Të  nderuar deputetë,

Më lejoni ta filloj me urimet e mia më të përzemërta për gjithsecilin prej jush, për familjet tuaja, për këtë grup parlamentar, për të gjithë anëtarët, mbështetësit e Partisë Demokratike, opozitës anembanë vendit dhe për të gjithë shqiptarët në nisje edhe një here të këtij sesioni të ri parlamentar, i cili starton në  kohën kur  në rendin e ditës është  reforma  në drejtësi, e nxitur dhe e mbështetur  me përparësi edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE.

Përveçse një domosdoshmëri për reformimin e sistemit  të drejtësisë në vend, reforma në drejtësi është edhe një prej detyrave  më të mëdha që Shqipëria ka  për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, si hapi që duhej të kishte pasuar prej kohësh marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian.

Angazhimi i fuqishëm i Partisë Demokratike dhe grupit të saj parlamentar, si i asnjë opozite në historinë e vendit, për të dhënë kontributin  e saj  dhe çuar drejt finalizimit një reformë gjithëpërfshirëse dhe plotësisht demokratike në drejtësi, i përgjigjet pikë për pikë vizionit tonë për një drejtësi të pastruar nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar nga njëra anë dhe një drejtësi të pavarur e të pakapur politikisht nga ana tjetër, që vepron në bazë të ligjit dhe vetëm në bazë të ligjit.

Për vetë natyrën e saj, për  vetë rëndësinë e saj të jashtëzakonshme  në këtë  stad të zhvillimeve demokratike në vend, reforma në drejtësi duhet të  kishte qenë e duhet të jetë një provë e madhe pjekurie, urtësie dhe largpamësie e partive politike dhe lidershipit të tyre,  një manifestim  në një shkalle të re i  cilësive dhe aftësive shtetformuese  në vendin tonë  pas njëzet e pesë viteve liri dhe demokraci.

Fjala kyçe që i përmbledh gjithë këto kërkesa ka qenë dhe mbetet fjala konsensus. Konsensus jo vetëm rreth nevojës për ta bërë këtë reformë, por para së gjithash konsenus si shprehje e  bindjes së  brendshme të  palëve për të punuar sëbashku, për t’u marrë vesh, për t’u bashkuar rreth një projekti standardeve më të përparuara demokratike për drejtësinë,  të konsultuar dhe të vulosur nga ekspertiza ndërkombëtare e Komisionit të Venecias.

E gjithë kjo pritshmëri e lartë e qytetarëve shqiptarë por edhe e partnerëve  tanë ndërkombëtarëve është sfiduar deri më sot nga banaliteti dhe qëllimet e mbrapshta të Edi Ramës dhe kupolës së tij.

Edi Rama me kupola e tij janë investuar të shfrytëzojnë defektet e sistemit dhe domosdoshmërinë e reformës për ta kapur dhe jo reformuar drejtësinë.

Edi Rama dhe kupola e tij kanë tentuar dhe tentojnë akoma të shartojnë  vullnetin amerikan, vullnetin europian për reformimin e drejtësisë me konceptet e tyre  të vjetra, me mendësinë dhe planet e tyre oligarkike, me hilet e tyre të panumërta,  që lidhen në një pikë: Kapja e drejtësisë.

E dëshmuan draftin e parë që dërguan në Komisionin e  Venecias ku morën një mësim për t’u mbajtur mend: Mësimin se drejtësia partizane si kjo që kishte dhe ka në mendje Edi Rama me kupolën e tij nuk  pranohet nga Europa demokratike. Duhej të ishin skuqur, duhet të kishin ulur kokën por nga një  vesh u hyri dhe nga tjetri u doli.

E dëshmuan sërish, për turp dhe faqe të zezë, me draftin e ripunuar parafabrikat,  të përgatitur prej tyre në mënyrë të njëanshme, ku jo vetëm nuk reflektohen vërejtjet dhe sugjerimet thelbësore  që bëri Komisioni i Venecias, por ka përpjekje për ta bërë edhe më keq.

