Replika pas fjalës së Niko Peleshit:

“E vetmja gjë që parafolësi ka bërë për Korçën është se çoi në Korçë modelin Rama, mori atje ushtrinë e Papulëve e Carapulëve, leu fasada dhe ndërtoi kullën falike, shpërndau tentakulat e 20% dhe korrupsionit.

Përsa i përket Universitetit, unë dua të shpreh vlerësimin tim të madh për trupën universitare, rektorin Gjegji Mero, i cili me një vizion të shkëlqyer për universitetin e Korçës dhe me një dashuri për qytetin, për Korçën, i dhanë univeristetit një fizionomi të re, duke shfrytëzuar mbështetjen e qeverisë. E vërteta është se aty u rindërtuan korpuse ndër më modernet. Unë nuk përjashtoj mundësinë e instalimit të kësaj apo asaj veprimtarie tregtare siç ekzistojnë në çdo qëndër universitare të Shqipërisë, por ato në mënyrë absolute nuk zhbëjnë aspak kontributin dhe meritat e mëdha të zotit Mero dhe gjithë pedagogëve të këtij universiteti.

Dëgjova se po krijoni katër agjensi. Do hyni në histori si qeveri e zyrave, po jo e zyrave për të punuar por e zyrave për të mbushur xhepat. Ju të gjithë buxhetin e keni bërë zyra, salla, tualete. Tani na del se po ngrini katër agjenci zhvillimi rajonal për të tundur çelësat. Për çfarë ju duhen katër agjensi zhvillimi rajonal, në një kohë kur ju nuk tregoni dot një kilometër rrugë të ndërtuar, kur kreu juaj detyrohet të shkojë tre herë në një kilometër e gjysmë në Vlorë për të thënë se po punon. Ke dy vjet që s’po bën dot një rrugë, për të lidhur autostradën me rrugën Transballkanike. Çfarë ke bërë për Korçën përveç kullës falike, asgjë. Do të të them çfarë bëmë ne në Korç? Eshtë bërë impianti ujërave, është bërë Unaza, janë bërë kanalizimet, është finalizuar ujësjellësi. Pale pallatet që i bërë dhe nuk ja u dhe romëve se ke dhe ndjenja diskriminuese ndaj tyre. Solle paratë e Këshillit të Europës, bashkë inauguruam pallatet, dhe pastaj avulluan, nuk ja dhatë romëve. Se në pamje të parë jeni parti solidariteti ju, por në fakt jeni solidar me zhepat tuaj dhe me njëri tjetrin se romët e shkretë nuk morën gjë. S’mund të dalësh këtu ti dhe të mbulosh dështimin e plotë të kësaj qeverie në Korçë dhe kudo në Shqipëri. Ci doni agjencitë ju, i doni zyra për të larë për të shpëlarë, për të ndërtuar parkete dhe për të mbushur xhepat me paratë e rikonstruksionit.

Zonja deputete, zotërinj deputetë,

Jemi në prag të një eventi historik. Sekretari i Shtetit John Kerry në 25 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, vjen për një vizitë zyrtare të shkurtër dhe shumë të rëndësishme. Si një dëshmitar i atij akti 25 vite më parë, dua të shpreh kënaqësinë time të madhe dhe të uroj mirëseardhjen për këtë nder të madh që i bën Shqipërisë dhe shqiptarëve në 25 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Sigurisht, Sekretari i Shtetit ka axhendën dhe ka mesazhet e tij që janë dhe do jenë shumë të rëndësishme.

Por dy çështje dua të ngre këtu.

Së pari dua të ngre cështjen e “kampit të lirisë” të muxhahedinëve. Këtu jemi një grup deputetësh, bipartiza, të cilët kemi ndjekur me solidaritet kauzën e drejtë të këtyre qytetarëve, të cilët janë dhe rezistenca më e vjetër mbi tokë sot në kohët moderne, ka 60 vjet që luftojnë me të gjitha mënyrat për një rend demokratik. Ata janë në vështirësi serioze. Qeveria e mëparshme hapi shtegun e marrjes së këtyre qytetarëve në Shqipëri dhe mori kontingjentin e parë. Qeveria aktuale mori disa herë më shumë dhe ne e përgëzojmë dhe e përshëndesim këtë akt. Ajo që ne kërkojmë sot, dhe opozita e mbështet këtë akt, është që t’i premtohet sekretarit Kerry të merren të gjithë muxhahedinët sepse edhe para 8 muajve ata janë bombarduar.

