Rama dhe Nikolla detyrojnë sot me përdhunë mësuesit, ti nënshtrohen një testimi politik, krejtësisht të paligjshëm.

Testimi i sotëm, bie në kundërshtim me ligjin për Arsimin parauniversitar dhe dispozitat normative për zhvillimin profesional dhe pikërisht me nenin 58 të tyre.

Ai shkel cdo kod moral, etik e ligjor, për vlerësimin e punës së mësuesit.

Rama dhe Nikolla, kanë gati tre vite që i kërcënojnë ata, i poshtërojnë, i nxjerrin gjuhën, i mashtrojnë, i transferojnë, i pushojnë sipas interesit, sipas klientelës, sipas bindjes politike.

Pasi i hoqën pa pikë përgjegjësie dhe morali pagën e 13-të,

pasi i mbajtën varë për një vit, pa kontratën kolektive të punës,

pasi i listuan në gusht, pabesisht, sipas përkatësisë partiake, në bazë të fakteve të denoncuara në këtë foltore,

pasi i kërcënuan me vendin e punës për ti marrë votën, siç përcaktoi dhe raporti i OSBE-ODIHR-it,

shpikën më në fund dhe këtë testim. Kanë tre vite që lodhen e sorrollaten për të hartuar e zbatuar, këtë procesion lincimi të mësuesve. Ndonëse, udhëzimi i vetë kësaj ministrie, që prej kohësh luan sport e tallet me mësuesit, përcakton se testimi bëhet në rrugë digitale, pa identifikim, një tjetër copë letre, e dalë nga zyra e Nikollës, i detyron mësuesit, ti nënshtrohen,  në kundërshtim me vetë udhëzimin, një provimi me shkrim, me emër e mbiemër.

Kjo nuk është thjesht vetëm prerje në besë, por është njëkohësisht, një maskaradë e një akt turpi i kësaj qeverie të pa turp.

Ky testim nuk i shërben zhvillimit profesional, por realizon goditjen profesioniste denigruese të misionit dhe rolit fisnik të mësuesit.

Mësuesit, do të dinë mirë ti japin notën e merituar kësaj qeverisje të dështuar!


Deklarata për mediat e kreut të Departamentit të Arsimit, Luciano Boçi, 23 Janar 2016