Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mori pjesë në Forumin e Tiranës për Liri Ekonomike me popranine e filozofit dhe ideologut konservator britanik Roger Scruton.

Sot përballja nuk është mes socialdemokratëve dhe konservatorëve, theksoi kreu i opozites, por mes qytetarëve dhe një maxhorance e cila ka instaluar në Shqipëri një regjim kleptokrat, të inkriminuar dhe me tendenca të forta të totalitarizmit.

“Taksat janë rritur, s’ka diskutim. Akcizat, tarifat janë rritur por paratë nuk përfundojnë në arkën e shtetit. Paratë vidhen dy herë, një herë në doganë dhe tatime dhe çfarë mbetet ndahet përsëri mes qeverisjes dhe klientelës së saj oligarkike. Një grusht njerëzish të cilët vetëm vitin e kaluar sipas burimeve zyrtare të institucioneve shqiptare futën në xhepat e tyre 1/3 e të ardhurave të shtetit. 777 milionë euro, shto këtu edhe 400 milionë dollarë apo 360 milionë euro të zhdukura pa lënë gjurmë, pa nam e nishan nga doganat e tatimet, e në veçanti nga zëra të tillë si karburanti, akciza e karburantit apo akciza e duhanit.”

Zoti Basha u ndal dhe tek koncesionet ose mënyra e re e përvetësimit të parave të qytetarëve. Sot, mazhoranca po i beson gjithçka një grushti njerëzish të lidhur ngushtë me interesat e kësaj.

Në kuptimin teorik na kanë befasuar ne Partinë Demokratike të Shqipërisë, partinë e lirisë ekonomike, partinë e liberalizimit të çmimeve të ekonomisë se centralizuar të Enver Hoxhës. Këta janë shtyrë, jo 1 apo 2 hapa, por  2 km djathtas nesh në besimin e madh që kanë tek sektori privat… …por jo çdokujt në sektorin privat, sigurisht. Një grushti njerëzish të lidhur ngushtë me interesat e kësaj kontrate koncensionare në shëndetësi, këta socialistët shqiptarë i sollën. 1/5 e buxhetit të shëndetësisë i është dhënë importuesit të parë apo të dytë më të madh të duhanit me një tender korruptiv për të bërë check-up-in, kontrollin profilaktik shëndetësor të popullsisë mbi 40-vjeç.

1/5 tjetër i është dhënë një emigranti shqiptar në Itali, me një ndërmarrje me 1 mijë euro kapital dhe një murator si punëtor, për të operuar përmes një kontrate “outsource” –i. Një investim tashmë të bërë me paratë publike nga qeveria jonë e djathtë, me punonjës të trajnuar me paratë e taksapaguesve në formën e një huaje nga Banka e Këshillit të Europës. Furra për sterilizimin e instrumenteve është bërë fringo e re, punëtorët aktualisht janë trajnuar dhe pastaj vjen PS e Shqipërisë dhe këtë investim të paguar me taksat e shqiptarëve ia jep këtij emigrantit në Itali me një murator në firmën e tij bashkë me 1/5 apo 1/4 e buxhetit të shëndetësisë.

Doganat shqiptare kanë dy vite që “gjakojnë” të ardhurat e shqiptarëve. Hemorragji totale, 400 milionë dollarë vjet, 200 e kusur milionë dollarë parvjet.  E ndonëse “Croën-Agents”, agjentët e kurorës nuk na ndihmuan dot këtu, na ndihmuan vetëm të kuptojmë pak sesi vidhet por nuk e ndaluan dot vjedhjen. Mesa duket James Bond-in e kishin lënë në Londër, këtu kishin sjellë vetëm analistët.

Prapë se prapë po bëjnë gati të japin me koncesion mbledhjen e TVSH-së. Shtyllën kurrizore të të ardhurave të shtetit. “Po bëjnë gati është shprehja, këtë po e them me delikatesë se në fakt e kanë përcaktuar se kush do ta marri. Do ta marrë vëllai i kryeministrit  përmes një kompanie guackë, “offshore” në Hong Kong, të paktën kështu raporton një media që ka mbetur apo i thotë vetes e pavarur,  Rrjeti i Gazetarëve Investigativ  të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë këtë javë na kanë njoftuar se ka edhe dy propozime të tjera të pa kërkuara, të pa kërkuara d.m.th kërkuara por të pa kërkuara për koncesion. Njëra ka të bëjë me taksën e pronës, kadastrën fiskale dhe tjera ka të bëjë me agjencitë doganore.”

Lideri i opozitës në fjalën e tij u ndal edhe në një shqetësim të madh që kanë sot investitorët e huaj por edhe ata vendas. Inkriminimi i pushtetit dhe pasiguria juridike. Zoti Basha tha se kryetari i PS solli në Parlament persona me precedent penal vetëm e vetëm për të fituar me dhunë disa zona ku ishte i pashpresë në përballjen politike.