Asnjë nuk i do. Irani nuk i do, Iraku nuk i do se flirton me Iranin, IS nuk i do se i konsideron proamerikanë, etj. Ne kemi traditën tonë, në këtë rast nuk kemi ç’i ndihmojnë SHBA-të, votën që  duhet ta japim për çështjen e sigurisë, ne ja dhamë gjithmonë dhe ju nuk ja dhatë duke bërë kështu një gabim shumë të rëndë, historik. Mashtrimin tjetër e bëtë për armët kimike. Kërkoj, nuk futa një rezolutë, se nuk dua të imponojmë, ti premtohet sekretarit dhe të merren dhe ata 2 mijë e ca fatkëqij që kanë mbetur aty në kushte mjaft të vështira. Ky premtim është strikt për qëllime humanitare, njerëzore. Unë nuk e di axhendën e sekretarit Kerry, por thashë që qeveria duhet të bëjë një akt miqësie, të bëjë një veprim të tillë. Dhe në këtë rast ka dhe mbështetjen e opozitës.

Së dyti, dua të dënoj me ashpërsinë aktin tuaj të papërgjegjshëm që urdhëroni antenat tuaja në media për të nxjerrë në prag të kësaj vizite, korbën e zezë të shqiptarëve, Nexhmije Hoxhën në një emision televiziv prej 3 orësh. Se ky këtu pas meje (Rama) ka vite të tëra jete që donte të bëhej djali i shtëpisë së tyre dhe su bë dot.

Ishte një akt i papërgjegjshëm, i turpshëm, nxjerrja e Zonjës së Zezë. Një gjeneratë e tërë nuk e ka idenë se çfarë është Nexhmije Hoxha. Nexhmije Hoxha është dora e zezë, një kriminele pothuajse e të njëjtit kalibër me të shoqin, pasi pas debilosjes së të shoqit nga sëmundja që kaloi në vitin 72-74,  lexoni memoriet e sekretarit të Hoxhës, që cdo gjë që thoshte i shoqi i debilosur, çdo gjë e redaktonte Nexhmija sic deshte, nga viti 74 deri në vitin 76 sa vdiq. Enveri ishte Nexhmija, të gjitha ato purga, pushkatime, spastrime janë vepër mizore e Nexhmije Hoxhës, të cilën zotëria e nxjerr nga sënduku për të trembur shqiptarët, për t’u treguar shqiptarëve se ja ku jemi ne. Pasi shpërndau nga Varrëzat e Dëshmorëve dhe i përdhosi ato në të katër anët e botës me FB e tij me fotot e Enverit, tani nxjerr Nexhmijen në intervistë për të mbrojtur krimet makabre të të shoqit dhe të vetat. Unë mendoj se kjo nuk mund të ndodhte në asnjë rrethanë, nuk mund të ndodhte kurrë në prag të vizitës së Sekretarit të Shtetit. Por dije mirë që ke bërë një gafë shumë të rëndë.  Se që ti shpirtërisht je i lidhur me atë familje, që ti  harxhoje orë të tëra me një karafil në dorë në muret e Muzeut këtë e dinë të gjithë, por që të nxjerrësh këtë grua kriminele në televizor për të mbrojtur diktatorin, vetëm ti mund ta bësh këtë gje dhe ke bërë një akt të papërgjegjshëm.”

Replika pas fjalës së Ramës:

“Së pari, deklarova këtu se Kerry vjen këtu në 25 –vjetorin e marrëdhënieve dhe kjo nuk përbën një ulje të vlerës së kësaj vizite, por përbën lartësim të vlerës dhe nderim shtesë që Kerry i bën Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe vetëm ai që nuk di abc-në e vlerësimeve të marrëdhënieve ndërkombëtare mund të më akuzojë mua.

Së dyti, nuk thashë dhe nuk them se ai vjen këtu të kërkojë marrje shtesë të muxhahedinëve. Por thashë se si një xhest të veçantë miqësor, të mbështetur nga i gjithë spektri politik, mund të bëhej ky premtim që është strikt për qëllime humanitare, njerëzore, mos ti lëmë ata njerëz që kanë gjysëm shekulli të vrarë, të copëtuar për një çështje të drejtë.

Thashë që në një akt miqësie të bëjë qeveria një veprim të tillë, edhe qeveria ka mbështetjen e opozitës. Këtu nuk ka asnjë gënjeshtër, por për ata që e quajnë gënjeshtrën të vërtetë dhe të vërtetën gënjeshtër, dhe t’i qëndron në krye të listës.

