Në emër të grave demokrate, por jam e sigurt se në emër të çdo gruaje, vajze dhe nëne sot në vend, dua të dënoj ashpër gjuhën dhe sjelljen fyese, të paprecedentë që ka ushtruar ne mënyrë të përsëritur Edi Rama e që e ushtroi edhe në seancën e fundit në parlament ndaj zonjave, kolegeve Deda dhe Halimi.
Askush nuk kishte arritur deri në këtë fjalor e adresim publik fyes e agresiv ndaj një gruaje, ndaj një nëne, ndaj një përfaqësuese politike, siç bëri Edi Rama në seancën e të enjtes.
Më tej, Byroja e Parlamentit nën urdhrat e tij, dhunoi sërish gratë deputete, duke mos marrë asnjë qëndrim, e duke ndëshkuar viktimat.
Edi Rama, në këtë mënyrë, nuk ka dhunuar vetëm dy kundërshtare të tij politike, por çdo grua shqiptare, çdo socialiste, çdo vajzë e nënë, me parti, pa parti. Çdo grua që sjell jetë, çdo grua që zoti e ka krijuar. Një akt i papranueshëm tradicionalisht, i papranueshëm aq më shumë sot në vitin 2016.
Prej tre vitesh në qeverisje, ai ka dhunuar verbalisht, psikologjikisht, fizikisht mijëra gra duke i hequr nga puna padrejtësisht, po dhunon gratë e profesioneve te lira duke ju falimentuar bizneset nga rritja e shumëfishtë e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ka mashtruar çdo zonjë që ka bërë mamografinë e lëvizshme e që ende s’ka marrë asnjë përgjigje; po dhunon çdo grua që dergjet spitaleve pa shërbim e mjekim se ai e ka kthyer shëndetësinë në biznesin e tij më të madh përfitues. E tani po dhunon te gjitha gratë që kanë një biznes të vogël me barrën e tmerrshme të taksave e tarifave lokale në bashkitë që drejtohen nga PS.
Edi Rama, u tall e fyeu çdo grua e vajzë që i doli përpara në rrugën e tij. I shtyu drejt vetvrasjes nëna, gra dhe motra që s’përballonin dot arrogancën e pushtetit të tij.
Ne nuk mund të heshtim. Ne duhet të reagojmë per çdo grua që sot dhunohet fizikisht, ekonomikisht dhe psikologjikisht nga Edi Rama.
Ne gratë, duhet te protestojmë jo vetëm për Albina Dedën dhe Arbiola Halimin por edhe për zonjat Merjeme Dilishi (Suku) dhe Mirela Neli kandidate për deputete te Partisë Socialiste për qarkun e Lezhës që u kërcënuan e dhanë dorëheqjen për t’i hapur rrugën një personi me precedent penal, edhe për Silvana Maksutin kandidate për deputet e LSI për Durrësin që e detyruan të mos e pranojë vendin e deputetes.
Ne duhet të protestojmë edhe për Melita Çengen, infermieren nga Shkodra, edhe për Brunilda Meken nga Korça, të cilat Rama i hoqi nga puna dhe i çoi drejt vetëvrasjes. Ne duhet të protestojmë edhe për zonjën Resmie Alla, 35-vjeçaren, e cila humbi jetën sepse donte që fëmijët e saj të kishin pak dritë, edhe për mijëra gra e nëna që sot vuajnë se s’kanë mundësi të plotësojnë as nevojat me minimale të fëmijëve.
Në dorë e kemi vetë ne, gratë e vajzat, të çojmë nderin në vend. Ne do ngrihemi në këmbë për ti dhënë fund fyerjes dhe dhunimit e për të jetuar me dinjitet ashtu siç e meritojmë!
Të martën në orën 12, le të jemi të gjitha bashkë, para Kryeministrisë në protestë për të ndalur dhunën e për të mbrojtur të drejtat tona!
Deklaratë e kryetares së Lidhjes Demokrate të Gruas, Albana Vokshi, 27 Shkurt 2016