Forumi Rinor i Partisë Demokratike zgjodhi sonte kryetarin e ri z.Belind Këlliçi, pas konventës së fundit që u mbajt në Tiranë, me parimin një anëtar një votë.
Në këtë proces që mbahet për herë të parë në vendin tonë, u votua për drejtuesin e ri të Forumit në 20 konventa kombëtare në 20 qytete, ku të gjithë anëtarët e forumit patën mundësinë të ndjekin debatin mes kandidatëve dhe të vendosin me votën e tyre për kryetarin e FRPD.
10 mijë e 100 anëtarë të Forumit Rinor votuan në këto zgjedhje, që ishin një spektakël i demokracisë, i garës, i konkurencës së ideve dhe platformave.
Kryetari i ri i forumit z.Belind Kelliçi është 28 vjeç, ka mbaruar studimet për shkenca menaxhimi dhe ekonomi në Universitetin e Maryland, SHBA dhe ka spikatur prej vitesh me aktivizimin e tij në politikë, në Partinë Demokratike.
Belindi e ka nisur aktivizimin e tij politik në degën 10 në Tiranë.
U zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar, nga Kuvendi Kombëtar në vitin 2014.
U votua nga Këshilli Kombëtar si anëtar kryesie i Partisë Demokratike në rolin e drejtuesit të Departamentit të të Përndjekurve dhe Pronarëve, post nga i cili u dorëhoq pasi shpalli kandidaturën për drejtues i Forumit.
Rezultati final ishte ky:
Këlliçi mori 4706 vota, kundrejt Ervin Salianjit me 4132 vota dhe Oriela Nebiaj me 1105 vota.
Të rinjtë demokratë zgjedhin kryetarin e ri, Belind Këlliçi
Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 6 Dhjetor 2015