Përsa i përket votës. Vota për rezolutën e Palestinës ka qënë një gur prove në qëndrimet e Shqipërisë kryesisht ndaj SHBA-ve. Çfarë synonte ajo votë. Meqë e kam thënë publikisht dhe në OKB. Ajo nuk kishte asnjë synim asnjë tjetër veçse të bypasso-nte SHBA-të. Dhe çfarë fitonte ajo? Fitonte në vend të SHBA, gjykatën ndërkombëtare. Unë mendoj se kjo ishte një gjë që s’të bindte kurrë. Se vërtet  palestinezët, ndaj të cilëve ne kemi qënë të hapur, unë kam pritur Arafatin në Tiranë me nderimet më të mëdha, por ajo votë ishte një gabim, nuk sillte dobi. Çështja e Lindjes së Mesme nuk mund të zgjidhet kurrë duke anashkaluar SHBA-në. SHBA-të janë kryesorët në planet për sigurinë dhe stabilitetin. Ata shpënzojnë më shumë se kushdo tjetër. Shqipëria, e vetmja gjë që mund të bëjë pa komente, është të mbështesë, të votojë në organizatat qeveritare qëndrimet e SHBA-së për çështjet e sigurisë. Mbi këtë bazë unë nuk votova, dhe mora përsipër botërisht dhe publikisht se nuk do jepja vottën për rezolutën. Shkove zotërote u bëre synet, kujtove se zbulove hënën, tokën, diellin dhe të gjitha dhe morë përsipër dhe të vetmin premtim që mbajte kryeministrit të Turëisë është ky premtim. Siç u njoftua nga OKB, Shqipëria ndryshoi votën e saj nga abstenim që e lamë ne, në votë pro.

Unë të përgëzoj ty që fole sot më me zemër dhe e kuptoj që këtë sot e ke nga prania në sallë e zotit Manjani.“

Fjala për Reformën në drejtësi dhe Byronë Kombëtare të Hetimit: 

“Lidhur me pretendimin e zotit Rama, unë dua të sqaroj deputetet këtu dhe mbarë shqiptarët se nëse unë nuk fola, nuk fola sepse m’u tha se është një marrëveshje e dakordësuar për të mos folur sot për këtë çështje. Cilido që të dojë, unë jam i gatshëm ti japë dokumentin. Dhe unë, kur jam në procese negociatash, përpiqem që t’i qëndrojë luajal procesit. Por meqënëse ju, në bazë të këtij qëndrimi duhet të ishe i heshtur njëlloj sa ne, shkele vetë një rregull, urdhëro përgjigjen.

Për të gjithë qytetarët shqiptarë, prej një viti vendi është përfshirë në një debat të paprecedentë në historinë e tij për reformën në drejtësi, reformë e cila në bindje time të thellë është e domosdoshme. Bazuar në këtë bindje dhe në këtë parim, bazuar në faktin se nuk mund të ketë një forcë tjetër politike më të interesuar sesa opozita për funksionimin e shtetit ligjor si një mburojë e vetme e tij, atëherë ne përcaktuam qëndrimin tonë të hapur se do marrim pjesë në reformën në drejtësi. Oferta jona për të marrë pjesë në reformën në drejtësi u kuptua jo si një akt përgjegjshmërie të lartë, se normalisht në marrëdhëniet me një qeveri, opozita e ka më të lehtë të thotë 10 herë plaç sesa 1 herë shëndet, por ka raste që duhet të thotë se do punojmë bashkë për interesa më të mëdhaja. Ne këtë bëmë. Ne thamë se do punojmë. Po si? Si shtojcë e juaja? Kurrë! Sepse nuk ka një njeri që na ka dhënë votën ne do të donte të na shihte si shtesë. Nuk ka njëri që na ka dhënë votën, i cili nuk do të mbështeste një qëndrim tonin për një çështje madhore për vendin dhe shoqërinë dhe një bashkëpunim në mënyrë konsensuale.

E vërteta është që ju këtë ofertë e hodhët poshtë me cinizëm ekstrem. Por tani duhet të them një gjë.

Kur një kryeministër hedh poshtë ofertën e opozitës për një bashkëpunim konsensual, e vërteta është se gjuan mbi veten e tij. Dhe opozitës, sado që të duket se po e quskos, i bën një nder, e çliron  tërësisht nga çdo lloj përgjegjësie. Megjithatë ne vazhduam në mënyrë persistente të deklarojmë se duam të punojmë. Ju menduat se do na kompleksonit, duke futur papagaj për të deklaruar se opozita nuk do reformën. Harrojeni se ne kompleksohemi. Ne persistonim në qëndrimin tonë, persistonim në parimet që kishim shpallur dhe, të paperturbuar vazhdonim përpjekjet. Cfarë bëtë ju? Pa na pyetur fare ne, morët dhe dërguat një draft të hartuar nga një grup ekspertësh të vlerë dhe të korruptuar kokë e xhep. Vutë në grupin e ekspertëve të pavarur kunat-ollin e Mimi Kodhelit, dhe u ngrit zonja këtu një ditë dhe mbronte kunatin, sikur e kemi punë kunetërish parlamentin. Që ai (Gent Ibrahimi) është njeri për t’u vlerësuar, unë nuk kam kundërshtim. E kam vlerësuar dhe kur isha kryeministër. Por ai nuk mund të punonte kurrë në konflikt interesi, se në atë kohë kur kam qënë unë kryeministër ai nuk e kishte kunatën ministre, në atë kohë ai ka qënë thjesht një eksponent i shoqërisë civile me lidhje të majta por kjo s’më pengonte mua. Në momentin që ai  kishte kunatën ministre, nuk mund të ishte kurrë në atë grup, se do merrte në darkë ato që kunata e tij do i thoshte nga ç’ka i kishte thënë kryetari i saj.

