Byroja e Kuvendit vendosi sot pasdite të rrëzojë kërkesën e opozitës për masë disiplinore ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Komisionit të Ekonomisë Braçe për fjalorin e tyre të rëndë fyes ndaj deputeteve të opozitës në Kuvend. Në mënyrë të njëanshme, Byroja vendosi përjashtimin e deputetëve Gent Strazimiri dhe Bedri Hoxha për 7 ditë nga punimet e Kuvendit dhe 2 ditë për deputeten Albina Deda. Nënkryetarit i Kuvendit Edmond Spaho e cilësoi këtë vendim si tërësisht arbitrar dhe paralajmëroi përshkallëzimin e reagimit të opozitës.

Prononcimi për mediat

Edmond Spaho: Ne kërkuam masë ndaj kryeministrit dhe ndaj kryetarit të Komisionit të Ekonomisë që me fjalorin e përdorur prej tyre u bë rrjedhojë për veprimet e disa deputetëve të opozitës. Për fat të keq, siç ka ndodhur edhe herë të tjera, Byroja e Kuvendit dënoi viktimat dhe jo shkaktarët dhe agresorët. Në vend që të dënonte kryeministrin dhe kryetarin e Komisionit të Ekonomisë për fjalorin që përdorën, dënoi deputetët që reaguan në përgjigje të këtij fjalori thellësisht fyes për deputetet femra por edhe për deputetë të tjerë. Nuk habitemi me një veprim të tillë pasi ky Parlament e ka treguar tashmë fizionominë e tij mjaft të qartë, një Parlament i mbushur me persona të inkriminuar të cilët hyjnë e dalin sipas dëshirës sa herë që duan ata në Kuvend. Ndërsa ne i nxjerrim nga dritarja ata hyjnë e krekosen në Kuvend nga dera. Dy deputetët e opozitës u dënuan me 7 ditë përjashtim nga Kuvendi dhe deputetja Albina Deda me 2 ditë përjashtim. Kurse kryeministrit dhe kryetarit të Komisionit të Ekonomisë iu rrahët krahët dhe u përgëzuan për fjalorin e përdorur në Kuvend.

Pyetje: Çfarë do të veproni ju më tej?

Edmond Spaho: Ne do ta përshkallëzojmë në përputhje me këtë qendrim të maxhorancës. Do të shtyrtojmë të gjitha opsionet.

Pyetje: Çfarë ndodhi në mbledhje?

Arbjola Halimi: Së pari, ne u përpoqëm që të argumentonim akuzat që kemi ngritur kundrejt Kryeministrit Edi Rama për fyerjet që ka bërë në Kuvend dhe reagimin tonë më pas dhe kundrejt deputetit Erion Braçe për fyerjet që ai ka bërë ndaj meje kryesisht. Kjo ishte arsyeja përse ne ishim këtu. Albina Deda për të mbrojtur pozicionin e saj pasi ajo është e akuzuar nga pala tjetër dhe është kërkuar që të merret një masë disiplinore ndaj saj. Ndërsa unë isha për të argumentuar masën disiplinore që kisha kërkuar ndaj deputetit Braçe.

Pyetje: Kanë marrë masa disiplinore ndaj jush zonja deputete? 

Albina Deda: U diskutua gjatë se si erdhi situata në atë pikë. Edhe për akuzat që u ngritën për tre deputetët e Partisë Demokratike, ku jam unë, zoti Strazimiri dhe zoti Hoxha. Kryesisht ne insistuam në kërkesën e Partisë Demokratike, për dënimin e Kryeministrit Rama dhe të deputetit Braçe, të cilët kanë fyer në vazhdimësi opozitën, të cilët kanë fyer në vazhdimësi deputetet femra.

Jemi në një situatë paradoksale, në një Parlament, ku opozita proteston për të drejtën e saj legjitime dhe përballë kemi fyerje që vijnë nga goja e Kryeministrit në mbrojtje të kriminelëve dhe të korruptuarve që ndodhen në atë Parlament dhe që janë të mandatuar pikërisht dhe të futur e të kompozuar nga Rama vetë.

Ne diskutuam gjatë, prezente ishin edhe zonja Leskaj dhe zonja Hafizi. Kryesisht unë debatova me zonjat sepse ato ishin të dyja aty, zonja Leskaj drejtoi seancën atë ditë, ishte shumë arrogante, filloi menjëherë votimin dhe aty ishte përballja më e madhe që nisi mes deputeteve dhe unë kam goditur Ramën me atë shukun e letrës së lagur që ishte në foltore. E sqarova qartë këtë. Por zoti Balla tha që nuk i kemi pamjet filmike me zë, sepse duan të fshehin fyerjet që ka bërë Rama në drejtimin tim dhe reagimin pastaj të zotit Strazimiri dhe të zotit Hoxha, të cilët pastaj goditën Kryeministrin.

Pyetje: Me kaq sa thatë, cili ishte vendimi i Byrosë zonja Deda?

Albina Deda: Vendimi i Byrosë është që të dënohen deputetët e opozitës, por të mos preken Kryeministri. Është i paprekshëm Kryeministri. Pra, ai ka çdo të drejtë në këtë vend, të emërojë ministra të korruptuar, të marrë kriminelët, t’i fusë në Parlament, të na përballë në fushata me elementë të tillë. Është një situatë paradoksale. Opozita, nëse do të dënohen deputetët e PD, do ta përshkallëzojë më tej aksionin dhe unë deklaroj këtu para jush se sot është fundi i moralit dhe i ekzistencës së këtij Parlamenti, nëse do të dënohen deputetët e opozitës.

