Përmbytjet në Veri, shteti inekzistent

08 Jan
0

Gjendja në Veri nga përmbytjet është e rëndë, ndërkohë që konstatohet mungesa totale e strukturave qeveritare.

Deputetja e Qarkut të Kukësit Mimoza Hajdarmataj ishte në Domaj të Hasit, ku si pasojë e rreshjeve të mëdha, Gura e fshatit ka përmbytur shtepitë dhe po rrezikon jetën e dhjetra familjeve.

Banorët mes të cilëve të moshuar dhe fëmijë gjenden të izoluar në pamundësi për furnizime me ushqime dhe ilaçe. Asnjë ndihmë apo ushqime për bagëtitë nuk është dhënë nga Emergjencat civile apo strukturat e tjera shtetërore,  në këto zona tejet te  izoluara, me distanca të largëta nga Kukesi,   me infrastrukturë të amortizuar dhe pa asnjë shërbim publik.

Deputetja Hajdarmataj në takimet me banorët e shtëpive të përmbytura tha se është e patolerueshme që qeveria në këtë emergjencë nuk mbështet as banorët por dhe vetë pushtetin lokal, ku janë përfaqësues të PS. “Këtu nuk ndihet as edhe një moment shteti, emergjencat civile,  jetët njerëzore dhe çdo gje janë lënë në mëshirën e fatit. Kryeministri qe erdhi nga pushimet dhe ministrat nuk mund të analizojnë emergjencën e përmbytjeve vetëm nga qendra e Shqiperisë e të shpërfillin  Veriun dhe Jugun me arrogancë”, tha Hajdarmataj.

Banorët  i thanë deputetes Hajdarmataj se të tilla përmbytje nuk kanë ndodhur prej mëse gjysëm shekulli dhe se ata rrezikohen nga ora në orë nga mungesa e ndërhyrjes.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 8 Janar 2016