Ekspert i dutë i madh ishte Dvorani, gjykatësi famoz që u shkëput nga Gjykata e Lartë dhe erdhi në takimet e PS për të kërkuar përkatësinë e tij partiake, të cilin e mbajti me gënjeshtra se do e çonte në Strasburg dhe më pas i ra bingo atij. Bingoja ishte që ai të emërohej ekspert dhe të shkruante në ndryshimet kushtetuese nenin ku anëtari më i vjetër i Gjykatës së Lartë bëhet kryetari i gjyqtarëve të të gjithë Shqipërisë për dhjetë vjet me rrogë 6 milionë lekë.  Vure në krye të tyre famozin Xhafaj, i cili porositi “më kini kujdes kunatin”. Cilin kunat? Sokol Berberin, anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, më i vjetri në listë, edhe ai tani duhet të bashkohet me Dvoranin në krye të të gjithë gjykatësve të Shqipërisë me një rrogë 6 milionë lekë në muaj për dhjetë vjet rresht mandat. Vure aty një jurist, absolutisht të njohur, zotin Sokol Sadushi, një ekspert i përmendur plotësisht për të drejtën administrative, por si thotë ajo fjala e popullit “endja dhe lakmia i prish burrat e mirë”. Edhe ky, një tu ulur aty tha “Shqipëria ka nevojë për një Gjykatë të Lartë Administrative”, se duhet të ishte ai kryetari  i kësaj gjykate, dhe në Kushtetutë ne do bëheshim me dy Gjykata të Larta. Vuri një zonjë, zonja Anastasi, e cila është në të drejtën kushtetuese dhe ka treguar një integritet në botën akademike ndaj dhe e them këtu se e meriton plotësisht të jetë në atë komision dhe komisione të tjera. Por çfarë mund të bënte kjo mes katër ujqërve që shihnin Kushtetutën se ku ta shpartallonin për të vendosur veten e tyre.

Erdhëm përsëri duke kërkuar që të kontribuojmë. Krijuam dhe ne grupin e ekspertëve, vendosëm më të mirët dhe kërkuam bashkërisht të punojmë me ju. Jo jo thanë ata, e keni gati dhe shihni projektin tonë. Ekspertët tanë thanë se kërkonin konsensus dhe se nuk kërkonin të bënin një draft të tyrin dhe se njohin si rrugë të vetme për vendin një draft konsensual. E dërguat në Venecia dhe drafti u përmbys plotësisht. Venecia konstatoi në draft se ishin bërë përpjekje që ministri i drejtësisë të ishte ministër i prokurorëve, i gjykatësve, të ishte shef i ekzekutivit. Në draft ishin bërë përpjekje të qarta që të krijoheshin dy prokurori në vend; njëra në varësi të Ramës dhe tjetra në varësi të një humbamenoje. Dhe pasi e merr kryeministri prokurorinë çfarë do bëj pastaj prokurori i përgjithsëm? Ai mbetet kot. Dërguat në Venecia gjëra të paimagjinueshme. Që ata të cilët pranojnë të marrin rrugën e gjykatësit ose të prokurorit të mos gëzojnë të drejta që i garanton konventa europiane e të drejtave të njëriut dhe kjo ëshët e shkruajtur e zezë mbi të bardhë në opinionet e Venecias. Dërguat në Venecia një kaos dhe një shpartallim të vendit në Venecia e gjitha kjo, me një qëllim të vetëm, për tu bërë ju kryegjykatës, kryeprokurorë, për të marrë pushtetin e fundit dhe për të asgjësuar demokracinë shqiptare. Por Venecia është Venecia, ka mendimin e saj, ua ktheu të gjitha mbrapsht.

Menduam se me këtë kthim të Venecias do nxirren konkluzionet, pra që të ulemi të punojmë bashkërisht. Presidenti Komisionit, Buquiçhio shkruajti që forcat politike të punojnë bashkërisht njëlloj si në rastin e ligjit të dekriminalizimit. Ne thamë po, jemi gati. Cfarë gjetëm ne? Në vend të gadishmërisë tonë publike, ne gjetëm kurthin e dytë copy paste me atë që u bë herën e parë.