Ne e dimë si grup parlamentar më mirë se kushdo tjetër se Edi Rama e urren konsensusin. Mandati i tij është shënuar që prej fillimit nga shkallmimi i ligjit konsensual për “Nëpunësin civil”. Por ne nuk i braktisim vlerat dhe parimet të cilat besojmë sepse i urren kundërshtari.

Ndaj ngulmuam dhe do të vazhdojmë të ngulmojmë, investuam dhe do të vazhdojmë të investohemi deri në fund për  konsensus bazuar në sugjerimet e Venecias.

Konsensusi zhduk pazaret, konsensusi zhbën shantazhet e Vilës 30 apo 31. Konsensusi që kërkon Komisioni i Venecias është rruga që e shpëton drejtësinë nga kapja politike.

Edi Rama, ky usta i pazareve dhe shantazheve me të drejtë i druhet kësaj.

Sepse drejtësia e pakapur do të ishte në ballë e jo në bisht të hetimit të aferave koruptive si vjedhja e shekullit me CEZ-in 600 milionë euro, mega-aferat me mbi 360 milionë euro koncesione dhe tendera për papulët dhe carapulët, nushët e beqët. Vjedhjet mbi 777 milionë euro në tendera, dhe mbi 400 milionë dollarë në dogana vetëm gjatë vitit që lamë pas..

Drejtësia e pakapur do të ishte në anën e Qamil Zelës, Llazi Nasit, Gjovalin Lazrit, Arif Dodës, Bruna Mekës, Mark Brahimajt, Fluturim Cukut dhe qindra, mijëra shqiptarëve që korrupsioni, padrejtësia, arroganca e qeverisë dhe bandave të Edi Ramës ua nxin jetën përditë duke i shtyrë drejt dëshpërimit, depresionit dhe arratisë.

Drejtësia e pakapur do të ishte problem i madh për prengët, ndokët, për bushët, për roshët, për pecët, për ndonët e cubat e Edi Ramës, për kokëdhimët, tahirët, beqajt, ahmetajt e gjiknurët si dhe për vetë kreun e bandës së 40 hajdutëve.

Drejtësia e pavarur është me një fjalë fundi i lojës për Edi Ramën. Prandaj ai po bën çdo përpjekje që të kapë me çdo kusht drejtësinë, edhe pse ashtu si Venecia edhe opinioni vendas e ndërkombëtar kërkon të kundërtën.

Shqiptarët e dinë e duhet ta dinë: Ne e kundërshtojmë kapjen e drejtësisë nga  ekzekutivi  për sot dhe për nesër, për qeverinë e kundërshtarëve tanë sot,  për qeverinë tonë nesër dhe për çdo qeveri që do të vijë në këtë vend.

Ky nuk është  thjesht angazhim me fjalë. Ne kemi qenë aktivë dhe jemi bërë akoma më aktivë me vërejtjet dhe opinionet tona.

Ne po bashkëpunojmë dhe do të bashkëpunojmë intensivisht me partnerët  tanë dhe me Komisionin e Venecias për një reformë të nevojave shqiptare dhe standardeve më të përparuara demokratike europiane.

Ne jemi të vetëdijshëm se do të bënin tradhtinë më të madhe  ndaj parimeve të lirisë dhe demokracisë nëse do të lejonim  vënien e drejtësisë nën sundimin e pushtetit politik, pra shkatërrimin e plotë dhe përfundimtar të drejtësisë, siç e ka projektuar Edi Rama me shokë në dy draftet  e deritanishme.

Përballë qëndrimit  të vendosur dhe parimor të Partisë Demokratike, Edi Rama ka lëshuar megafonët e tij që po trumbetojnë gjithandej “si mund ta kapë ai drejtësinë kur ka vetëm 65 deputetë”!

Ne kemi  parë draftin e tyre para numrave. Drafti i tyre i padit ashiqare se nuk kanë në mendje asgjë tjetër përveç vënies së gjithë sistemit në  vartësi të kryeministrit. Nëse rrimë te numrat,  do të shohim se  me marifetet  e tyre juridike edhe zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e kanë parashikuar  me shumicë të thjeshtë, pra me 36 deputetë.

