Dal në këtë orë të vonë për të komunikuar me ju, për një ngjarje të rëndë të ndodhur sot në Pajovë të Peqinit, rreth orës 18.00, brenda në një lokal, ku kryetari i degës tonë në këtë qytet, Diell Çela, është rrahur barbarisht nga deputeti i PDIU Aqif Rakipi dhe vëllai i tij.

Partia Demokratike e denoncon ashpër këtë ngjarje, si një sulm të pastër politik ndaj përfaqësuesit tonë.

Ngjarja vjen në kuadrin e një kriminaliteti në rritje brenda mazhorancës qeverisëse, dhe pason goditjen me armë dy ditë më parë në Ersekë të anëtarit të PD nga kryetari i PS atje.

Dhuna barbare e ushtruar ndaj kryetarit demokrat të Peqinit nga deputeti i mazhorancës është shprehje e inkriminimit dhe lehtësisë më të cilin banditët e veshur me pushtet, godasin e rrahin qytetarët dhe përfaqësuesit e opozitës.

Partia Demokratike i kërkon prokurorisë procedim të shpejtë dhe hetim serioz e të plotë të ngjarjes.

Ndërkohë, Partia Demokratike ka njoftuar dhe ka informuar ambadasat dhe partnerët ndërkombëtarë për këtë rast skandaloz dhune.

Ne duam të sigurojmë çdo qytetar, se Partia Demokratike dhe njerëzit e saj as nuk frikësohen e as nuk ndalen në betejën për të pastruar politikën dhe shoqërinë nga krimi.

Do të jemi në krye të kësaj beteje çdo ditë, dhe do ta fitojmë këtë betejë bashkë me qytetarët.


Deklarata per mediat e Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani, 28 Shkurt 2016