Ekspertët tanë thirren me dt 29 dhe u vihet nga ekspertët socialistë, fakt i kryer, se ja ku është drafti merreni shqyrtojeni dhe na jepni mendime. Reagimi ynë ishte jo. Pasi ne, me ata që bisedonin me ju dhe me ne, kishim rënë dakort që të punohet në mënyrë konsensuale. Me dt 4 u thirr mbledhja tjetër dhe në fund të funit riprodhuat të njëjtin skenar, me besnikëri patologjike, vetëm e vetëm për të lënë vendin pa reformë. E dërguat përsëri pa ne në Komisionin e Venecias, por kësaj here ndodhi që edhe forca tjetër politike u shkëput dhe bëri draftin e vet, ne nuk bëmë draftin tonë.

Keni çuar dhe do vijnë përgjigjet dhe se si do veproni ju qofshi. Një gjë do ju them këtu. Opozita është treguar e durueshme dhe në interes të vendit e ka bërë këtë. Opozita ka patur alternativë të thotë që shko dhe thyej qafën e bëj çtë duash se s’kam punë me ty dhe nuk bashkëpunoj me ty kurrë, por nuk e ka bërë këtë dhe mendoj se ka bërë mirë sepse janë interesa më të mëdha. Por mënyra si je sjellë ti ndaj opozitës në këtë rast, e ke merituar 100 herë këtë që sapo thashë.

Vijmë tek Byroja. Meqë po më detyron do flas, sepse në fakt ti je shumë herë më i interesuar të ruash një kod të brendshëm por nuk e ruan ndaj dhe unë do flas. Cila është çështja e Byrosë. Zotëria në fushatë elektorale tha se do krijonte Byronë Kombëtare të Hetimit. Erdhi në pushtet dhe tha se menjëherë do krijonte Byronë, në varësi të zyrës së kryeministrit. Ndoshi që këtu, për një vizitë rastësore të ishte një nga juristët më të mëdhenj të kohës së sotme, ish drejtor i institutit MaxPlan, ndofta instituti më prestigjioz që ka toka gjermane, ish këshilltar i qeverive gjermane apo SHBA-ve. Ky zotëri kur u njoh me konceptin e tij (Ramës) të Byrosë, mënyrën e ndërtimit të saj, në mënyrë të revoltuar doli në mediat shqiptare dhe tha se kjo nuk mund të ndodhë kurrë në një vend demokratik.

(ndërhyrje nga salla).. Ju jeni aq të dobët, nuk njihni asgjë, ju njihni vetëm letra bixhozi, nuk njihni shkencëtarë. Ky profesor është një nga tre personalitetet që u zgjodh nga Bashkimi Europian si një nga tre të urtët e Europës për të shqyrtuar rastin e Austrisë. Ka patur kontratë për të mbrojtur Kosovën në Hagë si një vigan i vërtetë, dhe ka fituar gjyqin sëbashku me avoketër të tjerë. Ka qenë avokat i Kosovës. Cilido prej jush që është i interesuar të shkojë të marrë deklaratën e tij.

Megjithatë ky (Rama) nuk ndalet. Bëri ligjin e çoi në Parlament, e votoi në Parlament. Ligji shkoi në Gjykatën Kushtetuese dhe mori rrëzimin e plotë dhe total të tij. Unë kërkova që asnjë përpjekje nuk mund të behët dhe të parakalohet Gjykata Kushtetuese, sepse vendimet e saj janë të barazvlefshme me normat kushtetuese. Kjo u mor në konsideratë dhe nisi puna për draftin e dytë.

U bë drafti i dytë, i cili pasqyronte një fakt, kryesimin nga prokurorë të ekipit antikorrupsion, por e vendoste në varësi të Saje qorrit. Por unë absolutisht 100 herë përpara ia jap Shullazit. Dhe unë, duke qenë me të gjitha dakord marr në telefon dhe shpreh këtë sugjerim, që unë mendos se drejtori polic në krye të saj është problematik dhe se vendndodhja në drejtorinë e policisë është problematike, pasi çdo Prokuror i Përgjithshëm ka të drejtën kushtetuese për të refuzuar këtë vendndodhje. Pasi pa ndryshuar Kushtetutën duke i dhënë Policisë atribute hetimore, kjo nuk mund të bëhet.

Ndërkohë këto pikëpamje u shprehën edhe ne qeveri, i pavarur nga ne, por nga konsensusi kushtetues. Erdhën rekomandimet e Venecias, nuk pranonin kurrsesi që kjo të drejtohet nga jashtë, të drejtohet nga Policia. Rekomandimet e Venecias nuk pranonin që kjo të mos kishte lidhje me Prokurorinë e Përgjithshme, sepse krijoheshin dy prokurori të pavarura në një shtet, çka parimi kushtetues monokratik nuk e pranon një gjë të tillë.