Por  nuk mbaron këtu. Rama dhe Meta, kanë mosmarrëveshjet e luftës së tyre brenda llojit, në kuadrin e rivalitetit për ndarjen dhe konservimin e llokmave të pushtetit. Mosmarrëveshjet e tyre nuk kanë qenë dhe nuk janë parimore, pavarësisht veshjes së jashtme. Ata kanë treguar se merren vesh në çast, pra i bashkojnë numrat, sapo ua kërkojnë interesat e tyre, që i mbivendosen sistematikisht interesit publik.

Ne as  varemi dhe as i maturojmë qëndrimet tona në  bazë të  humoreve të tyre.

Ndaj duke ndjekur më vëmendje zhvillimet dhe si faktor përcaktues në zhvillimet politike të vendit, ne kemi zgjedhur konsensusin rreth platformës së  Venecias.

Sot ekspertët tanë në bashkëpunim me anëtarë të komisionit për Reformën në Drejtësi të cilët dua ti përgëzoj të gjithë sëbashku nën drejtimin e z.Halimi kanë përfunduar dhe paraqitur në Kuvend opinionin e opozitës që do të dërgohet zyrtarisht në Komisionin e Venecias.

Çdo forcë politike kundërshtare që mbështet në qëndrimet e saj gjithpërshirjen dhe konsensusin bazuar në opinionin e Venecias i shërben zgjidhjes, i shërben reformës dhe përshëndetet prej nesh. Qoftë PS, LSI a çdo parti tjetër.

Do të ishte absurde që ne të bënim ndryshe dhe këtu merr përgjigje edhe fushata primitive, sigurisht e instrumentalizuar sigurisht,  rreth të ashtuquajturit afrim të PD-së me LSI, meqenëse kjo e  fundit ka refuzuar, ashtu si dhe ne, draftin e njëanshëm të Ramës, dhe po kërkon konsensus dhe përfshirjen e opozitës.

Ne e përshëndesim këtë qëndrim të LSI-së. Do të donim që PS të vinte sa më shpejt te i njëjti qëndrim  si  rrugëzgjidhja e vetme për t’i hapur  rrugë reformës.

Të punojnë sëbashku për reformat e mëdha, të përqafojmë konsensusin, siç bëmë me ligjin e dekriminalzimit- kjo është një vlerë e kulturës moderne politike. Por kjo nuk do të thotë zhdukje e dallimeve politike e aq më pak pazar.

Sa i takon zgjedhjeve Partia Demokratike është përgatitur, po përgatitet dhe do të  të konkurrojë përballë dyshes Rama-Meta  në aleancën me të gjerë  të mundshme me elektoratin shqiptar, me partitë politike dhe faktorët e opozitarimit pa përjashtim.

Rama-Meta janë qeveria, ne jemi opozita.

Ata janë oligarkia, ne jemi demokracia

Ata janë  dështimi, ne jemi alternativa.

Ata janë fundi i kazanit të tranzicionit, ne jemi demokracia e re, demokracia normale e vlerave Europiane.

Të nderuar deputetë,

Viti 2016 është vit i intensifikimit të aksionit tonë politik për largimin e qeverisë Rama-Meta dhe krijimin e një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhjet e reja politike.

Kjo zgjidhje, zgjidhja jonë, po rrit mbështetjen dhe jehonën e saj dita ditës,  teksa bie e s’ka të ndalur besimi se kjo qeveri mund të sjellë ndonjë ditë të bardhë.

Ky vit parashikohet të jetë akoma më i keq për ekonominë kombëtare dhe familjare të shqiptarëve.

Verdikti i ekonomisë, të cilin  e kemi lexuar drejt që prej fillimit të  mandatit të  qeverisë, është ky: Së më gjatë ta lemë në duart e bandës së hajdutëve dhe amatorëve që qeverisin vendin, aq më keq do të jetë për të gjithë ju.