Ky regjim ka ardhur në pushtet me një aleancë me krimin dhe në parlamentin shqiptar tashmë janë larguar në forma dhe rrethana të ndryshme 5 individë të dënuar në Itali, në Zvicër, në Belgjikë. S’janë socialistë, s’kanë milituar asnjë ditë në PS por janë sjellë në PS nga kryetari i tyre  për ti garuar në zona që i konsideronte të pashpresa, pa sjellë horra, rrugaçë, njerëz të armatosur dhe me paratë e drogës në xhep.

Dy vite e gjysëm jemi përballur me këtë betejë menduam që e kaluam këtë fazë duke miratuar ligjin për dekriminalizimin. Por javën e kaluar kryeministri provokoi një krizë parlamentare sepse refuzon të fusë në zbatim këtë ligj, refuzon që përmes amendimit të këtij ligji t’i ndalë rrugën një banditi i cili megjithëse u arrestua duke goditur me armën e tij të paligjshme e duke gjakosur katër bashkëqytetarë të tij, prapë se prapë përmes një tjerrje mes policisë –prokurorisë dhe gjykatës përmes një alibie, përmes një mrekullie të gjetjes së një gëzhoje dy muaj pasi kishte ndodhur ngjarja, ia doli të vinte në Parlament.”

Lidhur me reformën në drejtësi kryetari i opozitës Lulzim Basha theksoi se Edi Rama nuk asnjë interes tani që ka kapur drejtësinë, e shantazhon dhe e përdor atë. Dhe i vetmi I interes i tij, tha zoti Basha është se si ta mbajë nën kontroll.

Kanë vetëm një interes, që këtë kapje e çimentojnë, të ruajnë lakun në fytin e gjyqtarëve të ndershëm apo të korruptuar. Të ruajnë levat mbi prokurorët të ndershëm apo të korruptuar,  të ruajnë kontrollin mbi gjyqësorin, kësaj i thonë reformë. Por gjithçka tjetër edhe kur rekomandohet nga Komisioni i Venecias edhe kur ka mbështetje euroatlantike këta i fut në një kolaps, në një dilemë të vërtetë.

Pse? Sepse një sistem i reformuar i drejtësisë me gjyqtarë e prokurorë të pakapur politikisht, të pashantazhueshëm nuk ka si të tolerojë zhdukjen dhe vjedhjen e 1/8 të buxhetit të shtetit në një vit. Nuk ka si të pranojë këtë aleancë të krimit me politikën.”

Zoti Basha ka sjellë në vëmendje dhe fyerjet dhe kërcënimet që kryeministri përdor në Parlament dhe jashtë tij.

Ky diskutim do të ishte fyerje për ata protestues jashtë e për mijëra  e mijëra shqiptarë që sot nuk shohin një përballje midis një botëkuptimi socialistë dhe një botëkuptimi liberal, por me një kleptokraci kriminale që për t’i vënë kapakun ka një kryeministër që flet me gjuhën që do të bënte edhe Duçen, të skuqej.

Nuk mbaj mend as nga leximet e mia, as nga përvoja ime që Duçja të ketë thënë që kush nuk voton partinë fashiste është dele a budalla. Ky e ka thënë, piktori ynë. E ka thënë para një jave që kush nuk voton Partinë Socialiste është o dele o budalla. Dhe kjo është kopertura totalitare por jo vetëm, edhe subkoshienca totalitare.”

Zoti Basha ka sjellë në vëmendje platformën e Partisë Demokratike e cila do ta bëjë Shqipërinë konkurruese dhe do t’i japë frymëmarrje biznesit duke nxitur punësimin dhe zhvillimin.

“ Programi ynë fiskal parashikon taksën e sheshtë 9% dhe kur themi taksë e sheshtë e kemi në të gjitha nivelet, duke përfshirë dhe sigurimet shoqërore.  Reduktimin e TVSH-së në nivelin 15% bashkë me një paketë robuste për çmontimin e të gjitha pengesave administrative dhe burokratike në raport me regjistrimin e biznesit, operimin e biznesit me kontrollet  nga inspektoriatet e shumta që sot u marrin frymën në raport me sektorë të caktuar, siç është bujqësia ku do të eliminohen të gjitha  kërkesat parazitare të cilat parazitojnë korrupsionin pasi nuk kanë sjellë asgjë të mirë në formalizimin e biznesit bujqësor. Ndihmë të targetuar për sektor prioritarë të zhvillimit si bujqësia, energjia turizmi e infrastruktura. Sigurisht platformën e kemi, vizionin e kemi, alternativën e kemi dhe do t’ua japim shqiptarëve rrugët e zgjedhjes. Por vetëm pasi të largojmë me çdo kusht e me çdo çmim rrezikun totalitar të një regjimi të inkriminuar dhe kleptokrat. Dhe për këtë nuk ka rrugë tjetër përveç rezistencës, përballjes, protestës deri në zhbërjen me themel të këtij regjimi”.


 

Njoftim për media e Partisë Demokratike, 27 Shkurt 2016