Pyetje: Kur thoni që do të përshkallëzoni protestën, çfarë nënkuptoni? 

Albina Deda: Ne do të qëndrojmë aty dhe do ta përshkallëzojmë aksionin tonë opozitar në Parlament. Përshkallëzimi është se ne do të bllokojmë seancat. Ato duhet që të tolerojnë, është një e drejtë e opozitës kjo, është e argumentuar qartë nga Partia Demokratike që ne kemi të drejtë parimore dhe teknikisht mund të realizohet kjo ndërhyrje që në Parlamentin shqiptar të mos ketë njerëz që janë të kapur në flagrancë, duke dhunuar qytetarët, të cilët i kanë votuar.

Pyetje: Nuk mendoni se jeni duke prishur rendin e reformave që po diskutohen në komisionet parlamentare?

Arbjola Halimi: E ka prishur Edi Rama duke sjellë kriminelët në Parlament.

Albina Deda: Opozita nuk e kishte parashikuar këtë ardhje të Armando Prengës, të këtij elementi kriminal në Parlament. Ne ishim në mbështetje të Reformës në Drejtësi dhe të të gjitha hapave të tjera. Vendimi është që ne, nuk do të marrim pjesë në komisionet parlamentare edhe këtë javë. Do të shikojmë reagimin e mazhorancës, nuk presim ndonjë reagim të themi të vërtetën. Sepse Rama ka treguar që është i papërgjegjshëm përderisa arrin dhe fyen në atë gjuhë deputetët, absolutisht të mos mendojë se do të rrijë gjatë në atë karrige.

Pyetje: Zonja deputete një pyetje, a është normale që Shqipëria është një vend kandidat për në BE dhe të shikojmë ato skena duke u goditur me letër të lagur apo me vezë?

Albina Deda: Ne ato mjete kemi. Ne kemi punuar në të gjitha seancat, madje kemi folur më shumë se mazhoranca, mazhoranca ka deputetë, ka dhe ministrat, e gjithë salla është me mazhorancën aty, ne kemi folur ndoshta edhe trefishin e mazhorancës, pra, kemi treguar vullnet për të diskutuar, për të argumentuar dhe unë vetë si deputete kam qenë gjithmonë përballë ministrave, kryesisht përballë ministrit të Shëndetësisë sepse atë fushë e njoh edhe më mirë, jam profesioniste aty, kam qenë përherë me argumente dhe nuk e kam fyer as Beqajn, mediat e kanë parë momentin kur ai më ka fyer. Këta fyejnë sepse nuk kanë argumente, përballë me opozitën dhe nuk kanë mënyrë tjetër për t’u shprehur ndaj opozitës. Pra, fyerja është mbrojtje për kriminelët, për të korruptuarit që Rama ka futur aty.

Pyetje: Cila ishte përgjigjja e Byrosë për kërkesën tuaj?

Albina Deda: I lamë duke shqyrtuar këtë pjesë. Sepse ne ia vendosëm si kusht nëse do të dënohen kolegët duhet të dënohet edhe Rama. Kushti duhet zbatuar.

Pyetje: Zonja Halimi, ka një pretendim nga zoti Braçe se ju gjatë ditës së djeshme keni goditur me shkelm punonjësit e sigurisë në Kuvend dhe pikërisht kjo ka provokuar dhe reagimin e tij.

Arbjola Halimi: Faleminderit zotit Braçe që më bëri kaq agresive sepse unë nuk jam e tillë. Ata që më njohin e dinë. Unë kam kërkuar sot zbardhjen e regjistrimeve sepse ajo që ishte më e papranueshme nga ky takim, ishte që gjëja e parë që na u tha është që nuk janë regjistrimet apo nuk i gjejmë, janë shumë pak e nuk mund të shërbejnë si prova. Ne i sugjeruam kryetarit, që njëherazi ai është edhe kryetari i Kuvendit të marrë të paktën pamjet që janë shpërndarë dje botërisht në të gjitha mediat brenda dhe aty mund ta konstatojë fare mirë se çfarë ka ndodhur në atë seancë, ndërkohë që kryetari tha se nuk gjente aq regjistrimet që Kuvendi vetë i mban. As vetë nuk e kuptova se si nuk mund të kemi filmimet.

Albina Deda: Rama ka pranuar sot, me nënqeshjen e me tallje se e bëra për humor. Pra, ka pranuar që këto fyerje kanë ndodhur në Parlament, kanë dalë nga goja e tij kundrejt deputetëve të opozitës, në rastin konkret ndaj meje. Prandaj Rama e ka treguar se është i papërgjegjshëm, e kam goditur Ramën në shenjë të indinjatës së mirditorëve, çdo zyrë në Mirditë është e mbushur me kriminelë, nxori edhe ish-administratorin e Kaçinarit për gërhitje nga Gjykata e Lezhës. Pra, jemi para një situate paradoksale ku krimi dhe kriminelët afrohen nga Kryeministri, mbahen në Parlament dhe fyhen deputetët që kanë dinjitet, që kanë vlera dhe që respektohen në zonat që ata përfaqësojnë.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 26 Shkurt 2016