Partia Demokratike diskutoi me ekspertë dhe specialistë të fushës platformën për Turizmin dhe Mjedisin.

Departamenti i Mjedisit , Pyjeve dhe Turizmit zhvilloi një  tryezë publike me ekspertë dhe emra të njohur të fushës për të konsultuar platformën në këto fusha. U bënë publike fakte dhe dëshmi mbi  krizën aktuale të mjedisit dhe pyjeve, me shkatërrimin e këtyre pasurive dhe me ndotjet alarmante.

Në konferencë, ekspertët dhe profesorët e njohur vlerësuan aktivitetin si një kontribut i rëndësishëm për shpëtimin nga rrënimi që ka përfshirë mjedisin, pyjet dhe turizmin.

Gjatë tryezës u shpalosën dhe u debatuan 23 pika që u prezantuan lidhur me mjedisin, ku ndër të tjera u theksua se, PD do të mbështesë referendumet lokale për projektet në Parkun Rinia dhe atë të Liqenit në Tiranë, krijimin e një Fondi të Mjedisit dhe Pyllëzimit, ruajtjen e vlerave mjedisore, heqjen nga detyrimi për leje mjedisore e dyqaneve te vogla ne zonat e banuara (si mjet korrupsioni), monitorim të vazhdueshëm dhe raporte publike te ndotesave, infrastrukture qe respekton mjedisin sipas standarteve te BE, zbatim te ligjit dhe dënime me te ashpra për ndotësit e mjedisit dhe autoret e krimeve mjedisore, etj.

Lidhur me pyjet, Departamenti ka parashikuar 12 pika ku ndër të tjera parashikohet hartimi i një programi kombëtar për pyjet dhe kullotat, rikrijimi i autoritetit të Shërbimit Pyjor, një reformë të menaxhimit lokal të pasurive pyjore dhe ndalimin e prerjeve te pyllit për qëllim te eksportit të lëndës drusore, etj.

Prioritetet e turizmit në platformën e PD përfshijnë 17 pika që mbështeten ndër të tjera në uljen e taksave si ajo e TVSH në nivelin 5-10% , përjashtim nga tatim-fitimi me qëllim i ngritjes së kapaciteteve turistikë, mostaksimi i të rinjve të punësuar në këtë sektor , ngritja e një Mastërplani turistik, etj.

Gjatë muajit shkurt ekspertët me propozimet e tyre do të sjellin kontribute të rëndësishme për një  reformë të suksesshme në sektorët e mjedisit, turizmit dhe pyjeve. Partia Demokratike do të prezantojë publikisht programin për Mjedisin, Pyjet dhe Turizmin në muajin mars.


 

Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 30 Janar 2016