Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma e shoqëruar nga kryetari i PD-së së Lezhës Paulin Marku takoi banorët e Torovicës së Lezhës të cilët vuajnë ende nga përmbytja dhe mungesa e vëmëndjes qeveritare. Një zonë e pasur bujqësore me mbi 5 mijë banorë që vuan nga mungesa e rrugës dhe ujit të pijshëm duke izoluar këtë komunitet i cili jeton në një varfëri të madhe.

Banorët i shprehën Sekretares Duma shqetësimet e tyre për mungesën e investimeve dhe në veçanti të menaxhimit të përmbytjes pasi ende sot ka hetarë të shumtë toke nën ujë. Ata kërkuan ngritjen e shqetësimeve të tyre për të dalë nga varfëria e skajshme pasi mbi 40 familje kanë lënë fshatin për të kërkuar azil si të vetmen shpresë.

“Jemi të përmbutur dhe kërkojmë të paktën të pastrojnë kanalet. Të paktën të bëjnë këtë gjë. Jemi akoma të përmbytur. Jetojmë vetëm me pensionin e mamasë dhe jemi 6 veta në shtëpi. Ka ardhur edhe kryeministri këtu por sot nuk i bie ndërmend të vijë më këtu. Të na shohë tani mirë.  Nuk e kanë mbajtur asnjë premtim. Rrena. As për rrugën, as për kanalizime dhe kanë sjellë dy eskavatorë për vota. Kanalizimet nuk i kanë. Ujësllellës nuk kemi. Kanë bërë vetëm shkollën fillore por edhe aty kanë vjedhur. Janë 40 familje që kanë ikur prej këtush. Nuk ka asnjë mundësi tani sepse edhe azilin e kanë mbylllur”, u shpreh një prej kryefamiljarëve.

Një tjetër shqetësim i banorëve janë edhe faturat abuzive të energjisë elektrike. “Babai ka 15 vjet që më ka vdekur por mua më vijnë akoma fatura. I bëjnë afrofe. Më kërkojnë të paguaj 12 milionë lekë”, tha një banor tjetër.

Sekretarja Duma u shpreh se Partia Demokratike do të ofrojë çdo ndihmë ligjore për tu ardhur në ndihmë qytetarëve që kërkojnë të drejtën e tyre në dyert e institucioneve të shtetit. Ajo solli disa raste se si banorët diskriminohen politikisht si rasti i një çifti pensionistësh të varfër që nuk përfitonin ndihmën nga ministria e Bujqësisë për gjedhët e tyre duke u thënë se jeni anëtarë të Partisë Demokratike.

“Në fakt problemet janë shumë të mëdha dhe nuk dua të jem këtu për premtime që njerëzit i zhgënjejnë kur u thonë do të bëjmë 100 % kur mundësitë nuk janë për të bërë 100 % të gjërave. Të vjen keq që njerëzit thonë të jetë së paku si në vitet 90  me një rrugë, me një ujësjellës, me një shkollë dhe jo me mijëra hektarë të mbjella me punë krahu, djerse dhe gjaku e që nuk bëhet fjalë për bujqësi me subvencione, impute e naftë pa akcizë sepse keto nuk njihen këtu. Më e keqja është që këta qytetarë as që i pretendojnë më këto. Pretendojnë për ujin e pijshëm se shkojnë në Lezhë me bidona dhe paguajnë transportin. Një problem i madh janë edhe dritat. Njëri tha se nga problemet e higjenës i kanë nxjerrë fëmijët nga spitali ndërkohë që qendra shëndetësore këtu në Torovicë nuk egziston. Kanë vuajtur për një mjek dhe një infermjere dhe nuk mund të bëhet fjalë për urgjencë. Rrugën e pamë vetë dhe qytetarët e vuajnë çdo ditë. Ajo që mund të them për problemet ligjore të qytetarëve e që nuk u njihen të drejtat, si Parti Demokratike kemi vënë në dispozicion mbështetjen juridike falas që të marrin të drejtën në dyert e institucioneve. Kemi realitete më të rëndë si ajo e dy pensionistëve që dy vite përpara kishin gjedhë. Edhe pse sot i matrikulojnë nuk marrin dot paratë e tyre sepse i thonë në ministrinë e Bujqësisë që je tek lista e militantëve të partisë tjetër që është një nga gjerat që në Shqipërinë e 2016, për të gjitha arsyet bashkë dhe për kaq pak shqiptarë sa jemi, duhet të kishte marrë fund. Por kjo e keqe s’po merr fund”, tha Duma.

Ajo tha se ky realitet duhet të marrë fund duke shtuar se duhet tu jemi borxhlinj qytetarëve që kanë ende shpresë tek politika dhe në veçanti tek Partia Demokratike.

“Është bërë një reklamë e madhe që do ketë decentralizim të pushtetit vendor por në fakt nuk po ndodh nga pikëpamja financiare. U bë reklama vetëm për të ndarë territoret politikisht por kur vjen puna tek financat, buxheti dhe tek ajo që njerëzit prekin nuk bëhet fjalë që kryetarët e bashkive të kenë atë akses që duhet të kishin sepse edhe territoret i kanë shumë më të mëdha. Megjithatë, pas këtyre takimeve së bashku me kryetarin e Partisë Demokratike të Lezhës dhe kryetarin e Bashkisë të vendosim disa piketa që të buxhetohen. Njerëz që kanë pasur durimin që me këtë vuajtje të na presin prap dhe të kenë besim dhe të thonë që sërish kemi besim tek politika, në fakt ne duhet t’u përulemi dhe me keqardhje them që ne bëjmë shumë pak në raport me durimin që ata kanë për jetët e tyre që ne duhet të ndihemi borxhlinj që i shohim rrallë herë”, u shpreh Sekretarja e PD.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 28 Shkurt 2018