Ishim ne që kërkuam me insistim që të amendonim këto dy çështje të rekomanduara nga Venecia, ta vendosim institucionin (Byronë) aty ku këta zotërinj kanë çuar korrupsionin, pra të Njësia e Krimeve të Rënda, të shtojmë një nen për këtë njësi në ligjin e prokurorit të përgjithshëm, të përcaktojmë kriteret sesi do të përzgjidhen këta prokurorë dhe të fillojë puna brenda 2-3 muajve. Ky ka qenë varianti absolutisht i yni.

Sesa do të vazhdojë opozita të jetë e gatshme për konsensus me ju atë nuk e di, se nuk jam vendimmarrës te kjo opozitë. Por një gjë do të bëj. Do të bëj gjithçka që ky proces të mos jetë një proces i zvarritur. Nëse ka njeri që e ka kuptuar kokë poshtë je ti. Të të ofrojë opozita për të bashkëpunuar dhe ti ta refuzosh, ti qofsh se ti nuk do reformën. Nuk e do, sepse po të behët reforma ka mundësi ta fillojë me Surrelin, ta fillojë me ty punën. Kjo është arsye që ti nuk e do reformën. Dhe kjo është arësyeja që ti, edhe pse dakortësohesh një ditë përpara, të nesërmen bën të kundërtën. Po bëj çtë duash. Ti mburrsh dhe ju shitesh këtyre për Tony Blair në një kohë kur ke 64 vota. Këto shitua këtyre, se mua nuk më shitesh dot për asgjë, sepse ti je një  aksident si kryeministër dhe nuk je kryeministër.

Dhe një gjë tjetër zoti kryetar i seancës,

kërkoj të ndalohen në mënyrë kategorike në komisione çdo lloj debati për PS. Kjo duhet të jetë e prerë, të paktën të mblidhet parlamenti të punojë, PS të mbetet në PS.”

Replikë pas replikës së Ramës:

“Meqenëse fatmirësisht falë shërbimeve të kuvendit, disponoj këtu protokollin zyrtar të procesverbalit të diskutimeve në kuvend, unë po ju lexoj shqiptarëve se çfarë kam thënë unë për byronë e hetimit, ndonëse duhet të pranoj që edhe z. Rama e lexoi atë korrekt, mirëpo ai ka një problem. Nuk ka anësi për të realiteti i vërtetë por  iluzioni që ka në mëndje, bëj ç’të duash ti, absolutisht se mund ti shkulësh iluzionin nga mendja. – “Çfarë ka byroja e hetimit”-  shtroj pyetjen këtu para jush. – “Jua them unë, absolutisht ligji që kanë përpunuar ekspertët amerikanë përputhet tërësisht, duke marrë parasysh vërejtjet e Venecias, me vendimet e Gjykatës Kushtetuese”. Ja pra këto janë çfarë kam thënë dhe çfarë po të them Po të them se nëse ti je i gatshëm të bëjmë amendimet e ligjit në përputhje me sugjerimet e Komisionit të Venecias, hajde të votojmë.

Po ju them se “ligji që kanë përpunuar ekspertët amerikanë  përputhet tërësisht duke marrë parasysh edhe vërejtjet e Venecias me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Kush e pengon do të thoni ju? Kryetari i PD ju ka thënë ndërkombëtarëve silleni në këtë formë. Edhe unë po të them tani se nëse pasqyrohen vërejtjet e Venecias, sille ta votojmë nesër”.  Ja çfarë kam thënë për z. Manjani. – “Njeriu që po mban peng Byronë e Hetimit e ka emrin Edi Rama që gënjen të tjerët dhe thotë, nuk më pranon Ylli Manjani. Ylli Manjani pranon formën që ka sugjeruar Komisioni i Venecias, por ai është Ministër Drejtësie dhe nuk mund të refuzojë kurrë një formë që refuzon Komisioni i Venecias. Ylli Manjani thotë atë që thotë Sali Berisha, që thotë Pandeli Majko, që thotë çdo njëri që ju beson parimeve të drejta për një drejtësi të pavarur”. Kaq kam thënë. Po hajde dhe mbushi mendjen këtij tani. Janë të shkruajtura të gjitha.

