Ndryshimi vjen nga gratë sepse ato kanë energjinë e jetës dhe shpresës për ditë më të mira. Gratë mbeten aleatet dhe besniket më të mira të lirisë, e demokracisë, të Partisë Demokratike dhe vlerave që ajo ka percjellë për zhvillimin e Shqipërisë në këto 25 vite.
Ky ka qenë viti më i trishtë i sakrificave deri në vetëmohim i grave dhe nënave që janë përballur me varfërinë dhe mjerimin që gjunjëzon.
Ështe gruaja dhe nëna, viktimë e një diskriminimi të thellë të politikave qeveritare, arrogancës qeverisëse, korrupsionit masiv dhe interesave të krimit.
Ndaj, në 8 dhjetor, do të jemi të gjitha bashkë sepse cdo grua, nënë, vajzë e ka një arsye qënësore për të protestuar kundër qeverisë së krizës.
Në 8 dhjetor do të protestojmë për shpresën e humbur dhe dëshpërimin e thellë që solli Rilindja.
Në 8 dhjetor do të protestojmë për varfërinë dhe papunësinë në rritje që po mbyt të tashmen dhe të ardhmen e cdo gruaje.
Në 8 dhjetor do të protestojmë për ato mijëra gra e vajza që u larguan dhunshëm nga vendet e tyre të punës, e për shumë të tjera që u detyruan të paguajnë mijëra euro për ta mbajtur atë.
Në 8 dhjetor do të protestojmë për Brunildën, Melitën e për dhjetëra gra që nuk janë më mes nesh, u vetëvranë dhe hoqën dorë nga jeta, viktima të papërgjegjshmërisë dhe mungesës së humanizmit të kësaj Qeverie.
Protesta e 8 dhjetorit do të jetë homazh për këto nëna, për këto gra, për këto jetë të humbura padrejtësisht.
Në 8 dhjetor të gjitha gratë dhe vajzat shqiptare do të jenë të gjitha bashkë në shesh për të mbrojtur familjet e tyre nga skamja, varfëria, padrejtësia, presioni, shantazhi, burgosja, përcmimi, denigrimi, poshtërimi.
Në 8 dhjetor do të jemi të gjitha bashkë për t’i thënë ndal burgosjes së familjarëve tanë, që qeveria i akuzon padrejtësisht për të mbuluar vjedhjen shteterore në energjitikë, në dogana apo në tatime.
Në 8 dhjetor do protestojmë për cmimet tejet të larta, faturat e papërballueshme të dritave ujit, transportit.
Në 8 dhjetor do protestojmë për mohimin e të drejtës për shërbim shëndetësor, për mohimin e të drejtës së fëmijëve tanë për arsimim dhe edukim.
Gratë dhe vajzat nuk mund të heshtin më!
Le të bashkohemi në barrikadën për të jetuar me dinjitet!!
Neser do të jemi të gjitha bashkë, përkrah djemve dhe burrave, për të RRËZUAR QEVERINË e tenderave, regjimin e mohimit të të drejtave të njeriut.
Bashkë do t’ia dalim !
Në 8 Dhjetor të gjitha bashkë për të shpëtuar Shqipërinë tonë nga diktatura e re, për shpëtuar të ardhmen e fëmijëve tanë.
Deklaratë e kryetares së Lidhjes së Gruas në PD, Albana Vokshi, 7 Dhjetor 2015