Sot këtë verdikt, kanë mundësi ta dëgjojmë me zërin e një mali me prova e fakte të gjithë shqiptarët pa përjashtim: Çdo ditë  me  ketë qeveri është t’i japësh kohë korrupsionit dhe krizës së gjithanshme që ka shtrënguar e do të vijojë të shtrëngojë në darët e falimentimit, përkeqësimit dhe varfërisë shumicën dërrmuese të sipërmarrjeve, shumicën e  qytetarëve.

Rama  me  bandën e tij ka kohë që nuk qeverisin. Ashtu si paraardhësit e tyre  që e mbyllën sundimin e tyre në vendin me të varfër të  planetit duke blerë dekorata ndërkombëtare të mirëushqyerjes dhe mirëqenies, ashtu edhe pasardhësit e tyre, në mënyrën më  cinike, janë lëshuar të blejnë me paratë e taksapaguesve shqiptarë autolëvdata dhe dekorata kallp  alla ahmetaj.

Së fundi dhanë qindra milionë lekë që të vetreklamohen si reformistë në revistën  e njohur “The Economist”, për t’ia lexuar pastaj popullit sikur këtë  vendim të lartë për Ramën dhe Ahmetajn e paska vetë revista!

Nuk do të ngrinim zërin për këto para po të ishin dhënë për të reklamuar resurset turistike të vendit a diçka të ngjashme. Por këto para të hedhura në erë kot, për mashtrim të opinionit publik përveç abuzimit të paturpshëm Rama, Ahmetaj, Beqja, Tahiri dhe banda e 40 hajdutëve me radhë, i besojnë si indulgjenca dhe zgjasin dyfish dorën e korrupsionit dhe abuzimeve. Ajo që e pëson gjithnjë ekonomia. Ata që  pësojnë janë gjithmonë qytetarët.

Ne kemi bërë e do të bëjmë çmos ta largojmë këtë qeveri. Ky është misioni i opozitës, ky është misioni i qytetarëve.

Me  të drejtë njerëzit  thonë: Rama-Meta e kanë mbushur kupën,  por çdo të sillni ju, cili është programi juaj?

Kemi kohë që avancojmë pjesë të alternativës tonë në opozitën që kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë.

Dje, ka marrë formë programi paraprak që do t’i nënshtrohet një diskutimi të gjerë me grupin parlamentar së pari dhe pastaj me grupet e interesit.

Programi i Partisë Demokratike i përgatitur nga departamentet e Partisë Demokratike me ndihmë të vyer dhe te shquar të partnerëve tanë dhe partive simotra është oferta për shqiptarët që parashikon zhvillim ekonomik, lehtësi fiskale, punësim, stimulim ekonomik, zhvillim të bujqësisë, infrastrukturës, arsimit dhe shëndetësisë.

Taksat e ulëta, zbritje e TVSH-së në nivelin 15 përqind, futja e taksës së sheshtë më të ultë në Ballkan në nivelin 9 përqind, janë disa nga elementët e bërë tashmë publikë, elementë që do ta japin ekonomisë kombëtare dhe familjare impulset e shumëpritura pozitive dhe do të sigurojnë rritje ekonomike, punësim dhe paga më të larta.

Deri në fund të muajit do të bëhet edhe konsultimi final me ekspertë dhe specialistë të fushës, për t’i pasuruar më tej këto dokumenta me ekspertizën dhe idetë më të mira. Dhe në muajin shkurt, programet e përgatitura nga secili prej 22 departamente në Partinë Demokratike do t’i nënshtrohen diskutimit të hapur me grupet e interesit, në funksion të përmirësimit dhe përfshirjes së çdo mendimi, qëndrimi dhe opinioni të vlefshëm.

Më pas  programi i ri i Partisë Demokratike, alternativa jonë për qeverisjen e re do të shpallet e do të diskutohet me qytetarët anembanë vendit.

Le të nisemi pra të nderuar anëtarë të grupit parlamentar në detyrën tonë për reformën konsensuale në drejtësi, për largimin e qeverisë së dështimit, korrupsionit dhe inkriminimit dhe për një vit të shpresës së re për mbarë shqiptarët.

Faleminderit !


Fjalimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar, 18 Janar 2016