Tani do të them dy gjëra të tjera. Lidhur me Nexhmijen dhe citimin që i bërë Bushatit. Nëse ti edhe Bushati ndjeheni krenarë me të shkuarën tuaj në “bllok” dhe Bushati ndjehet e thotë haptas, kjo nuk do të thotë asgjë tjetër veçse kapitalizim moral i krimit, dhe kjo është gjëja me e tmerrshme. Ndonëse Andi Bushati edhe ndonjë tjetër që ka shprehur krenari për të shkuarën, në një kohë kur baballarët e tyre, kanë thyer kocka njerëzisht, kanë internuar njerëz, kanë krijuar dramat dhe fatkeqësitë më të mëdha njerëzore, kjo nuk është asgjë tjetër veçse shndërrimi i krimit në kapital moral. Dhe unë nuk e kam dyshuar këtë asnjëherë. Mund të jem nga më të paktit që e kam konstatuar me habinë më të madhe, sepse unë nuk mund të akuzoj kurrë djalin për përgjegjës për të atin. Po në qoftë se djali mburret me jetën e parajsës që ka bërë për favoret e të atit mbi krime, nuk ka gjë më të shëmtuar dhe më të mjerë, të dhimbshme, sikundër do të ishte absolutisht e dënueshme për Sali Berishën nëse do t’u thoshte juve neo-bllokmenë nga mëngjesi deri në darkë vetëm për shkak të pozitave të etërve tuaj dhe ju ti kishit  dënuar krimet konkrete të tyre, nuk mund ta bëjë kurrë. Por ju se keni bërë kurrë këtë. U deshën vetëm 5 rreshta që ta nxirrja nga strofkulla neo-bllokomenin Bushat dhe të shprehte me krenari se ishte rritur në parajsën e “bllokut” për shkak të meritave kriminale të të atit dhe të gjyshes së vet.

Unë, në periudhën si kardiog në spital ju kam shërbyer pa përjashtim të gjithë qytetarëve shqiptarë, përveç Enver Hoxhës. Nga të burgosur dhe të internuar deri tek anëtarë të Byrosë Politike, sekretar të Komunitetit Qendror. Mund të jem nga të paktët mjek në Shqipëri, që kam refuzuar të jem mjek personal i ndonjërit prej tyre dhe këtë e dinë shumë mirë. Në atë kohë nuk ishte e thjeshtë. Kam refuzuar të jem mjek personal në mënyrë të prerë, sepse isha i pasionuar pas punës sime në spital dhe ky ka qenë argumenti.

Absolutisht në asnjë ditë të vetme nuk kam marrë rrogën në asnjë grup, përveç rrogës sime. Meqë ti citon Bushatin dhe e përvetëson atë, do të të them dy gjëra. Ti nuk ke sesi vepron ndryshe, sepse, mbrapa më është dhënë mundësia të shoh firmat e Vito Kapos në ekzekutime njerëzish, në ekzekutimet e qendrestarëve të Spaçit, si anëtare presidiumi dhe të dhjetërave të tjerëve. Natyrisht ty me Bushatin të bashkojnë krimet familjare dhe nuk mund të jesh ndryshe. Përsa u përket fjalëve të tij, me valixhe druri apo valixhe hekuri ose pa valixhe fare, parajsën e etërve tuaj jua thërrmuam jua bëmë copë e çikë.

Është shumë e vërtetë që të parët e mi, babai im dhe të parët e mi deri në të gjitha brezat, kanë qenë fshatarë. Kanë qenë fshatarë të cilët e rruanin kokën tullë, përveçse majës. Aty linin krifshën. E di pse e linin? Sepse nuk donin kurrë që kur t’ua priste armiku kokën e t’ua fuste duart në hundë apo në gojë e ti poshtëronte, por ti kapte për krifshe. Ata nuk ruanin derra dhe lopë në shpatet e Shpiragut, nuk pëllisnin si lopë dhe si derra për ti ndjellë ato, por e vërteta është se në raste të caktuara ia dolën sëbashku me bashkëfshatarët e vet të djegin të gjallë marshallë të Perandorisë Osmane. Dua të ndalemi pak në këto probleme. Të mos fyejmë të parët por ti lëmë atje ku janë.  Krimet e vetme që kanë kryer ata janë mbrojtje të vendit të tyre, në mbrojtje të derës së shtëpisë së tyre, në mbrojtje të tokave të tyre.

Ndaj, nuk mund ta nxirrje kurrë ti atë në prag të vizitës së sekretarit të shtetit.

Së fundi sot je marrë gjatë me kryetarin e PD. E ke të shkurtër shumë jetën në politikë, se me dy fantazma në shpirt, një të Sali Berishës dhe një të Lulzim Bashës ti do thyesh qafën shumë shpejt.”

