Edi Rama, jo vetëm i dha 120 milionë euro mikes dhe bamirëses së tij, Vilma Nushi, me tenderin e check- up, por po e thellon akoma edhe më shumë korupsionin, duke i rregulluar faturat që ajo ti marrë shumat e plota edhe pse shërbimi nuk ofrohet.

Kjo tabela këtu, që e keni dhe në ekran, tregon shumën që i është paguar Nushit për muajt mars-nëntor.

Sipas kësaj shume, 5 miliardë e 554 milionë, i bie që qenkan kontrolluar 318 mijë persona, duke e ditur se kostoja për një person është 17 mijë lekë.

Por sipas të dhënave zyrtare nga institucioneve shëndetësore shtetërore, numri i të kontrolluarve është 216 mijë persona.

Dhe më e rënda është se Fondi i Sigurimeve Shëndetësore nuk ka ushtruar deri tani asnjë kontroll, pork a marrë të mirëqëna shifrat e Nushit.

Pra Edi i ka dhënë Vilmës para sikur e kanë bërë check-upin 318 mijë persona. 1 miliardë e 700 milionë lekë më shumë se sa shërbimi që ka ofruar.

Janë vjedhur nga paratë e shqiptarëve 1 miliardë e 700 milionë lekë për 9 muaj.

Për të siguruar paratë për vilmën, kampioni i korrupsionit, Ilir Beqa, hoqi nga puna 600 veta, dhe shkurtoi shpërblimin për personalin mjekësor.

Kjo është një vjedhje skandaloze, kriminale e parave të shqiptarëve.

Një fakt tronditës, për të cilin Edi Rama dhe Beqa i tij duhet të japin llogari.

Prokuroria duhet të veprojë para këtij korrupsioni me këto përmasa dhe lehtësisht të verifikueshëm.

Partia Demokratike i kërkon organit të akuzës që të procedojë  me profesionalizëm e pa zvarritje, e ta çojë para drejtësisë këtë rast të rëndë korrupsioni, dhe përgjegjësin Ilir Beqa.

Tabela e parave qe ka marre Nushi


Deklarata për mediat e deputetes Albana Vokshi, 22 Janar 2016