pike ka dakortesi ne kete salle dhe jashte saj , veçanërisht kur flitet për kontrabandën dhe këtë e di fort mirë dhe Kryeministri prandaj bën pushime live të drejtorëve të doganave, pasi ka dështuar me të gjithë drejtoreshat e përgjithshme, jo nga aftësia a paaftësia e tyre, por nga korrupsioni dhe abuzimi me shtetin e tij dhe ministrave të tij.
Në vendet në zhvillim, ku kultura e respektimit të ligjit nuk ndërtohet lehtë, është pothuaj postulat që taksat e ulta janë më efikase, ndërkohë që rritja e tyre rrit informalitetin.
Edi Rama, mendon që në 2013 nis çdo gjë në Shqipëri, askush nuk e këshillon, ministri i financave mesa duket s’ka kurajo t’i tregojë shifrat para 2005 dhe pas 2005, para dhe pas taksës së sheshtë.
Taksa progresive – në kushtet e një recensioni ekonomik, të mungesës së burimeve të rritjes, mungesës së investimeve të huaja direkte dhe investitorëve strategjikë, natyrshëm solli dobësimin e biznesit, një pjesë u mbyllën – për shkak dhe të egërsisë së aksionit të informalitetit, një pjesë u tkurrën ……dhe këtë e reflekton mjaft mirë shkurtimi i 73 mijë vendeve të punës për shqiptarët në muajin shtator –tetor; fasonët që i kanë për zemër bashkë me Metën, nuk kanë rritje të punësimit; ndërkohë bankat plot me depozita po kreditojnë jashtë Shqipërisë.
Kjo qeveri ka humbur shikimin, teksa ka bërë dy herë rishikimin e buxhetit me ulje për fat të keq, po na provon çdo ditë që nga njëra anë nuk i mbledh dot të ardhurat dhe nga ana tjetër as është e zonja t’i përdorë ato që ka.
Buxheti është minus 7 miliardë në raport me rishikimin, ndërsa investimet kapitale 70%, shtuar kësaj që mund të ketë një rishikim tjetër të buxhetit ……..
dhe pikerisht ky kapitullim bën që të sjellin një projektligj që ofron vetem prangat dhe që rrit numrin e burgjeve.
Filozofia e kësaj të majte, zbras arkën e shtetit, mbush xhepat për oborrtaret e çon në burg shqiptarët .
Sipas KLSH 61% e mosrealizimit të të ardhurave të doganave lidhen me kontrabandën e cigareve dhe më shqip se kaq s’mund të ketë për shqiptarët.
Ky eshte fakt por qeveria ketu nuk gjen fajtor …..
Në se dikush që prodhon domate, paska problem me kuponat apo NIPT-in sekondar tani mund çojmë në burg, për të mos mos perseritur atë cka tha një prej deputetëve socialist që në burg do shkojë biznesi i vogël , se i madhi është punë klientele e qeverisë e kryeministrit bashkë.
E ndërkohë që tymi i cigareve te qeverise do vazhdojë të shkojë drejt,
mësymja shkon drejt biznesit të vogël apo mesëm ,
qe jo vetëm rrit papunësinë,
mbyll biznese e rrit varfërinë,
rrit frikën në treg e tkurr sipërmarrjen,
po kokërr leku nuk shton në arkën e shtetit,
tashmë këtë e keni dhe me provën e aksionit të dështuar të informalitetin.
Me ne fund kjo u kuptua…. e çfarë i mbeti Ramës ?
veç të bëhej qesharak tek deklaroi që do heqë tatim-fitimin për biznesin deri në 5 milion lekë të ardhura e tek improvizonte dialog të njerëzve të familjes së një dyqani me policinë e tatimeve të Brisildës.
Ky ligj që diskutuhet sot është turpi i kësaj qeverie, por dhe i kujtdo deputeti që do ngrejë kartonin.
Ju mund të gjobisni, mund të merrni masa administrative po ju s’mund të miratoni një ligj në kufijtë e absurdit.
Po ju permend vetem disa….
Edi Rama, konsideron vepër penale, sipas nenit 13:
- ushtrimin e një aktiviteti tregtar të paregjistruar dhe e dënon deri në 3 vjet burg;
- mosdeklarimin e të punësuarëve dhe e dënon deri në 3 vjet burg;
- moslëshimin e kuponit tatimor e dënon deri ne 1 vjet burg..
Besoj kushdo e kupton që tre pikat e mësipërme t’i barazosh është e padrejtë, por të dënosh me burg për kuponin është përtej marrëzisë globale, askush nuk e ka në botë.
Një nen tjetër, 15 – konsideron vepër penale mos kryerjen e detyrave tatimore, që lidhen me vjeljen brenda afatit të punonjësve të tatimeve, për këtë ata dënohen deri në 7 vjet burg….një pyetje lind këtu,
por drejtoreshës së përgjithshme çfarë i ndodh kur nuk mbledh miliarda, apo ….. bëhet subjekt i Portokallisë dhe reklamës së Digitalb!
(Dhe mire ben se te pakten humoristen e ben shkelqyer)
Ky projektligj ka dhe një problem tjetër, nuk respekton proporcionalitetin e dënimit, kështu në nenin 174 – mosdeklarimi i saktë në dogana, deklarim të rremë për natyrë, lloj, cilësi, çmim e destinacion malli – dënohet me gjoba 3 fish plus riblerje e deri në 7 vjet burg;
ndërkohë që import-eksporti i veprave kulturore në kundërshtim me dispozitat ligjore për ta shkon deri ne 10 vjet burg…………(kete nen kam pershtypje nuk ja keni thene kryeministrit , boll t’iu kujtoj qe pikturat e tij)
Kolegë deputetë,
ndaleni këtë turp,
shqiptarët po kuptojnë çdo ditë që çdo masë apo ndërhyrje juaj në ekonomi nuk shkon në dobi të tyre,
qytetarët janë çdo ditë viktim të papërgjegjshmërisë tuaj;
taksa progresive goditi biznesin, shtresat e mesme, goditi dhe të varfërit e më të dobtit, aksioni selektiv kundër informalitetit goditi pikërisht biznesin e vogël dhe bukën e familjes së tyre.
Askush nuk ka përfituar nga reformat tuaja ne ekonomi, në arsim e shëndetësi, për të mos thënë që të gjitha janë me keq, asnjë shërbim publik nuk u bë më i mirë.
Shqiptarët po marrin rrugët e botës, mijra kanë kërkuar azil politik, 200 mijë të tjerë presin llotarinë, Rama – Meta ndalni dorën e shkatërrimit të vendit.
Fjalimi në Kuvend e deputetit të Partisë Demokratike, Igli Cara, 3 Dhjetor 2015