Replika fundit pas Ramës:

“Sëmundjet janë sëmundje dhe Sali Berisha është mjek, ndër të tjera. Zotëria është një gënjeshtar kongenital dhe qënia gënjeshtar kongenital e bën atë që çdo të vërtetë ta konsiderojë gënjeshtër, por është i pashpresë, i pakurueshëm. Duke thënë këtë, unë bëj thirrje, të mos humbet kohë, por të fillojë puna për reformën në drejtësi, siç ka sugjeruar kryetari i Venecias, siç kemi kërkuar me mijëra herë për hir të së vërtetës, siç dha dje mesazhin e  qeverisë gjermane, sekretari i shtetit për drejtësi.

Zotëri duhet të kuptosh një gjë. E do apo se do ti opozitën, përdor ti gjithë makinerinë shtetërore kundra saj, në mënyrë absolute integrim pa pjesëmarrjen e opozitës nuk ka dhe nuk mund të ketë.

Unë e kuptoj që kjo të vret thellë në shpirt se ti ke konceptin atëror për votën, etërit tuaj e quanin plumba, ti i quajte shuplakë dhe grushte, po ja që vota në demokraci nuk është as plumb, as shuplakë, as grusht, por është një mekanizëm alternance që i shërben demokracisë.

Vetëm një gjë të dish, se në procesin e integrimit rrugë tjetër mbi tokë, të bësh ç’të duash, të mobilizosh gjithçka, nuk ka, përveç konsensusit, përveç marrëveshjes për problemet që kanë të bëjmë me integrimin. Edhe njëherë ju bëj thirrje të dëgjoni këto mesazhe dhe jo mashtrimet dhe trillimet e tij, të çakejve të tij, që pas çdo gënjeshtre bërtasin Eureka dhe të ulemi të punojmë për të kompletuar reformën.

Jam këtu për dy probleme të shkurtra. Dje mediat dhanë dokumente autentike sesi Albpetroli me sivëlla Kokëdhimën në krye, i shet kockës mafioze Besnik Sula 255 mijë ton naftë, 20% nën çmimin e bursës. Bankers Petroleum fiton 128 milionë euro, kurse Albetroli fiton 105 milionë euro. Nuk është ky konstatimi i Sali Berishës,e ka konstatuar edhe vetë ministria, si edhe iniciativa e transparencës e industrive nxjerrëse. Çfarë ka ndodhur? Zoti Rama merr pjesën e luanit, Koçoja pjesën e tij, Gjiknuri pjesën e tij dhe Albpetroli shet naftën me 20% çmim më të ulët sesa çmimi i bursës, se çmimi që shitet e njëjta naftë në Shqipëri. Dhe ky Besnik Sula që bën këtë, ky është shkaku që 1200 familje në Ballsh janë prej 8 muash pa rroga, sepse Besnik Sula i detyrohet qera mujore kompanisë që kishte uzinën nga 600 deri në 1600 euro në muaj, të cilat përdoren për të paguar fukarenjtë, hallexhijtë e uzinës që kanë 8 muaj pa asnjë lloj kafshate,sepse 5 milion euro shkojnë ne xhepat e këtyre që thash më sipër.

Shqipëria ka një ligj, ligji antimafies i cili detyron policinë dhe prokurorinë në sekuestrojë menjëherë të gjitha pasuritë mafiozëve, trafikantëve. Çfarë ka ndodhur? Kryekockës mafioze Besnik Sula, që kërcënon me vrasje investitorët që duan të marrin uzinën e Ballshit, ju dërgon mesazhe, pronat e tij ky kryemafioz i ka patur që të gjitha në emrin e kryetarit të grupit të trafikut të drogës të Durrësit, Pajtim Braçaj.

Përsëri Pajtim Braçaj është në të gjitha pronat. Çfarë ndodh. Pasi arrestohet Pajtim Braçaj, si kryetar i grupit të trafikut të Durrësit ku ishte Ajet Sula shtyllë kryesore e tij. Pronat që të gjitha transferohen në emër tjetër. Pse të mos them unë që ti je përfitues kryesor, që meqë ka bërë të gjitha këto ti i jep atij Parkun “Rinia” dhe i jep të ndërtojë. Pse të mos them unë që të ka futur në thes me para, se i ke aferat e përbashkëta më Besnik Sulën. Cili kryeministër do të pranonte që të transferoheshin pronat nga kryetrafikanti tek kryemafizoi tjetër, për të mos u konfiskuar vetëm ai kryeministër që i sillen paratë me valixhe.

Do them dhe diçka. (lexon sms) “Përshëndetje, Sot është prezantuar drejtori i Policisë Shkencore, policisë që dogji vet Saje qorri,  si shef i kontrollit të cilsësië, ish kryetari i PS së Vlorës, Xhevair Celoaliaj, i cili do kontrollojë cilësinë e analizave shkencore, të të dhënave të krimit në policinë e shtetit.”


Fjala në Kuvend e ish kryeministrit, Sali Berisha, 11 Shkurt 2016